Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Sa shqiptare e duan Kosoven?


Korrieri, 2 shtator 2003

Një ditë një arbëresh, autor i disa librave dashamirës për shqiptarët dhe historinë e tyre, na thotë në intimitet se pëlqente më tepër shqiptarët e Kosovës se ata të Shqipërisë. Këtë ide të tij e tha kaq lirshëm dhe në dukje kaq pa të keq saqë sinqeriteti i tij mund të konsiderohej i përbindshëm. Njohja më nga afër këtë qenie të çuditshme bëri që të kuptohej shpejt se të gjithë këtë lojë me “dy llojet e shqiptarëve” e bënte për interesa të zhveshura personale. Duke u përpjekur të mbante lidhje me krerët më kryesorë të bashkëkombasve tanë të Kosovës, me që Protektorati i OKB-së në këtë vend një ditë do të përfundonte dhe alternativa pasuese gjykonte se mund të ishte pavarësia, ai projektonte që ndikimi personal i zotit Ibrahim Rugova në qarqet e Romës, ku qendroi një kohë gjatë bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi, do ta ndihmonte të emërohej diplomat në përfaqësinë e nesërve të supozuar të Republikës Italiane në Prishtinë. Pasi realizimi i kësaj endërre nëpërmjet këtij varianti iu duk tepër e largët nisi të shpejtojë nëpër një shteg tjetër: arriti të aktivizojë kontakte me disa nga figurat shtetërore dhe politike më të larta të Shqipërisë me synimin sërish lakuriq: të shfrytëzonte ndikimin e tyre për postin e ëndërruar. Por kësaj rradhe shqiptonte me gëzim të “sinqertë” se “pëlqente më shumë shqiptarët e Tiranës se sa të Prishtinës”.
Teorinë e “dy lloj shqiptarëve” e ndjen të të avitet e të të gërvishë edhe në raste të tjera. Ka disa që e mërmërisin herë pas here pa të të bindur se një ndryshim i vogël që gjithsesi ekziston mes “shqiptarëve të Tiranës” dhe “shqiptarëve të Prishtinës”, rrjedhim i natyrshëm i faktit që të dy komunitetet e të njëjtës etni vijojnë prej gati një shekulli të jetojnë në kontekste të ndryshme mjedisesh gjeostrategjike, shoqërore dhe shtetërore, ta interpretojnë si “gjak ndryshe”. Ndërkohë që të dy bashkësitë nuk kanë asgjë të diferencuar në rrenjët e tyre të përbashkëta e të thella në shumë qindravjeçarë.
Atavizëm i mentalitetit të dy “lloj shqiptarëve”dhe pjesë e këtij handikapati është edhe antikultura për ta cilësuar një shqiptar si “serb”, fjalor ky veçanërisht deri pak kohë më parë i tej e keqpërdorur nga një pjesë e vëllimshme e politikës. Kjo gjuhë është përdorur edhe në hapësirën e bashkëkombasve tanë në Kosovë, po ashtu ka gjetur vend edhe brenda kufijve të shtetit tonë. Ajo nuk ka kursyer as Ibrahim Rugovën, as Sali Berishën, as Fatos Nanon. Por ndërsa për dy të parët diçka nga zelli i mëparshëm është venitur dhe duket se ka marrë përfundimisht udhën e harrimit, me të tretin gjendja vijon të jetë e aktivizuar. Kryeministri aktual shqiptar akoma konsiderohet nga disa si “një shqiptar ndryshe”. Që prej disave ai vlerësohet si i tillë mund ta kuptosh drejtpërsëdrejti nga mbijetimi i dëshirës për ta krahasuar atë me një “Milosheviç”.
Kohët e fundit akuza nuk ka ardhur nga mjedisi i politikës në Tiranë apo në Prishtinë, por ka qënë përcjellë nga disa titra mesazhesh që stacioni televiziv Alsat, një novitet mediatik dhe burim informacioni i shumëpritur, i ka vendosur të rrjedhin pa pushim poshtë pamjeve të kronikave të edicioneve të veta të lajmeve. Në to publikohen mesazhet e dërguara elektronisht nga të gjithë shqiptarët në botë në mbështetje të kauzës së këtij televizioni profesional për të patur edhe të drejtën e transmentimeve tokësore. Në këto e-mail-e apo sms-e gjenden jo pak kumte të ardhura nga Kosova apo nga diaspora e saj e madhe nëpër botë, në të cilat Fatos Nano cilësohet si “një Milosheviç i shqiptarëve”. Nuk është vendi këtu që për respekt dhe mbështetjeje të një lufte të drejtë të një medieje, të gjykojmë në bën mirë Alsat që publikon e perhap në të gjithë botën gjithçka që i vjen, ndonjëherë shprehje fare vulgare. Ose në është e dobishme për misionin e saj të shkëlqyer që i ka vënë vetes për të mbajtur të informuar të gjithë komunitetin shqiptar në këtë glob, të tolerojë botimin e opinioneve që në vend të kritikave konstruktive vetëm e kriminalizojnë qeverinë shqiptare apo drejtuesin e saj. Alsat ka në dorë shumë që duke e bërë punën e bukur të mirëinformimit dhe të vetmbrojtjes së saj të natyrshme, të mundë të bëjë me po kaq dashuri dhe drejtpeshim edhe mbajtjen të bashkuar të shqiptarëve. Po të marrin e kuptojnë këtë mesazh madhor do të pakësohen edhe ata dërgues opinionesh prej bashkëkombasve tanë kosovarë që derdhin kaq lehtësisht vrerin e krahasimeve me Milosheviçin përtej hapësirës së territorit të tyre, në drejtim të Tiranës.
Por helmi i përhapur nëpërmjet diferencimit të shqiptarëve në të gjitha trojet tona historike dhe në diasporë, të paktën mediatikisht, për gëzim të të gjithëve nuk ka ndodhur në kahjen e kundërt, pra prej Prishtinës në Tiranë. Në asnjë medie të kryeqendrës së bashkëkombasve tanë nuk çelen rubrika apo emetohen mesazhe me opinione për politikanët e Tiranës. Në kryeqytetin e Shqipërisë ndërkohë nuk gjendet asnjë tv apo gazetë që të përcjellë ndonjë opinion negativ të kosovarëve për vetë politikanët e tyre. I cili realisht në vendin e tyre nuk mungon, madje ndonjëherë ka patur të pranishme edhe agresivitet atentatesh fizike. Shqiptarët e Tiranës, duke bërë vëmendje për të respektuar këtë etikë, bëjnë po ashtu kujdes që punët e brendshme të vëllezërve të tyre të mos dalin përtej Prishtinës. Në një farë mënyre duke qënë prej të të njëjtës etni dhe pjesë e pandashme e po të asaj traditë dhe historie të përbashkët ne mund të mos kemi të drejtën etike të hyjmë në punët e brendshme të njeri-tjetrit. Ibrahim Rugova do të ishte mirë të qortohej në ambientet e Tiranës për ndonjë gjë tepër të rendësishme e që do të binte ndesh me çështjen moderne të shqiptarëve, integrimin në Bashkimin Evropian. E njëjta gjë në Prishtinë mund të tolerohej në përmasën e mësipërme të përmbajtur edhe për një politikan të Shqipërisë. Të dy komunitetet kanë “shtëpinë e tyre” dhe nuk do të ishte e hijshme që “të dy vëllezërit” të gjeneronin mes tyre pikëpamje të tilla si “Nano është një Milosheviç”.
Do të ishte po aq banale që në të dy kryeqendrat më të mëdha të trojeve, ku janë vendosur shqiptarët historikisht, të shumëzoheshin e gëlonin mendësi e realitete të tilla që një bashkëkombas, i cili jeton në Kosovë të shprehet se e do më shumë Shqipërinë se vendlindjen e tij. Po ashtu edhe ana tjetër e kësaj medaljeje të ndryshkur: disa shtetas në Shqipëri të deklarojnë se duan më shumë Kosovën. Zgjerimi i kësaj hematome nuk do të bënte gjë tjetër veç do ta shtonte hemoragjinë tonë kombëtare. Kur politikani Pandeli Majko, njëkohësisht edhe Ministër i Mbrojtjes, bëri deklaratën e tij të nevojshme për projektkushtetutën serbe (edhe pse si anëtar i një kabineti qeveritar jo për përmbajtjen, por për të formën personale të ekspozimit të saj mediatik duhej patjetër ta vepronte në koordinim me shefin e tij ekzekutiv dhe ky në harmoni me Presidencën), gaboi kur shqiptoi frazën “Unë jam Pandeli Majko dhe sa të jem gjallë do të jem përkrah Kosovës”. Kjo thenie nuk është materie e nxehtë ekzaltimi, ajo brenda ka shfrim naiv egoizmi, sepse ka farën, edhe pse të paqëllimshme, të diferencimit të shqiptarëve të Tiranës dhe të politikanëve të tyre në bashkëkombas që e duan më shumë apo më pak Kosovën. Ky vetdiferencim i një njeriu që ka bërë gjithçka për t’ju gjetur pranë vëllezërve dhe për këtë gjë e respektojnë edhe në Tiranë, por shumë edhe në Prishtinë, vë në pozitë të vështirë dhe inferiore mjaft të tjerë bashkëkombas e kolegë të tij. Ai thellon antikulturën e atyre mesazheve që kërkojnë e etiketojnë “Milosheviçë” në Shqipëri. Stimulimin, të cilin Majko i bëri rrugës “panshqiptare” Durrës-Morinë, një meritë e padiskutueshme, e kishte projektuar kabineti i Aleksandër Meksit. Krizën e shkaktuar nga dhuna serbe në verën e vitit 1999 e përballuan të gjithë shqiptarët, madje mes njerëzve të thjeshtë shkëlqejnë gjeste më të diamantë se ai i të bërit krushk. Kosova ka patur nevojë urgjente për mbështetje dhe ndihmë dhe kjo gjë nuk i ka munguar as nga Presidenti i viteve 1992-97, as nga Kryetari pasardhës i Shtetit, nuk i mungon edhe tani nga Presidenti aktual. Dashuria për Kosovën është e futur thellë dhe e shtrirë gjerësisht në Shqipëri tek mijra gjuhëtarë, shkrimtarë, arkeologë, botuesë, artistë, punëtorë të thjeshtë, bujq e fermerë, blerës të shumtë të kasetave me kengë apo bashkështetas që veshin mbi trup flamurin, gjendet tek bisnesmenë apo udhëtarë që hyjnë e dalin nëpër kufijtë mes dy vendeve tona, gjallëron tek diplomatë dhe ushtarakë, tek dhjetra mijra fëmijë që recitojnë nëpër shkolla.
Pak ditë më parë edhe Fatos Nano, i nëmuri nga disa mesazhe të ardhura prej bashkëkombasve kosovarë si “Milosheviç”, bëri deklaratën “serbët të kthehen në Kosovë, por Kosova kurrë më nën Serbi”. Ajo nuk është më pak Kosovëdashëse se ajo “Unë jam….”.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com