Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Armik i armikut tim eshte miku im


Sot, 25 korrik 2003

Kjo sentencë, pjesë e një filozofie të caktuar mbijetimi, nuk është krijuar në Shqipëri. Ku e ka djepin e saj e dëshmojnë shumë libra historie. E megjithatë dukuria, e cila përcaktohet me këtë shprehje, është një fenomen që lidhet me natyrën e njeriut. Ka jo pak individë apo komunitete të tyre, qeveri apo shtete, ndonjëherë deri edhe kombe e kultura, të cilat pëlqejnë të zgjedhin si mik armikun e armikut të tyre.
Pra nuk është rast i rrallë gjesti që sëfundi pamë të ndodhte me një emër të dëgjuar: Fatos Lubonjën. Ai u rreshtua me rrethin e ngushtë të ndihmësve të kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Spartak Ngjela. Nisi të japë edhe intervistat e para nën këtë dritë të re të personalitetit të tij. Kjo ngjarje, mes rropamës së përgjithshme të shoqërisë shqiptare e sidomos asaj politike, mund të anashkalohet nga vëmendja, sigurisht pa u shpërfillur. Porse gjestin e rreshtimit e ka bërë një nga analistët më të njohur të vendit tonë, një vëzhgues e shprehës aktiv i realitetit aktual shqiptar, një bashkëkombas, të cilit i detyrohemi respekt për angazhimin tashmë tre dekadash në mbrojtje të lirisë së individit. Të bashkohesh sot me Spartak Ngjelën nuk do të thotë aspak të rrish pranë një njeriu të padëshirueshëm, ca më pak kombëtarisht i tillë. Kandidati i Partisë Demokratike është një person i kultivuar dhe demokrat. Të jesh me të dhe të mobilizohesh në mbrojtje të tij do të thotë t’i japësh një ndihmë e inkurajim të ri frymës së demokracisë dhe pluralizmit.
Problemi apo e veçanta e ngjarjes, ferment që e bën atë më të spikatshëm e mirësisht të diskutueshëm, është tjetër gjë. Individi me peshë të madhe mediatike, Fatos Lubonja, duke bërë zgjedhjen e tij të lirisë me Spartak Ngjelën, shokun e bashkëvuajtësin e burgjeve të diktaturës, investimin e realizon jo plotësisht për hir të lirisë, motiv që do të vazhdonte t’i bënte nder, por për hir të një synimi e llogarie tjetër: ai kërkon me çdo kusht të mundë Edi Ramën, ish-mikun e tij. Pra ai nuk zgjodhi hedhjen e votës në shumën e numurave që komisioni zgjedhor do të mbledhë për avokatin, ç’ka do ta bëjnë me dhjetra mijë zgjedhës. Apo se konstatoi një sulm të egër, denigrues e të pamoralshëm për kandidatin demokrat dhe kështu ndërgjegja e thirri ta mbrojë me idealizëm. Aspak, Fatos Lubonja intelektualin Spartak Ngjela e ka zgjedhur si një mundësi më shumë për të nxjerrë jashtë poltronit të kryebashkiakut të Tiranës tashmë armikun e tij. Dëshiron ta rrëzojë nga pushteti. T’i shkojë gjer në fund kursit që ka ndërmarrë prej më shumë se një viti kundër tij. Kërkon të dalë fitimtar në këtë betejë të shpallur dhe që deri tani e ka zhvilluar me një ngulëkembje të pashembëllt, pothuaj me atë agresivitet si edhe opozita, disa here edhe më tepër. Sikur ta ketë një urdhër të brendshëm të ndërgjegjes, madje sikur për të të jetë një betim.

Objektivit të tij Rama, shenjë që e mban ngulmët nën shqekë, Lubonja i ka vënë një tabelë publike, arsyetimin si edhe justifikimin se kryetari i bashkisë së Tiranës përbën një rast qeverisjeje plot shpërdorime, gabime e veçanërisht të stilit autoritar, aq të padurueshëm tashmë për shqiptarët. Në një farë mënyre, duke iu referuar edhe platformës së tij kur në vitin 1996 ishte lider i Forumit për Demokraci, kryetari i tanishëm i bashkisë së kryeqytetit është një Sali Berishë i asaj kohe. Me këtë gjestikulacion argumentash të përafarta dhe analoge publicisti i njohur evidenton si kanosje për demokracinë shqiptare të vitit 2003 Edi Ramën.
Ky njeri i ditur e di që autoritarizmi është pamja e zakonshme dhe tipari më thekshëm jo vetëm i qytetarit të parë të Tiranës, por i shumicës së politikanëve tanë, ç’ka ka “fatin” të burojë e stimulohet në mjaft raste nga vetë natyra jonë si popull, nga disa prej karakteristikave të tij e sidomos nga përvoja ende e vogël mes nesh e një shoqërie të hapur dhe të civilizuar normalisht. Ai sigurisht e di se nuk vihet aspak në dyshim që në stilin e punës dhe të sjelljes shoqërore e politike të Edi Ramës konstatohen me bollëk të mira dhe të meta të personalitetit si edhe të karakterit të tij individual, por asnjë nga mangësitë e kryebashkiakut aktual nuk përbën mundësi, rrethanë dhe potencë për të përbërë një kanosje kombëtare antidemokratike. Autoritarimi i lexueshëm i Edi Ramës, jo rrallë i mpleksur me dëshirë për eksibicionizëm, në përmasën që ka dhe në kushtet e shoqërisë sonë të hapët e favorizon pluralizmin, e stimulon atë. Ai duket shkoqur, Rama këtë tipar e manifeston, nuk e ndryn. Për pasojë edhe e bën veten shumë të ekspozueshëm para kritikave. Ia shton e shumon kundërshtarët.
Fatos Lubonja e shpalli tezën e tij të rrezikut shoqëror nga Edi Rama në përputhje me dëshirën e projektin e tij për të vijuar gjer në fund, gjer në ngadhënjim, luftën kundër kryebashkiakut. Publicisti me kohë nuk e ka fshehur se jo vetëm ka mendime dhe alternativa të tjera për të qeverisur Tiranën, por edhe se nuk do të gjejë prehje deri në realizimin e misionit të tij publik. I vetëm, i plotësuar fare mirë me autoritetin kombëtar të fituar bindshëm, përfaqësues e zëdhënës i spikatur i shoqërisë civile (siç e kanë pohuar jo pak kolegë), ai do të mjaftonte si shembëll i pavarësisë në mendime. Kur themi “i vetëm” nuk kemi parasysh dëshirën për ta parë si fillikat, ca më pak si një Don Kishot. Fatos Lubonja, edhe në mos dashtë një apo mijra nga ne, ka vite që, megjithë tonet e larta të kriticizmit, ka përbërë në Shqipëri jo një individ, por një institucion të shprehjes së fjalës së lirë. Në këtë profil e model ai nuk kishte nevojë t’i bashkëngjitej askujt. Le t’i bashkoheshin atij të tjerët. Qoftë ky person dhe mik personal si Spartak Ngjela, i mobilizuar nga partia e tij në një betejë elektorale të komplikuar.
Por publicisti i njohur, nga shumë e admiruar dhe nga mjaft të tjerë i kontestuar, bëri një hap të panevojshëm për integritetin e tij të deritanishëm. Nuk e “shtrengoi” Ngjelën t’i vinte në “staf”, por shkoi ai tek rrethi i tij. Nuk e ka bërë kurrë më parë një gjest të kësaj natyre. Në përcaktim të këtij tipari karakteristik për të, gjyqhedhësi i tij, Koço Kokëdhima, ka shqiptuar pothuaj një postulat duke u shprehur se “Fatos Lubonja nuk varet nga asnjë njeri veç nga vetvetja”.
Mirëpo pikërisht për llogari e në interes të vetvetes publicisti i njohur bëri lëvizjen e tij të fundit, një vrullim i beftë që rrezikon ta nxjerrë jashtë trajektores së përfaqësuesit të zëshëm, krejtësisht të lirë dhe me autoritet të shoqërisë civile. T’ja kompromentojë dukshëm pavarësinë dhe prirjen e pastër për një intelektual i pavarur si ai, që luftën pa kompromis për shprehjen e lirë të mendimit dhe denoncimin e keqeverisjes nuk e ka bërë për interes të një partie të caktuar politike. Ai e di fare mirë që partitë shqiptare deri tani në vendin e tij nuk kanë dhënë prova të sigurta se bashkë me alternativën e ndërrimit të sezonit të opozitës me atë të ardhjes në pushtet, nuk mbartin me vete po ato difekte e mëkate.
Në këtë zgjedhje të tij të bërë sipas logjikës “armiku i armikut tim është miku im” Fatos Lubonja ka parë si më të lehtë rrugën për t’iu përgjegjur me votat e Partisë Demokratike dhe jo të vetat, presionit brutal që nisi t’i bëhet nga përfaqësues të partisë në pushtet për kritikat e tij publike. Këto mund të justifikojnë çdo qendrim të një njeriu të bërë prej mishi dhe kocke, ca më shumë një shkrimtari plot ndjenja, por kursesi një personazhi publik që operon fushën e politikës. Lubonja për fat të keq ka rënë prehë jo e ndjenjës së kritikës apo e denoncimit të Edi Ramës, por e hakmarrjes ndaj tij. Ndërkohë të shkosh më tej në këtë luftë i pajisur me vezmet e votave të një partie, përveç vjeljes së frutit të fitores së saj në zgjedhje, të duhet të llogaritësh normalisht edhe të korrat e hidhura të alternativës së mundshme humbjes.



Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com