Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tirana nuk mund te behet poligon i politikes

Korrieri, 6 prill 2004

Në mitingun përkujtimor të 2 prillit në Shkodër nga përfaqësues të lartë të bashkimit opozitar iu bë thirrje mbështetësve të tyre dhe dijeni opinionit publik se shumë shpejt në Tiranë do të organizohet një protestë tjetër shumë e madhe me të ardhur nga i gjithë vendi, por kësaj rradhe me qendrim ditë e natë para selisë së Kryeministrisë. Ky lajm ngjalli entuziazëm tek shumë nga të pranishmit mitingues, ca më tepër që kësaj rradhe atyre iu rikujtua se demonstrimi do të përfundonte jo me xhiron e zakonshme nga Sheshi Skenderbej deri tek ai Nënë Tereza e kthim, por vetëm me rrëzimin e kryeministrit Fatos Nano. Nuk po i rikthehemi deklarimit më të fundit të ish-presidentit Sali Berisha, i cili pas një takimi në zyrën e tij me ambasadorin e SHBA-së Xhejms Xhefri, njoftoi bashkëkombasit se demonstrimet e fuqishme të lëvizjes “Nano Ik” nuk kishin për objektiv rrëzimin e Kryeministrit, por realizimin e zgjedhjeve të lira. Këtë gjë e pohuan pas shefit të tyre edhe disa figura të tjera serioze të opozitës, duke lënë të nënkuptohet se në konkluzionin, taktikën dhe strategjinë “dobësojmë politikisht Nanon dhe pastaj e rrëzojmë nëpërmjet zgjedhjeve”, ka një konsensus të të gjithë udhëheqjes së Partisë Demokratike. Mbase edhe të gjithë koalicionit të djathtë.
Eshtë detyrë e opozitës të gjejë e zbatojë mjetet më efikase për të gjetur rrugën e rikthimit normal apo anormal në krye të qeverisjes së vendit. Eshtë rreptësisht e drejtë e saj të gjykojë mjetet për realizimin e këtij objektivi si edhe rradhën e tyre. Po ashtu e ka vetëm ajo kompetencë të përcaktojë kohën e goditjes vendimtare, çastin më të dobët të kundërshtarit, njerëzit që do të bëjë simbol dhe ekzekutuesë të alternativës së saj të re. Mbetet ekskluzivisht liri e saj të përcaktojë se me lëvizjet e fundit të rival-armikut të vet numër një, Fatos Nanos, ky po dobësohet politikisht në Bruksel, në Prishtinë, në Romë, në Londër, në Uashington apo po përforcon pozitat e tij. Vetëm një “kompetencë” për një çast do të guxonim t’ja merrnim opozitës. Të drejtën për t’i thenë se Tiranën nuk mund ta zhndërrojnë në poligon.
Kryeqyteti i një vendi, ca më shumë i Shqipërisë jetë e mot e administruar me kulturë centraliste monarkiste, komuniste apo edhe “demokratike”, mbetet qendra kryesore politike e vendit. Ndryshe nga mjaft vende të tjera me zhvillim më të kompletuar Tirana është edhe qendra më e madhe jo vetëm kulturore, por edhe ekonomike e Shqipërisë. Ajo është edhe një koshere e madhe e krimit të rrugës dhe e atij të organizuar. Nuk mbetet fole më e vogël edhe e kryqëzimit të shërbimeve të huaja të fshehta, demokratike dhe jo fort të tilla. Po ashtu nuk është hequr nga harta e terrorizmit fondamentalist islamik. Tirana është edhe simbol i çmuar i tërë kombit, krenari e të gjithë shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit tonë dhe në të gjithë globin, shpresë se një ditë mund të tregojmë para botës silhuetën e një qyteti dhe të një qytetërimi bashkëkohor. Me një fjalë kryeqyteti shqiptar në hartën e Ballkanit dhe të Evropës nuk është një emër i rendomtë apo i harruar. Atë tashmë e njeh e gjithë njerëzimi, që nga Alaska e deri në Australi, Tirana përmendet në çdo qoshe të Azisë. Për fat të keq më shumë si emër që mbart me vete ankthe trazirash, varfërimi e pragluftrash. Por Tirana është e bukura jonë, jeta dhe kenga jonë. Tirana nuk është thjesht një vendstrehim partish politike dhe kaq. Ca më pak nuk është fshati ku ka ngritur kullën bajraktari iks apo ipsilon. Nuk është aspak një lëmë apo lendinë në të dalë të katundit, ku mund të të hipi damari në qafë, të flakësh tutje xhaketën dhe të turresh për t’u rrokur. Shumë nga njerëzit tanë që merren me zanatin e politikës nuk duan ta kuptojnë atë që ndodhi në vitin 1990, 1997 dhe 98, kur Tirana mbijetoi dhe nuk u mund nga asnjë turbullirë, rebelim apo anarki, nga asnjë person apo grup. Tirana është kaq e fuqishme sa para saj të gjithë janë xhuxha. Beteja me këtë status të saj është fatale me këdo që kërkon ta vëjë nën kembë dhe ta keqpërdorë për mbajtje të sforcuar pushteti apo për të vënë në jetë aksionin e tërthortë të një pushtimi politik.
Kryeqyteti shqiptar ka ritmin e tij modern të jetës, ka ditëpushimet dhe fundjavat e tij, ditëmanifestimet shpirtërore apo kulturore. Ai ka vend edhe për ditëmitingjet apo ditëprotestat. Falë demonstruesve, por edhe kulturës së qytetarëve të saj afër treçerek milioni, marrshimet e deritanishme të lëvizjes “Nano Ik” apo edhe e kopjes së saj të dobët, “Nano Ok”, kanë shkëlqyer. Tirana është laboratori më i përparuar i ushtrimit të politikës shqiptare, në parlament apo në media. Ndërkohë kryeqyteti ynë, kjo nyje tepër nevralgjike dhe jetësore për shtetin dhe kombin tonë, nuk mund të zhndërrohet në një poligon, ku politika qit me të gjitha llojet e armëve dhe kur të dojë ajo. Lufta ndërpartiake në Tiranë akoma ka lënë pas një shije të hidhur. Për fat të keq si rëndom kohë më parë në disa vende amerikano-latino ajo ka nxjerrë në rrugë tanket dhe autoblindat, bazukat dhe kallashnikovët, turmat që kanë shkulur pemët buzëtrotuareve apo kanë vjedhur e plaçkitur dyqanet e pasura të qendrës.
Tirana mund të mos jetë Pragë, emri i të cilës ka mbetur në histori si shembëll i ndryshimeve të trendafilta, por gjithsesi mbetet qyteti i madh .shqiptar ku ka tingëlluar e denjë çdo fitore e natyrshme politike e majtë dhe e djathtë, blu apo rozë. Tirana ka dëshmuar se zemrën ja kanë fituar ata që dinë të sillen me të në mënyrë të butë e të ëmbël. Ata që, kur i kanë bujtur, kanë ditur t’i bëjnë vizitë apo të rrinë aq sa në raste të tilla ka lezet. Jo si ajo turma tradicionale dhe e potershme e atyre kushurinjve të largët që vijnë e nuk shkulen të kthehen në shtëpitë e tyre.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com