Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUÇI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PËRBALLË ENVER HOXHËS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETËM NGA E VËRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

2004, viti i termetit social dhe politik


Sot, 28 shkurt 2004

Shqipërinë e këtyre dy muajve të parë të vitit 2004 e kanë përfshirë jo vetëm ngjarje me një intensitet të lartë, “tërmete” të vërteta politikë dhe socialë, por edhe tepër të skajshme. Në rast se një lëkundje toke do të ndodhte në të njëjtën kohë vertikalisht nga poshtë lart dhe po ashtu horizontalisht pasojat e godinave dhe të fateve të njerëzve do të ishin katastrofike. Mirëpo ne po flasim për “tërmete” politikë dhe shoqërorë, viktimat e tyre shumë pak duken. Rënimet bëhen brenda vetë njeriut, shqiptarit. Shembin shpresat e tij për një ndryshim të mbarë, vrasin ëndërrat, bëjnë kasaphanë në to. Por për fat ka edhe disa lloj “shkundjesh” të tjera, nga ato që zgjojnë shoqërinë nga dremitja e rutinës dhe e vënë në alarm. E mobilizojnë të mbrohet më mirë dhe të dalë me sa më pak dëme nga katastrofat e tjera, të pritshmet.
Pa bërë “sismologun” e shoqërisë sonë të këtyre dy muajve të parë të vitit 2004 gjashtë “tërmete” apo “shkundje” shumëballëshe kanë ndodhur tek ne. Po t’i ndanim thjesht për metodikë në dy kategori, përshembëll në ngjarje pozitive dhe negative, do të ndodhte një pjestim i barabartë i tyre: tre nga këto ngjarje janë bukur të mbara dhe tre të tjera shumë të mbrapshta. Në llojin e parë do të klasifikonim gjallërimin dhe ringritjen e fuqishme të Lëvizjes Qytetare, Marrshimin e 21 shkurtit dhe Projektin e Ri të Tiranës. Në profilin e dytë të ngjarjeve të ndodhura, pra tek skedari i atyre negative, nuk do të ngurronim në fillim të rreshtonim dy gjëma. E para është ajo që ndodhi më 7 janar në brigjet tona jugore: 21 shqiptarë të viseve tona veriore me një ëndërr jete më të mirë në sy dhe vagëllim shprese në zemër vdiqën dhe u shuan ngadalë, në një torturë të tmerrshme, duke pritur që shteti i tyre dhe bashkëkombasit t’i shpëtonin. Gjëma e dytë ngjau pak ditë më parë, në Selenicë. U dogjën të gjallë gjashtë shqiptarë të tjerë, minatorë që paguheshin vetëm 15 mijë lekë në muaj. Pritën edhe ata mos u shpëtonin thonjve të vdekjes, por nuk e kishin atë fat.
Gjëmën e tretë, fatkeqësinë tjetër, do ta zbulojmë pas një arsyetimi të thjeshtë. Në rast se 21 shqiptarë nga hapësirat e varfëra të veriut bien viktimë e trafikut të pistë dhe shumë jetërrezikuar të mbartjes së klandestinëve në brigjet e begata të kontinentit nëpërmjet gomoneve, një pjesë modeste të fajit le ta mbajnë ata. Pjesa dërrmuese e përgjegjësisë shkon nga varfërimi i skajshëm që kombëtarisht solli diktatura, nga tranzicioni i vështirë i mëkembjes dhe nga përgjegjësia shtetërore për të bërë me seriozitet njëherësh shtypjen e pamëshirë të këtij trafiku dhe gjallërimin sa më të shpejtë ekonomik të vendit. Në rast se 6 të tjerë, banorë të Selenicës, një frymë larg Vlorës dhe atyre gomoneve tashmë emërmallkuara, nuk zgjedhin ëndërrën kllapi të ikjes me çdo kusht, por në vend të hapësirave plot ajër të detit zgjedhin vrimat e zeza të tuneleve nën tokë, atëhere gjëma për shqiptarët bëhet më tronditëse. Tragedia e Selenicës dëshmoi njëherësh se grupe të tëra sociale gjenden jashtë vëmendjes së qeverive, strukturave të Shtetit, opinionit, shoqatave jashtqeveritare, sindikatave. Ato janë të harruara. Nën tokë të harruara, si në një varr gjigand. Guxon mes shqiptarëve, kësaj race me krenari edhe të tepruar, që të vijnë një apo dy francezë, të quajtur bisnesmenë, të zotërojnë një nga perlat më historike të nëntokës sonë dhe banorin e padronin legjitim të vendit ta detyrojnë të punojë nën dhe me një rrogë fyese. Në kushte sigurie dhe mbrojtëse akoma më poshtërruese. Aq shumë poshtërruese sa në një nga kulmet e kundërenverizmit, në përvjetorin e trembëdhjetë të rrëzimit të shtatores së tij megallomane dhe rigjykimit të madh të gjysmëshekullit punist, të shtrengojnë shumë shqiptarë të kujtojnë me nostalgji kohën e tij, diktaturën. Sepse rezulton që diktatura komuniste është sjellë me mjaft përkujdesje dhe respekt për minatorët. Sepse shqiptarët paguheshin shumë më mirë dhe trajtoheshin me mbrojtje të veçantë. Atëhere si është e mundur që në viset tona, ndërsa thuhet se përjetojmë parametra demokracie dhe zhvillim ekonomie të hapur tregu, madje përditë po plotësojmë pikët e shumta të formularit të vështirë të integrimit në Bashkimin Evropian, të huaj që vijnë prej andej zbatojnë hapur kritere dhe norma të kapitalizmit të egër antinjerëzor të dy shekujve më parë? Si është e mundur që të lejohet e qetë dhe pa një ndëshkim shembullor publik një firmë europerëndimore, ardhur prej vendit që ka ideatorin dhe themeluesin e BE-së, një nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, të guxojë të mbartë në Shqipëri një sistem që tashmë i nëmuri komunizëm, me meritë historike dikur e luftoi dhe e korregjoi? Si lejohet që të na heqin zvarrë në prehistori njerëz që duam apo nuk duam ne, kanë mbi vete simbolikën e kulturës dhe të rregullave BE-së?
Nën tokë për 15 mijë lekë! I vdekur për vetëm 100 paketa duhani në muaj! I vdekur për vetëm katër copë bukë në ditë!
Parë kështu fatkeqësia e tretë e shqiptarëve në këta dy muaj të fillimivitit 2004 është vendimi qeveritar që Kryeministri dhe dy nga nëpunësit e tij më të afërt të shpërbleheshin me nga pesë rroga. Pra secili me mbirrogë sa gjashtëdhjetë paga të minatorëve jetëhumbur të Selenicës. Familja e zotit Fatos Nano u dha ndihmë gjithsecilës familje me pjesëtarin e dashur të humbur, ky akt nuk duhet marë patjetër si demagogji. Veç kur e di se ai tashmë në shtëpinë e vet nuk ndjen asnjë mungesë financiare, përkundrazi, edhe sikur ta meritonte atë pesërrogësh, përse menjëherë nuk e kaloi në kontribut për fonde në ndihmë ndaj të varfërve? Atëhere pyetja lind vetvetiu, nuk ja mbyll dot “gojën”: ne shqiptarët kështu, siç e kemi nisur këtë vit po shkojmë përpara apo bëjmë hapa në vendnumëro e mbrapa? Pra lëvizja jonë në këta dy muaj ishte mbetje në vend (tre ngjarje pozitive minus tre fatkeqësi), ecje praptazi (fatkeqësitë janë më të mëdha se çdo lajm i mirë) apo jemi shkundur përfundimisht nga inercia e pasdiktaturës dhe kemi hapur velat drejt ndryshimit? Po të na mpinte dhe orientonte në këto çaste emocioni do të thoshim me një siguri të palëkundur se edhe vetëm duke parë ca të huaj (por edhe vendas) që shfrytëzojnë mizorisht shqiptarin e pambrojtur, përgjigja do të ishte “po bëjmë MBRAPA”. Mirëpo po të orientohemi më qetësisht, larg zhurrmës politike që devijon, shtrembëron e gjymton përreth çdo imazh real të gjërave, do të delnim në një tjetër konkluzion. Jo të gëzueshëm, aspak të tillë. Njëzetë e shtatë të vrarë nga varfëria dhe pashpresa janë shumë për të klithur “lumturinë“. Eshtë një i vdekur në dy ditë. Por një përfundim inkurajues për këtë dy muaj do të ishte.
Do të ishte patjetër po qe se pranojmë që thelbi i rrugës së mbarë drejt demokracisë është rritja e ndërgjegjësimit të shoqërisë. Lëvizjet Qytetare me në krye MJAFT! dhe ZMQ dëshmuan se mund t’i bëjnë qeverive edhe në vijim aksione presingu të suksesshme. Në dy muaj “u thyen” të gjitha teprimet e ndërmarra në reformimin e ekonomisë me kosto mosinteresimin sa duhet për pasojat e tyre mbi shqiptarët. Një shprehje mjaft të fuqishme kësaj qendrese ja dha Marrshimi i 21 Shkurtit. Qytetaria dhe Opozita sëbashku e shtrenguan shumicën rozë që të rishohë masat e mara dhe t’i korregjojë. Në këtë kuptim qeveria është bërë “më e urtë“ dhe “më e mirë“. Kështu janë rregullat e demokracisë, eliziret e pluralizmit: kur në shtatë vite të papushuar në pushtet ndodh që harron të jesh shtatë herë më afër halleve të njerëzve, janë këta që të “ulin në tokë“. Madje kur e tepron ta bëjnë këtë punë edhe jo shumë butë.
Eshtë e dhimbshme kur kujton viktimat e ikësve përtej detit apo të Selenicës, por këto vdekje patën për Shqipërinë edhe çmimin e zgjimit. Të hapjes së syve për të parë shtresat e pambrojtura, fatkeqët, bashkëkombasit tanë që në këtë jetë të vështirë hiqen zvarrë për bukën e gojës. Për t’i parë këta hallemëdhenj jo vetëm qeveria, që e ka për detyrë, por edhe opozita që të mësojë se i duhet dhënë fund hipokrizisë së denoncimit vetëm kur tragjedia ndodh. Për t’u qendruar afër sindikatat, këto askërkundi. Për t’u njerëzuar më shumë edhe bisnesi ynë, i cili akoma shumicën e të punësuarve të vet i mban “në të zi”.
Tre plus tre nuk janë këto gjashtë ngjarje që në dy muaj shkundën Shqipërinë. Por megjithatë janë një hap i bërë përpara. Dridhshëm, dhimbshëm, kurajshëm.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com