Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Zoti Nano, ka kaluar shume kohe kur ishit Fatos Nano


Dita, 27 qershor 2003

Disa jetë që më 1997 u dhanë për politikën e majtë

Më 25 qershor të këtij viti çdo telefonatë e bërë në shtëpinë e Myslim Arapit në Berat, merr si përgjigje zerin e të vesë së tij dhe fjalën e parë: faleminderit! Pastaj sërish një “faleminderit që na kujtuat”.
Myslim Arapi më 25 qershor 1997, në një nga netët e zeza të anarkisë në rrugën kryesore e të shkretuar të qytetit që kontrollohej pëllëmbë për pëllëmbë nga pesë grupe të armatosura, shumica përfunduar ato kohë në banda, u qëllua me breshëri të gjata dhe u plagos për vdekje. Po shkonte të merrte një plakë të sëmurë rendë për ta shtruar urgjentisht në spital. Kurajo të tilla ishin të pamundura dhe Limja, siç e thërrisnin që prej tridhjetë vitesh banorët e qytetit dhe të të gjitha fshatrave në rrethinë, e pranoi sfidën bashkë me një shokun e tij. Grupet që kontrollonin rrugën ishin në luftë me njeri-tjetrin dhe shtinin mbi çdo gjë që lëvizte nepër natë. Në rrethana të tilla disa here për të transportuar njerëz të plagosur apo të sëmurë, përdorej e vetmja autoblindë që kishte komisariati gjysëm i braktisur i Beratit.
Ambulanca me kryqin e madh të kuq u qëllua menjëherë nga grupi i parë. Me trupin e përgjakur të rënë mbi timon dhe kolegun të mbushur nga gjaku plandosur në sedilje, makina eci për inerci nëpër rrugën e shkretë dhe të errët, para syve e armëve të ngrira të tre bandave të tjera, derisa, me burien që binte pa pushim nga pesha mbi timon e trupit të Limes, u ndal para grupit të fundit të armatosur. Këta vrapuan menjëherë për ta shpëtuar bashkëqytetësit e tyre. Në spital Myslim Arapi, më i demtuari nga plumbat e përbindshëm të kallashnikovit, u duk ca ditë sikur do të shpëtonte, por befas u rendua dhe u dërgua me të shpejtë në spitalin e Janinës. Atje, megjithë kujdesin, ndërroi jetë. Fati i vështirë i nipit të tij të mitur, i papunë, Enos, e solli të emigrojë pak vite më pas pikërisht në Janinë dhe ta qajë herë pas herë heshtur gjyshin atje, në stolat që në muzg qarkojnë liqenin.
Ishte fushatë elektorale dhe shumë nga beratasit dëshironin të fitonte Partia Socialiste e sidomos Fatos Nano. Myslim Arapi, edhe atëhere kur mund të pushoheshe nga puna për bindje të majta, gazetën “Zeri i Popullit” e mbante në xhepin e jashtëm të xhaketës që ta shihnin të gjithë. Nano për të ishte një qënie e magjishme jashtëtokësore. Ndërkohë po ato ditë duke përcjellë Fatos Nanon prej një mitingu zgjedhor të mbajtur me ngut në qendër të Beratit, largim i shpejtuar që t’i shpëtonte një prite bande politike në Urën Vajgurore, disa policë të thjeshtë dhe civilë, hipën në autoblindën e vetme të komisariatit dhe i bënë sigurinë e shoqërimin deri sa doli nga rreziku. Por u goditën në kthim, pikërisht tek prita që pak minuta më parë e kishin çarë me sukses. Nga predhat antitanke të çetës politike të armatosur tre prej tyre vdiqën dhe u dogjën të gjallë brenda blindit, i katërti, Engjëllushi, përfundimisht i sakatuar nga kembët, u hoq zvarrë dhe mezi doli nga përvëlimi i hekurit. Gjithë vitet e mëpasshme u përpoq mos fitonte ndonjë status sado modest të ishte, sepse tashmë ai mbetej përfundimisht i paaftësuar fizikisht, por nuk ja doli dot. Nuk kaloi shumë kohë dhe fathidhurit sërish ishte zjarri që ja mori përfundimisht jetën: u dogj së gjalli me gaz tek po bënte një punë për të jetuar.

“24/2”

Mes fitimtarëve të djeshëm kanë ndodhur ndryshime të mëdha, sidomos në jetën e tyre personale. Edhe në mënyrën e sjelljes politike. Edhe në marrëdhëniet që kanë me njeri-tjetrin apo në besën e mbajtjes së premtimeve programore. Në raport me ta të gjallët i kanë bërë zgjedhjet e veta, kanë vazhduar t’u besojnë ende apo i kanë prerë me vetëdije e madje shembur urat lidhëse. Fjala është për ata që dhanë jetën për ta gjashtë vite më parë e më tej tyre. Të paktën për këta që autori i këtij shkrimi citoi është i sigurtë që jetën e tyre të vetme, atë jetë që u takonte gruas e fëmijëve të tyre, ata ia blatuan Fatos Nanos.
U takonte atyre, sikur për një çast të riktheheshin në jetë, të shpreheshin se si u dukej tani idhulli i tyre, dje i kyçur me shtatë palë hekura në burgun e Bençës, tani i shumëpushtetshmi..
Të paktën ne të gjallët e pasvitit vrasës 1997, mund ta themi qetësisht e me pak fjalë gjykimin tonë. Këtë mund ta bëj edhe unë, edhe pse me shumë kujdes se mos “thyej etikën zyrtare”, një shpikje e re e marrjes hak nga funksionarë të lartë të kritikuar. Duke qënë një nëpunës i thjeshtë ministrie, Kryeministrit Fatos Nano mund t’i shkojë lehtësisht në mendje të më pushojë nga puna. Berishasit prunë në jetë 24/1, kohët e fundit nga disa qeverisës socialistë po përdoret pa u ndrojtur “24/2”. Ky ka një profil të ri. Më së pari funksionon për t’u falur vendet e privilegjuara të punës dhe postet e fitimit personal miqve dhe të njohurve në kafe, në shkallë apo në rrugë. Por “24/2” është bërë kohët e fundit edhe një vëllamë i 24/1. Ardhja në jetë e këtij “neni”, i cili lufton të kufizojë e ndalë kritikën publike, ka shumë promovues e ekzekutues mes disa të majtëve, por gjallërimin më të madh po e përjeton prej dukurisë së re të këtij viti: Zoti Nano nuk i ngjan më Fatos Nanos.
Kur portreti i liderit të ri u montua për herë të parë në spotin elektoral socialist, prodhuar në Greqi, dy gjëra spikatnin ngrohtësisht: sfondi i një qielli të kaltër dhe buzëqeshja. Tani i ka humbur të dyja, sidomos buzagazin. Eshtë bërë i rendë dhe i zymtë. Buzëqeshjen, këtë frymë mirësie komunikimi, e ka zëvendësuar me atë që e ndërpret dhe e këput në mënyrë fyese këtë mirëkomunikim: ironinë. Sigurisht qeverisja është një detyrë e rendë, shkulmet e buzagazit orë e çast, pamje që e kemi parë tek një koleg i tij, prodhojnë po të njëjtën ndjesi moskomunikimi. Po ashtu autori i këtyre rradhëve, duke kërkuar rikthimin e natyrshëm të zotit Nano tek Fatos Nano, nuk bashkohet me ata që nuk duan të pranojnë se kryeministri aktual nuk po shfaqet tani si një administrator aktiv dhe inteligjent. Po ashtu dihet që një parti politike shqiptare është e vështirë të administrohet. Aq shumë rivalë, lakmitarë, intrigantë, përfituesë, hajdutë e të zhgënjyer ka, ato janë kthina të zhurrmshme, ku të urtët e korrektët rregullisht shtyhen në periferi, i lenë në kembë tek dera, shpallen të pazotë.
Partia Socialiste ka një veçori që e dallon nga rivalja e saj, Partia Demokratike. Këtu ka kohë që janë fashitur tundimet e brendshme për të rivalizuar Sali Berishën, ky tashmë është lideri i padiskutueshëm i demokratikasve. Në PS ka të paktën një dekadë që i shumon pambarimisht ata që sulmojnë postin e kryetarit të Partisë. Madje këtu edhe më i urti i agresivëve, Pandeli Majko, tentoi për t’i vënë nën kontroll të dy postet, të kryetarit dhe të kryeministrit. Në një mjedis të tillë, ku gëlon lufta për kontrollin e kreut, edhe fenomeni i kokëngrenies është bërë spektakël publik masiv. Ajo ku gabon tani zoti Nano është se i shtrenguar nga një mjedis i tillë, ka pëlqyer mbrojtjen jo nëpërmjet gjetjes së bashkëharmonizimit reciprok të hapësirave pushtetushtruese me kolegët e tij socialistë, por ka ngritur rreth vetes një repart bashkëpunëtorësh josocialistë, të cilët bëjnë bodigardimin e tij duke shenjuar të gjithë kundërshtarët personalë. Këta janë teknikë inteligjentë, e kanë zbuluar se ndjenja më e fortë që kohët e fundit vrundullon tek shefi i tyre është motivi shumëplanësh i hakmarrjes. Shumë nga këta jashtësocialistë po bëjnë gjëra të papara e të padëgjuara për “t’ja shtruar e pastruar rrugën”. Mirëpo kryesocialisti Fatos Nano për fat është i pajisur me mjaft kulturë, dhe e di shumë mirë si punojnë “brenda oborrit të Carit” ata që kanë mentalitetin e Rasputinit
I ndarë përherë e më tepër nga shumica e bashkëpunëtorëve e kolegëve të tij të vjetër, bashkëthemeluesë të rendësishëm dhe historikë të së majtës demokratike, ai po e administron PS me humorin e një njeriu që gjendet i rrethuar nga armiq të përbetuar. Këtë iluzion, më shumë se sedra e lenduar apo taborri i Rasputinëve, ia ka krijuar përmasa e madhe e valës së kritikës që po ringrihet kundër tij, nga brenda dhe nga jashtë vendit. Fatos Nano kritikon shumë më pak nga sa e kritikojnë, raport që rivali i tij Berisha e ka stabilizuar në përmasë të kundërt. Dhe ndërsa kundërshtarëve të tij të shumtë shansin ua ka djegur ngutja e lëvizjeve (aspak aftësia e kryetarit socialist për t’iu drejtuar bazës), këtij të fundit i është ngulitur në mendje ideja se përfaqëson një sfinks: as me burg dhe as me armë nuk e kanë ndalur dot deri tani.

Përherë ka një rikthim kurajoz

Zoti Nano që të kthehet tek Fatos Nano duhet të kujdeset më shumë të mbajë nën kontroll karakterin e tij aspak frutdhënës. Të mos i shmanget analizës reale në parti, jo asaj të rregjur me demagogji. Kjo do të thotë një konferencë, mbledhje kryesie, një darkë miqësore, koktej, vizitë në shtëpi, simpozium, debat të hapur që përfundon në një foto të përbashkët. Asnjë parti politike shqiptare aktualisht nuk ka kaq shumë individualitete të fortë sa Partia Socialiste, të cilët këto çaste kërkojnë që unitetit “me gjasme” t’i jepet fund.
Sa për ata që në fillim të këtij shkrimi u kujtuan si jetë të dhëna për një alternativë, një emër apo thjesht për të jetuar më mirë, do të ishte cinike t’i ngarkoheshin barrë në ndërgjegje Kryeministrit. Thjesht u cituan si një kujtim i paharruar për ta dhe si shpresë që edhe bashkëkombasi i tyre, zoti i tanishëm Nano të mbetet siç ata e kanë patur në zemër: Fatos Nano.

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com