|
Shqiptaret te bashkojne trojet apo njeri-tjetrin?
Revista “Shqip”, qershor 2007
Për dekada të tëra thënia se pa u zgjidhur çështja shqiptare Ballkani nuk do të kishte kurrë qetësi dukej një e vërtetë më shumë e zbuluar nga arkiva e historisë se sa nga mundësia realizimit në kohën kur bëhej referimi. Në jetën e shqiptarëve të shekullit të shkuar realkomunizmi dhe bashkimi i trojeve etnikë të ndarë përgjysëm kanë qënë dy gjërat më pak të besueshme se do të ndodhnin shpejt. Mirëpo logjika e historisë bëri që të dy mitet e gënjeshtërta të binin njëri pas tjetrit. Ra e para diktatura këtej dhe përtej kufirit. Hyri shumëpartitizmi dhe u shpërbë ish-Jugosllavia komuniste. U bë pluraliste, por nuk u prish Shqipëria. Përkundrazi, sistemi i hapur, demokracia, afroi lirinë edhe për shqiptarët në Kosovë, për zgjerimin e të drejtave të tyre të natyrshme në Maqedoni dhe Malin e Zi. Shoqëria e hapur dhe ndikimi i modelit të zhvillimit perëndimor ofroi lirinë edhe për vetë serbët. Në mesqershor 1999 krijesa e sforcuar e një federate vendesh, ku Serbia të kënaqte ambiciet e saj të epërsisë shovene, përfundoi proçesin e çmontimit të saj pjesë-pjesë, shpërbërje që e kishte filluar në fillim të viteve nentëdhjetë pak çaste paqësisht e më pas vite të tëra me forcën e armëve.
Në mes të verës 1999 çlirimi i Kosovës i dha fund përdorimit të kallashnikovëve, tankeve, avionëve, blindeve, policive speciale, paraushtarakëve. Pushkët që shqiptarët shtinë në Maqedoni në fillim të vitit 2001 ishin presion i detyruar force dhe jo hapje e një lufte të mirëfilltë çlirimtare. Ishte ushtria maqedonase që nuk përmbajti dot nervat, nuk e kuptoi se aty nuk bëhej fjalë fare për pavarësim etnik dhe përdori arbitraritet.
Gjithsesi në verën e vitit 2001 në Ballkan u mbyll zgjidhja e çështjeve nacionale me anë të përdorimit të armëve. Filloi revanshin e saj diplomacia apo zgjidhjet e buta. Mali i Zi e shpalli pavarësinë pa hedhur asnjë krismë. Kosova do ta përjetojë çastin e pavarësimit të saj të mbikqyrur përkohësisht po ashtu, në paqe të plotë. Mirëpo Serbia nuk e ka mbyllur rikthimin e saj në shtatin normal, atë natyral. Mund kjo gjë të përjashtohet, sepse nuk do të thotë aspak që një shtet të mos funksionojë edhe kur është shumetnik ose me troje të gjëra ku jeton një popull tjetër. Serbia mund të bashkëjetojë qetësisht me pakicën e madhe të hungarezëve dhe të integrohet në proçeset e bashkimit evropian pa u shkëputur një palë nga tjetra. Gjer tani, për fat të keq, pa ja mohuar vlera të tjera që ka si popull, komb dhe elitë, shteti serb ka dëshmuar se popujve përbërës brenda kufijve të vet u jep vetëm fatin e vartësit. Siç Kosova ka një fat të dëshmojë se për pakicën serbe i duhet të dijë të bashkëjetojë në përputhje me standartet më të përparuara demokratike, ashtu edhe Beogradi ka një shans që me hungarezët brenda shtetit të vet të provojë se gjithsesi di të vetëkorregjohet dhe të përvetësojë kulturën moderne të shumetnisë. Ndryshe, patjetër paqësisht, shtati i shtetit të tij do të mpaket e rikthehet në dimensionet etnike.
Po të ndodhte kështu nuk do të ishte ndonjë gjë fort inkurajuese, sepse do të rivërtetohej që në Ballkan një proçes rikthimi në vetëm dimensione etnike akoma nuk mund të ndalet. Do të shihnim edhe njëherë tjetër pasojat e një sprove të dështuar në gadishull të formatit të bashkimit të popujve nëpërmjet modelit serb federativ. Po u rikthyen të gjithë kombet në shtatet e tyre etnike atëhere do të provohet se përvoja jugosllave, veçanërisht me dekadën e Sllobodan Millosheviçit, ka qënë në kronikat e historisë jo vetëm një dështim i bujshëm, por edhe mjaft frikëndjellës. Në qoftë se në Ballkan modeli federativ me qendër Beogradin do të konceptohet nga popujt e tij si humnera më e zezë e fateve kombëtarë atëhere mes tyre, përveç prirjes së natyrshme të vetmbrojtjes nëpërmjet vetvendosjes shtetërore mbi kufinj sa më skrupulozë etnikë, do të zgjasë tejskajshëm ngurrimi e në mos ndjenja e mospëlqimit ndaj formave të tjera të bashkimit apo bashkëjetesës së ngushtë.
Kjo, po të ndodhte, do të ishte rënimtare, sepse proçeset e zhvillimit botëror shkojnë drejt globalizimit dhe në vrapin e madh të ndryshimit popujt ballkanikë mund të mbeten mbrapa.
Në rast se Federata e Jugosllavisë, pra përvoja e shumështetit me qendër Beogradin, me të kaluarën e saj problematike do të pengonte proçesin e domosdoshëm të integrimit në BE të popujve të saj ish-përbërës, atëhere në Ballkan krijohet një problem jo më i vogël se ai i disa dekadave më parë. Shpërbërja e mëtejshme e Serbisë, pra ikja edhe e popullsisë hungareze, por edhe largimi nga shtetet e tjerë të kombësive të ndryshme që kanë brenda kufijve të tyre, ballkanasit kanë kohë ta ndalin paqësisht. Kjo duhet bërë në emër të ruajtjes së kulturës së bashkëjetesës dhe kalimit sa më të shpejtë të të gjithëve në Bashkimin Evropian.
Për t’i shpëtuar ndonjë fati gjeostrategjik të pamerituar kombet përbërës të gadishullit, dikur zemër e Evropës me emrin Haemus, këto vite të pasfederatës jugosllave u shtrenguan të rikthehen mbrapsht në kohë (për fatet e tyre nacionale ishte hap para) duke ndërtuar e forcuar shtetet e tyre etnikë, ndërsa më pas u duhet të shpejtojnë ritmet për t’u rikthyer në format e përparuara të bashkëjetesës e bashkimit mes tyre. Duke qënë se në Ballkan as Athina dhe as Beogradi nuk kanë bindur popujt fqinjë se e kanë aftësinë për të qënë qendra të bashkimit si partnerë të barabartë, nuk mbetet rrugë tjetër veç grumbullimi rreth Brukselit. Pra hyrja më e sigurtë në federatën e vetme që kemi në kontinent, në Bashkimin Evropian.
Madje ky proçes ka përparuar aq shumë sa shtetet etnike të krijuar në gadishullin tonë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke qënë jo për fajin e tyre të vonuar, përpjekja për t’u integruar në BE i gjen ende në mes të proçesit të formësimit nacional. Kjo do të thotë se të paktën në parim nuk janë plotësisht gati për t’u aderuar në Bashkimin Evropian dhe të dy proçeset do t’i kalojnë sëbashku, paralel, pa pritur përfundimin e integrimit kombëtar që të nisin atë panevropian.
Në një farë mënyre të dy integrimet do të treten brenda njeri-tjetrit.
Operacioni nuk është aq i lehtë, pas tij gjenden mjaft të papritura të karakterit organik, pra “mostretje” e mirë, veç gjithsesi nuk ka rrugë tjetër. Koha e humbur duhet fituar dhe haraçi për këtë humbje është një pagesë që duhet bërë.
Ooooooooooooooo
Më shumë se gjithë popujt e tjerë ballkanas janë shqiptarët ata që çështjen e tyre nacionale, më dramatiken në gadishull, duhet ta zgjidhin krahas asaj të eurointegrimit. Fati e rrethanat nuk u dhanë kohë që dramën e tyre kombëtare, ndarjen mes për mes të trojeve dhe të popullsisë etnike si edhe shpërndarjen e saj në pesë shtete, ta zgjidhnin jo në vitin 1913 kur u ndodhi, as pas Luftës së Parë Botërore, as më 1920 apo dhjetë vite më vonë, as pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, as gjatë gjysmëshekullit të Luftës së Ftohtë, por në prag të vitit dymijë. Ishte një ndarje e rendë dhe e gjatë, plot nentë dekadëshe. Në rast se kësaj situate do t’i gjenim të përshtatshëm një mënyrë figurative shprehjeje pak a shumë do ta përshkruanim kështu: Ismail Qemali realisht flamurin kombëtar të shtetit të pavarur shqiptar e ngriti më 28 nentor 1912, kurse në të vërtetë atë flamur ai akoma nuk e ka ngritur plotësisht. Në Vlorë figurativisht ai e gjysmë ngriti flamurin. Në majë të shtizës dhe në valvitje të plotë ai mund të jetë vetëm në ditën kur bashkësia ndërkombëtare dhe OKB do të njohë pavarësinë e Kosovës.
Këtë çast edhe pse ende troje e bashkëkombës të tjerë mbeten jashtë dy shteteve shqiptare, kjo çështje mund të konsiderohet si pranë zgjidhjes përfundimtare më të sigurtë.
Si një zgjidhje që në Ballkan do të marrë jetë në një mënyrë origjinale, nëpërmjet dy shteteve, çështja shqiptare vetëm atëhere do ta ketë të hapur rrugën të mbrothësojë. Zhvillimet po shkojnë në këtë drejtim, shumë rrethana vendimtare i shtyjnë ngjarjet këtu. Problemi, pra, nuk është nëse do të ndodhë apo jo një pavarësim i Kosovës, por a jemi gati ne, të gjithë shqiptarët, për këtë çast.
Fare lehtë mund të pohosh se jo vetëm jemi të gatshëm, por po “digjemi” nga pritja. Edhe pse është shumë e rendë mund të pranojmë edhe të kundërtën: se nuk jemi tamam gati. Pa e tepruar përmasën e kësaj vetkritike na duhet të pranojmë se në fillim ishte koha prapa, gati një shekull i mbetur në vend, kurse tani ajo u kondensua me një shpejtësi kozmike dhe e kapi dimensionin e humbur. Tani mund të ndodhë që të jemi mbrapa ne shqiptarët. Në pamundësi të kemi magjinë e mrekullueshme të kohës për ta fituar vetveten duke ndryshuar ritmin, mund të gjendemi para çastit historik tepër larg.
Këtu nuk është fjala që përshembëll akti i pavarësimit të mbikqyrur të Kosovës do të na gjejë pa përfunduar korridorin e gjërë rrugor Durrës-Qafë Morinë. Ai patjetër do të na gjejë pa e çelur këtë arterie të rendësishme të mirëfunksionimit të kombit. Po ashtu nuk është fjala se çasti i pavarësimit të shtetit të ri të Kosovës do të na gjejë edhe pa mbajtur qoftë edhe një kongres mbarëkombëtar, kaq herë i deklaruar. Momenti i shpalljes së Kosovës shtet i ri me siguri do të na gjejë edhe me mungesën e mostakimit simbolik, qoftë edhe njëherë të vetme, të të gjithë klasës kombëtare politike. Të paktën deri tani ja kanë dalë ta bëjnë botuesit apo profesorët e studjuesit e shumtë.
Me një fjalë “28 nentori 1912”, kjo ditë akoma e parealizuar plotësisht, tashmë flamur i ngritur edhe më lart në vitin 2006, do të na gjejë me jo pak mungesa. Asgjë dramatike nuk ka në këtë defekt, çdo populli, kujt më shumë e ndokujt tjetër më pak, i ka ndodhur e njëjta gjë. Asgjë nuk koordinohet dot të ngjajë në një mënyrë të tillë që në çastin e duhur të jenë gati të gjitha. Kjo nuk ndodh as me dasmat e thjeshta të njerëzve e jo me shtetet e kombet. Në kontinent në historinë e jo pak popujve thuhet se kur ka qënë gati francezët nuk ishte gati Franca apo kur u shpall Italia si shtet më vete nga shpallësit e pavarësimit të saj u pohua publikisht “tani duhet të bëjmë italianët”.
Në një farë mënyre ne shqiptarët i kemi, por nuk kemi ende Shqipërinë. Dhe me Shqipërinë nuk e kemi fjalën vetëm për shtetin e parë të kombit tonë. Kemi parasysh edhe shtetin e dytë të tij, të paktën.
Madje ditën kur do të pavarësohet (e mbikqyrur nga OKB dhe BE) Kosova atëhere do të kuptohet fare qartë se një zgjidhje e tillë shumë e dëshiruar nga shqiptarët është një gjysmëzgjidhje e tyre kombëtare, një zgjidhje në zgjidhje e sipër.
ooooooooooooo
Në mes të këtij viti apo e shumta pak muaj më vonë ne do të kemi një Shqipëri dhe një Kosovë (apo Dardani). Veç Shqipëri tjetër nuk do të ketë. Koreanët vërtetë jetojnë në dy shtete, por njeri quhet Koreja e Jugut dhe tjetri Koreja e Veriut. Çdo qytetar në pasaportat e gjithsecilit prej dy shteteve quhet korean. E njëjta gjë u ndodhi edhe vietnamezëve. Në zemër të Evropës nuk u ngjau ndryshe gjermanëve, të cilët Lufta e Ftohtë për një gjysëm shekulli i ndau mes për mes në Gjermani Perëndimore dhe Gjermani Lindore. Edhe të ndarë përgjysëm, po aq dhimbshëm sa shqiptarët, shtetet përkatëse në pasaportat apo kartat e identitetit i quanin gjermanë. Me një Shqipëri dhe një shtet tjetër me emrin Kosovë apo Dardani (ndoshta edhe një emër më ndryshe) patjetër në pasaportat e gjithsecilit shtet kombësia do të shkruhet “shqiptare”, por nënshtetësia si do ta ketë emrin? Patjetër për ne me kryeqytet Tiranën do të jetë ashtu siç ka qënë jetë e mot: shqiptarë. Te bashkëkombasit tanë nënshtetësia sipas të gjitha rregullave do të rrjedhë nga vetë emri i shtetit. Pra ata do të quhen kosovarë ose dardanë, kjo e fundit një dëshirë e ëndërr e Ibrahim Rugovës.
Në të vërtetë kjo nuk është një ndarje e rendë apo fort problematike, veç gjurmë e dukshme ndarjeje ka. Ata shovenë që na e bënë këtë pabesi në vitin 1913 e kishin parasysh këtë gjë. Ata plagën e hapën aq të thellë që të dhimbte edhe kur të mbyllej. Sepse ka plagë që dhembin edhe kur quhen të mbyllura. Këto janë plagët e pashëruara plotësisht.
Shqiptarë dhe dardanë?! Shqiptarë dhe kosovarë!? Nuk kemi pse dëshpërohemi vërtet, por trishtimin nuk mund të bëjmë sikur nuk e ndjejmë. Jam duke përfunduar një libër trevëllimësh për çështjen shqiptare dhe një nga protagonistët e ngjarjeve të përshkruara në të, një kolonel nga Tirana që ka marrë pjesë si vullnetar në UÇK dhe më pas, për afro katër vite, në rindërtimin e Kosovës së pasluftës, më lutet gjithnjë të mos tregohem i shkujdesur e për bashkëkombasit me kryeqytet Prishtinën të shprehem “kosovarët” apo “shqiptarët e Kosovës”. Ai është i prerë në porosinë që më jep. Duhet të shkruaj patjetër “shqiptarët në Kosovë”. Ndryshe, më paralajmëron, kur ta lexojnë librin bashkëkombasit do të zemërohen.
Mirëpo ja që shumë shpejt ky problem do të duhet të përballohet nga vetë ata, shqiptarët përtej kufirit të shtetit të tyre të parë. Për dy-tre muaj rresht, madje edhe tani e në vazhdim, rrethe dhe elita të caktuara të pjesës tjetër të kombit tonë debatuan gjatë për emrin e shtetit të tyre të ri. Në asnjë rast ai nuk kishte jo fjalën Shqipëri, por as rrënjën Shqip. Po ashtu në debatin e zjarrtë që ka përfshirë elitën bashkëkombase për simbolet e shtetit të tyre të pavarur po kërkohet edhe një himn tjetër, jo ai i Shqipërisë. Sigurisht shtet më vete nuk do të thotë aspak që të kesh një flamur të njëjtë me një shtet tjetër, në rastin konkret si Shqipëria. Po ashtu nuk mund të kesh as të njëjtin himn shtetëror. Këto janë rregullat më elementare të njohjes zyrtare nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Duke qënë se vëllezërve tanë në Kosovë u duhet patjetër një himn i mëvetësishëm shtetëror, mbase u takon bashkëkombasve që jetojnë në Shqipëri të hartojnë edhe ata një himn të ri shtetëror. Të mos përdoret himni i tanishëm, cili realisht nuk quhet shtetëror, por kombëtar. Vargjet e tij kendojnë ëndërrën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre. Në një zgjidhje të tillë do të hapej rruga që shqiptarët në dy shtetet e tyre të kishin ndryshe himnet shtetërore dhe të përbashkët himnin kombëtar, atë kengë e marrsh të bukur që nis me fjalët “Rreth flamurit të përbashkuar/Me një dëshirë e një qëllim/Të gjithë atje duke u betuar/Të lidhim besën për bashkim!”
Emri i shtetit të ri sigurisht duhet të mos jetë aspak me formën Shqipëria. Siç nuk mund të jetë i njëjti flamur dhe himn, nuk mund të jetë i njëjtë edhe emri i shtetit. Mirëpo dhe tek flamuri, edhe tek himni, edhe tek emri varet sa e shtrijmë ne distancën. Ose më saktë sa e mbajmë të hapur hendekun ndarës. Ose më mirë: varet nga ne sa ja bëjmë gropën vetes.
Oooooooooooo
Tek mënyra se si diskutojmë për himnin, flamurin dhe simbolet mes dy shteteve shqiptare dallohet fare qartë distanca që kemi mes njeri-tjetrit. Atë fillimisht na e kanë krijuar, më pas me praninë e këtij hendeku jemi mësuar edhe ne. Pavarësimi i domosdoshëm i Kosovës në thelb nuk është thjesht dekreti i OKB-së, një vend në sallën e madhe të selisë së saj madhështore në Nju Jork apo përfaqësitë diplomatike të vendosura në kryeqytetet e disa vendeve të globit. Pavarësim real i Kosovës do të thotë sa ne, shqiptarët, do ta mbajmë të hapur distancën e ndarjes mes njeri-tjetrit, sa do të dimë ta ngushtojmë e shkatërrojmë përfundimisht këtë ndarje, në fund të fundit sa do të dimë e kemi guxim të bashkohemi.
Kur thuhet e shqiptohet fjala “bashkim” menjëherë duket sikur bëhet fjalë drejtpërsëdrejti për bashkimin e trojeve. Thua me të shtyrë kufijtë deri në hapësirat ku popullsia shqipfolëse është më shumë se pesëdhjetë përqind, gjithçka zgjidhet. Bashkë me të edhe çështja shqiptare. Mirëpo ky është një iluzion, patjetër nga një dëshirë e mirë dhe nga pritja e gjatë e realizimit të një të drejte të ligjshme që në të paktën objektivat e Lidhjes së Prizrenit. Bashkimi i kufijve në thelb është hapje e tyre. Duhet thënë se kemi disa kohë që ne shqiptarët mes vetes kufijtë territorialë i kemi të çelur. Pa viza hyrëse apo thjesht me taksa që nuk kapërxejnë pesë apo dhjetë eurot ne mund të shkojmë nga Prishtina në Tiranë, Durrës e Sarandë, nga Himara në Tivar e Ulqin, nga Vlora në Ohër e Tetovë. Pra në të vërtetë edhe pse në katër shtete të ndryshme (Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri) ne kufijtë nuk na pengojnë të jemi të bashkuar. Nuk ka përse duket paradoksale por në një rrethanë të tillë vetë thelbi i çështjes shqiptare është relativisht e zgjidhur. Kosova si shtet i pavarur e pasuron dhe e çon më tej këtë zgjidhje.
Pikërisht sepse një nacionalizëm i vjetër i tipit etnik, ai që këtë zgjidhje e kupton vetëm si bashkim trojesh, na rri para syve si nostalgji, bën të keqkuptohemi edhe me problemet e vërteta që ne kemi në këtë proçes bashkimi. Sepse me hapjen e kufijve mes nesh dhe qarkullimin pa pengesë të njerëzve, mallrave, kulturës bashkimi vetëm ka nisur në mënyrë të sigurtë, ai kërkon kohën e vet për t’u realizuar. Dy Gjermanitë ishin të ndara përdhunisht për vetëm gjysmën e kohës sa kemi mbetur të ndarë ne shqiptarët e megjithatë proçesin e ribashkimit vazhdojnë ta kenë me probleme. Mirëpo para kësaj ndarjeje Gjermania ishte shtet më vete, madje mjaft i fortë, prej shekujsh, kurse ne po prej shekujsh ishim shuar si i tillë. Për shkak të ndarjes së thellë që kemi pësuar proçesi i bashkimit tonë real, ai i mendjeve dhe i zemrave, do të jetë mjaft i gjatë dhe i ndërlikuar.
Ja përse të ndodhur në shtete të ndryshme ne duhet të jetojmë si një popull i tërë. Kjo do të thotë që të paktën në të njëjtën kohë ne duhet të dimë çfarë ka ndodhur në Gjakovë dhe në Himarë, në Ulqin e në Tetovë, në Koplik të Shkodrës dhe në Luginë të Preshevës. Provojeni me mend ta bëni një provë të tillë dhe po të jeni nga Prizreni nuk dini pothuaj asgjë çfarë ka ngjarë në Korçë, po të jeni nga Gjirokastra nuk dini asgjë çfarë ka ndodhur në Tivar dhe po të jeni nga Tetova vështirë të sillni ndërmend ndonjë lajm si të paktën është moti në Vlorë.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|