Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Zgjedhjet harrojne Nene Terezen


Sot, 20 shtator 2003

Ka disa ditë që në qendër të Tiranës portreti më i madh elektoral nuk është i kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Fatos Nano, por i kandidatit për kryetar bashkie, Spartak Ngjela. Përveç shijes moderne të ideatorëve dhe njëkohësisht hartuesve të saj në mënyrën tejet të dukshme të ekspozimit dallohet edhe qëllimi për ta sfiduar jo Edi Ramën, por kryesocialistin. Ikona e fytyrës së politikanit Ngjela posaçërisht është më e madhe se e Nanos, madje janë kujdesur që vizualisht këtë epërsi nëpërmjet përmasave të kokës ta shoqërojnë edhe me ngritjen e portretit në lartësi. Tre javë para zgjedhjeve lokale mund të thuhet se demokratikasi bie më shumë në sy për zgjedhësin kryeqytetas se gjithë të tjerët dhe nuk ka asnjë çudi që kjo garë e natyrshme në ballafaqime elektorale të pasohet nga ndonjë dredhi tjetër revanshi. Kësaj rradhe ndoshta nga ideatorët rozë.
Por edhe në ndodhtë që përmasat e kësaj gare figurative mbi Sheshin Skenderbej të mbeten gjer më 12 tetor të patrazuara e në këtë nivel sërish në mes të tij do të ndihet mungesa e një portreti tjetër: Nënë Terezës. Ose pamja e saj do të mbesë në dimensionet minore të përshfaqjes mbi fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, ku “sponsor” i ekspozimit të saj është një nga përfaqësuesit më aktivë të inteligjencës shqiptare, studjuesi dhe drejtori i këtij Muzeu, Moikom Zeqo. Si edhe do të jetë pasojë e disa shtysave që shoqërisë shqiptare dhe kalimtarëve të Sheshit Skenderbej ia japin shumë elitarë të tjerë, si përshembëll një libër me titullin “Nënë Tereza mërmërimë shenjtoreje”, ku Visar Zhiti ka mbledhur dhe poetizuar me shpirt të ndezur mjaft lutje të humanistes së madhe botërore, të cilën fati na e solli të jetë një shqiptare. Kështu dy paralele ballafaqimesh përjetohen aktualisht mes nesh: njëra është e politikës dhe shkon drejt finales lokale të 12 tetorit dhe tjetra, e elitës intelektuale të shoqërisë civile që vrapon drejt 19 tetorit, ditës së përbotshme të lumturimit në Vatikan të Nënë Terezës.
Ndërsa në Muzeun Kombëtar, enkas në sallën e madhe të ekspozimit të traditës së ikonografisë dhe krishtërimit shqiptar, promovohej libri i poetit të spikatur Zhiti, mes pjesëmarrësve të shumtë, të ardhur lirisht dhe me gëzim në zemër, nuk gjendej qoftë edhe një politikan. Ndonjë institucion ishte kujdesur të dërgonte një nëpunës të nivelit të zakonshëm a dikush tjetër edhe të nivelit të lartë, përshembëll një Këshilltar, por vetë politika nuk e kishte marrë këtë mundim të vinte e ulej në atë sallë. Do të ishte cinike që ky rast të regjistrohej posaçërisht si një akt i papërgjegjshëm i saj dhe në vijim të këtij zëmërimi ndaj klasës politike të zbraznim ndonjë gojçështhurrje. Në kuadër të shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II, institucione të ndryshme në vend, me iniciativë dhe mbikqyrje të drejtpërdrejtë të Keshillit të Ministrave dhe nen drejtimin e kryeministrit Fatos Nano, deri në ditën kur Gonxhe Bojaxhiu do te jete Shenjtore, do të zhvillojnë një sërë veprimtarish. Por deri tani prej këtij projekti inkurajues, vetëm njëzetë ditë para aktit të Lumturimit, nuk ka asgjë që të spikatë. Politika shqiptare vazhdon të mos sillet me Nënë Terezën siç ajo e meriton. Ndaj saj, edhe pse duke u venitur, vijon fryma e meskinitetit. Aktualisht Shqipëria gjendet në mes dy “fushatave” të saj, një të zakonshme dhe që do të përsëritet çdo tre vjet, dhe një tjetre që është unikale në historinë e saj dhe që nuk përsëritet më kurrë, veç kur Gonxhe Bojaxhi të shpallet nga Vatikani një e Shenjtë. Ecuria e zgjedhjeve lokale mes nesh deri tani nuk ka përbërë asnjë grimcë lajmi përtej kufijve tanë, ndërsa agjensitë dhe media botërore kanë kohë që gjëmojnë për Nënë Terezën. Pershembëll lajmi më u fundit, i shpërndarë në të gjitha agjensitë informative të globit thotë se me rastin e 19 tetorit, ditës së Lumturimit të Gonxhe Bojaxhiut, një shtëpi kinematografike spanjolle do të fillojë, me temë jetën e Nënë Terezës, prodhimin e një filmi vizatimor me titullin “Fjala e pestë”. Përreth nesh ka kaq shumë uragan lajmesh për bashkëkombasen tonë më të famshme të të gjitha kohrave sa kjo vorbullë e madhe globale shpesh bëhet pothuaj e pandjeshme edhe ndaj gjesteve tona në mbrojtje të qënësisë shqiptare të saj, siç ishte në fillim letra e mjaft intelektualëve dhe më pas edhe furia e medias sonë për të denoncuar një përpjekje dritëshkurtër të ndonjë rrethi politik të Shkupit, projekti i të cilit ishte t’i impononin bashkisë së Romës vendosjen e një shtatoreje të Nënë Terezës, në ballin e të cilës do të shkruhej se ajo ishte një maqedonase. Shumë ditë më pas nga ky denoncim i ardhur fortësisht nga Tirana dhe disa ditë pasi bashkiaku i kryeqytetit italian, Valter Veltroni, sqaronte Ambasadorin e Shqipërisë në Romë, Pëllumb Xhufi, se asnjë marrëzi e tillë nuk do të ndodhte, gazeta më e madhe italiane, “Corriere della Sera”, tirazhi i të cilës është një milion kopje, më 26 gusht publikoi shkrimin “E vërteta Anjeze Konxhe Bojaxhiu”, shoqëruar dukshëm me nëntitullin “Maqedonasja e vogël që mori çmimin Nobel për paqen”.
Moikom Zeqo, duke qënë një drejtor institucioni shtetëror, mund të konsiderohet edhe pjesë e angazhimit të Shtetit dhe bashkë me to, ndopak, edhe të Politikës që e sendërton këtë shtet, por më së shumti projekti i tij i bukur për një memorial në formën e një kapeleje të vogël, kushtuar Nënë Terezës (i cili do të vendoset në hollin e Muzeut Historik Kombëtar) është pjesë e sjelljes së ndritur, shpirtgjerë e dashamirëse të kulturës shqiptare ndaj bashkëkombases së ndritur. Mund të shkosh në çdo librari dhe të gjesh të botuara për Nënë Terezën me dhjetra libra. Mund të hapësh e shfletosh çdo gazetë dhe në brendësi të saj nuk do të mungojnë shumë intelektualë, historianë dhe publicistë, përfaqësues të katolicizmit, por edhe besues të fesë muslimane që i përkushtojnë shqiptares së madhe artikuj e studime. Ishte kjo bashkësi me ndjeshmëri të lartë respekti dhe mirënjohjeje për Gonxhe Bojaxhiun, e cila i bëri dy muajt e fundit një presion të madh Politikës për ta shkulur atë nga plogëtia dhe indiferenca e pashpjegueshme. Kjo apati mund të jetë edhe pasojë e tërthortë e mjedisit shoqëror në vendin tonë, ku në hapësira të konsiderueshme të saj akoma nuk ka një ndërgjegjësim që të mund të kuptojë se çfarë pasurie të madhe i ka dhënë biografisë së popullit tonë, për të shkuarën e tij e sidomos për të ardhmen e integrimit evropian, shqiptarja Nënë Tereza. Në rast se nga studiot e dijetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit dalin libra, albume, dokumentarë filmikë dhe artikuj për Gonxhe Bojaxhiun, një varfëri të madhe referimi ndaj saj gjen në treg. Këtu nuk është fjala që me rastin e 19 tetorit dhe përgjatë të gjithë vitit të ardhshëm të prodhoheshin portrete dhe silhueta të Nënë Terezës nëpër veshje, por të paktën mund të krijoheshin distiktiva apo minibuste të saj. Tek zejtarët e tregëtarët e objekteve artistike për dhurata miqve apo të afërmëve tanë jashtë vendit, duke përzgjedhur trastat karakteristike apo bustet e vegjël të Skenderbeut e të perëndeshës Dea, të mos na mungojë edhe ikona bust e Gonxhe Bojaxhiut. Po ashtu duhet të pranojmë se vetëm me një plogëti të rendë të ndërgjegjes sonë shoqërore dhe jo vetëm me çensurën dhe mosmirënjohjen barbare që i bëri Nënë Terezës diktatura e djeshme, shpjegohet fakti tronditës që vetëm disa ditë më parë u zbulua në Tiranë shtëpia e nënës dhe së motrës së saj. Apo që jemi ende në fazën e propozimit që një apo dy lutje të shqiptares së madhe të vendosen në të gjitha antologjitë e letërsisë në shkollat tona.
Politika po merret tashmë me zanatin e saj të zgjedhjeve, merak ka mbi të gjitha portretet e saj. Pa ja mohuar këtë të drejtë që është pjesë e demokracisë, si edhe pa e provokuar, do të propozonim që në fjalimet e tyre, duke e veçuar dukshëm nga konteksti politik e elektoral, konkuruesit të shtonin me delikatesë edhe një rradhë gërmash e fjalësh për ditën e bukur të 19 tetorit, ku në të gjithë globin do të nderet gjer në qiell silhueta e magjishme dhe portreti i bukur shqiptar i Nënë Terezës. Nga mitingdashësit e shumtë nuk do të ishte keq edhe një brohorimë për këtë bashkëkombase.
Kurse një portret i spikatur, detyrimisht më i madhi i Sheshit Skenderbej, i cili mund të konstruktohet fare lehtë edhe elektronikisht, po të vendosej aty pa hyrë tetori, do të ishte një ogur i mirë.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com