Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Di sekrete, kam frike“

Dita, 4 prill 2004

Historia e panjohur e dy vdekjeve të tjera pas mbytjes tragjike të “Kateri i Radës”, 28 mars 1997

Në qytetin e Vlorës përfundoi edhe përkujtimi i dhimbshëm i atyre që në mbrëmjen e 28 marsit 1997 humbën jetën në thellësitë e ftohta të detit, ndërsa kishin në krahëror ëndërrën e ngrohtë të shpëtonin nga kaosi vrastar i qytetit të tyre. Kronikat për këtë përkujtim shenuan se në ngjarje nuk kishte marrë pjesë asnjë nga autoritetet lokale. Nuk u panë në të edhe përfaqësues të qendrës, as politikanë të majtë e të djathtë. Ngjarjes nuk iu bë as kujtim, as përkujtim dhe as “shfrytëzim” për qëllime politike siç rëndom ndodh tek ne.
Ajo me sa duket për disa ka marrë rrugën e harrimit. Ose të anashkalimit. Kur në të vërtetë nuk do të gjendet burrë e parti politike në Shqipëri ta shlyejë atë nga kujtesa e vlonjatëve dhe të të gjithë shqiptarëve. As nga kronikat e botës.
Kjo edhe sepse ngjarja ka dhënë “goditje të shurdhëta” edhe pas marsit 1997. Më 2000 është njëra nga to. “Goditje të shurdhëta” ngjarja kujë do të japë edhe më vonë.

13 janar 2000, vdes avokati i shqiptarëve

Për ngjarjen tragjike te 28 marsit 1997, ku anija shqiptare “Kateri i Rades” u perplas me luftanijen italiane “Sibilla”, janë shkruar mijra faqe, thurrur kengë e poezi të dhimbshme, bërë reportazhe dhe sekuenca filmike, regjisori italian Korrado Veneciano ka vënë në skenë edhe pjesën dramatike “Pasaportat”. Kjo mbytje masive e afro njëqind shqiptarëve, shumë prej të cilëve ëngjëj-fëmijë, do të sembojë edhe për shumë kohë ndërgjegjen e dy popujve, të cilët derdhën lotë të sinqertë mbi këtë varr të madh.
Por viktimat e paharruara të atij fund marsi trazirash në Shqipëri do të merrnin me vete, tre vite më pas, edhe dy jetë të tjera. Kësaj rradhe në tokën italiane, mes qetësisë së përgjithshme dhe rutinës komode që përjeton një vend i konsoliduar me kohë. Me 13 janar 2000 drejt Brindisit udhëtonin avokatët Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perrota. Të dy shkonin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të rradhës për incidentin e përplasjes “Sibilla”-“Kateri i Radës” dhe mbytjen e shqiptarëve. Ishte Bafa dhe studioja e tij në Kozenca që e mori përsipër mbrojtjen e palës shqiptare në ngjarjen e tragjedisë së Otrantos. Ndërsa iknin drejt Brindisit rrugës makina e tyre doli nga superstrada dhe u përplas. Dy avokatët vdiqën në vend, u plagos Mikelanxhelo Ruso, një bashkëpunëtor i tyre.
Për këtë vdekje në Shqipëri atë kohë nuk u shkrua dhe nuk u tha ndonjë fjalë. Më shumë nga padija. Në Itali lajmin e kobit e bëri të ditur vetëm teleteksti i Rai-t. Me fjalë apo figurë nuk u transmentua asgjë prej ndonjë edicioni kryesor lajmesh. Të nesërmen ishte gazeta “La Repubblica” që në rubrikën “Shkurt” e bënte të njohur ngjarjen, duke e vendosur nën titullin “Taranto, 2 avokatët humbasin jetën”. Në mbititull rrinte dyfjalëshi që e kategorizonte ngjarjen si “aksident rrugor”. Në të njoftohej po ashtu se, ndërsa ishin nisur nga Kozenca, incidenti u kishte ndodhur në superstradën Taranto-Grotalie. Për ngjarjen hapi një copë vend, sa për dy rradhë të rubrikës informative “Shkurt” edhe e përditshmja “Il Messaggero”.
Ndoshta kobi i ndodhur do të kalonte kështu, nëpër terr informativ, po qe se nuk do të zhurmonte një e përditshme tjetër italiane, një gazetë rajonale me qendër Firencen dhe që shitej nëpër disa pika edhe në qytete të tjera të vendit, kryesisht nëpër stacione trenash. Ishte “La Nazione”, e përditshme e lidhur me mjedise politike të qendrës së djathtë, atë kohë strukturë politike në opozitë. Në fillim të vitit 2000 në qeverisje vijonte koalicioni Ulliri, i qendrës së majtë, formacion politik që ishte në pushtet edhe në ditën tragjike të 28 marsit 1997.
“La Nazione” kishte kryer një gjë krejtësisht të veçantë: një ditë para se të humbte jetën avokati Xhuzepe Bafa dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishte botuar këtij një intervistë. Arbëreshi, i zgjedhur edhe kryetar i Urdhërit të Avokatëve të qytetit të Kozencës, i kishte deklaruar gazetarit Xhovani Morandi se anija italiane “Sibilla” atë natë të lemerishme të 28 marsit kishte shkelur ligjet ndërkombëtare detare dhe i ishte afruar anijes shqiptare më shumë nga sa i lejohej. Madje pati thënë se njerëzit e anijes ushtarake italiane as që ishin munduar të shpëtonin shqiptarët që po mbyteshin. Vetëm pak nga ata të ndodhur mbi kuvertë ja dolën fizikisht dhe notuan drejt luftanijes, kishte saktësuar. Më vonë kishte lënë nga pas edhe fjalët rrënqethëse “kam frikë se mos më vrasin”.
Tani që vdekja e tij kishte ndodhur “La Nazione” shkrimit funebër i jepte titullin më gërmëmadh të faqes së saj të parë: “Mallkimi i Sibilës”. Pas këtyre fjalëve thërriste si kujë nëntitulli “Vdes avokati i shqiptarëve. E kishte deklaruar “Kam frikë për jetën time”. Në brendësi të gazetës, një treçerek faqe speciale, titulli i dytë i shkrimit përsëriste që në krye fjalët e dhimbshme të njëzetë e katër orëve më parë: “Di sekrete, kam frikë”: vdes njeriu i çështjes Sibila”.
Në rradhët e fundit, në një përpjekje për të qënë edhe brenda por edhe duarjashtë këtij denoncimi shungullues, gazetari me emrin Xhovani Morandi shkruante se pas kësaj vdekjeje familjet e viktimave ishin shprehur me fjalët e dëshpëruara “Bafa ishte e vetmja edhe e fundit shpresë jonë...Tani le të jenë të kënaqur”. Ai vetë mendonte se incidenti i daljes nga rruga dhe i përplasjes kishte ndodhur ose nga asfalti i lagur prej shiut të asaj dite ose thjesht nga shpejtësia e madhe me të cilën po e ngitnin makinën.
Ky kishte qënë edhe varianti zyrtar i ngjarjes.
Cikli prej katër shkrimesh të Xhovani Morandit në “La Nazione” u mbyll më 17 janar. I fundit mbartëte me vete titullin e thekshëm “Çështja Sibila, provat nuk kthehen”. Në të vihej në dukje se prokurori i Brindisit, Leonardo Leone De Kastris, ngulte kembë se provat materiale të admiraliatit italian ishin të çensuruara dhe në to ishte ndërhyrë. Kështu ai deklaronte se nga një cikël fotosh të një filmi dy prej tyre ishin prerë, se po ashtu ishte ndërhyrë në pjesën e filmuar të ngjarjes, të cilën e kishte kryer një marinar i Sibilës. Gjithnjë sipas De Kastris në film ishin lënë vetëm 6 sekonda pamje dhe më pas, në shirit, kishte vetëm errësirë.
Ndërhyrje prej zyrave të admiraliatit, i përgjigjej prokurori i Brindisit gazetës “La Nazione”, ishte kryer edhe në regjistrimet e zërave e urdhërave të dhëna para, gjatë dhe pas incidentit. “Zërat më parë ishin të pastër dhe më vonë u janë futur zhurrma”, deklaronte prokurori. Po kështu autori i shkrimit, Morandi, ngulte kembë se sipas Leonardo Leone De Kastris të dy admiralët që u muarrën në pyetje, kishin prirjen për t’iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe se përjashtonin përgjegjësinë e tyre.
Gazetari shtonte se kishte ndodhur edhe një fakt tjetër, të cilën për nga rëndësia e zbardhjes së tragjedisë së Otrantos të 28 marsit 1997, e konsideronte “me vlerën e një perle”. De Kastris i pohonte se admirali me emrin B. në ditët pas mbytjes kishte mbledhur oficerët që natën e incidentit ishin në çentralin operativ dhe u kishte dhënë direktivat se si duhej të vepronin më pas.

Shtëpia Bafa në EUR

Në lagjen EUR të Romës, në Largo Broki, ndodhet edhe shtëpia e Eloisa Bafës, motrës së Xhuzepes. Ajo punon në Ministrinë e Financave dhe jetën e ka lidhur me balerinin shqiptar Rudolf Gjoka. Ky punon në aeroportin roman të Fiumiçinos, tek shoqëria ajore italiane Alitalia. Me arbëreshen e bukur Eloiza shqiptari shumë elegant dhe i kultivuar është njohur në vitet 1991-92, në vendin e tij, në Tiranë. Djali i tyre i ka të gjitha eliziret e një bashkimi arbëresho-shqiptar: nuk lë dy gurë bashkë në një vend, gjen çdo mjet për të rënë në sy të mysafirit dhe orientohet rrufeshëm nga një inteligjencë e lindur.
Por figura më e pikuar e asaj shtëpie është nëna e Eloizës. Pra edhe e Xhuzepe Bafës. Një arbëreshe klasike. Flet me konseguencë gjuhën e mëmëdheut të pothuaj gjashtë shekujve më parë. Dhe vetëm psherëtin. Fotografia e Xhuzepes ndodhet në çdo kend të shtëpisë. Si një ikonë. Ajo lutet çdo minutë dhe qan. Përlotet krejt befasisht, në mes të bisedës më të qetë. Eshtë një ngashërim që i ngulçon nga fundi i gjoksit të paktën njëherë në dhjetë minuta. Fizikisht duket grua e fortë, po ashtu ka vetinë që çurgun e lotëve ta fshijë menjëherë me kurrizin e dorës dhe ta rinisë bisedën e mëparshme, të qetën, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Deri në çastin kur ngulçi i rivjen nga thellësia e krahërorit për ta mbytur në lotë. Si nuk vdes nga kjo raskapitje e dhimbje e përhershme!
Eloisa mbahet. Një motër, siç dihet, bën shumë për vëllanë e saj. Eloiza Bafa bëri çmundi që të sensibilizonte ambasadën shqiptare në Itali dhe autoritetet e larta në Romë dhe Tiranë për vëllanë e saj. Ajo përherë mendon se vdekja e Xhuzepe Bafës mund të jetë njëlloj aksident natyror dhe i kurdisur. I organizuar sigurisht jo nga qeveria italiane, kurrsesi. Me dhjetra prova e dokumenta, qendrime e biseda intime, provojnë fisnikërinë e kabinetit qeveritar të kohës apo të klasës politike italiane. Meraku i të motrës, i pamatë si në legjendën e Doruntinës, është se mos „aksidenti“ ka ndodhur prej një rrethi të ngushtë ushtarakësh të kërcënuar nga përfundimet e një proçesi gjyqësor për 28 marsin.

Dy fjale te fundit

Ja pse, pa i marrë asnjë hapësirë tragjedisë së vitit 1997, madje duke e rindriçuar atë, e kujtuam Xhuzepe Bafën dhe kolegun e tij Perrota. Në përvjetorin e katërt të ditëvdekjes së tyre, më 13 janar 2004, në vendin tonë nuk u shkrua asnjë rresht. Shqipërinë e kishte kllapuar zia e njezete e nje jetëve të tjera të humbura në një përpjekje tjetër për të kapërxyer detin pak ditë më parë, më 8 janar.
Xhuzepe Bafa nuk u kujtua publikisht as me 28 mars te ketij viti.
Të vetmet ngjarje që mbeten ne Shqiperi në kujtim të tij janë 28 marsi 2001, kur në Vlorë, ndërsa u zhvillua rituali i dhimbshëm i pjesëtarëve të familjeve të viktimave të tragjedisë, u përmend me nderim edhe Xhuzepe Bafa. Nuk mund të harrohet edhe pranvera e vitit 2003, kur Presidenti i ri i vendit, Alfred Moisiu, e dekoroi pas vdekjes avokatin arbëresh.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com