Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Enver Hoxha mbijeton mes nesh


Sot, 21 shkurt 2004

Një e persekutuar, bijë familjeje fisnike e të pasur të para vitit 1944, në 20 shkurt 1991 e kishte pritur e gëzuar djalin e vet që kishte marrë pjesë në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës në Sheshin Skenderbej. Ky, tepër i entuziazmuar, nisi t’i rrëfejë atë që kishte parë dhe bërë edhe vetë: zmbrapsjen e policisë nga rrethimi mbrojtës i përmendores, rivërsulja e tyre me qenë të stërvitur, sërish zmbrapsja, pastaj vinçi i madh që u afrua dhe e shkuli shtatoren e madhe, më pas hipja mbi trupin e tij, goditja me shkelm, mallkimi, pështyrja, fillimi i heqjes zvarrë…Nëna vijonte ta dëgjonte të birin dhe gëzimi pak nga pak nisi t’i rënohej. Rrëzimi i asaj statuje ishte një ogur për ndryshimin e pakthyeshëm të ngjarjeve në Shqipëri dhe një shoqëri e hapur ishte shpresa e fundit që të mund të kalonte e lirë atë gjysmë jetë të mbetur. Kishte parë nëpërmjet një televizioni të huaj se si në Rusi ishin hequr bustet e statujat e Stalinit, më të pashpirtit të bolshevikëve. Ato kishin qënë thjesht çmontime në prani vështrimesh të njerëzve të grumbulluar përreth qetësisht. Kishte ndjekur edhe ngjarjet në Bukuresht, ku ndryshimi i sistemit ishte kryer përgjakshëm, shoqëruar me vrasjen me breshëri kallashnikovi të diktatorit Çaushesku dhe të bashkshortes së tij Elena. Në Shqipëri e kishte përfytyruar kthesën e ngjarjeve pak a shumë siç po ndodhte. Me anarki, rrëmujë, por gjithsesi me frymë tolerance. Në këtë logjikë ishte edhe rrëzimi i merituar i shtatores së Enver Hoxhës, edhe mallkimi i tij, edhe shkelmimi, edhe goditja me sende të forta për ta thyer. Ajo zvarritja mund të mos bëhej, por ishte gjithsesi e kuptueshme, e pranueshme, për disa edhe e nevojshme. Por kur djali i tha se dikush nga turma edhe e kishte pshurrur statujën e rrëzuar, nëna e vuajtur pikërisht nga diktatori tashmë i përdhunuar, ktheu kokën mënjanë për të fshehur mospëlqimin. Dhe shqetësimin. Sipas përvojës së saj të vdekurit “ringjallen” nëpërmjet kujtesës. Kështu ajo e dinte shumë mire se nuk do të vdiste kurrë edhe Enver Hoxha, kujtimi i tij do të rronte. Problemi nuk ishte që të bëhej çmos harrimi i tij, krijimi i idesë se ato pesëdhjetë vite ishin një zbrazësi, mjegull, një moskujtoftëkurrë. Problemi ishte tjetër gjë: si do të kujtohej enverizmi dhe se në çfarë forme do të mbijetonte imazhi i vetë diktatorit. Pra “statuja” apo “shtatorja” e tij. Duke e përdhunuar me teprime do t’i bëhej një favor dhe lehtësoheshin mëkatet e mëdha mbi popullin e vet.
Vitet që erdhën më pas nuk provuan veç këtë të vërtetë. Asnjë përpjekje për ta harruar gjysmëshekullin e mbrapësht nuk ngadhënjeu. Triumfoi kujtimi i tij. Me simbolin dhe “shtatoren” e Enver Hoxhës nisi të merrej e para politika. Të djathtët e ardhur në pushtet dhe të majtët e mundur gjer më 1997 hodhën e pritën fantazmën e tij. Sali Berisha u identifikua me diktatorin, socialistët u akuzuan si komunistë të variantit më të keq marksistë-leninist. Ndërsa nuk ishte as e para dhe as e dyta. Pas vitit 97 u duk sikur politika hoqi dorë nga riaktivizimi i Dullës, më shumë nisën të preokupohen publicistët. Pati e vazhdojnë prej tyre që rizbulojnë pamje të veçanta e të papublikuara të kësaj të kaluare, u gjendën të tjerë që i kanë hyrë sipërmarrjes gjigande ta rishkruajnë vetë personalisht të gjithë këtë histori një gjysëm shekullore. Tani që presim me këtë periudhë të koklavitur të biografisë sonë kombëtare të merren historianët, pra profesionistët, rihyri me të gjithë trupin politika. Ajo donte ta “përkujtonte” Enver Hoxhën, ditën e rënies së shtatores së tij, jo me një veprimtari historike, studimore, analitike, manifestimi simbolik por nëpërmjet një mitingu të madh proteste. Këtë aksion masiv e nxitën dhe e sollën rrethanat e luftës së brendshme politike, acarimi i lartë i raporteve shumicë-opozitë, synimi për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme. Që këto të fundit të realizohen, edhe pse tashmë ra gongu i vitit të fundit të mandatit rozë dhe hapësira e mundësisë së moskompletimit të tij duket mjaft e ngushtë, duhet krahasuar detyrimisht Fatos Nano me Enver Hoxhën dhe duhet bërë “rrëzimi i shtatores” së tij.
Ringjallja e bujshme e diktatorit, më saktë përdorim-shpërdorimi i tij për qëllime të pastra politike, në thelb nuk sjell ndonjë pasojë të dukshme negative në aksionin e madh që ka ndërmarrë elita e shoqërisë shqiptare për të rindriçuar dhe denoncuar bëmat e diktaturës. Kur kjo elitë nëpërmjet njerëzve të saj të ditur, historianë, kronistë, fotografë e kineastë, publicistë, ish-të persekutuar apo përjetues të kohës realizon pamjen më të plotë të kësaj periudhe sjell një kontribut të madh në qartësimin dhe ndarjen përfundimtare shpirtërore të shqiptarëve me enverizmin. Pak a shumë ndodh si me atë dëshminë që gazetari kosovar Baton Haxhiu sillte në një shkrim të tij pas ciklit treserial në TVKlan. të Blendi Fevziut për Enver Hoxhën. E flak tutje edhe thërminë më të fundit të nostalgjisë.
Porse një pjesë shumë ndikuese e politikës nuk po e bën këtë gjë. Jo thjesht se nuk mund të funksionojë protesta e 21 shkurtit 2004 si një simotër me atë të 20 shkurtit 1991. Nuk mund të thuhet se “Nanon do ta rrëzojmë si Enver Hoxhën”. Në këtë logjikë ka shumë gjëra që nuk funksionojnë. Një nga to, përshembëll, është fakti i thjeshtë se formuluesi i kësaj platforme, ish-Presidenti Sali Berisha, jo më pak se një vit më parë pati një periudhë relativisht të gjatë bashkëpunimi të ngushtë me “Enver Hoxhën e dytë”. Të detyruar të pranojmë këtë realitet mund të shtojmë se kështu atij i bie që të përsërisë periudhën e qendrimit shumë afër me regjimin dhe Enver Hoxhën gjatë diktaturës.
Njëzetë shkurtin do të ishte mirë ta zhvishnim nga politizimi i skajshëm, të paktën kështu do të bënim të mundur të shihej më mirë një realitet tjetër: shtatorja e diktatorit ende e lëshon hijen e saj përreth. Mund ta zhdukësh atë fizikisht, të bësh të mos i gjendet nami dhe nishani coprave të bronxëta, të ngresh në vend të saj kend lojrash për fëmijë apo edhe superdiskoteka. Edhe ish-Mauzoleun e dikurshëm, “Piramidën”, mund ta bësh një konvejer institucionesh kulture, por megjithatë nga shtrirja e hijes së tij nuk shpëton dot. Modelin e sjelljes së Enver Hoxhës e kemi të thërrmuar e shpërndarë kudo, ai pluhuros ajrin e tokën, e bën gri e të murrmë horizontin e shqiptarëve. Ai model në atë formë të egër nuk përsëritet më tek asnjë nga politikanët tanë, fakt shumë i gëzueshëm. Falë edhe ndryshimit të rrethanave historike. Por me nivelin e lartë e të padurueshëm të konfliktualitetit, me provokimin e përditshëm të tensionit të skajshëm politik dhe të stilit autoritar “shtatorja” e diktatorit akoma nuk është rrëzuar përfundimisht. Fantazma e tij shtriqet mbi kokat e shqiptarëve tek kultura e lartë e pabesisë që funksionon mes shumicës së klasës sonë politikushtruese, tek fjalori agresiv dhe poshtërrues i disa prej tyre, më “të fortëve”, skërmitet tek servilizmi i pafre ndaj “kryetarit”, tek mënyrat që vënë në jetë për t’u ngjitur në majë të piramidës dhe pastaj tek lakmia e sëmurë për të përqëndruar të gjithë pushtetet.
Për fat të keq “blutë” dhe “rozët” në këta trembëdhjetë vite të vështirë tranzicioni, pas një alternimi të plotë nga e majta tek e djathta dhe pastaj nga kjo e fundit sërish tek e majta, kanë lënë mes nesh përshtypjen se “Enver Hoxha” akoma mbijeton.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com