Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Loja mediatike me fjalen revolte



Dita, 31 mars 2004

Herë në mënyrë të tërthortë, gati me gjysmë goje, herë dukshëm e me plot gojën, herë si një mënyrë thjesht presioni ndaj kabinetit qeveritar rozë dhe herë pa fshehur një dëshirë të fshehtë që të ndodhë pikërisht kështu, disa figura të opozitës përmendin fjalën “revoltë”. Që të gjithë shqiptuesit, sidomos njerëz të kultivuar si Spartak Ngjela apo Preç Zogaj, e dinë shumë mirë se çfarë dukurie sociale është revolta. Ata po ashtu fare mirë e dinë kur një protestë sociale apo politike merr përmasat e një marshimi paqësor, kur shfaqet në formën e një mitingu apo grindjeje në parlament, të një spoti apo debati televiziv, si zhndërrohet në një demonstratë lokale apo kombëtare, kur merr formën e një grevë pakorëshe apo disa ditore, kur parakalon e vendos qirinj para një selie pushteti që duhet ndërruar dhe kur sakrifica e protestës bëhet një flijim me jetë në emër të demokracisë dhe lirisë së humbur. Sigurisht revolta është një formë e protestës, maksimalja e saj dhe sipas rregullit vjen kur dëshpërimi i njerëzve i kalon të gjitha kufijtë. Po sipas rregullit revoltat qytetare në një shoqëri nuk mund të vijnë vetëm nga mjedise të caktuara politike, ato akumulohen dhe pastaj shpërthejnë nga shtresa të gjëra popullore. Në rast se protestat e mëdha të fillimvitit 1997 u shfaqën herë pas here në formë revoltash kjo ndodhi sepse atyre iu krijua një shtrat i gjërë social: vjedhja e madhe që iu bë shqiptarëve në dritë të diellit dhe nën sytë e Shtetit, nëpërmjet të Fondacioneve “bamirëse” mashtruese. Nuk përjashtohet një shpërthim i ri i kësaj forme të acartë proteste edhe në Shqipëri në rast se, përshembëll, sistemi bankar shqiptar pëson një “krak”. Apo kuota e lartë e demagogjisë politike me të ashtuquajturat investimet në miliarda dollarë, duke krijuar mes nesh idenë e një “eldoradoje” virtuale, të gënjeshtërt, do të maskojë revanshin i një grupi politikanësh e qeveritarësh të tejkorruptuar, të pangopur në galopin e monopolizimit të ekonomisë dhe të jetës së vendit. Deklarimi se jetojmë në këtë apo atë milenium nuk jep asnjë garanci dhe nuk përbën asnjë provë se një ditë, në rast papërgjegjësie drejtimi të vendit, pjesë të dëshpëruara dhe jopartiake të shoqërisë shqiptare do t’i drejtohen revoltës. Apo organizimit të celulave apo bashkimeve ekstremiste, të cilat do të vetorganizohen për të fituar të drejtat e tyre nëpërmjet përdorimit të formave të dhunës antishtetërore. Struktura të tilla ekzistojnë edhe në disa vende të zhvilluara e demokratikisht të konsoliduara, edhe pse meritojnë të kufizohen e luftohen pa kompromis. Ja përse momentin kur një pjesë e shoqërisë protestën e saj do ta trupëzojë në një revoltë nuk “e ka në xhep” as Preç Zogaj dhe as Gramoz Ruçi. As të parit nuk i lejohet, për vetë natyrën e tij liberale, ta ndjellë këtë kob qoftë edhe me sentencën “epur si muove”, as të dytit, burrë e shqiptar me shumë eksperiencë individuale, ta përjashtojë a priori.
E vërteta është se në Shqipëri, në një vend me kulturë politike demokratike ende të pakonsoliduar, gjen turma më shumë se shtresa sociale të ndërgjegjësuara që të mos dine të përmbajnë zëmërimin e tyre. Akoma më e vërtetë është se në vendin tonë ka edhe segmente jo të vogla të klasës politike që nuk janë të afta ta miradministrojnë mllefin e masave popullore, ose që thjesht nuk duan ta bëjnë këtë gjë. Apo që këtë dëshpërim e eksitojnë, kryesisht duke përdorur teknikat populiste të manipulimit të masave si turma. Këta mjeshtër të “heqjes së trurit” dhe përndezjes së instikteve luftarake të ndeshjes fizike trup me trup janë evidentuar tashmë në të gjithë historinë e pluralizmit tonë trembëdhjetëvjeçar. Për fat të keq nuk janë një e dy.
Mirëpo fjala “revoltë”, e cila ka një dyzinë vitesh që endet nga njëra gojë politikani të majtë tek gjuha e një të djathti, nuk ka qënë deri në shtator 1998 një “muhabet pa bereqet”. Një fol të flasim. Ajo fjalë, pjesë e qartë e një kulture dhune verbale, është vënë realisht në jetë. Revolta ka ndodhur. Fjala ka prirë vetë trazirën. Dhe çudia ka qënë se ajo është kryer, përgjithësisht, nga njerëz, mjedise, kontigjente apo turma të lidhura politikisht me shqiptuesit e fjalëve. Duke mos përjashtuar faktin se rregulli e thotë që atje ku për një pjesë të shoqërisë së hapur mbyllen kategorikisht nga qeverisësit mundësitë e përdorimit të mjeteve politike për zgjidhjen e kërkesave të tyre, thyerja me forcë e barrikadës së vënë nga grupi bllokues bëhet e vetmja mënyrë e rrugëdaljes. E shfryrjes së zëmërimit dhe protestës. Në kërkim të zgjidhjes, format revolucionare (bllokimet e sistemit nga lart dhe shbllokimet nga poshtë) janë mënyrat më klasike të mosmbërritjes në zgjidhjen e vërtetë të problemit për të cilin ka ndodhur ndeshja.
Në opozitën e sotme disa humbje të saj të përsëritura në rivalitetin me bashkësinë e politikanët rozë kanë krijuar stresin e një pasigurie për mundësinë e një fitoreje të pritshme në garën zgjedhore të rradhës, asaj në mbarim të mandatit, në pranverë 2005. Duke qënë se po ngushtohet koha e mundësisë së provokimit të zgjedhjeve të parakohshme dhe ato nuk mundi t’i realizojë dot edhe organizimi i marshimeve të mëdha protestuese, segmente të veçanta të opozitës (kryesisht nga ata që janë bashkuar rishtazi me të pasi në një situatë analoge të para vitit 1997 kanë qënë kundër saj) bëjnë presion që ndërprerjen e mandatit, qoftë edhe për vetëm disa muaj, ta kryejnë me mjete revolucionare. Shtatë shkurti i këtij viti, edhe pse nuk ishte parashikuar e projektuar nga lidershipi tradicional i Partisë Demokratike si një protestë që do të dhunonte selinë e Kryeministrisë, për pak përfundoi në të kundërtën e misionit të saj. Ai segment aty dëshiroi dhe veproi, tjetër gjë që ish-Presidenti e devijoi akuzën nga “të papëmbajturit” afër tij tek gjoja segmente të Sherbimit Informativ Kombëtar. Ky segment tashmë e deklaron hapët se në ndodhtë që kryeministri Fatos Nano e kapërxen muajin maj mundësia e provokimit dhe realizimit të zgjedhjeve të parakohshme bëhet matematikisht e pamundur. Ja përse nxitoi i qeti dhe i përmbajturi Zogaj tek ajo media që mendon pikërisht se po kaloi maji…
Kjo është arsyeja edhe përse mes krahëve të ndryshme të opozitës ka një inkoherence të madhe. Herë thonë se protestat masive kanë objektiv rrëzimin e Kryeministrit dhe të rozëve e pastaj deklarojnë se synimi mbetet vetëm realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Herë duan të ndjekin modelin e Shakashvilit, shumë shpejt më pas mitizojnë përvojën e Indira Gandit dhe sërish i rikthehen citimit të modelit gjeorgjanas. Kjo krizë e brendshme e opozitës, aspak më e rendë se edhe e sistemit tonë politik e social, nuk duhet provokuar me deklarata se protesta e dytë e koalicionit të djathtë, duke patur relativisht më pak njerëz se e para, ishte një dështim i saj. Aspak. Edhe protesta e dytë ishte një fitore e madhe morale për të, madje shumë më e madhe edhe për vetë shoqërinë tonë. Opozita me në krye Partinë Demokratike po provon kulturën paqësore të kundërshtimit dhe kjo përbën një kumt të gëzueshëm për Shqipërinë. Janë çaste kur fjala revoltë shqiptohet nga disa prej tyre me zë më të lartë më shumë nga që janë të bindur se realiteti i vënies së saj në jetë po largohet me shpejtësi. Por për këtë nuk mjafton vetëm prirja kryesore e opozitës për ndryshime politike paqësore, por edhe gatishmëria e pozitës. Kjo në disa raste e ka deshifruar këtë kurs të ri të rivales së saj si dobësi. Për fat të keq ky është i njejti mentalitet i kultit të më të fortit dhe i pëlqimit të evidentimit të epërsisë së forcës.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com