Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bashke me Alben, maj 2003, para pallatit te saj ne Rome.
Foto: Bashke me Alben, maj 2003, para pallatit te saj ne Rome.
Pusulla per pakon e kartonte me ushqime

Babi,

Më vjen keq për teze Sanien. Nuk doja që në një ditë me kaq shumë të papritura të ishte edhe kjo. Pakon e mora dhe ndodhet mbi ish-pakon te dera e ballkonit. Vlera e saj arrin deri 18.000 lekë. Në të ka ushqime dhe tualetra. Doja të t’i tregoja unë, por ja që më duhet të iki te teta Stolia. Tek vendi i ushqimeve (në bufe) ke një pako me biskota që ishin në pako. Ne kemi marrë nga tre dhe mami tre. Prandaj edhe ti merr tre. Të tjerat do t’i hamë kur të kthehem unë. Nga pakoja dëshiroj që të mos marrësh gjë, sepse kur të kthehem kam një surprizë për ty.

Vajza jote që humbi bastin
Albana

Këta libra ishin në pako


Shenim

Teze Sania është motra e gjyshes time nga babai. Atë ditë, kur është shkruar kjo letër, ajo ndërroi jetë. Nuk e harrojmë kurrë mirësinë e saj dhe sidomos mënyrën se si na përqafonte. Ajo të pushtonte me shpirt.

Kjo letër e Albës duhet të jetë e vitit 1993. Eshtë thjesht një nga të shumtat “pusulla shtëpie”, që i linim njeri-tjetrit në shtëpi. Liria e gjithsecilit në familjen tonë kufizohej vetëm nga detyrimi për të lënë një shenim se ku ishte.
Këtë “pusullë“ e kam ruajtur sepse konservon një pamje të rëndësishme të jetës sonë.
Rënia e diktaturës, edhe pse mua më gjeti si kryeredaktor i gazetës “Kushtrimi” dhe Bardhën si sekretare e Komitetit të Partisë së Kombinatit të Tekstileve, na la të varfër. Kishim vetëm një librezë kursimi, me brenda jo më shumë se një gjysëm rroge. Inflancioni galopant bëri që edhe ajo shumë modeste të mos kishte vlerë dhe nuk shkuam asnjëherë në Bankë ta marrim. Edhe libreza u harrua.
I nxjerrë në asistencë dhe i papunë që në vitin 1991, ishte Bardha që vijonte rrogën e plotë të një nëpunëseje në një zyrë që atë kohë merrej me privatizimet dhe më pas punësuar në një zyrë tjetër që bënte koordinimin e shpenzimeve në qytet e qark. Duke qënë se konsiderohej e padëshiruar nga Partia Demokratike e ardhur në pushtet, e hoqën dhe e sistemuan në një ndërmarrje të quajtur e Rruga-Urave. Ishin momente të vështira dhe rrëfimi i asaj që po ndodhte, deri tek heqja e telefonit, nuk e ka vendin në këtë website. Njeriu që këto çaste bëri një gjest që nuk do ta harrojmë kurrë është Vefik Numani. I persekutuar nga punizmi ai u bë një nga më të spikaturit e pushtetit të ri. Kur po ndodhnin këto që më sipër nisëm të rrëfejmë, Vefik Numani ishte prefekt.
Me një kujdes e dhembshuri që na ka prekur ai e mori me makinën e tij Bardhën dhe e prezantoi në vendin e ri të punës.
Më pas ky njeri i mirë do të vuante një dramë të madhe. I martuar vonë, dhimbje që u ndodhte gjatë monizmit shumicës së të quajturve të “deklasuar”, fëmija i vetëm iu mbyt në det. Jo shumë kohë pas kësaj tragjedie edhe vetë Vefiku, shumë para moshe, do të ndërronte jetë.
Pra, kur ky njeri i mirë bënte kujdes ta ndienim sa më pak përmbysjen, gjë që regjimi që ne e kishim besuar me mirëbesim, nuk ja bëri kurrë, në ngushticën tonë ekonomike nuk ndodhte që vdisnim për bukë, por shumë gjëra në shtëpi na mungonin. Ishte kjo gjendje kur ndodhi që Albana, e shndërruar me dëshirën e vet në të krishterë dhe veprimtare në një shoqatë kristiane të ardhur nga Perëndimi (Alba di mirë anglisht e bënte ndërkohë edhe përkthyesen), mori si dhuratë një pako me ushqime. Kur e solli në shtëpi dhe e hapi unë kam ndjerë një emocion që nuk kam si ta mbaj ndrydhur brenda vetes. Këtë ndjenjë e kam provuar vetëm kur për herë të parë, disa vite më pas, në dhjetor 1995, blemë një televizor me ngjyra “Samsung”. Kisha vite që e shihja në ëndërr një tvkolor dhe nuk besoja kurrë se do të kisha edhe unë një të tillë.
Kur brenda kutisë së kartontë që solli Albana, pashë të rreshtuara dy pako të tejdukshme me makarona, dy qeska një kilëshe me sheqer, dy me miell, dy me oris e diçka tjetër, jam ngashëryer. Kam lotuar jo vetëm atë ditë, por për shumë kohë më pas, sidomos kur isha vetëm e nuk më shihte njeri. Alba ato çaste ishte ende pa mbushur katërmbëdhjetë vite dhe na ishte bërë krah për të mbijetuar. Asaj vajze të bekuar i kemi vënë çelsin e shtëpisë në qafë që kur ishte e mitur, vetëm katër vjeçe.
Letra e mësipërme tregon për pakon e dytë, sigurisht pas disa muajsh nga e para. Me sa mbaj mend kjo ishte edhe pakua e fundit.
Kësaj rradhe kishim edhe biskota dhe mua, njëqindkilëshit, nuk më bëhej asnjë lëshim: do të haja vetëm tre pako. Domethënë e shumta pesëmbëdhjetë fije gjithsej.
Dalja nga ngushtica ekonomike do të ndodhte me rritjen e bashkëpunimit tim me shtypin qendror (njëherë arrita brenda një muaji të botoja njëzetë e katër shkrime) dhe me futjen e Bardhës në një firmë private mielli. Ishin gjithsesi të ardhura modeste, por më të mëdha se më parë. Ishte një përmirësim që na dha mundësinë që blejmë një televizor me ngjyra, të merrnim në tregun fshatar djath të lirë sa të kishim nevojë si edhe blemë e montuam një ngrohës uji. Këtë nuk e gëzuam dot. Në pallatin tonë, në katin e katërt ku kishim apartamentin, nuk vinte më ujë.
Kur u emërova në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndihmë kjo që m’u dha nga Fatos Nano, boshatisëm shtëpinë duke shitur gjithçka. E gjithë pasuria jonë e vënë me mund për vite të tëra kushtoi një milion e gjashtëqind mijë lireta. Treqind mijë lireta ishin disa honorare dhe të ardhura nga librat që kisha deri atë çast në treg.
Kështu shkuam në Romë me gjithsej 1,9 milionë lireta.
Vetëm aty, edhe pse pagesa ishte shumë e vogël, 700 dollarë si Sekretar i Parë, filluam të hamë sa kishim nevojë.
Në Berat kur rrallë merrnim fruta, një kokër mollë me përmasa të kursyera ndahej gjithnjë përgjysëm. Në Romë kam ngrënë mollë, fruti im i adhuruar, aq sa më dëshironte trupi. Sigurisht jo më shumë se 2 apo 3 kokra në ditë.
Dhe a e dini kur ndodhi “velja”, pra ekulibrimi i vitaminave të saj që më kishin munguar në trup?
Pas dy vjetësh.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com