Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJË PAMJE E PESTË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORÇARËT NË REVANSH PËR PRONËSINË E FLAMURIT TË PAVARËSISË
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Politika e llojit “Bjeri t\'i biem!“

Dita, 6 shkurt 2004


Duke qënë se politika shqiptare është një grehinë, e cila përherë i mban të gjitha dritat ndezur dhe korridoret e saj zjejnë pa pushim nga lëvizjet e përplasta e zërat nervozë, është e kuptueshme që herë pas here ajo të bjerë në kolaps, në një gjendje mbingopjeje. Ky çast ndryshe përbën edhe një lloj “rezonance”, ku siç dihet nga fizika bien në të njëjtat valë lëkundjesh, përshembëll, një kamion dhe një urë mbi të cilën ai ecën. Po sipas fizikës në një rast të tillë ura, si të jetë një lodër kartoni, shembet. Duke marrë patjetër edhe kamionin me vete.
Edhe pse si rregull çdo krahasim çalon, momentet që ne po kalojmë si shoqëri këtë fillim viti 2004 përngjajnë me një gjendje që afron pamjen e një çasti të tillë.
Gjendemi kombëtarisht të përfshirë në një lëvizje të madhe, këtej dhe përtej kufijve. Për emancipim, për zhvillim demokratik, për eurointegrim. Shansi është i rrallë, çasti historik, mundësia e realizimit më afër se kurdoherë. Shoqëria shqiptare e ndjen frymën e kësaj të epoke të re dhe po tregon se nuk ka ndërmend ta lërë të humbasë fatin e saj siç i ka ndodhur për dekada të tëra. Brenda saj lëvizjet qytetare po shtrihen nëpër të gjithë hapësirën gjeografike të vendit, po përfshijnë dalngadalë shtresa të ndryshme të popullsisë. Janë shumuar edhe organizatorët e prijësit e këtyre lëvizjeve, rritur konkurenca mes tyre, ata po kërkojnë çdo ditë e më shumë hapësirë e rikonfirmim. Bëhen po ashtu çdo ditë e më të ndërgjegjësuar se duhet të mbrojnë identitetin duke përballur presionet, devijimet dhe përvetësimet që po synojnë pjesë të tjera të shoqërisë shqiptare, sidomos politika.
Ndërsa lëvizjet qytetare kanë sjellë natyrshëm vrull edhe gjallëri më të madhe nëpër hapësirat e bashkësisë sonë, duke imponuar edhe ekuilibër të ri, rregull e masë, është politika që vijon të lëvizë në mënyrë kaotike, e rrëmbyer nga trillet e saj. Parregulli i përgjithshëm në shoqërinë shqiptare më së shumti vjen prej saj dhe ky këto javët e fundit përbën një problem. Pas ngjarjes së dhimbshme të 9 janarit ose të paktën nën justifikimin e saj, atë e kanë përfshirë përpjekje për t’iu përgjigjur situatës së re, por që në fakt janë më shumë gjeste konvulzive. Për pasojë ajo po kryen njëherësh një kaos të vërtetë lëvizjesh, po bën një rrëmujë të paparë gjestesh. Si e tillë gjithçka i ngjan një skene tip të një filmi uestern: në një bar hyjnë me pistoleta në brez dy udhëtarë, tek banaku dikush u flak në fytyrë gotën e porsakërkuar me uiski dhe pas kësaj pëlcet grushti. Skena tip, siç të gjithë e dinë, përfundon jo vetëm me lokalin e bërë copë e thërrime, por edhe me skena komike. Njerëzit i bjenë me grushta njeri-tjetrit pa e ditur se qëllojnë edhe miqtë e tyre.
Të dy lëvizjet më të mëdha qytetare, MJAFT! dhe ZMQ, e kanë të qartë ku do të “grushtojnë”: KESH, Albtelekom, kabinetin qeveritar, kryeministrin, gjakmarrjen, varfërinë, arrogancën e administratorëve, korrupsionin, pengesat në lëvizjen e lirë. Kurse përfaqësuesit politikë janë në pështjellim. Partia Demokratike “grushtimet” uestern disa kohë në mbyllje të vitit të shkuar i dha majtas e djathtas, sa t’i kapte e sa t’i hante dora. Pa ndarë një goditje nga tjetra apo pa i racionalizuar ato u “grushtruan” njëherësh Edi Rama, Fatos Nano, Servet Pëllumbi dhe Alfred Moisiu. Nga e gjithë kjo zallamahi nuk i mbërriti ndonjë nokdaun, traumë apo mundje as kryebashkiakut të Tiranës, as Kryeministrit, as Kryetarit të Shtetit, as atij të Kuvendit. I pari rifitoi padiskutueshëm mbi rivalin e tij demokratikas, i dyti nuk e prishi kabinetin e tij para kongresit rozë dhe e riformuloi atë kur iu duk më e nevojshme, me njerëzit që gjykoi se i duheshin përreth. Ndërkohë fitoi me votë edhe të drejtën për të qënë paralelisht kryetar i partisë dhe i këshillit të ministrave. Asgjë nuk i ndodhi edhe Servet Pëllumbit, autoriteti i tij vijon në kuotat e para “grushtimit”. Mosdemtim publik i ndodhi edhe Presidentit.
Stili “kaobojs”, apo “bjeri t’i biem”, po zhvillohet prej kohësh edhe mes socialistëve. Ilir Meta bëri divorcin përfundimtar me kolegun e tij partiak Fatos Nano, arsyet të dy palët i bënë të qarta para opinionit. Me këtë logjikë normale demokratike mund të shpjegohet çdo lëvizje e tyre ndaj njeri-tjetit, e ekzagjeruar apo jo, nervoze apo me gjakftohtësi prapaveprimesh cinike. Apo thjesht lojë e truk verbal. Po ashtu edhe objektivi i gjithsecilit nga dy rivalët personalisht është tejet i qartë: Nano për njërin dhe Meta për tjetrin. Në këtë kuptim, për ta qartësuar sadopak arsyetimin tonë, beteja mes tyre është e duhet të jetë një dyluftim. Mirëpo ish-kryeministri nuk po “grushton” vetëm një person, por të gjithë “klikën”. Rivalin e tij që kur është themeluar Partia Socialiste e konsideron shef të saj dhe “klika” gjendet në të gjithë strukturën e epërme të qeverisë dhe të partisë së tyre. Kështu Ilir Meta i ka lëshuar “grushtet” e tij njëherësh kundër të gjithë ministrave dhe të gjithë kryesisë së PS-së.
Paralelisht më këtë përleshje politike me kembë dhe me duar, majtas dhe djathtas, edhe vetë Shteti duket i mpleksur nga i njëjti konfuzion. Edhe pse si rregull nga popujt e kombet moderne ai është krijuar dhe formatuar si një një forcë mbi të gjithë përbërësit e tjerë të një shoqërie për të vënë rregull dhe mbrojtur njerëzit, ky yni këto kohë ka dalë me një logjikë tjetër. Sigurisht atij i duhet të realizojë reformimin e vetes dhe të ndikojë në ndryshimin progresiv të bashkësisë së shqiptarëve dhe të tranzitimit të tyre drejt standarteve europerëndimore, mirëpo ai nuk mund t’i “grushtojë” ata me sa të mundë. Ndodhi që në të njëjtën kohë politikanë mbrojtës të pasionuar të terapisë graduale (dhe armiq të paepur të “terapisë shok”, që u zbatua nga rivalët e tyre në gjysmën e parë të viteve nentëdhjetë) të shkaktojnë një “shok” të vërtetë tek bashkëkombasit. Brenda dy-tri javësh shqiptarëve iu lëshuan fatura me shtrenjtime çmimesh të jetës së përditshme, që nga bisedat telefonike, tek energjia elektrike e duke përfunduar tek buka. Çmimi i kësaj të fundit u rrit bash në ditën e një feste kombëtare.
Ky stil “kaobojs” doemos që rrjedh nga një natyrë anarkike, të cilën e kemi historikisht si bashkësi, por në rast se një popull apo një shtresë e caktuar e tij vazhdon të mbetet në trysninë e kësaj kulture tradicionale, përse këtë mentalitet duhet ta pranojë klasa e tij politike. Ajo të paktën duhet të jetë aq e përparuar sa të kuptojë se racionalizimi i veprimeve të saj ka më së pari efekte pragmatike për vetë atë. Një objektiv apo mision të saj ajo mund ta realizojë hap pas hapi e shkallë pas shkalle. Partia Demokratike mund të çapisë drejt të drejtës për të riqeverisur shqiptarët vetëm po dalloi se cilin rival apo kundërshtar do të përcaktojë në një çast të caktuar. Këto ditët e fundit lënia në rezervë e fronteve luftarake kundër zotërinjve Alfred Moisiu dhe Servet Pëllumbi (Edi Rama ua mbylli fort derën e konfrontimit me fitoren e tij të bindshme elektorale) dhe përqëndrimi vetëm tek Kryeministri, tregon racionalitet. Edhe lëvizja “Nano ik”, disi veprim më shumë deklarativ, po të administrohet pa zellin e kacafytjes (edhe pse që tani duket se do të mposhtet politikisht nga Fatos Nano), do të ndikojë në zhvillimet demokratike të vendit. Por ndërkohë nuk të lë pa çuditur fakti se në betejën kundër Kryeministrit demokratikasit vijojnë nga pak të përdorin stilin “bjeri t’i biem”: e nisën me trupat pa jetë të trafikut dhe shkuan gjer tek përdorimi i akademikëve.
Edhe Ilir Meta po të seleksionojë më mirë rradhën e veprimeve të veta, edhe pse duket që politikisht mbetet më i dobët se kundërshtari i tij, mund të influencojë në progresin e pluralizmit dhe të lirisë së individit. Nuk do të përfundonte veç në një pamje të re të “bjeri t’i biem” në rast se në të njëjtën kohë do të ishin përherë të ashpërsuar e duke dhënë goditje frenetike ndaj një personi edhe koalicioni i djathtë, edhe grupi i majtë, i mbiquajtur simbolikisht Meta. Ky “koordinim”, në pamje të parë përçues i iluzionit se dy janë më të fortë se një, nuk do t’i forconte të dy palët as veç e veç. Realisht PD shpalli ndarje të prerë nga veprimet e Ilir Metës, të njëjtën vendosmëri pajtimi politik bëri edhe ish-Kryeministri. Një “bjeri t’i biem” jo vetëm nuk do ta dobësonte realisht kundërshtarin e tyre të përbashkët, por do t’i jepte përparësinë që të berishizonte lehtësisht Metën dhe metizonte me po kaq shkathësi Berishën.
Në fund të fundit, edhe në rast se një racionalizim të gjesteve të tyre disa politikanë nuk do ta shihnin të dobishëm as për veten, të paktën ai do të rezultonte i mirëpritur nga shoqëria jonë, shumë e lodhur nga intensiteti i përflakur dhe nervoz, njëzetë e katër orë non stop, i bëmave të klasës së saj udhëheqëse.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com