Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ka elite, s’ka elite

Korrieri, 1 dhjetor 2006

Bashkëkombasi më i fundit me autoritet që dha një opinion të tij për elitën mes shqiptarëve ka qënë Prof. Rexhep Qosja. Para ca ditësh për këtë temë iu bë pyetje nga një televizion i Tiranës dhe ai u përgjegj pak a shumë se elitë duhet të thotë vlerë. Ndërsa me sa kuptohej i qendronte idesë se në krye kemi shumë, por në të vërtetë elitën e kemi të paktë dhe në parametra modestë, akademiku i njohur ishte tejet i prerë në një gjë: në politikë elitë nuk kishim fare. Realisht sipas tij kemi vetëm një klasë politike ose më saktë një grup individësh që e ushtrojnë këtë profesion lirisht në Tiranë apo në Prishtinë, në Shkup a kudo tjetër ku flitet shqip.
Para se profesorit të nderuar, kujtdo tjetër e mbi të gjitha vetes sonë t’i kërkojmë një reflektim për këtë temë, do të na duhet për pak çaste të qendrojmë mbi vetë historinë e fatit mes shqiptarëve të fjalës dhe dukurisë së quajtur Elitë. Këto vitet e fundit, duke u futur mes nesh, disa ajo i ka gjetur të papërgatitur, të tjerë i ka vënë në mendime dhe jo pak i ka shushatur. Si dilemë hamletiane pyetet “Vërtet a ka elitë Shqipëria”? Apo “Ka elitë kombi ynë?” Ose “Ka pak individë apo grupe shoqërore me këtë status, ka shumë, nuk ka fare apo ka thjesht pseudoelitë?” Të gjitha këto pyetje që në ndërgjegjen tonë të zgjuar vonë kanë pulsuar vetëm kohët e fundit, nuk bëheshin dhjetë vite të shkuara, madje as në prag të vitit dymijë. Që koncepti i elitës mes nesh akoma nuk ndihet natyrshëm, si në shtëpinë e vet, këtë nuk kemi pse e fshehim. Gjatë gjysmëshekullit realkomunist ajo ishte një fjalë e papranuar. Arsyet janë të njohura, nuk duan asnjë rresht më shumë shpjegim: vetë sistemi i asaj lloj diktature mbështetej mbi nënshtrimin intelektual ndaj vetëm një partie politike dhe grupit të saj udhëheqës. Kulti i PPSH-së dhe i vetë Enver Hoxhës, si çdo lloj kulti, binte ndesh drejtpërsëdrejti me vetë ekzistencën e elitës.
E traumatizuar, e hutuar dhe pa kurajën e nevojshme ideja e elitës u rishfaq e druajtur pas vitit nentëdhjetë. Mirëpo integrimi i saj në jetën e shqiptarëve u duk që në fillim punë e ndërlikuar. Bashkëjetesa e vështirë me elitën nuk ka qënë vetëm pasojë e gjysmëshekullit bolshevik. Aspak të lehtë ajo nuk e ka patur jetën edhe në monarki, po ashtu edhe para saj. Jemi ne shqiptarët që mund të bashkëjetojmë deri edhe me shpikjet më të fundit teknologjike, me kompjuterat e antenat satelitore, me vilat më luksoze dhe automjetet më të shtrenjta, por jo me elitën. Në të gjithë Tiranën ka vetëm tre pllaka që rikujtojnë se në këtë apo atë shtëpi ka jetuar aktori Naim Frashëri apo Sandër Prosi. Emri i mbretit Zog në kryeqytetin shqiptar zotëron gjysmën e bulevardit më të madh që deri tani ka Shqipëria, ndërsa gjysma tjetër quhet “Dëshmorët e Kombit”. Pas shumë peripecish, për fat ndërsa është i gjallë, nisi rindërtimi i shtëpisë së Ismail Kadaresë, porse lajmet e këqija thonë se gati janë zhdukur nga faqja e dheut shtëpitë e Migjenit dhe të Lasgush Poradecit. Prej një ndërhyrjeje të politikës njërës prej godinave kulturore më sugjestionuese të Tiranës iu vu emri i të paharruarit Pjetër Arbnori, por në raste të tjera ky zell i dobishëm rrëzohet në pikiadë kur fjala bie se ku do të jetë një ditë, përshembëll, i materializuar në lendë po kaq madhështore Faik Konica, aktori i famshëm amerikan me origjinë të afërt shqiptare Xhon Belushi apo nobelisti bashkëkombas Ferid Murati. Kur diktatura ra dhe filloi jetën shoqëria e hapur a nuk e keni vënë re një dukuri shqetësuese? Ndërsa filluan të rikthehen mes nesh vlera të mëdha të mohuara për një gjysëm shekulli paralelisht u lanë mënjanë të pambrojtur dhe pa garanci me qindra e qindra vlera të krijuara gjatë diktaturës. Në rast se profesorati mësimdhënës u ruajt, sepse shkollat dhe universitetet nuk mund të mbylleshin, pothuaj e gjithë pjesa tjetër e këtij profesorati u la nën shkujdesje. Institucionet kërkimore ku bënin jetën shkencore ose u lanë në formatet e vjetra të organizimit ose kur reformimi i tyre i vonuar u bë urgjent, u sipërmor jo prej atyre vetë, por nga ana e zyrave qeveritare. Kur kulti i një grupi monist politik u shemb dhe iu çel dera hyrjes së elitës ndodhi një “hakmarrje” e fundit e mënyrës së vjetër të të menduarit: pjesa e zgjedhur e aktorëve tanë të teatrit dhe filmit u la mënjanë. E braktisi vetë shteti, ai që në tranzicionin e vështirë nga një sistem në tjetrin duhej të ishte roja dhe mecenati i kësaj elite. E veçojmë si shembëll trupën e madhe shqiptare të aktrimit për një arsye të thjeshtë: ka qënë në historinë e vendit tonë një nga elitat më konkuruese në Ballkan. Nuk duam të përmendim këtu emra të veçantë, sepse Teatri Kombëtar apo disa trupa të tjera të dramës, filmit apo komedisë kanë qënë një shkëlqim. Në rast se vërtet Kinostudioja nuk mund të mbijetonte e ndryrë në atë strukturë absurde ekonomike, nuk i falej shtetit tonë të mos hiqte mënjanë nga buxheti i tij modest një paketë financimi më të madhe për të mos ja lënë prodhimin e filmave vetëm privatëve. Akoma edhe pas një dyzine e gjysëm vitesh shoqëri të hapur Shqipëria, ndërsa gëzohet që eksporton birrën apo ujin, nuk ndihet e alarmuar që nën kujdesin e shtetit pothuaj nuk prodhon asnjë film. Thua filmat nuk janë mbrojtësit më të mëdhenj të identitetit tonë, por krijime thjesht për zbavitje. Nuk na duhet Lenini sepse ja pamë hajrin, por duhet t’ja çmojmë mprehtësinë kur nxiti prodhimin e filmit si mënyra më e mirë për realizimin e projektit të tij të nëmur sociopolitik. Një Shqipëri e përgatitur për të hyrë në BE është një superprojekt i madh, pozitiv, i cili nuk bëhet dot as pa filmin modern kombëtar.
Ne shqiptarët kemi probleme të ndërgjegjes në raport me elitën tonë. Duke u ndjerë të gjithë të rendësishëm, të gjithë me kapacitet për t’u bërë presidentë apo kryeministra, shkrimtarë apo vip-a, ambasadorë apo ministra, njerës që ndihemi të gjithfuqishëm edhe kur jemi portjerë apo policë trafiku, e kemi shumë të vështirë të pranojmë të kemi një grup bashkëkombasish të shquar e që kërkon trajtim të veçantë. Duke mos patur në shoqërinë tonë kasta (për fat) ne nuk kemi ndërkohë asnjë lloj hierarkie shpirtërore. Ne edhe në shtet nuk e njohim fort hierarkinë administrative, madje ndjejmë qejf kur gjeneralin e vëmë ta komandojë togeri. Jeta shqiptare vazhdon të jetë e vetorganizuar në një mënyrë të tillë që elita jonë intelektuale të gjendet nën monopolin e disa individëve që merren grykësisht me politikë. Ky është një shrregullim i madh fiziologjik i shoqërisë sonë. Përbën anomali të rendë, deformim që mund të rezultojë fatal.
Akademik Rexhep Qosja që nga Prishtina në intervistën e tij për televizionin e Tiranës ishte i prerë: ndërsa në fushat e tjera shqiptarët sadopak kanë elitë, në politikë kjo gjë nuk ndodh. Profesori i nderuar në konkluzionin e tij ishte i ndikuar edhe nga disa skandale që përfshinë një pjesë të parlamentarëve të Kosovës, të cilët me paratë e popullit të tyre kuronin dhembët apo blinin parfume, krahas një veture blinin e përdornin edhe një jeep. Për privilegje të tepruara nuk kanë munguar shembujt edhe mes deputetëve të Tiranës. Më i fundit: sipas shtypit të ditës disa parlamentarë nga rrethet akoma marrin dieta e shërbime edhe pse me kohë kanë blerë shtëpi e jetojnë në kryeqytet. Ja përse për disa të vërteta nuk ke çfarë shton më tepër, sepse e kupton edhe më i humburi që më shumë se ndonjë deputet Shqipërisë dhe kombit i jep një shkrimtar shpirtbukur si Zija Çela apo një yll i kengës si Inva Mula, një balerin si Kleidi Kadiu apo një gjuhëtar si Shaban Demiraj. E megjithatë mohimi i vlerave elitare në politikë nuk ka pse shkon përtej asaj që përbën të vërtetë. Politika shqiptare jo nuk ka, por zotëron elitën e saj. Ajo nuk mund të jetë, bie fjala, në lartësinë që ne kemi albanologët, e megjithatë elita politike i ka kapur nivelet e para të mjaftueshme për t’u cilësuar si e tillë. Politikushtruesit më kryesorë të pasrënies së diktaturës nuk na kanë ardhur nga shtresat periferike të shoqërisë, por nga ato më të ndriçuara mendërisht. Kosova deri një vit më parë kishte figurë numër një dijetar dhe po ashtu të tillë e ka aktualin. Në Tiranë grupi që po i reziston më gjatë tranzicionit në fushat e tyre profesionale janë Doktorë-Profesorë. Të tjerët, ata që nuk kanë grada shkencore, janë të arsimuar bollshëm. Nuk janë cilësitë e tyre intelektuale që i bëjnë kontradiktorë, të adhurohen fortësisht nga një grup dhe të shahen nga mjaft të tjerë. Të kritikueshëm i bën zanati që kanë zgjedhur dhe ushtrojnë. Më shumë se profesion i shërbimeve dhe i vetmohimit politika te ne akoma është edhe i mëkateve publike.
Kemi elitë. Ajo është sipas përmasave tona shqiptare e megjithatë ekziston. Duke e minimizuar apo mohuar praninë e saj, qoftë edhe vetëm në politikë, nuk kryejmë gjë tjetër veç zakonin tonë të vjetër që bëjmë sikur nuk e shohim. Eshtë mënyra jonë origjinale dhe kokëfortë e shpërfilljes së elitës. Jemi ne që nuk e shohim dhe për këtë arsye kujtojmë se ajo klasifikohet si inekzistente.

Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com