Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUÇI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PËRBALLË ENVER HOXHËS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETËM NGA E VËRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Thua u gjet Anti Rama?



Dita, 20 korrik 2003

Me vendosjen përballë Edi Ramës të kandidatit për ta rrëzuar, Spartak Ngjelës, a do të ndodhë kjo ngjarje e shumëpritur për opozitën, ngadhënjim që do të sigurojë për ta që nga 12 tetori deri në mes të vitit 2005 rrokullisjen “domino” të socialistëve? Si çdo votues që e ka bërë me kohë përgjedhjen e tij apo që edhe pret me durim të vendosë përgjatë finales së konkurimit, edhe autori i këtij shkrimi e gjen të arsyeshme të shprehë një hipotezë të tij.
Nga shumë figura të spikatura të Partisë Demokratike komplimenti apo vlera e parë që iu vu në dukje Spartak Ngjelës ishte epiteti “Spartaku”, emër i lavdishëm i prijësit popullor të kryengritjes së skllevërve të cilët në Italinë antike, thjesht për një spektakël mizor, i vinin të ndesheshin fizikisht deri sa njeri të vdiste. Që avokati është edhe ai një prijës nuk është vendi në këto rradhë të shprehet mohimi apo e kundërta e tij, por nuk ka asnjë dyshim se Spartak Ngjela në burgun e diktaturës ka qënë një njeri trim. Një libër i fundit i Visar Zhitit, “Burgu i çarë”, një kryevepër dëshmie historike dhe artistike, e përshkruan atë (dhe të vëllanë e tij) si individë me vlera njerëzore të spikatura. Veç trimëria e dy-tre dekadave më parë për të mbijetuarin Ngjela mund të squllej nga komoditeti i lirisë, i karrierës së shpejtë apo i përfitimeve materiale që zakonisht bashkëshoqërojnë profesionin e politikanit shqiptar. Por Spartak Ngjelës kjo cilësi nuk i është bjerrë, një nga dëshmitë më të fundit është pranimi i tij për t’u përballur me Edi Ramën. Jo pak kandidatë të tjerë, të cilët edhe mund të vlerësohen po kaq të arrirë, në mos edhe më shumë, iu shmangën përballjes me kryebashkiakun e Tiranës pikërisht sepse nuk e quajtën veten kaq “trima” sa të shpenzojnë reputacion në një humbje që lë të kuptohet se mund të jetë e sigurtë. Avokati Ngjela nuk mëdyshoi kur në një takim të shpejtë në Hotel Sheraton kryetari i partisë së tij, Sali Berisha, ja propozoi alternativën. Ose më mirë: “misionin e pamundur”. Misionin politik më kyç të opozitës të të gjithë tre viteve që do të vijnë gjer në përfundim të mandatit normal të kësaj legjislature, më të vështirin e dy-tre viteve që kanë kaluar. Spartaku i ri i “Koloseut” elektoral shqiptar e përshfaqi kurajën e tij dhe mbetet e pamëdyshtë se përgjatë zhvillimit të fushatës, e cila do të intensifikohet me rrembim, nuk do të ketë çast frike, hezitimi apo tërheqjeje. As paniku. Kjo cilësi është një komponent jetik për të qënë një Antiramë. Nuk është vendi këtu për të zbritur gjer në një vëzhgim se cilat kualitete të inteligjencës apo të karakterit ja kanë ruajtur të freskët këtë virtut avokatit Ngjela. Apo sa ndikojnë në guximin e tij kultura e shprehjes së epërsisë mbi të tjerët, gjendja e ndezur e delirit dhe natyra kokëfortë e mbrojtjes edhe të kauzave të humbura. Megjithatë asnjë hero nuk vjen prej një trimërie “të pastër”. Politikani Ngjela, edhe pse ironizohet nga disa pozitarë si një “vullnetar” (pra në thelb për ta një kamikace) theu mitin e Edi Ramës si njeri që s’ka kush t’i dalë përpara. Ky mit i rremë është stimuluar nga vetë kryebashkiaku dhe njerëzit që e mbështesin dhe hyn në logjikën e lojës politike.
Që kryebashkiaku i Tiranës mund të konkurohet vjen si një vlerë tjetër e shpalljes së Spartak Ngjelës si sfidant i tij. Po ashtu atij i mbeten vlera të padyshimta formimi liberal, ndikimi në partinë e vet për të kaluar në minorancë fryma radikale, përvoja ligjore, oratoria ekspresive, aftësia shkëlqyese për sofizma, e kaluara si i persekutuar, aftësia për të hyrë në debate dhe për të dalë prej tyre edhe pse jo përherë ngadhënjimtar, në pamje të parë asnjëherë i mundur e i përgjunjur. Avokati Ngjela është edhe natyrë mediatike, spektakolar, figura më e pëlqyer dhe më konsensualja në PD për të grumbulluar sa më shumë vota nga aleatët e djathtë. Siç asnjë dëm nuk ka marë dhe nuk do të marë deri më 12 tetor Edi Rama i sulmuar nga fushata e denoncimit të tij si “megahajdut”, ashtu nuk do të griset në asnjë qoshe portreti i Spartak Ngjelës nga shpallja që është bërë prej shumicës se sëshpejti elektoratit të Tiranës do t’i bëhen të ditura anët e errëta të “avokatit të pjesës së zezë të kryeqytetit”. Apo se “fati ynë i madh, do të mësojmë pasurinë, borxhet, bisneset dhe grupin ku mbështetet”. Këtë moscenim të të dyve nga diversione të tilla e sigurojnë ethet e mëdha elektorale që kapullojnë shumicën dërmuese të votuesve nëpër fushata. Ca më tepër pa asnjë rezultat do të jenë këto krekosje të ndërsjellta në një vend si yni, ku akoma mbetet realitet marrëzia se “mjafton një gur” (apo edhe gomar) të shpallë një parti dhe njerëzit e saj atë do të votojnë.
Për fat as Edi Rama dhe as rivali i tij nuk janë të tillë, në të kundërt, janë më të mirët e mundshëm të dy partive të mëdha kundërshtare. Një fakt i tillë, si edhe dhuntia e të dy palëve për të mos qënë shumë pasionantë të nxjerrjes së njerëzve në rrugë do të sigurojë një fushatë të emancipuar dhe që do të mbahet mend për shumë kohë. Do të jetë një nga ato fushata, të cilat mund t’i kishin zili edhe metropole të mëdhenj të vendeve të Bashkimit Evropian. E spostuar kryesisht në ekran ajo do të konsumohet kendshëm nga batuta të kripura, epitete origjinale demonizuese (e para u hodh në opinion nga Rama: Spartak Ngjela ngjan me Ali Komikun e Sadamit), gjetje të reja konkurimi (që në çastet e para avokati i bëri ftesë kryebashkiakut për një debat televiziv jo në fund të ballafaqimit, por që në fillim të fushatës).
Shenjat e para dëshmojnë se Antirama u gjet. Ose të paktën u identifikua njeri prej tyre. Konkurenti real politik po ashtu. Mbetet të saktësohet nëse ky kundërRamë do të jetë edhe mundësi real i tij, pra realizuesi i “misionit të pamundur”, fitimtari i 12 tetorit. Për këtë asnjë nuk mund të bëhet garant deri sa pa ndodhur realisht votimi, siguri kanë vetëm partite respektive, të cilat e kanë për qejf, por edhe rregull normal që të shpallin gjithesecila si kryebashkiak të nesërm njeriun e vet.
Një hamendësim i parakohshëm megjithatë mund të bëhet me të dhënat që posedohen deri tani, në këtë fazë fillestare të ballafaqimit të të dyve. Ky rivalizim do të ketë çdo ditë dinamikën e vet shumë komplekse dhe po ashtu do të favorizojë nesër konkluzione të tjera. Kjo periudhë, të cilën po e emërtojmë “gjer tani”, siç vë në baraspeshë vlera të rendësishme të të dy konkurentëve, rilevon edhe nevojën e dhënies së një përgjigjeje për pyetjen “cili prej tyre tani për tani është më superior?” Spartak Ngjela nuk bie më poshtë se Edi Rama, por mundet që ky i fundit të jetë pak më lart se tjetri. Janë epërsi të krijuara nga çasti i startimit. Vrapimi ka nisur dhe do të zgjasë pothuaj tre muaj, nuk i dihet kush e prek finishin i pari. Veç kuptohet se vijën e vet të garës kryebashkiaku aktual e ka shumë më përpara se konkurenti i tij. Midis disa epërsive të dukshme është vetë Tirana e ndryshuar realisht, sipas një modeli të tij e megjithatë që admirohet nga mjaft kryeqytetas, shumë shqiptarë e mjaft gazetarë e politikanë të huaj të njohur. Spartak Ngjela nuk ka asnjë lendë reale, veç premtimit apo projekteve të tij, që sado të përkryera, do të jenë vetëm vija e gërma në një letër të bardhë.



Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com