Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUĒI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PĖRBALLĖ ENVER HOXHĖS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETĖM NGA E VĖRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pandeli Majko, Zhyl Verni i politikes


Dita, 22 qershor 2003

Kur për herë të parë NEWS24 bëri të ditur se Ministri Shqiptar i Mbrojtjes, Pandeli Majko, kishte biseduar në Romë me kolegun e tij, Antonio Martino, edhe për realizimin e një tuneli nënujor mes dy vendeve tona, duhet të kenë qënë të rrallë në Shqipëri ata që nuk kanë shtangur një çast dhe kanë fërkuar sytë me shpinat e gishtave. Pastaj me siguri e kanë rindjekur edhe njëherë ciklin katërlajmesh, të cilin stacioni televiziv informacionshpejtë, NEWS24, sipas rregullit të tij të kahershëm, e përsëriti disa herë. Nuk kishte asnjë dyshim se vizita e qeveritarit shqiptar kishte qënë e suksesshme dhe po ashtu se këtë gjë, më shumë se Majko, e kishte pohuar vetë Martino. Ky i konsideronte raportet mes dy ministrive të Mbrojtjes si edhe ato në fushën ushtarake mes dy vendeve të kënaqshme. Deklaratën më entuziazte ministri italian e kishte shqiptuar për luftën kundër emigracionit klandestin. Kjo frymë pozitive e deklaratave të tij (Antonio Martino, bir i një politikani të shquar të vendit të vet, gjithashtu personalisht gëzon shumë autoritet) zuri vend menjëherë në Agjensinë Italiane të Lajmeve, ANSA, në atë ADNKRONOS, në njoftimet e pakta të publikuara nëpër hapësira modeste në disa gazeta.
Por asnjë agjensi lajmesh me qendër në Romë, si edhe asnjë gazetë apo radiotelevizion vendas nuk foli për ndonjë tunel nënujor të pritshëm mes Italisë dhe Shqipërisë. Jehona u rrokullis vetëm në Shqipëri, për ku edhe dukej se ishte paracaktuar të gërryente gjurmët e një lajmi. Atë e vuri në lëvizje vetë zoti Majko në takimin më të parë me shtypin pas kthimit nga vizita në Romë. Media reagoi menjëherë duke i hapur vend. Projekti apo fantazia e një tuneli të tillë, dëshirë shumë e njohur e të gjithë brezave të fëmijëve vlonjatë apo e shumë bregdetasve, tashmë e shqiptuar seriozisht nga një ish-dy herë Kryeministër i vendit, më shumë ngjarje e pabesueshme se e besueshme, përmbante brenda vetes të gjithë koktejin e një superlajmi. Meritonte faqet e para dhe titujt më të mëdhenj, esetë apo fotot më ekspresive të kumtdhënësit, përkrahjen e menjëhershme apo hedhjen poshtë, ironinë apo karikaturën. Por masmedia shqiptare nuk luajti shumë me këtë ngjarje, nuk e shpërdoroi, nuk i adresoi asnjë opinion përtallës dhe askush nuk tha me zë të lartë se deklarimi i këtij tuneli në një vizitë zyrtare me objekt të caktuar e detyrimisht të realizueshëm, nuk përbënte tjetër veç një gafë të rradhës në stilin e punës të përfaqësuesit tonë të lartë shtetëror. Asnjë redaksi të përditshmeje, asnjë redaktor televiziv, asnjë analist mediatik nuk bëri pyetjen e thjeshtë nëse ky propozim tunelor ishte një çështje e biseduar dhe e këshilluar me Kryeministrin, Presidentin apo detyra për ta deklaruar zyrtarisht në Romë ishte marë në ndonjë mbledhje të qeverisë. Po ashtu asnjë nuk intrigoi të hamëndësonte se bashkëkombasi i tyre, i cili përveçse qeverisës prej shtatë vjetësh mbetet edhe politikan aktiv prej një dyzine, kështu që i duhet të bëjë herë pas here protagonistin elektoral. Kurrkush nuk shkoi gjer tek dyshimi se në thelb serioziteti i vërtetë mishërohet nga kultura e njohjes së faktit që një vend e populli mik, i cili ka trembëdhjetë vite që shpenzon për Shqipërinë mbështetje të madhe politike e sidomos materiale, tashmë nuk toleron dot si më parë shpenzime të tepërta nga taksapaguesit e vet. Asnjë nuk u tregua cinik të hamëndësonte se propozimi i tunelit nëndetar Itali-Shqipëri ishte një kompensim për të zbutur zhurrmën e madhe e ndoshta pakënaqësinë e krijuar përtej Adriatikut rreth bazës së Bishtpallës, dhënë për rikonstruksion grekëve.
Pra haberit të tunelit nënujor media shqiptare nuk i ra më qafë, ajo u përpoq të harrxhonte sa më pak kohë me të, i mjaftuan njëzetë e katër orët e para të përhapjes së tij nga vetë formuluesi. Mirëpo me sa duket nuk ishte dakort me këtë mbyllje të shpejtë të lajmit pikërisht ky i fundit, hobehedhësi i tij. Pandeli Majko doli në TvKlan, në edicionin informativ të mpikut të audiencës, ora 19.30, dhe tha se kjo ishte një ide e hedhur prej tij dhe se kolegu Antonio Martino kishte rënë dakort që si fillim të hapnin një dosje. Gjer këtu, tek dosja, tek ky arkivol i njohur i burokracisë, por që befasisht mund të zhndërrohet edhe në një kuti ëndërre, gjithçka pranohet e tolerohet, por intervista e Ministrit të Mbrojtjes thelbin apo thumbin e kishte më poshtë, në pjesën e dytë të saj. Me një ton shpotitës dhe gjestikulacion të gjallëruar enkas me këtë theks ironik, ai foli për ca njerëz që akoma merreshin e shkruanin për ca kumbulla të kuqe, të cilat, siç mezidoli nga fraza e gjatë hermetike e përtalljes, ai nuk pëlqente t\'i hante.
Pas kësaj ndërhyrjeje \"sqaruese\" në një nga televizionet më të mëdha të vendit, sërish media nuk u provokua dhe nuk e ngacmoi këtë \"dosje\", e kaloi anash, si një pjesë të kuturimtë, por edhe të kendshme e shplodhëse, të ndodhur për fat në mes të betejës përbaltëse të komisionit antiRama. Fundi le të ishte edhe një ëndërr, nuk na vijnë të këqijat nga ato. Publicisti i vetëm që u shkëput për pak çaste nga ky neutralitet ishte kryeredaktori i gazetës \"Korrieri\", segment i të njëjtit grup mediatik ku funksionon edhe televizioni Klan. Ai botoi editorialin \"Majko, me \"tren nëpër Adriatik\".
Të nesërmen gazeta editorialin e rradhës e kishte të mbushur plot e përplot me një shkrim a letër që Ministri i Mbrojtjes ja kishte dërguar redaksisë si reagim. Titullohej \"Tuneli im\" dhe kësaj rradhe formuluesi i saj paraqiste më qetësisht argumentat që e shtynë deri tek propozimi i vet, linte të kuptonte se edhe tuneli i La Manshit në fillim kishte nisur si ëndërr, pati mbështetësit e vet dhe kontestuesit, se, gjithnjë sipas zotit Majko, \"ky \"detaj tunel\" ishte të themi, edhe një \"provokim\" dashamirës i \"detit në mes\" të miqësisë shqiptaro-italiane\". Më pas Ministri i Mbrojtjes shpjegoi çiltër se propozimi i këtij tuneli përbënte një nxitje për të rritur investimet italiane në Shqipëri, \"duke qënë se Italia është donatori kryesor i Shqipërisë, por megjithatë nuk është një faktor ekonomik i mirëfilltë tek ne\". Përgjigjen e tij editorialiste \"Tuneli im\" Pandeli Majko e mbyllte si zakonisht, me një shpoti provokuese për të gjithë dyshuesit e ëndërrës së tij: \"më tepër se gozhdët e ndryshkura të kryqëzimit, kjo dosje shërben të shihet si pika fillestare e një lëvizjeje që kërkon kohë, por edhe seriozitet për të qënë e përtypur nga stomakë me shije të prishur nga lajmet e zeza që prodhon me shumicë realiteti shqiptar\".
Në të vërtetë çdo përpjekje për ta mbajtur në kembë këtë lajm, pra tunel nëndetar, hë për hë më shumë subjekt për ndonjë fantashkrimtar si Zhyl Vern, nuk prodhon veç ndjenjën e një absurdi. Shqiptarët e thjeshtë më parë se ky tunel i ëndërrt dhe tejet e largët në kohë, në preokupimet e qeveritarëve të tij kërkon imediatisht liberalizimin dhe heqjen e vizave, kurse italianët ngulin kembë në mundësinë e shtritjes nën det të tubacioneve të ujit, kaq shumë i munguar dhe jetik për Italinë e Jugut. Që Romës zyrtare t\'i shkojë ndër mend për këtë tunel i duhet një kohë tjetër, e supozuar pa problemin aktual se konstruktorët e programit të Veprave të Mëdha, nismë e Silvio Berluskonit, kanë vënë alarmin se buxhetit të tyre për periudhën trevjeçare 2002-2004 u mungojnë jo pak, por 6 miliardë euro.
Se po këto ditë një grup ekspertësh të drejtuar nga ish-Komisari i BE-së, Karel Van Miert, mes 19 \"përparësive\" evropiane që duhet të nisin punimet brenda vitit 2010 më në fund ka planifikuar si mundësi ndërtimi Urën e Ngushticës së Mesinës, konstruksion që do të lidhë pjesën gadishullore të Italisë me ishullin e Siçilisë, shpenzim shumë herë më i vogël se fantatuneli nën Jon apo Adriatik. Mes këtyre përparësive për llogari të italianëve nuk është Korridori Tetë, por zgjerimi i Korridorit 5 mes Lisbonës dhe Kievit, duke kaluar mbi aksin Torino-Trieste. Pastaj është boshti hekurudhor Gjenovë-Roterdam dhe ai Brenero-Napoli. Të gjitha këto projekte të seleksinuara si mundësi nisjeje brenda vitit 2010 kërkojnë një investim kolosal prej 200 miliardë eurosh. Nga kjo shifër vetëm deri 20% mund të mbulohet nga kontributet e bilançit të Bashkimit Evropian, pjesën tjetër duhet ta vënë vetë vendet përkatëse.
\"Tunelin\" nëpër Adriatik prej më shumë se një shekulli e kanë parashikuar dhe bërë publik shkodranët me humorin \"ah, sikur deti të ngrinte dhe ne të shkonim më kembë në Itali\". Përveç se një lajm tingëlluar si i çuditshëm për shkak të pakohësisë së tij, dosja e tunelit nëndetar nuk ka asnjë meritë tjetër. Eshtë naive edhe të ushtrosh xhelozi mbi të si \"ideja ime\". Në të njëjtën kohë kur \"tuneli\" mbushte ditën e katërt të përpjekjes për tërheqjen e vëmendjes së opinionit, bëri vetëm njëzetë e katër orë lajm njoftimi se Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, mes të tjerash, miratoi edhe marinën e jahteve dhe varkave turistike. Prej këtij projekti tokësor dhe detar rezultonte se brenda pak vitesh vendi ynë do të kishte 150 porte ankorimi jahtesh..
Politika mundet, por qeverisja nuk ka nevojë për Zhyl Vernë.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com