Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Poezi,asgjë më tepër

(Janë marrë nga vëllimi i dytë poetik, i pabotuar. Janë krijimtari e gjysmës së parë të viteve shtatëdhjetë)


Shiu i mirë

Nisi shiu i butë, i mirë,
Ra mbi supet e fushave,
mbi gjethet e heshtura te pemëve.
Lidhte qershia kokrën.
Bujqve u shpupurisi
Dhe u spërkati gëzueshëm flokët.

Shiu breronte, breronte,
Përqafohej me tokën,
Këmishën çkopsiti agronomi mbi gjoks,
Krahërori ugareve
I mbushej me afshin e ngrohtë.

Nga fletoret kokën çuan nxënësit,
Dritareve sytë u mbetën.
Godisnin pikat mbi xhamat e shkollës së fshatit.
Fëmijëve me ëndërrën e paqetë të bujkut
Si lule fytyrat
Iu çelën.


Nëna.

Nëna po thinjet,
Unë u bëra tridhjetë vjeç.
Nën trokun e viteve, gjersa të vdes,
Fytyra e saj
Më e bukura,
Më e dashura
Që në djep.


Gaveta

Trovati Françesko,
Eshtrat ku të prehen?
Në muze ta pashë të çpuar
Gavetën.

Mbi aluminin tërë gropa
Shkruar emrat kishe.
Aty ishte Franca,
Ishte Spaletua,
Mali i Zi,
Ku si pushtues ishe.

Gaveta jote, nëpër të,
Me tri vrima plumbash.
Me fjalën Shqipëri,
Lënë
Përgjysëm.


Fusha e Dropullit

Malet përkarshi-luftëtarë të mëdhenj të lirisë.
Miq për kokë janë qeleshebardhët prej borës.
Pranë fustaneblerta fush’ e bukur e Dropullit,
E mbajtur nga ata si në pëllëmbë të dorës.


Çesma e Thatë

Te kjo çezmë me këtë emër,
Shtatëdhjetë e dy punëtorë nazizmi pabesisht masakroi.

Ujë ka rrjedhur nëpër vite pikë-pikë,
Po gjakun si kroi
Në atë të dhimbshme ditë.


Pajtonet e qytetit

Pajtonet e qytetit nga fëminia
Si kujtime të vrullta
më erdhën,
Më zgjuan me gërvishjen e rrotave,
Me trokëllimat e kuajve
ja behën.

Ne bridhnim e bridhnim pas tyre,
Kembët e zbathura tundnim
Mbi kurrizet e lodhuara hipur.
Të mirat, të shtrenjtat s’ankoheshin.
Ne fishkëllenim,
“Hej, sa qejf?” thoshim.

Pajtonet e qytetit që dot s’i kuptonim,
Për pronën private kurrgjë s’dinim.
Linjat e zhurrmshme të turneve e urbanët
S’i kishim parë as në ëndërr.

Mes zhurrmës së qytetit,
Kur turnet trotuareve hipin e zbresin,
Të mirat karroca pranë stacioneve të urbanëve
Në valë kujtimesh të ngrohta na hedhin.



Televizori i parë në lagjen e Një mbi Një Dritareve

Në lagjen e Një mbi Një Dritareev,
Rrethuar nga një tufë e gëzuar fëmijësh,
Ngjiti rrugicat
Televizori i parë.

Mbi çatinë e pjerrët
Antenën drejt Tiranës
Drejtuan ngadalë.

Një dritë e kaltër ndriçoi dritaren poshtë.
Në rrugicat e ngushta e të lashta dasmorë të shumtë zbritën plot,
Zbritën spikerë, kengëtarë,
Punëtorë pararojë.

Një mbi Një Dritaret s’mbyllën sy atë natë.
Edhe Margarita Tutulanin e panë,
Tek u buzëqeshte në ekran.



Në Kombinatin e Tekstileve

Në Kombinatin e Tekstileve gjithçka është e bardhë,
Butësisht
Këtu gjithçka shtegton.
Pambuku që rrëshqet në agregatet e renda të shkrifjes,
Befas bëhet i tejdukshëm,
Si në pragun e një pranvere
Mjegulla e mëngjezeve të purpurt.

Nëpër refleksin e bardhë e të kendshëm
Mjegullat e pambukut
Hyjnë në repartin e fjongos
Dhe si gërsheta borëbardhash, të imta e të brishta,
Nisin të bien
mbi supet
e metalta
të makinave.

Tani pambuku fjongo po hyn në tjerrje
Dhe si gërshetat e çmpleksura nga një dorë e shkathët
Shpinës së makinave
Hapen
Njëherësh.

Qindra fije vrapojnë drejt masureve
Në Tjerrje,
Në Mbledhje,
Në Dredhje….

Diku,
Nga vrapi të lodhura bobinat,
Si një tufë zogjsh mbi telat e telefonit,
Ndalen nëpër habaritin e madh të Endjes.

Aty presin një çast, të nderura dhe të heshtura,
Në pritjen e shkurtër,
Të varur.

Duke kaluar nëpër horizontin e sallave
Nga larg vjen gjëmimi i gjatë i batanit.

Fijet si zogjtë para shtrengatës me një gëzim të trembur përplasin krahët
Dhe nisi fluturimin
Drejt Tezgjahut,
Drejt Tezgjahut…

Dashuria e bardhë e pambukut
Aty
Nëpër mijra tekstile
Thurr ëndëra lulesh.



Motiv i hershëm

Taksia bojëqielli, e vetmja taksi e qytetit,
Tek ura e lashtë
u kthye gëzueshëm,
Njerëzit zgjatën kokat, u ndalën:
Një nuse plot nur u buzëqeshte.

Rrugën i hapën.


(Ura e lashtë ishte ura e ndarjes
Dy pjesë të qytetit e dy fe ndante.
Rridhnin në mes me mijra zenka
Dhe një lum i turbull).

Kjo ish e para nuse,
Që mbi urë
Për t’i sjellë dikujt lumturinë
po shkonte.

Rrugën e saj
E mbushën me lule.



Ti

Me ne në aksion nuk erdhe.
Tani kalimtarët e fundit braktisën bulevardin.


Mbi gjethet e mbetura
Po zvarrisej
mjegulla
e vjeshtës,
E ftohtë akull.


Ti e ndjeve,
mbylle grilën.
Kërkove një kafe
Dhe heshte.


Kështu vjen astma e ndërgjegjes
Me disa metër kub ajër me zagushi gjellësh.




Gëzimi i diellit

Ndërsa shëtisnim në bregdet, ndalëm hapat
“Rroftë Shqipëria!”
Në rërë, në gjuhë të huaj, kishin shkruar.

Mëngjez i herët ish.

Deti nga puthja e diellit
Ishte zgjuar.



Më 1 shtator

Në Komitetin e Partisë asnjë nga sekretarët nuk gjendet.
Eshtë 1 shtator.
Kanë ikur në çeljen e festës së shkollës.

Ç’fluturim i hovshëm ky i zemrës!



Mbledhja e qershive

U bënë qershitë, u mbushën me kokra,
U renduan, u përskuqën të gjitha degët.
Dielli u ul mbi to, këputi një kokër,
Nëpër degë ajo qesh e shkund flokët.



Plepat ndanë rrugës

Plepat ndanë rrugës
Të gjithë
u xhveshën.
Frushullimat e njohura të gjetheve
Tani heshtën.

Në majat e ndonjë dege,
aty-këtu
Ndonjë tufë gjethesh të verdha ka mbetur.
Janë lamtumirat e fundit hapësirave,
Erës
Që i deshën.



Lajmthirrjet

Jemi larg,
Lajmthirrje i dërgojmë njëri-tjetrit, e dashur, gjithnjë.
Shtrengojmë dorezat e telefonit,
Nëpër hapësirë thërresim
“Alo-o-o!”

Sa herë na ndërpresin e s’ndahemi dot:
“Një minutë, shoqe,
Ja tani”.


Të kujtoj, vazhdimisht të kujtoj,
Nga dashuria zihemi me çentralistet, që të gjitha të fshehtat na i dinë,
Nga dashuria
Mikesha i zëmë përsëri.



Nga një letër e dikurshme e gruas sime

Do të shfryjnë zëmërimin erërat mbi mua.
Kur të fashiten e të thonë
“E lodhëm”,
Prapë do të them
“E dua”.



Miza

Më zhuiti në vesh tre herë resht
Si rastësisht e me shpoti:
“Punëtorë ferme janë të dy ata të kabinës fqinjë,
Me katër vajzat e tyre trupmëdha e pa lezet”.

Familja e punëtorëve të tokës jetëdhënëse,
Rri nën qiell, nën plazh,
Vajzat ujë të kripur shkumojnë tek futen në det,
Me mirësjellje pëshendesin,
Me dinjitet.

Ai si mizë zhuit, zhuit,
Nga qumështi tek gjalpi e reçeli mbi fetë.



Gjethe vjeshte

Ecnin pranverës,
Ajo mbetej prapa.

Ai në heshtje e priste.
Gjethet fëshërrisnin biseda intime.

Fare mirë mund të ecnin në një hap,
Sikur a hapin
Ta zvogëlonte pak.

Mjaft më me këtë heshtje!
Ai të rendëte donte,
Ajo zvarrë të hiqej.


Ktheu kokën.
Ajo dukej larg si gjethe vjeshte.



Në prag të Vitit të Ri

Nëpër zhurrmën e bulevardit grumbuj-grumbuj fëmijët
Pranë vitrinave tërë drita
Ndalonin hapat.

Na kapi përdore,
Tregojnë me gisht lodrat:
“Babi, automatik, traktor!”

Xhepat mbushin me pambuk fëmijët tanë dhe zbukurojnë bredhin.
Me orë të tëra përkulen mbi kartolina
Dhe me bishtin e penës së gojë
Herë rrudhin ballin
E herë buzëqeshin.


Qyteti i Studentit

Studentët kur vijnë
Rrugët e qytetit gëzojnë përsëri.
Çupkat nisin sërish pëshpëritjet:
“Kish ardhur ky,
Kish ardhur edhe ai”.

Kur shkojnë studentët,
Mimozat e rrugëve lulet shkundin në vetmi.
Në pëshpërimat e çupkave, ulur në valixhet:
“Ka ikur ky,
Iku edhe ai”.



Rilindje

Të gjithë popujt gjuhët i kanë të dashura,
I kanë gjuhë të nënës, i kanë reze drite.
Unë që jam bir i këtyre maleve
Dua, natyrisht, gjuhën e ëmbël shqipe.

Se popujt kanë martirët e flitë e tyre,
Të nderuar qofshin përherë ata trima!
Po ne shqiptarët gjer edhe për gjuhën
Mbi këto shkrepa jemi bërë vetitima.

Stërnipër të rilindasve në gjak rilindje kemi.
Armiku dritëshkurtër ngado që vemi
Përpara na del, por ne “Hapu!”i themi.



Kushtim Theodhor Prendit

Me leng po mbushen kokrat e shegëve,
Mollët përkulnin degët mbi korije,
U hodh jetën t’i shpëtonte një punëtori
Dhe dha shpirtbukuri të tijën.

Ikin vitet.
Ti, Theodhor, na bëhesh më i dashur, kujtimet më të shtrenjta.
Ndodhka kështu në jetë.
Me bukurinë e zemrave të mëdha si tendja.



Te dëshmori

Sot me trendafilin bashkë të solla këtë poezi.
Të kërkoj ndjesë,
Kaq dita të shkruaj.
Vargu para jetës suaj të bukur
Rri krejt i pagojë.


“Gazi” ushtarak

Bulevardit atë mbremje turma zhurrmonte.
Unë të prisja ty poshtë neonit.
Të tjerë
kapërxenin trotuaret.
Dikë thërrisnin,
Për diku të lumtur
Telefononin.

Ish fillim vjeshte,
Me pulovra endeshim,
Por për një çast u ndalëm,
Me venerim vështruam atë “Gaz” ushtarak
Që kaloi mes nesh modestisht
Me borë
Marrë nga pagjumësia e maleve sipër.










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com