Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Levizjet qytetare ne ngerç


Sot, 6 mars 2004


Dukuria mund të përshkruhet e futur nën këtë format: në vjeshtë të vitit të kaluar u shfaq lëvizja MJAFT!, pastaj Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve u hodh në një lëvizje agresive kundër shtrenjtimit të jetës, më pas ish-Presidenti Sali Berisha ekspozoi lëvizjen “Nano Ik!”, pas një hezitimi jo fort kohëshkurtër rozët u përgjegjën me lëvizjen “Nano OK!”. Nuk kaluan veç fare pak ditë dhe në një intervistë të gjatë në “Koha Jonë” ish-kryeministri Ilir Meta shpalli Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Në pamje të parë të duket sikur ka rënë një “grip” Lëvizjesh. Vetëm pak muaj më parë, duke sjellë një përvojë të kulturës shoqërore perëndimore, kryesisht amerikane, një i ri, student me emrin Erion Veliaj, bashkë me një grup shokësh të tij ndërmori nismën e luftës kundër gjakmarrjes dhe varfërisë e deri, më në fund, Qeverisë. Mund të mendohet se me këtë protagonist të ri të shoqërisë shqiptare lidhet sadopak edhe gjallërimi shpërthyes i ZMQ. Nga ky aliazh MJAFT+ZMQ, që duhet pranuar se tronditën për dy dyzina ditësh Shqipërinë, mund të arsyetohet se mori model, impuls dhe jetë eksplozioni opozitar “Nano Ik!”. Si një reagim i shpejtë balancues ndaj kësaj të fundit u ravijëzua, ende në një project, “Nano OK”. Një ndikim i kësaj rrokade të madhe nuk mund të mos dallohet edhe në përzgjedhjen e fjalës Lëvizje tek boceti i gjesteve më të fundit të Ilir Metës, me sa duket tek inicialet e një partie ende në shpërgenj.
Kështu në pesë-gjashtë muaj ndodhi që u pasuruam me kaq shumë gjestikulacion politik dhe shoqëror dhe, në emërtimin e tyre, edhe me kaq tepër lëvizje, sa rrezikojmë të na merren mendtë dhe të na vijë Shqipëria vërdallë. Ka shumë të ngjarë që të tjerë projektuesë apo zbuluesë “lëvizjesh” të na afrohen në ditët që vijnë. Të sigurtë që mbartin mbi vete me këtë fjalë çudibërëse fatin e të qënit factor shungullues. Sepse për disa rendësi ka të lëvizurit. Por sipas një rregulli të thjeshtë mund të lëvizësh edhe duke ecur përpara, edhe duke bërë prapa, madje mund të lëvizësh edhe në vend. Duke pranuar se matematikisht një gjysëm vjeshte sëbashku me një gjysëm dimër na dhanë bollëkun e një Lëvizjeje për çdo muaj, duke mos refuzuar dyshimin se në të gjithë këtë zallamahi tipike të viseve tona ka edhe imitim, por edhe thjesht xhelozi personale apo një mënyrë të re për të bërë protagonizëm, meraku mbetet një gjë tjetër: mes kaq shumë lëvizësish shoqërorë a po ndodh që me të vërtetë po shkëputet nga vendi vetë Shqipëria? Thuhet nga një fjalë e urtë se dy mami e vdesin fëmijën. Duke mos e marrë si ogur të keq këtë urtësi popullore, sepse në kontekstin tonë është në parim kundërpluraliste, le të vëzhgojmë për pak çaste se mos kaq shumë lëvizje me të vërtetë, në vend ta nxisin, e paralizojnë demokratizimin e mëtejshëm të vendit.
Një riregjistrim i ri i situatës nxjerr në pah të kenë ndodhur disa fenomene në yllësinë e këtyre Lëvizjeve. Përshembëll: Lëvizjet themeluese MJAFT! dhe ZMQ, ishin qytetare. Pastërtisht të tilla. Tani epërsinë e kontrollit apo të ndikimit e kanë marrë lëvizjet politike. Në këtë ndryshim të kursit pak a shumë ndodhi kështu: E para fazë zhndërrimi ndodhi kur MJAFT! mbushi me protestues të gjithë sheshin përballë Kryeministrisë, e dyta kur ish-Presidenti Berisha hodhi në veprim “Nano Ik!”, e treta periudhë e “politizimit” të veprimit qytetar tentoi të merrte formë kur Kryeministri ftoi në zyrën e tij një grup të gjërë veprimtarësh socialë, por duke synuar zbehjen e protagonistëve realë të atyre ditëve. Një fazë e katërt mori formë kur të njëjtën gjë bëri shemri i tij, i cili ftoi në mënyrë spetakolare në një nga mjediset më tërheqës të Hotel Sheraton, një numër më të madh protagonistësh socialë. Pak ditë më parë, mes përfaqësuesve të MJAFT! dhe ZMQ, Presidenti i Republikës kishte ftuar në zyrën e tij një emër të tretë, shumë pak të njohur. Ai drejtonte një mekanizëm jashtëqeveritar për luftë kundër korrupsionit. Asnjë lëvizje qytetare nuk administronte deri ato çaste, asnjë të përafërt nuk ka kryer edhe më pas.
Tashmë në konkurencë dhe në luftën për “kontrollin e territorit” kishte hyrë politika dhe eksponentët e saj më kryesorë. Në fillim të marsit të këtij viti Erion Veliaj ishte zhndërruar nga një podium i fillimvitit në një bust fëminor që përherë e më shumë tretet në largësi. Kreshnik Spahiu akoma mbahet në përmasat e shtatit të dy-tre muajve të fundit edhe pse mund t’i rinisë minimizimi i dimensionit. Tashmë ishin lartuar përmendoret e atyre që janë profesionistë në gëlltitjen e vëmendjes së opinionit, politikanëve. Mbi të gjitha e përmendores së Sali Berishës. Lëvizja MJAFT! kishte qënë fati i tij. Në janar ia mbushi asaj sheshin me njerëz të tij, disa arritën të ngjiteshin deri tek tribuna. Në fillim të marsit, ndërsa MJAFT! bëri një lloj profilaksie për t’i shpëtuar infeksionit nga politika, ish-Presidenti u shpreh i pakënaqur për bashkëpunimin. Tryeza e tij e Hotel Sheratonit është një mënyrë tjetër për të kapur “tribunën” e lëvizjeve qytetare. Jo më kot protestës së madhe politike opozitare “Nano Ik!” ai i kishte ngjitur emërtimin Lëvizje Qytetare. Mirëpo qytetarëlëvizësit e vërtetë, pra ata që sipas rregullit në veprimtarinë e tyre nuk kanë synime për marrjen dhe administrimin e pushtetit politik, në parim janë të shtrenguar të bashkëpunojnë me të gjithë faktorët e tjerë socialë, përfshi edhe ata partiakë. Nuk kishte qënë idea e tyre të shkonin në zyrën e Kryeministrit, ishte lëvizje e këtij të fundit. Nuk ishte po ashtu nismë e tyre ulja përreth tryezës së pjerrët të kryetarit të Partisë Demokratike.
Por tani janë si në një çark. Opozita me valën e saj të fuqishme të protestës, me organizimin mjaft profesional që po u bën përkrahësve të saj (edhe ata janë qytetarë), ka mënjanuar peshën ndikuese të MJAFT! dhe ZMQ. Pozita me disa lëshime disi të vonuara, por më pas të derdhura si breshëri, ua ka hequr përkohësisht terrenin e aksionit. Të gjitha po “zgjidhen”, që nga çmimi i bisedave telefonike, tek ai i energjisë elektrike, pensionet, indeksimi i rrogave. Beteja e re e çelur nga ZMQ për financimin e partive politike, një “heshtë” e hedhur bukur dhe me elegancë, zor se do të mbartë me vete jehonën e demonstrimeve të mëparshme.
Duke “bashkëpunuar” me politikën Lëvizjet panë se nuk kanë ndonjë të ardhme të mirë, edhe pse një e ardhme fatlume e tyre nuk mund të kuptohet patjetër me mobilizim frontal kundër saj. Lëvizjet Qytetare dhe Politika duhet të bashkëjetojnë. Duke konkuruar. Sepse gjer tani disa aksione qytetare janë përvetësuar, të tjerat janë zbehur. Po u krijua gropa e mungesës së tyre është shenjë shumë e keqe. Eshtë kthim mbrapa.
Madje ecje mbrapa duke mbiprodhuar Lëvizje.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com