Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tirana nuk eshte Tirone

“Korrieri”, 21 dhjetor 2006


Në të vërtetë ballafaqimi i ardhshëm zgjedhor ose beteja elektorale e rradhës, edhe pse detyrimisht është me përmasë kombëtare, politikisht pothuaj bëhet për Tiranën. Prej këtej burojnë prej saj disa veçansi.
Përshembëll ajo bën të tregojë se ka tension të lartë mes vetes, por realisht politika shqiptare po përdor gjakftohtësisht “lojën” parlamentare. E ngërthyer me vetëdijë në këtë hapësirë ajo e di se nuk i ka të drejtat të pakufizuara, por gjithsesi edhe pse me ndonjë tejkalim, dëshmon se njeh përherë e më mirë deri ku i ka kufijtë e lejes morale. Që loja parlamentare të shkojë në një limit deri fare afër durimit njerëzor shumë kushtetuta në botë deputetëve u njohin edhe fjalorin ekstrem, edhe ndonjë grusht në fytyrë, edhe sulm me vazo lulesh. Për fat dhe jo vetëm për këtë arsye që kur paketa ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve vendore ka ngecur në një mospërputhje mes opozitës dhe shumicës qeverisëse jo vetëm nuk është fryrë në sallën e Kuvendit ndonjë bilbil, as ka patur ndonjë kokëkrisje fizike, por nuk është gërvishur asnjë suprinë tavoline. Kjo është shenja e sigurtë se kush paralajmëron për revolucione shumëngjyrësh (ndodh që ngatërrojnë termat “i kadifejtë” me atë “portokalli”) nuk e ka me të vërtetë. Bën presion normal me ndopak shantazh. Kjo është e gjitha. Shqipëria e ka bërë njëherë revolucionin e vërtetë në dhjetor 1990 dhe e ka mbyllur këtë kapitull. Më pas ka patur vetëm trazira me formate nga më të ndryshmet.
Në konkurimin e ardhshëm vendor kemi për të bërë zgjedhje të lira e të rregullta, më të mira se të 3 korrikut. Madje pa vrarë njeri, siç turpësisht na ndodhi herën e shkuar. Nuk kemi rrugë tjetër. Nuk gjendet shteg ndryshe. Jemi të dënuar të bëjmë zgjedhje normale jo vetëm tani, por edhe pas një viti, pas pesë vitesh, përgjithmonë. Këtë “dënim” e dinë mirë edhe në pozitë edhe në opozitë. Provat për këtë ndërgjegjësim janë të qarta.
Po atëhere përse të “dënuarit” me zgjedhje të rregullta e detyrimisht brenda eurostandarteve nuk i japin fund kësaj gjendjeje të amulltë që krijon shqetësim jo vetëm mes zgjedhësve dhe opinionit publik shqiptar, por edhe në zyrat kryesore të bashkësisë së vendeve të zhvilluara të Perëndimit? Përsa kohë jokonsensusi ishte vetëm “punë e brendshme” e Shqipërisë asgjë dëm i dukshëm nuk na ndodhte, edhe pse periudhat e gjata me tension e konfliktualitet të lartë politik i lënë gjurmët të paktën në ekonomi. Porse prej momentit kur kjo mosmarrëveshje u bë problem për bashkësinë e gjerë ndërkombëtare (ndërhynë mediatikisht përfaqësues që vinin nga BE dhe SHBA) akrepat e orës për ne shqiptarët filluan të lëviznin mbrapsht. Kushdo që ta ketë fajin kryesor, më të voglin e tij apo më të madhin, madje edhe të gjithë racionin, në ato zyra të larta të Perëndimit nën shenjimin e vëmendjes së alarmuar del Shqipëria. Emrat e partive apo të politikanëve janë hollësi, të dhëna sqaruese apo shtesë. Dhe po qe se kësaj rradhe problemi që ne kemi krijuar mes vetes del nga dosjet e zakonshme të punës së kançelerive perëndimore dhe depërton deri te media, kjo e fundit, gjithnjë sipas zakonit të saj për të prodhuar lajm me çdo kusht, do t’i bjerë akoma më shkurt. Në tituj do të vendoset fjala Shqipëri. Shumë emra individësh apo partish politike për opinionin e gjërë publik ndërkombëtar janë fare pak ose aspak të njohura për t’u ngjitur deri te titulli i shkrimit. Fjala Shqipëri po, ajo gjithnjë tërheq vëmendje. Vendose, në rast se dëshiron, deri edhe në titullin e një libri dhe në zemër të kontinentit me siguri do të kesh dhjetë lexues më shumë.
Mirëpo kësaj rradhe ajo që do të ndodhë në vendin tonë nuk do të depërtojë deri te ngutja e atyre titujve trishtuesë me lajmin se nga vendi kronikisht problematik goditi kontinentin edhe një mbrapshti tjetër shqiptare. Lajmet e shkurtëra që do të shpërndajnë agjensitë e mëdha do të përmbajnë kumtin se zgjedhjet në “vendin e shqiponjave” u mbajtën qetësisht, u vlerësuan përgjithësisht në mënyrë pozitive nga OSBE apo gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe se fitoi kjo apo ajo parti. Mundet edhe të mos ketë asnjë lajm, në kuptimin që agjensitë do të formulojnë por asnjë media e rendësishme e kontinentit nuk do t’i “blejë”. Zgjedhje të pjesshme apo të plota në Evropë i bie të mbahen njëherë në dy javë.
Po atëhere përse e gjithë kjo zallamahi polemikash të ndërsjellta? Mos sepse vërtetohet edhe njëherë që ne shqiptarët jemi karaktere emocionalë, të paqetë e zhurrmëtarë, me aftësi të kufizuara për dialog e konsensus, sherrxhinj e kokëfortë, njerëz që i bjemë shkurt? Sigurisht këto karakteristika kombëtare ndikojnë në këtë që po ndodh, porse kemi ndjesinë se ato nuk janë kryesoret. Jemi natyra të vështira, por gjithsesi shqiptarët janë edhe njerëz të gëzuar, plot dëshirë për jetë sa më të mirë dhe bashkëbisedues të kendshëm. Ajo që mendojmë se peshon në këtë ngecje të rradhës së frymës së konsensusit ka të bëjë me Tiranën, kryesisht me të.
Për nga shumëllojshmëria e rrethanave ballafaqimet elektorale janë të papërsëritshëm. Për herë të parë pas rënies në diktaturës ndodh që kryeqyteti shqiptar të marrë një përparësi pothuaj ekskluzive. Fitorja e përmbysësve të diktaturës në Tiranë në mars 1991 ishte e rendësisë tejet strategjike. Disi më pak peshë të tillë përbënte kjo fitore edhe një vit më pas, ku rendësi të dorës së parë kishte ngadhënjimi masiv i opozitës në të gjithë shtrirjen gjeografike të vendit. Në zgjedhjet e mëpasshme marrja e Tiranës nga kjo apo ajo parti e koalicion është synuar fort, por asnjëherë nuk ka përbërë një kështjellë kaq të lakmueshme sa tani, në prag të këtyre zgjedhjeve vendore.
Kjo ndodh jo për ndonjë arsye tradicionale nga ato që u konsumuan vitet e shkuara. Si edhe dje tanimë një parti apo bashkim i tyre mund ta ruajë fare mirë përmasën e shumicës në Kuvend edhe në rast se nuk e merr dot Tiranën. Në fund të fundit nuk është se e kishte dhe ja morrën. Ndërkohë ka të ngjarë të ndodhë që zgjedhësi, edhe pse deri ato çaste qeverisja vendore mund të ketë qënë e mirë, të dëshirojë t’ja japë shansin edhe sulmuesve kembëngulës dhe kështu të ndërrojë të parin e qytetit. “Ta provojmë edhe njëherë palën tjetër” nuk është as shenjë provincializmi, as dëshmi pazhvillimi. Hyn në veprimet e zgjuara. Zgjedhësi modern arsyeton se i duhet një më i mirë se i miri që ka patur.
Ndërkohë mund të ndodhë normalisht ta fitosh Tiranën, por në të njëjtën kohë në ditët e mëvonshme të mos kesh gjendje qendrueshmërie kohëgjatë te përmasa e shumicës kuvendore. Të gjitha këto që bëjmë janë arsyetime apriori, sepse sondazhe nuk ka. Anketat tona thonë se kush pritet të fitojë (dhe që këtu nis dyshimi se mund të jenë të manipuluara) dhe nuk zhbirrojnë në thellësi të faktorëve që ndikojnë. Aktualisht dihet se kryeqyteti kësaj rradhe ka marrë një rendësi ekskluzive sepse njëra palë ka zbuluar se aty, pra në betejën për Tiranën, gjendet edhe pika kyçe e tjetrës palë. Eshtë pika më e fortë apo më e dobët këtë e përcaktojnë ata që merren drejtpërsëdrejti me strategjinë e betejës elektorale. Rregulli, duke i dhënë përparësi sulmit në pikën më të dobët, nuk përjashton atë në nyjen më të fortë. Për manualin e llogarive politike rendësia speciale është se me rënien e kryebashkiakut aktual prodhohen dëme të mëdha brenda palës që e ka edhe kryetar e lider të saj.
Ja përse edhe tensioni është (gjakftohtësisht) i lartë, madje provohen deri teknika ostruksioniste. Këto janë vërtet zgjedhje të zakonshme vendore, por ku mund të prodhohen pasoja sa edhe zgjedhje të vërteta politike.
Mirëpo rasti fatlum e solli që “çelësi” i dëshmisë së rritjes sonë qytetare kësaj rradhe, pa mohuar çdo vlerë tjetër anë e mbanë Shqipërisë, të gjendet në Tiranë, në mjedisin tonë shoqëror më të zhvilluar. Kryeqyteti ynë historikisht me kaq shumë të ardhur por edhe me banorët e saj autoktonë mjaft babaxhanë, mund të jetë Tironë në ndonjë tabelë kafeneje, bar-i apo restoranti me haje tradicionale, veç jo në një ballafaqim politik e zgjedhor. Ngatërresa e vetme që na duket se mund të ndodhë mes palëve konkuruese ka të bëjë mbase me këtë keqkuptim.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com