Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skënderbeu pa piedestal

(Ky libër përbën pjesën e parë të një dyvëllimëshi që lidhet me marredheniet e Skenderbeut me Italinë dhe pas vdekjes së tij fatin e pasardhësve të tij Kastriotë.
Do të botohet si dyvëllimësh, me të përfunduar pjesa e dytë.
Ka një vëllim prej 250 faqesh kompjuterike dhe ka përfunduar në fillim të vitit 2006).

Fragment


Gjergj Kastrioti, kemi apo nuk kemi dokumenta të mjaftueshme, e ka patur preokupim në Romë sigurinë e jetës së tij. Jo frikë. Skënderbeu nuk rezulton qënie e trembshme as nga vetë kronistët osmanë të lidhur fort me pushtetin e sulltanëve. Preokupimi për sigurinë e jetës së tij ka lidhje me vetë perspektivën e Lidhjes Shqiptare dhe përballimin e pushtimit. Në rast se planifikoheshin atentate fizike kundër tij ishte kjo cilësi që e bënte atë objekt marrjeje jete dhe jo thjesht se ishte Gjergj Kastrioti.
Dimë që përveç këshilltarit politik dhe financierit pesë ose gjashtë nga kalorësit që e shoqëruan përgjatë gjithë misionit në Napoli dhe Romë kanë qënë truproja e tij. Detyrimisht kanë qënë më të stërviturit dhe më besnikët e Gardës Pretoriane. Ata mund të përballonin çdo përpjekje sulmi të drejtpërdrejtë fizik.
Ja përse i gjithë dyshimi që vërtitet mbi fatin e jetës së tij në trojet italike nuk ka rrezikun e drejtpërdrejtë fizik, por dy karakteristika të tjera: është tentuar të eliminohet nëpërmjet helmimit dhe kjo gjë, por të jetë provuar, ka ndodhur në Romë.
Se kanosja e tij fizike mund të ketë ngjarë në Napoli as nuk dyshohet dhe as nuk hamendësohet. Pranë kryezotit të tij Ferrante, me të cilin kishte lidhje bese dhe shërbimi, territori kontrollohej në mënyrë të hekurt, çka nuk ndodhte në “caput mundi“, ky hynin e delnin shumë njerëz nga trojet italike dhe veçanërisht nga hapësirat e mëdha kontinentale. Hynin nga korridoret e perëndimit, por vinin valë-valë drejt „urbes“ edhe nga drejtimi i lindjes.
Ndërkohë edhe në Romë hipoteza e atentatit kundër jetës së tij nuk ka qënë asnjëherë frut i variantit se ishte një sulm fizik, përleshje e provokuar në ndonjë nga brylet e rrugëve të „caput mundit“, goditje nga larg me shigjetë, pritë e beftë nate. Gjithnjë mendohet se ka qënë helmim. Pra një apo dy pika lengu jetëmarrës të hedhura fshehtas në një enë gjëlle apo gotë me verë. Pse jo edhe nëpërmjet ilaçeve që detyrimisht ka marrë, përderisa është lajm tepër i sigurtë se gjatë qendrimit në Romë të paktën njëherë është sëmurë.
Atëhere përse nuk qenka fare e mundur një atentat në mes të Shtetit të Kishës? Nuk gjendej një njeri që mund të shmangte apo mashtronte për fare pak sekonda njerëzit e personelit të bujtinës së Epirotit? Ky mik e besnik i madh i Skënderbeut, i cili vigjëlonte ditë e natë mbi jetën e bashketnikut të tij të famshëm, në dy muaj e dy ditë mund të ndihej i lodhur për vetëm pak çaste. Përse duhet të ndihemi aq fort të sigurtë se edhe skorta e superstërvitur e Gjergj Kastriotit nuk mund të binte viktimë e një dredhie kur ishte fjala për pikë leng „ilaçi“.
Përgjithësisht të gjitha mund të realizohen kur bëhet fjala për marrjen e planifikuar të jetës së një personi. Edhe kur ky është askushi, edhe kur ka një pozitë të lartë publike apo shtetërore. Eliminimi i jetës së Skënderbeut nuk do të vinte nga kokëkrisur, aventurierë, fanatikë fetarë të vetmuar apo pijanecë të rrugës. Ai do të vinte nga lartësi dhe vendime shtetesh. Madje nga struktura shtetërore dhjetra herë më të fuqishme politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht se Lidhja Shqiptare e reduktuar atë dimër 1466-67 në pak kështjella të rrethuara që rezistonin me shpirt ndër dhembë.
Në rast se vendimi „lart“ do të jetë marrë ndonjëherë, atëhere ai do të zbatohej. Në mos si realizim i dalë me sukses patjetër si një aksion i mbetur në tentativë. Që të besojmë në këtë zhvillim të ngjarjeve na duhet të bindemi se ka ekzistuar vërtet një vullnet e vendim shteti apo bashkim shtetesh të fuqishëm që donin pa u vonuar ta hiqnin qafe Gjergj Kastriotin. Po ashtu na duhet të krijojmë tek vetja bindje se tentativa jetëmarrëse është kryer konkretisht dhe jo thjesht është dëshiruar. Për këtë duhet të kemi në dorë provat apo gjurmët dokumentare që atentati ja ka dalë mbanë apo ka dështuar.
Në Romë Skënderbeu nuk e ka ruajtur jetën nga Selia e Shenjtë. Ftesa e Papës për ta strehuar në Pallatin San Marko përveç manifestimit të gradës së lartë të pritjes protokollare dhe gjithçkaje tjetër të nevojshme për diplomacinë e një shteti, ka qënë edhe detyrimi për ta ruajtur jetën e princit shqiptar. Varianti i sistemimit në San Marko nuk ka qënë ftesë për ta helmuar në pallat. Ka qënë mbase e kundërta: për të mos lejuar njeri për ta bërë këtë gjë. Për Selinë e Shenjtë zgjedhja individuale që bëri Gjergj Kastrioti për të shkuar në një nga bujtinat e zakonshme të Romës ishte përgjegjësi e tij. Edhe për jetën. Megjithatë njerëzit e Papës që janë marrë atë kohë me sigurinë e kanë patur nën kontroll dhe mbrojtje jetën e Kapitenit të Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë.
Duke e përjashtuar Vatikanin nga interesat, nevoja apo vullneti gjeostrategjik për të likujduar fizikisht Skënderbeun, duke mos patur asnjë të drejtë dyshimi se këtë gjë mund ta dëshironte e kryente Mbretëria e Napolit apo Dukati i Milanit, ca më pak disa shtete të tjerë të vegjël italianë, në fund të seleksionimit mbeten në potencë të interesuar vetëm Perandoria Osmane dhe Republika e Venedikut. Për Mehmetin II vdekja e Gjergj Kastriotit ishte më e dëshiruara si zgjidhja më racionale për t’i dhënë fund qendresës së Lidhjes Shqiptare. Siç dihet këtë atentat ai e ka provuar, e kanë synuar dhe provuar veçimin dhe vrasjen e Skënderbeut edhe të gjithë komandantët turq që kanë drejtuar operacione luftarake kundër tij. Ngritjen e njëpasnjëshme të pusive për ta izoluar, rrethuar e zënë rob, e ka bërë disa herë edhe Ballaban Badera. Me një pritë të tillë ai kapi gjysmën e shtabit ushtarak të Lidhjes Shqiptare.
Kur Gjergj Kastrioti u largua nga Shqipëria për Kundërskenderbeun u bë më i vështirë likujdimi i tij fizik, sepse me të kaluar detin princi kryengritës për turqit ishte në „tokën e armikut“. Operacionet jetëmarrëse këtu ishin mjaft të vështira, por ndërkohë kishin edhe një rrethanë favorizuese. Princit shqiptar në trojet italike i mungonte populli i vet, mbrojtja më e madhe që ai kishte. Pastaj një vrasje këtu do të ishte një sfidë e vërtetë e forcës së Perandorisë, e cila dëshmonte se arrinte të godiste edhe atje ku mburreshin se gjysmëhëna e saj nuk do të ndrinte kurrë.
Katër muajt e qendrimit të Skënderbeut në Napoli dhe Romë kanë qënë objekt i planit të Mehmetit II për ta vrarë. Në mungesë të dokumentave këtu të çon logjika „nuk e di, por jam i sigurtë“. Porse në rrethana që nuk i zotëronte dot mirë sulltani ka pëlqyer më shumë „vrasjen“ nëpërmjet diplomacisë. Po ta izolonte në trojet italike e ta bënte të kthehej duarbosh e kishte më të lehtë gjithçka tjetër më pas. Prandaj ka të ngjarë që shërbimi i tij i jashtëm të ketë punuar për të gjetur në çështjen e të ardhmes së Gjergj Kastriotit pikat e përbashkëta të interesit me Mbretërinë e Napolit dhe Senatin e Republikës së Venedikut. Kështu, siç edhe ndodhi, diplomacia osmane u përpoq ta bënte të parendësishëm Skënderbeun para mbretit Ferrante dhe person të papëlqyer dhe pengues për Sinjorinë.
Përputhja më e plotë e interesave nuk ndodhi me Mbretërinë e Napolit, por me Republikën e Venedikut. Në dimër të viteve 1466-67, duke e kërcënuar Sinjorinë me sulme të njëpasnjëshme kundër zotërimeve të saj Mehmeti II mes të tjerash duhet të ketë lypur edhe kokën e Gjergj Kastriotit. Sinjoria ishte zyrtarisht protektore e pavarësisë së Lidhjes Shqiptare, por raportet e saj me të dhe Skënderbeun tërë kohës kishin qënë nga më kontradiktoret. Kishin patur mes njeri-tjetrit mirëkuptime dhe luftë të drejtpërdrejtë. Gjergj Kastrioti e kishte sulmuar Durrësin dhe rrethuar Shkondrën. Republika e Venedikut nuk e hiqte lakminë e saj për Krujën. Brenda mureve të saj ajo përherë kishte patur të dërguarin e vet si edhe një trupë ushtarësh.
Ka shumë mundësi që diplomacia e Perandorisë Osmane ta ketë dalluar për kokën e Skënderbeut një hapësirë marrëveshjeje të fshehtë me Venedikun dhe të ketë luajtur e para me ofertën „na lini Krujën dhe Skënderbeun, ne nuk ju prekim Lezhën“. Apo edhe Shkodrën e Durrësin.
Po të jetë kryer kjo marrëveshje, për çka Gjergj Kastrioti druhej se kishte ndodhur, çuarja më tej e saj ishte më e lehtë. Në mos në Romë, të paktën kur të ndodhej në Shqipëri, marrëveshja për ta hequr qafe atë fizikisht do të gjente zbatim.
I dërguari i Sinjorisë, i cili erdhi me ngut në „urbe“ dhe u takua me Palin II për ta penguar këtë që ta ndihmonte financiarisht Skënderbeun, denoncon një mundësi keqdashjeje dhe intrige shtetërore ndaj princit shqiptar. Papa e kushtëzoi ndihmën e tij për Gjergj Kastriotin me shkrimin e një letre ndërhyrëse pranë Republikës së Venedikut që kjo të braktiste përfundimisht planin e saj për një paqe të re me turqit dhe të bashkohej me Lidhjen e Shteteve Italiane. Sinjoria që tashmë e kishte marrë letrën, në vend të një përgjigjeje mirëkuptimi me Skënderbeun, po ose jo por sidoqoftë me dëftesë mirësjelljeje e besimi reciprok, dërgoi menjëherë në Romë një special të saj, i cili i ndërhyri Papës që shefi i Lidhjes Shqiptare të mos ndihmohej. Shpjegimi: arka e Vatikanit nuk kishte përse harrxhonte, sepse Krujën dhe kështjellat e tjera të pakta të mbetura ende pa u pushtuar nga Ballaban Badera, do t’i mbronin Sinjoria me paratë, njerëzit dhe armët e saj.
Këtu princi shqiptar, siç tregojnë me fakte dy diplomatët e Dukatit të Milanit, u shpreh i revoltuar dhe pa asnjë mëdyshje diplomatike se Sinjoria duhej të kishte bërë plan që tua jepte Krujën dhe gjithë Lidhjen Shqiptare turqve në kembim të mostrazimit të zotërimeve të saj.
Atëhere përse të mos ndjekim me vëmendje këtë logjikë të Gjergj Kastriotit? Më mirë se ai kush e dinte tjetër të vërtetën më të mundshme?
Aurel Plasari në „Skënderbe kryqtar“ shkruan mes të tjerash se „fill mbas vdekjes së Skënderbeut, me një mesazh të 16 marsit Ghirardo de Collis-i njoftonte Dukën e tij se Republika kishte bërë tanimë me osmanët një paqe “për tre vjet”, që venedikasit e mbanin të fshehtë, dhe këtë të dhënë e kishte prej vetë Francisco Capello-s“.
Që Sinjoria ka luajtur edhe me kartën me jetën e Gjergj Kastriotit mund të hamendësohet edhe me lëvizjen e vrullshme që kreu Lekë Dukagjini në çastin e kthimit të Skënderbeut nga Italia. Ai, mik i njohur i Sinjorisë dhe rival i paepur i Gjergj Kastriotit, u bashkua me këtë të fundit në luftë kundër osmano-islamistëve.
Mund të rrinte në krahë të Republikës së Venedikut, ku më të shumtën e kohës kishte qënë, fort mirë i „protektoruar“, pra i mbrojtur. Por iku. U fut në një front më të pasigurtë.
Ose më të sigurtin për të sepse kishte kuptuar që Sinjoria ishte bërë shumë tokë e lëkundshme dhe me qendrime që nuk të jepnin besim.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com