Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Qytetari i botes


Ballkan, 4 shkurt 2003

Sigurisht poetët nuk bëhen dot protagonistë të medias elektronike sa një telegazetar, kengëtar, aktor apo balerin. Por Gëzim Hajdari, autor i mjaft librave në shqip dhe në gjuhën italiane, tani gjendet protagonist i intervistave të gjata deri edhe në gazeta të njohura amerikane apo në qendër të emisioneve radiofonike të Rai-t. Ai është mjaft i suksesshëm, i pëlqyer dhe madje i kërkuar në mjaft takime dhe konferenca shtypi, që prej shkollave të mesme e deri nga auditoret e universiteteve më të zëshme të Italisë. Kanë nisur ta citojnë edhe nëpër leksione që jepen në disa qendra universitare të botës.
Pikërisht ky emër në shpërthim, disa muaj më parë pati në jetën e tij edhe një ngjarje të veçantë: u shpall unanimisht nga këshilli shumëpartiak bashkiak i qytetit të Frozinones, afër Romës, qytetar nderi për merita kulturore. Edhe pse mes partive të majta e të djathta ato çaste, mpik i zgjedhjeve bashkiake, tensioni ishte kulmuar, të gjithë, kur erdhi fjala për të shpallur qytetar nderi poetin shqiptar, u bënë si një buqetë lulesh.
Ndërsa ceremonia emocionuese e shpalljes vijonte në rrjedhën e saj, Presidenti i Rajonit, nuk harroi të thoshte se vlerësimi Gezim Hajdarit po i kryhej edhe për sherbimet që i bënte shtetit italian. Me këtë rast Prefekti i qytetit informoi se stafi i tij po bënte të gjitha përpjekjet për të përshpejtuar burokratikisht proçedurat e gjata të shpalljes së tij si qytetar italian.
Kështu poeti nga Shqipëria u bë nderi i një qyteti italian ende pa qënë qytetar i Republikës Italiane.
Ligjërisht kjo do të thotë se, vetëm për shkak se moslejimit të dynënshtetësisë nga kushtetuta vendase, pas këtij akti poeti nga një fshat i Lushnjës, Gëzim Hajdari, emigruar në Itali në fund të vitit 1993, tashmë nderi i një qyteti italian dy herë më të madh se qyteti i tij i lindjes, formalisht nuk do të jetë më shtetas shqiptar.
Duke harruar se ka kohë që dhjetra mijra shqiptarë të emigruar pas viteve nentëdhjetë gjithkund nëpër botë tashmë janë shpallur qytetarë me të drejta të plota të vendeve ku jetojnë, për poetin lushnjar mund të rishpërthejë zilia jonë karakteristike provinciale, pjellë e përtacisë sonë kronike dhe krijesë e sindromës për t\'u ndjerë më mirë i palëvizur në vendi. Njeriu i vlerësuar si një shqiptar që tashmë po i kryen shërbime kulturore shtetit italian mund të përflitet më lehtësisht se i ka kthyer shpinën vendit të vet. Kurse, si në shumicën dërmuese e rasteve të emigrantëve tanë, nuk është aspak kështu. Gëzim Hajdari është autor i të parit cikël poezish bashkëkohëse dygjuhëshe, shqip dhe italisht, të publikuara në vendin fqinj. Bashkë me mësuesen e talentuar Daniela Kostanti dhe veçanërisht kontributin e poetit të shumënjohur italian Luixhi Manxi, me mbështetjen financiare të bashkisë së Romës, ai përktheu e sëbashku botuan dy vite më parë vëllimin poetik të disa nxënësve të një shkolle romane, kushtuar Shqipërisë dhe veçanërisht fëmijëve kosovarë të martirizuar nga dhuna millosheviçiane. Gëzim Hajdari, kjo urë e komunikimit mes shqiptarëve dhe italianëve, po ashtu po përgatit përkthimin në italisht të dy poetëve shqiptarë dhe të një antologjie të poezisë shqipe, është në përfundim të përkthimit në shqip të një përmbledhjeje me poezitë më të mira të mikut të tij Luixhi Manxi. Për të krijuar një përshtypje të shpejtë për këtë poet modern italian, të gjendur në të gjitha antologjitë që botohen vendin e vet, shtojmë se në një nga tridhjetë e dy ballonat e ceremonisë çelëse të Olimpiadës së fundit botërore të Seulit ishte shkruar një poezi e tij për paqen.
Në Romë, mes shumë shqiptarëve që jetojnë prej kohësh, ka edhe një përfaqësues mitik të tyre, mjeku farmacist në pension Ismail Boçari, pinjoll i Boçarëve të shumënjohur për kontributin në çlirimin e Greqisë dhe në formimin e shtetit të parë modern helen. Ai ka ardhur si emigrant në Itali menjëherë pas Luftës së Dytë botërore, pra po mbush gjysmën e shekullit i ikur nga vendi i vet. Ai nuk e ka marrë me dëshirën e tij shtetësinë italiane dhe sigurisht do ta mbyllë jetën e vet, nga më interesantet, i vendosur gjer në fund në zgjedhjen e tij krenare.
Por edhe Ismail Boçari është shpallur nga Presidenti Italian si Kavalier.
Sepse në këtë botë që po bëhet gjithnjë e më shumë “një fshat global” rendësi ka që të ndihesh me shpirt e trup pjesë e flamurit tend kombëtar, më pas nuk je veç një qytetar i Botës.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com