Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUĒI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PĖRBALLĖ ENVER HOXHĖS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETĖM NGA E VĖRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Duart qe hapin dosjen 1997

Sot, më 13 mars 2004

Tensioni i madh i luftës ndërpartiake, i cili vijon të qendrojë si re e zezë mbi Shqipërinë (çka detyroi numurin një të bashkësisë evropiane, Romano Prodi, të kërkojë nga politika shqiptare kujdes për stabilitetin e vendit) mori ditët e fundit një përflakje të re. Benzinë e hedhur sërish mbi zjarr u bë viti 1997. Ndoshta njeriu që bëri gjestin e parë të risjelljes të këtij viti të mbrapsht mes nesh, Presidenti, mendoi se dekorimi i dy shikasve të vrarë në mbrojtje të institucionit të tyre do të ishte mbi këtë zjarr përvëlues vetëm një kovë me ujë. Se pas dy dekoratave do të vinte ulja e gjuhëve të flakëve, venitja e tyre, shuarja e ngadaltë. Ndodhi e kundërta. Nuk mund të pritej gjë tjetër, zbutjet apo qetësimet nuk funksionojnë në Shqipëri. Marrin revan vetëm ndërkryerjet dhe egërsimet. Edhe një kovë e vërtetë me ujë, për magji apo çudi, tek i afrohet “zjarrit”, zhndërrohet në karburant.
Në këto çaste solidarizimi njerëzor me Kryetarin e Shtetit, të cilit i humbi jetën djali, nuk e gjejmë me vend të shprehemi se bëri mirë apo keq që e ngacmoi vitin e përbindshëm. As nëse një gjest i mirëpritur pajtimi do të kishte tjetër formë dhe gjetje. Duhen kuptuar edhe urgjencat e tij personale për të ruajtur apo kapur pozicione të barazlarguara nga dy polet ultraagresive të politikës rozë dhe blu. Po ashtu edhe dëshira për një ekuilibër të brendshëm, në vetë identitetin e tij. Duhen kuptuar dhe llogaritur edhe aftësia e disa këshilltarëve për të dhënë këshilla të këqija. Rendësi për opinionin ka një fakt: Duart e Presidentit, që firmosën ato dy dekorata, mbeten më të pafajshmet në të gjithë këtë histori të rindjezjes së zjarrit të vitit 1997.
Në një farë mënyre Shqipëria që prej ditëve të para të këtij viti ka hyrë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të ardhme parlamentare. Këtë periudhë prej diçka më shumë se një viti nuk e nginjin katërqind e ca ditë, ato janë pak. Për politikën tonë janë fare pak, vetëm një grimcë që nuk ua shuan dot urine për t’u kacafytur. Ajo ka vullnet, nerva, energji dhe duar trazovaçe për një periudhë parazgjedhore prej të paktën një mijë ditësh nga tridhjetë që mezatarisht këshillojnë kushtetutat më normale të botës. Ja përse dosja e vitit 97 në një mënyrë apo në tjetrën deri në zgjedhjet e para apo të kohshme do të nxirrej nga sirtari. Tani që është sheshit dhe nuk ka më forcë që ta përmbajë këtë përleshje mortore me fotot e bashkëkombasve të përgjakur, do të mbetej e udhës, të paktën, denoncimi i së keqes që na vjen nga ky zell politik.
Jo nga pasioni për ta studjuar qelizë më qelizë këtë sëmundje e këtë kolerë të madhe kombëtare që kaluam. Studjuesit janë vonë, ata vijojnë të mbajnë një distancë të tepruar ndaj disa ngjarjeve të spikatura të pasdiktaturës komuniste. Ata nuk janë publicistë që veprojnë menjëherë, vërtet koha u duhet, por jo kaq shumë. Viti 1997 vazhdon të mbesë në duart e publicistëve apo shkrimtarëve, madje edhe të ndonjë kineasti, por tashmë ndihet mungesa e studjuesve, e atyre njerëzve që operojnë me mjete shkencore dhe rrinë larg influencës së emocioneve. Po nuk vepruan në kohë edhe historianët prej kësaj drame kombëtare nuk do të nxjerrim dot asnjë mësim, 97 do të mbesë një masë llave që nuk do të qetësohet kurrë. Ajo nuk do të “arkivohet” dot, por do të zhndërrohet në një model të gjallë. Në një shembëll për t’u rindjekur.
Eshtë e trishtueshme por këtë “garanci” të fundit ta jep mënyra se si politika po e ritrajton ngjarjen. Mirëfilli me po atë mendësi, pasion dhe njëanshmëri si shtatë vite më parë. Pa lëvizur asnjë ide, pa bërë asnjë korrigjim, pa shtuar asnjë argument të ri, pa evidentuar ndonjë provë konkrete fajësie, asnjë dokument të rendësishëm të zbuluar rishtazi, pa bërë asnjë rishikim të vetvetes, pa gjetur asnjë vetëpërgjegjësi, pa zbuluar rrënjët, pa kurrfarë pendimi, bashkëdrame, pa dhënë shenja se vuajnë nga ajo që ndodhi, se i tronditin kufomat e risjella nëpër foto e kronika, se i ngashërejnë pellgjet e mëdha të gjakut. Eshtë pamendje po kaq sa edhe pashpirtësi.
Viti 1997 duhet përjashtuar nga beteja ndërpartiake. Urgjentisht. Nëse duam të kumtojmë para komunitetit ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian se e kemi seriozisht me përmbushjen e standarteve të civilizimit perëndimor. Nëse duam të japim shembullin e një populli të kultivuar dhe të një klase politike që është aq racionale sa të kuptojë se ka aq shumë tema dhe argumenta për të na e bërë më të mirë jetën (kështu të na marrë edhe votat) sa nuk ka asnjë nevojë për të lypur 1997-tën. Ky vit nuk është njollë për shoqërinë tonë, ajo fatkeqe ka qënë viktimë. Nëntëdhjetë e Shtata nuk është nxirrje biografie për popullin, ishte zi dhe mort për të. Ai njollos apo cenon mbi të gjitha një pjesë të rendësishme të klasës tonë politike. Nuk është në interesin e saj, madje edhe në pjesën cinike të interesit, që të ringjallë dhe përdorë si mjet efikas lufte dhe epërsie politike këtë vit të nëmur. Po vijoi ta ngacmojë këtë “gjarpër që fle”, do të kafshohet keqas vetë. Shkalla e saj e besueshmërisë mes shqiptarëve do të bjerë edhe më, kurse tek brezi që lindi më 1997 e që tashmë ka shkuar në bankat e shkollës, nuk do të mundet kurrë të hedhë urat e ndonjë lloj lidhjeje shpirtërore. Sigurisht duke larguar duart e politikës nga viti 1997 nuk do të thotë aspak se mbi të nuk duhet hetuar prej njerëzve, instituteve studimore apo shoqatave joqeveritare që nuk kanë interesa politike, veç atyre kombëtare. Ky është një proçes që ka dinamikën e vet të shkëputur nga politika.
Dëshira e një “Larg duart!” të politikës mbi këtë vit nuk rrjedh vetëm nga fakti se nuk mund ta gjykojë këtë pjesë të dhimbshme të jetës tonë ai segment që u implikua, me dashje apo pa dashje. As se ajo nuk ka ndonjë zotësi, po të dojë, për ta bërë këtë gjë (edhe pse më mirë do të ishte një dëshmi e saj para historianëve dhe gjykatave. Aspak sepse heshtja e nevojshme e politikës na duhet që ta kriminalizojmë aq shumë këtë pjesë të shoqërisë sonë sa t’ja hedhim mbi supe të gjithë dëmin kombëtar. Opinioni dhe shoqëria për katastrofën e këtij viti në fund të fundit ka bërë akuza më pak të renda ndaj klasës politike se sa ajo vetë mes vetes.
Heshtja e saj, largduarja, na duhet si vend e popull që të mos i japim shans e mundësi segmentit agresiv e mesa duket të pakorregjueshëm të politikës që të mos e shtrembërojë sërish pamjen e vërtetë të ngjarjeve, thelbin e tragjedisë, autorët, prapaskenat, intrigat, lidhjet e nëndheshme, cmirat e pafre për pushtet. Segmenti agresiv i politikës së ditës duhet të mos bëzajë për këtë vit që të mos turbullojë faktet e devijojë provat, ndryshe do ta bëjë vitin 1997 të paadministrueshëm nga asnjë institut historie.
Dhe kjo do të ishte e keqja më e vogël, katastrofa më e madhe do të niste me mundësinë për një përsëritje. Nuk duhet të çuditemi nga një alternativeë e tillë. Po e lamë monstrin të gjallë, vitin 1997, si edhe çdo ngjarje tjetër, ai do të zbatojë logjikën e dëshmuar historikisht: do të përsëritet në një formë tjetër.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com