Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shpirti rilindas perballe politikes

Dita, 28 shkur 2003


Duke biseduar me Moikom Zeqon, shtetërisht drejtor i Muzeut Historik Kombëtar por intelektualisht një nga dijetarët aktualë më të mëdhenj shqiptarë, të krijohet brenda vetes dalngadalë ndjesia e ëmbël e efektit të një hipnoze: të duket sikur zhytesh butazi nën dallgët e kaltëra të historisë së Shqipërisë. Nuk është Moikomi i vetmi magjistar që ta bën këtë magjepsje, fatmirësisht kemi shumë historianë e studjuesë të aftë të saj, por Zeqo ndryshe nga shumë kolegë të tij të josh gjer në trallisje me mënyrën e tij të rrëfimit romantik. Ky elizir tundues sigurisht i krijohet nga që është njëherazi shkencëtar dhe poet. Dhe tek e sheh të zhytet edhe ai vetë bashkë me ty për të t’i treguar me dorën e tij mahnitjet e shekujve të mijëvjeçarit të parë apo të dytë të stërgjyshërve tanë (shumë kohë më parë me një kostum polombari Moikomi zhytej përgjatë gjithë bregdetit shqiptar në kërkim të objekteve të lashta arkeologjike) të bëhet se prej lëvizjes së korenteve të ujrave detarë flokët e tij të gjatë zgjaten edhe më, i bienë gjer mbi shpatulla.
Kështu pamja e tij të bëhet si e një Rilindasi të fillimshekullit të shkuar. Më pas menjëherë sensansioni imagjinar që ke përftuar shkon tek portreti i poetit tonë të madh kombëtar, Dritero Agolli. Forma e kokës së tij duket sikur enkas është bërë ashtu për të na kujtuar këta gjigandë të njëqind viteve më parë, pa folur pastaj për të shprehurën e Agollit, e cila ka kumbim të plotë rilindas. Këtë tingëllim të ëmbël e të metaforshëm e gjen tek Xhevair Spahiu, i cili nuk thotë “po lexoj një libër”, por “po kendoj një libër”. Ka mjaft të tjerë bashkëkombas që me jetën e veprën e tyre leximin dhe kulturën e kanë brenda vetes së tyre si një motiv gurgullues kenge. Gjithë erudicion e shpirt polemist janë shkrimet e Andrea Stefanit, Fatos Lubonjës, Aurel Plasarit, Ardian Klosit e Ylli Pangos, një mishërim të plotë shkence marrin në studimet e Shaban Sinanit, një jetëgjatësi të mahnitshme intelektuale përjetojnë tek Dhimitër Shuteriqi, një rini që zgjatet mendërisht e shpirtërisht pa u mplakur kurrë tek vepra e Hamit Beqjes, një shpërthim e jehonë panbotërore tek Ismail Kadare….
Mund ta vijosh konstatimin tend të ardhur papritur edhe me citimin e qindra e qindra emrave dhe veprave të tjera, sepse je i sigurtë që raca e rilindasve shqiptarë nuk u mbyll në dy dekadat e para të shekullit të shkuar. Ajo nuk rreshti me shpalljen e pavarësisë, në asnjë mënyrë nuk mund t’i lëshohet pe atij mendimi se misioni kryesor i brezit të Rilindasve ishte krijimi i një shteti të pavarur shqiptar dhe me përfundimin e tij ata filluan të largohen nga historia jonë, duke hyrë e monumentuar në kronikat e Panteonin e kohës. Klasa e rilindasve kombëtarë ka vijuar edhe më pas, ajo ka rilindur edhe në mes të viteve tridhjetë, ekzistonte edhe në gjysmëshekullin e diktaturës puniste, pulson fuqishëm edhe tani. Madje tani, në këto vite kaosi, por edhe lirie të lakmuar, ata janë më të shumtë se në të gjithë periudhën e mëparshme. Iluzioni se Rilindasit i takojnë vetëm teksteve shkollore apo filmave sugjestionues si “Udha e Shkronjave”, ku luajnë si aktorë të një niveli botëror Sandër Prosi dhe Bujar Lako, është krijuar jo vetëm nga logjika metodike apo stili pedagogjik i një pjese të profesoratit shqiptar të instituteve dhe universiteteve, por (parashtrojmë një hipotezë) edhe nga shfaqja për herë të parë në skenën e trazuar shqiptare të viteve njëzetë të njëqindvjeçarit të shkuar të politikës. Të kësaj protagonisteje të madhe, atëhere akoma jo profesioniste, por e zhurrmshme e plot hov, lakmi e zullum, një politikë që shfaqet edhe tani përherë me emra të rinj dhe asnjëherë nuk ka mundur dot të jetë përfaqësuese autentike e një klase apo familjeje me traditë disa brezash, ajo për shumë kohë nuk u bë dot profesion dhe as mundi të krijojë ndonjë shkollë të saj, sepse nuk pati kurrë “pedagogë” veç “nxënës të ardhur rrishtaz, më shumë nga hiçi apo nga rreshtat e të parealizuarve.
Pikërisht kjo politikë që nuk formoi dot traditë (ata likujdonin njeri-tjetrin) e gjeti veten të fuqishme të mënjanojë e nxjerrë pak nga pak nga vëmendja e bashkëkombasve Rilindasit tanë të hershëm, edhe pse këta ishin autoritete solidë. Ushtruesit e rinj të politikës, tek ngjizej shteti i pavarur shqiptar, duke qënë se nuk ishte e thënë që të ishin medoemos shkrimtarë apo poetë, më shumë se idealizmion kombëtar synuan frutin më të drejt për drejtë të mjeshtërisë së tyre të zgjedhur: marrjes dhe ruajtjes së pushtetit. Bashkë me të edhe të mirave që buronin prej këtij privilegji, pa mohuar dëshirën e thekur për të hyrë e ndenjur kembëkryq në histori. Pikërisht këta, të mësuar me vetpëlqimin për ta quajtur të filluar së mbari historinë e shqiptarëve pikërisht kur e kanë ushtruar ata jetën e veprimtarinë e tyre, ngushtuan edhe më pas, po ashtu edhe aktualisht, hapësirat e afirmimit të të tjerëve. Pragmatikë të krejtxhveshur ata pothuaj asnjëherë nuk kanë ndjekur modelin rilindas të ngjizjes në një të dijetarit dhe politikanit. As të shembullit se si një poet i fundshekullit të nentëmbëdhjetë apo i fillimit të njëqindvjeçarit të njëzetë, për qëllime politike atdhetare ka luftuar e ka dhënë jetën për të përhapur shkrimin shqip apo krahas poezive ka hartuar abetare dhe tekste shkollorë.
Sigurisht që politika shqiptare e viteve njëzetë, e mbushur edhe ajo me reflekse e inerci nga kultura rilindase, arriti të përshfaqë një plejadë të tërë protagonistësh të saj, Fan Noli ndoshta është më i spikaturi. Veç pak nga pak, ndërsa kultura politike rilindase jetonte tek ata mëmëdhetarë që vdisnin në mërgim apo i gjenin jetëfikur me vetëm disa qindarka në xhep dhe me ndonjë cironkë të tharë mbi tryezën e varfër të bukës, tek të rinjtë, “profesionistët”, ajo u bë luftë për mirëqënie e famë vetiake. Mirëpo një zbrazje e politikanit tonë nga shpirti rilindas, nga e sjellura e tyre fisnike dhe shpirti i lartë i vetsakrifikimit, nga e folura e zgjedhur dhe njëkohësisht aq popullore sa fragmente të veprave të tyre transmentohen ende gojarisht nga brezi në brez, një boshatisje e përditshme e tyre bëri që ata, me ndonjë përjashtim të rralë, përgjithësisht ta përkeqësonin veprën e imazhin mëmëdhetar. Edhe pse, pa e përgjithësuar dukurinë, në historinë tonë ka qeveritarë interesantë, edhe pse nuk kanë qënë apo janë dijetarë, siç edhe vëren qartë se politikanë me shpirt rilindas nuk ka në vitet tridhjetë vetëm një Fan Nol, apo në vitet komunistë vetëm një Sejfulla Malëshovë. Sot ka edhe një Sabri Godo. Dallohet lehtë që i përket klasës së pazhdukur kurrë të Rilindasve.
Vetë Moikom Zeqo, motivtari i këtij shkrimi, brenda vetes mpleks dijetarin, poetin dhe politikanin. Jo pak e njohin nga afër kontributin e tij në programin liberal që u vu në themel të Partisë Socialiste, punë jo fort e lehtë përderisa pjesa më e madhe e themeluesve dhe anëtarëve të rinj të saj vinte nga ish-Partia e Punës. Pastaj dalngadalë brenda tij politikani u tërhoq për t’i lënë më shumë hapësirë dijetarit dhe shkrimtarit të lidhur fort me historinë kombëtare. Tek Zeqo ndodhi po ai proçes që është vënë re tek të gjithë rilindasit tanë (po e njëjta dukuri konstatohet tek Sabri Godo dhe tek Dritëro Agolli).
Por ndërsa këto tërheqje të matura nga ushtrimi i drejtëpërdrejtë i politikës, në këtë rast në kuptimin e njeriut të qeverisjes apo të ushtruesit të pushtetit, por pa u larguar nga pjesëmarrja me mendim në këtë politikë, kanë ndodhur brenda shembujve të porsacituar më së shumti si pasojë e vendimeve të tyre të brendshme, në realitetin kombëtar fenomeni ka një pamje tjetër. Rilindasit aktualë janë mënjanuar nga protagonizmi i ashpër dhe i përminutshëm i politikës së ditës, e cila nuk arrin akoma t’i vërë një lloj kufiri të pranueshëm ekspansionit të vetvetes në shoqërinë shqiptare. Për ta konstatuar këtë do të mjaftonte ndjekja e një cikli edicionesh informative të televizioneve kryesore apo edhe shfletimi i gazetave të vetëm një dite. Kudo sundon politika dhe pushtojnë e pushtojnë hapësirat mediatike ushtruesit e saj. Nuk janë të pakta edhe ato emisione debati, të cilat kanë në qendër pikërisht politikanët, aspak ndonjë temë tjetër. Teprimet e konsumimit të pjesës dërmuese të hapësirës mediatike për ta kanë marrë edhe pamje krejtësisht absurde: ndodh që i njëjti përfaqësues i klasës së sotme politike në të njëjtën mbrëmje të jetë i ftuar, madje në të njëjtën orë ose me ndonjë diferencë të vogël, në tre televizione njëherësh. Ose që një telegazetar në orët e interesimit mpik të ndjekësve të ekranit, pra pas orës 21.00, brez orari i pëlqyer dhe i shfrytëzuar kudo në botë për programe shplodhëse dhe pothuaj kurrë politike, ul përpara vetëm një politikushtruesë shqiptarë dhe jep e merr me të për një orë e gjysëm e më tepër. Nuk po citojmë rastet kur një bisede apo debati politik i lëshohet hapësirë prej orës 21.00 e deri në mesnatë.
Shmangia e Rilindasve të sotëm, pra shkencëtarëve të historisë nacionale, psikologëve dhe analistëve socialë, arkeologëve dhe etnografëve, njohësve të thellë të traditës shqiptare, gjuhëtarëve dhe muzikologëve, shtyrja në periferi e kësaj klase të mençur diturisht e të emancipuar në kulturën e të sjellurit, ka kapërcyer kufirin e tolerimit të mëtejshëm. Duke respektuar në mënyrë të padyshimtë klasën tonë politike, e cila mund të kritikohet por nuk ka përse të nënçmohet, si edhe kolegët e masmedias, të cilët janë natyrshëm në kërkim të përditshëm e të etshëm të audiencës, duhet të zgjohemi nga mpirja prej trysnisë që po pësojmë. Patjetër dijetarët më shumë se kurrë janë të nevojshëm tani, ndërsa ka nisur sprova jonë kombëtare për të nisur shtegtimin e gjatë të rrugës për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por pikërisht ky çast sublim dhe jetik, duke qënë më së pari mes nesh një shndërrim i madh kulturor, thërret në skenë këta Rilindas të rinj. Nuk ka nevojë të jepen garanci publike apo të bëhen përbetime për të shpallur një të vërtetë: protagonistët e rinj të medias, po të ftohen të rrahin temat e diturive të tyre, do të jenë mediatikisht shumë më joshës se politikanët. Patjetër edhe më drejtformuesit e opinionit. Pastaj patjetër do të bëhen më të kërkuarit.
Pa ndonjë nëntekst që mund të lidhet me mendimin tonë të porsashtruar, Moikom Zeqo, i shpallur paradokohe edhe Mjeshtër i Madh i Punës, në bisedë e sipër të thotë se poema e Naim Frashërit “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” nuk ishte në kohën e vet gjë tjetër veç një thirrje dhe mbështje për Evropën e Bashkuar.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com