Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Qente e rruges i vrame, tani mund t\'i bejme zgjedhjet lirisht


Sot, 18 korrik 2003


Ajo është një kamionçinë që lëviz nëpër rrugët e Tiranës vetëm pas mesnatës. Në bie rasti të ndeshesh me të pamja është mpirëse: të tre spondet i ka të hapura dhe mbi dyshemenë e përgjakur të karrocerisë shtrihen qenë të porsavrarë. Përreth kamionit të vogël arkivol ecin disa gjahtarë me çifte, përpara e më shumë prapa saj lëviz si shoqëruese një makinë policie. Aksionin e vrasjes në Tiranë të qenëve të rrugëve e zbuloi, më shumë se një javë më parë, gazeta “Shekulli”. Në këtë shkrim të vetëm të publikuar gjer tani për këtë aktivitet të fundit të bashkisë së kryeqytetit bëhej kujdes që të intervistoheshin dhe gjahtarët, të cilët kishin pranuar të merrnin pjesë në këtë bëmë, ku shumica nuk kanë asnjë dëshirë të bëjnë të njëjtën gjë. Nga përgjigjet e qenvrasësve rezultonte se edhe ata e kishin një zemër dhe se kuisjet e kafshëve të mjera nën breshërinë e saçmave të çifteve të tyre, pastaj pritja sa të ngordhnin dhe heqja zvarrë deri tek karroceria e asaj kamionçine ua trazonte shpirtin. Por “nuk kemi çfarë të bëjmë, dikush duhet ta kryejë këtë punë” pohonin, ndërsa më pas vijonin më tej nëpër natë rrugën me ngulmimin të ndeshnin në qenë të tjerë që gërryenin ndonjë letër ambalazhi me vetëm yndyrën e ndonjë pice të ngrenë gjatë ditës nga raca e fuqishme njerëzore apo që zbrisnin në Lanë për të pirë ndonjë gllënkë ujë. Pastaj sërish zbrazja e dygrykësheve, kuisja e dhimbjeve, dhenia shpirt, heqja zvarrë deri tek kamionçina, hedhja në karroceri, rilëvizja e makinës së vogël të gjahtarëve të çuditshëm dhe e asaj të Policisë së Shtetit.
Në rast se këto ditë nëpër hotelet e Tiranës do të kishte ndonjë gazetar të huaj (dhe si rregull ka), disa foto të realizuara prej këtyre skenave mesjetare e sidomos ndonjë filmim do t’ja bënte shumë të lakmueshme pranimin dhe transmentimin e menjëhershëm të ngjarjes nga shumë gazeta e stacione të huaja televizive. Mjaft nga këta, siç e provon edhe eksperienca e deritanishme, për të na bërë popullin më të varfër të kontinentit, më të pazhvilluarin dhe më problematikun e rajonit, janë mjaftuar deri tani edhe me regjistrimin në celuloid të gropave të rrugëve apo të pellgjeve të përbaltura. Kamionçina e Klubit të Gjahtarëve të kryeqytetit, qentë e përgjakur të shtrirë mbi karrocerinë e saj, flakët e barotit të armëve dhe e tërë skena që vijon më pas, e gjitha e montuar në sfond të pallateve të mëdhenj modernë e madje të xhamtë, do t’i jepte imazhit të Shqipërisë një goditje jo të vogël.
E megjithatë kamionçina, mes heshtjes së të gjithëve apo edhe e brengës që nuk e thonë dot, vazhdon misionin e saj të pasmesnatës që të bën të mendosh se Tirana në jo pak gjëra po shkon drejt metropolit bashkëkohor, kurse në disa pamje të tjera të saj nuk e ka kapërxyer dot qytetin e vogël e anadollak të viteve njëzetë të shekullit të shkuar.
Nuk ka rrugë tjetër për të hequr nga bulevardet tona qentë e rrugës, të thonë justifikuesit e kësaj që po ndodh. Janë “rrugaçë”, të shtojnë, “qenë bastardë”, ngulin kembë, nuk të lënë pa të rreshtuar edhe epitete të tjera përbuzëse. Pastaj bëhen më të ftohtë në arsyetimet e tyre dhe sjellin prova se këto kafshë të lëna mes katër rrugëve janë bartëse mikrobesh, ata rrezikojnë me kafshime edhe jetën e fëmijëve. Pas rreshtimit të këtyre argumentave, në nuk je bindur dhe vijon “mbrojtjen” e fatit të qenëve të mjerë, tonin e debatuesve e ngërthen nervozizmi dhe më në fund ata të zbrazen me fjalët “sot po vriten njerëzit dhe ti paske hallin e qenve!?”
Në përgjigje nuk mund të thuash të kundërtën, kronikat tregojnë se shumë më të rrezikshëm se disa qenë të lënë rrugëve për shoqërinë tonë janë ca njerëz: babai arrin të vrasë me breshëri plumbash vajzën e vet apo i merr me armë jetën gruas dhe të gjithë fëmijëve, djali me sopatë godet nënën, burri ia mban dyzetë minuta pistoletën në gojë bashkëshortes dhe pastaj e vret. Puna e atyre gjahtarëve vullnetarë të kamionçinës së pasmesnatës, pasi dëgjon këto krime, ngjan me një aktivitet të pastër e të dobishëm në të mirë të mjedisit të qetë të kryeqytetit. Dhe nuk ka asnjë dyshim se qentë e braktisur nuk i bëjnë asnjë hije të mirë metropolit të Tiranës, nuk i japin asnjë imazh të kendshëm tek vërtiten të pistë e të uritur nëpër sheshet qendrore të tij, para klubeve, diskotekave, hoteleve me shumë yje, stacioneve të taksive apo shesheve ku mbahen koncerte me muzikë rrep. Ato kafshë të mjera pa dëshirën e tyre bartin mizëri mikrobesh, ndonjë fëmijë edhe e trembin me hungërrimat e papritura, edhe pse nuk kemi dëgjuar që ndonjë nga këta të ketë kafshuar e ngrenë ndonjë të mitur.
Ata duhen hequr medoemos nga rrugët e Tiranës dhe të çdo qyteti të Shqipërisë, por në asnjë mënyrë nuk mund të vazhdojë më tej ky cikël barbar i vrasjeve të tyre. Kjo gjueti njëherë në dy apo tre vjet. As minimumin e standarteve të një qyteti apo shoqërie europerëndimore nuk do të plotësojmë në rast se mes nesh lejojmë një rit të tillë të denjë vetëm për vende të paqytetëruar. Mund të duket e shpërfillshme, por do të jetë kështu: e gjithë reforma komplekse e ekonomisë sonë, e kulturës dhe e institucioneve, e jetës publike dhe shoqërore, çdo marrëveshje dhe proçes integrimi në Bashkimin Evropian nuk do të qendrojë në kembë pa hequr dorë nga zakoni barbar i vrasjes së qenëve të braktisur. Të mos na gënjejë mendja se mund të ndodhë e kundërta dhe të mos përqeshim mbi këtë “kushtëzim”. Nuk ka për të na e vënë kurrë këtë kusht Brukseli, ai nuk gjendet dhe nuk ka për t’u gjendur kurrë në dosjet e ardhura prej tij, por është e padyshimtë se “fshihet” në të gjitha rregullat që duhen zbatuar për t’u civilizuar. Të gjitha janë sinonime të zhvillimit, standartet për të arritur këtë objektiv shkojnë sëbashku, nga më i madhi deri tek më i vogli. Kjo do të thotë se vetëm atëhere kur ne do të mësohemi të mos i braktisim masivisht qentë apo kafshët që marrim e zgjedhim të rrinë bashkë me ne, do të ndërtojmë vende të posaçme për t’i strehuar e ushqyer modestisht ato që braktisen, do të bëjmë emisione rediotelevizive për kujdesin ndaj tyre, praktikojmë sigurimin pak nga pak të fondeve nga bisnesi apo bashkia për të ndihmuar në sterilizimin e tyre, të bëjmë spektakle e gara për qënin apo macen më të bukur, të mirëpresim një politikan apo qeveritar që në edicionet informative e nxjerrin bashkë me një qen që i gëzohet kur e takon, vetëm atëhere do të jetë e sigurtë se jemi një popull që ka hyrë në standartet normale të pjesës së përparuar të kontinentit.
Kamionçina arkivol dhe qenvrasësit po vijojnë bëmën e pasmesnatës. Nuk do shumë intuitë që të kuptohet se mbushja e karrocerisë së saj me kufomat e kafshëve fatkeqe (shkrimi i “Shekulli” thoshte se çdo natë vriteshin 10-15 qenë të braktisur) vetëm tre muaj para fushatës së zgjedhjeve lokale është nxitur nga dalja mirë në këtë balafaqim politik të rradhës. Njerëzit e stafit të një presidenti amerikan merren me kujdes të madh për ta ekspozuar para kamerave çastin kur ai në oborrin e Shtëpisë së Bardhë shkon drejt helikopterit qeveritar dhe menjëherë përpara i del qeni i tij. Janë shumëzim votash perkëdhelja që i bën kafshës së tij të dashur. Kur francezët janë në pik të një fushate elektorale kandidatët për presidentë apo kryeministër kulmin e arritjes në pikën e tyre më të lartë të konsensusit e kanë kur bëjnë vizita në ferma dhe futen mes lopëve. Fransua Miterrani sekuencat më prekëse të fundjetës së tij i ka duke luajtur me qenin e vet. Në selinë kryeministrore të Britanisë, Down Street, për një maçok janë shkruar artikuj e dhënë lajme më shumë se dhjetë ministra anglezë të marë sëbashku.
Në Shqipëri ende nuk mbledh vota asnjë politikan duke patur përdore apo në krahë përqafuar një qen. Edhe pse në këtë dyzinë vitesh lirie edhe tek ne kjo sjellje humane mes njerëzve të thjeshtë ka bërë hop, grumbullimi i shtuar i votave ende bëhet me mënyrën e kundërt: duke i vrarë ato qënie të braktisura.
Dhe harrojmë shpejt se mes nes ka titanë të kulturës së dashurisë për kafshët: para dy javësh fare pak gazeta njoftuan se në autostradën Tiranë-Durrës vëlla e motër, duke u përpjekur të mos shtypnin një qen të braktisur, e devijuan makinën e tyre aq shumë sa u përplasën dhe humbën jetën. Nuk e meriton jo një qen, por askush t’u merrte jetën këtyre dy bashkëkombasve tanë shpirtndjeshëm, por në rast se fillojmë një ditë të ngrejmë shoqata për mbrojtjen e kafshëve emrat e dy të rinjve me zemër të madhe do t’u bënin nder.


Ylli Polovina




















Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com