Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vrasje para Shtetit

Korrieri, 18 gusht 2006

Ky titull sigurisht është i rendë, tepër i keqkuptueshëm dhe aspak i këshillueshëm po të orientohemi nga dëshira që mbi publikun të mos hedhim tension e stres më shumë nga sa vetë jeta normale përmban. E zgjodhëm këtë titull vetëm sepse nuk kishim rrugë tjetër për të bërë sa më fort të ndjeshme atë që do të tregojmë, pra vrasjen. Jo vrasjen me plumb, me dinamit klasik apo lendë shpërthyese që komandohet nga një celular. Vrasja që do të tregojmë nuk ka ndodhur as me kallash dhe as me pistoletë me zë apo pa zë. Vrasja nuk është bërë as me thikë dhe as me helm. Eshtë kryer me makinë. Eshtë realizuar në mes të Tiranës. Eshtë kryer përballë dy ministrive (asaj të Punëve të Jashtme dhe të Shendetësisë), para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pranë një komisariati të saj.
Në një raport të fundit thuhet se “në krahasim me viktimat e shkaktuara nga krimi i vrasjes, numri i viktimave të shkaktuara nga aksidentet rrugore është 3 herë më i lartë”. Ky raport nesër mund të bëhet edhe pesë herë, edhe pse dëshirojmë të kundërtën.
Vrasja që do të tregojmë ndodhi ditën e hënë, më 7 gusht të këtij viti, në orën 15.40. Një makinë me targat e kryeqytetit dhe në timon me një djalë të ri goditi me të gjithë forcën e shpejtësisë një të moshuar. Fatkeqi kishte në dorë një trastë të zakonshme nga ato me të cilat bëhet pazari i ditës. Nga përplasja e përbindshme trupi i viktimës bëri disa rrokullisje dhe më në fund, për dramë të nënshkruesit të këtij shkrimi që u ndodh ato çaste aty, qendroi me fytyrë e vështrim ngulur në drejtim të tij. Një polic qarkullimi rrugor vrapoi menjëherë në vendin e ngjarjes. Bashkëkombasi ynë i moshuar, nga trupi i cilit nisi të çurgonte shumë gjak, me fytyrë e vështrim tashmë të ngrirë, ishte goditur për vdekje saktësisht në vijat e bardha të rrugëkalimit. Në mes të këtyre vijave, pa dalë asnjë centimetër prej tyre, kishin mbetur të dy këpucët si edhe borselina me çantën me pak gjë të blerë. Po t’i referohemi kodeve e rregullave që kemi ai ishte një aksident dhe jetëhumburi një viktimë. Duke e dalluar mirë aksidentin nga vrasja, kembëngulim se ajo që ndodhi më 7 gusht 2006 para dy ministrive të sipërcituara dhe dy strukturave të rendësishme të një ministrie tjetër, ka qënë një vrasje. Madje mund të kualifikohet “vrasje para shtetit”. E themi “para shtetit”, sepse nuk do të kishim plotësisht të drejtë të ngulëkembnim se është “vrasje nga shteti”.
Më 25 maj të këtij viti në po këtë të përditshme autori i këtyre rreshtave botoi shkrimin “U shtyp edhe një njeri tjetër”, të cilin e niste me rrëfimin për shtypjen në këtë rrugëkalim të dy të rinjve, djalë e vajzë, të cilët pak para pak orës tetë të mëngjezit, kohë kur shkohet në punë, i goditën me makinë. Ata ishin mbi një motorrçikletë dhe pas vrasjes me “aksident” lanë në trotuar ato shenja të dhimbshme: dy kembë këpuce dhe dy sandale të brishta. Në atë shkrim thuhej se i njëjti autor për të sensibilizuar sadopak përgjegjësit shtetërorë për marrjen e masave në ruajtje të jetës së njerëzve tregonte po ashtu se me të njëjtën temë kishte botuar edhe një artikull tjetër dhjetë muaj më parë, më 9 korrik 2005. Njëlloj për të tërhequr sadopak vëmendjen e asaj pjese të shtetit që merret me këtë punë e titulloi shkrimin thekshëm “Tirana, atje ku të vret makina”. Me një fjalë ky qytetar e modestisht publicist në 13 muaj ka bërë tre shkrime me të njëjtin problem të pazgjidhur, editoriale të cilat dy gazeta të nderuara ia kanë vendosur në faqen e parë. Kështu titujt “Tirana, atje ku të vret makina”, “U shtyp edhe një njeri tjetër” dhe sëfundi ky sot “Vrasje para shtetit”, janë lexuar nga televizionet në pasqyrat e tyre të shtypit të mëngjezit gjithsej të paktën dyzetë herë.
Çfarë ka ndryshuar? Pothuaj asgjë. Pas shkrimit të dytë në rrugëkalimin e rrezikshëm, në të cilin çdo minutë grumbullohen për të kaluar deri dhjetë vetë, u bënë vijat e bardha. Por edhe ky mundim i fundit i atyre që janë përgjegjës ka shumë të ngjarë të ketë ardhur prej jashtë ndikimit të dy shkrimeve. Çfarë ishte kërkuar për të shmangur atë kasaphanë që po bëhet. Vetëm katër semaforë që do të frenonin makinat, të cilat në të dy krahët e asfaltobetonit të Lanës kalojnë pandërprerë si plumba. Një javë më parë se të vrisnin të moshuarin e fundit pamë se si u godit fort një tjetër. Për fat gjersa e hipën në një makinë e dërguar në spital ai ishte gjallë. Atë ditë një nëpunës i Ministrisë së Jashtme, dikaster që jo vetëm bëhet dhimbshëm dëshmitar i atyre jetëve që fiken para syve të saj, por provon të njëjtin rrezik edhe për vetë nëpunësit që ka, tha se ai ishte aksidenti i shtatëmbëdhjetë. Por dukej se kishte numëruar vetëm ato marrje jete apo gjymtime që kishin ndodhur brenda orarit zyrtar.
Pas vrasjes me “aksident” të 7 gushtit, edhe pse në të gjitha katet e dy ministrive që rrinë në dy skajet e udhëkryqit vrasës gjeje mjaft nëpunës të shokuar nga vrasja e po aq të zëmëruar nga mosreagimi i “kompetentëve”, për etikë e një shpresë të kotë, pritëm edhe dhjetë ditë para se të ridenonconim. Bashkëkombasi ynë ishte vrarë saktësisht dhe si për sfidë ndaj sy e veshëmbyllurve përgjegjës në mes të vijave të bardha. Reagimi e deritanishëm që aty të kishte më në fund vija të bardha është tallje, jo përkujdesje. Të gjithë e dinë se sa i respektojmë ne, kalimtarët dhe ca më shumë shqiptarët e ngrefosur brenda makinave, ato vija që gjithkund në botën e zhvilluar janë më shumë se urdhër për të ndaluar në vend çdo makinë që në rastin e parë kur një njeri vë kembën në fillim të tyre. Me semaforët në Shqipëri e të paktën në Tiranë është gjë tjetër. Në mënyrë shumë inkurajuese ato respektohen. Katër semaforë, vetëm katër copë prej tyre, pritëm të vendoseshim edhe në dhjetë ditët e mosdenoncimit pas vrasjes së fundit. Të paktën kaq kohë “kompetentët” kishin sa të jepnin një provë, thjesht të hidhnin një kazmë apo lopatë me dhe.
Duke qënë se nuk ndodhi asgjë dhe duke besuar në pashpresën se edhe ky shkrim nuk do të ngacmojë asnjë fije sedër atje ku u takon të merakosen, ç’mund të bëjë tjetër një qytetar apo qindra e qindra të tjerë që janë të një mendjeje me të. Secili do të reagojë sipas mundësisë që ka. Në pamundësi, pa kurajë e pa kulturë proteste për t’u bashkuar me disa të tjerë e me pankarta denoncuese bllokuar rrugën, një publicist të paktën do të vazhdojë të mbajë shenim subjektin se në vendin tonë nuk ka vetëm një çështje të quajtur Zogu i Zi, nga interpretimi i së cilës mund të vështrosh së thelli çfarë ndodh dramatikisht me ne, shqiptarët. Madje këtu për një vit e kusur rresht ishin makinat që u bënë copë nga humbellat e gropave, por ato të paktën nuk shtypën njerëz. Këtë punë e bën një gjymtyrë e tjetër e Tiranës, po e quajmë “Udhëkryqi i Zi”. Këtu veturave, furgonëve dhe kamionëve që fishkëllejnë shpejtësi të çmendur apo bëjnë frenime skizofrenësh, ngaqë rruga është fort bukur e asfaltuar dhe e drejtë si pistë aeroporti, nuk u shkaktohet asnjë fije dëm. Në këtë komoditet të madh ato thjesht vrasin njerëz. Para syve tona dhe të shtetit.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com