Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Iluzioni i ndikimit mbi media


Dita, 24 maj 2003

Me furinë e një orteku, por edhe me verbërinë e tij, grehinën e politikës shqiptare po e mbulon këto ditë me furtunë polemika e nxehtë për shitblerjen e medias nga persona apo segmente aktive të saj. Tashmë bëhet fjalë që përplasja e rradhës të shkojë gjer edhe në një seancë të veçantë të Kuvendit, ku Kryeministri të japë llogari për abuzimin e madh, për të cilin akuzohet. Nuk dihet vetëm nëse kacafytja e re mes shumicës dhe opozitës do të rrjedhë gjer në ngritjen e një komisioni të ri hetimi parlamentar. Në fund të fundit fushata në afrim e zgjedhjeve lokale nuk është e para herë këtë vit të nxehtë që vetshkakton ethe kaq drobitëse. Kësaj radhe spazma e re e saj se media po shpërdorohet nga pushteti, realitet i pakundërshtueshëm dhe i gjithgjendshëm aktualisht në jetën e të gjithë vendeve paskomuniste, ka disa ditë që i kapërxeu kufijtë e saj të racionalitetit dhe rrezikon të katandiset jo vetëm në një lumë fjalësh nervoze, por më së pari të mos mbartë e sjellë asnjë ndryshim pozitiv. Njëherë e një kohë kishte njerëz të së djathtës antikomuniste që u bënin rivalëve të tyre të majtë pyetjen qortuese “A nuk ju duket se me kritikat e ekzagjeruara për Sali Berishën po e përshkruani atë më të keq se Enver Hoxhën?”, sot këtij arsyetimi të drejtë mund t’i hiqet lehtësisht një paralele tjetër: “Duke ngulçuar në sulmin se media e tanishme i është shitur Qeverisë apo Kryeministrit a nuk po e bëni këtë periudhë më të zezë se ajo e para vitit 97?”
Pikërisht këtë inkriminim ka si objektiv sulmi i ri dhe aspak frenimin apo kufizimin e kësaj shitblerjeje të madhe mediatike, të denoncuar si dukuri dhe me emra konkretë nga shoqëria civile shqiptare dhe nga autoritete të pavaruara të saj që kur nisi të hidhte shtat pluralizmi ynë. Të paktën stuhia e re polemike lumturisht ka mbetur në lojën e zenkës me fjalë dhe aspak me ndonjë djegie redaksie apo marrje zvarrë e ndonjë gazetari që nga shtrati i shtëpisë së vet, por duke u politizuar do ta mbajë infeksion aktiv preçedentin e shpërdorimit të medias edhe për shumë legjislatura të ardhme.
Debati i ri, i nisur në mënyrë civile dhe të natyrshme me “rastin Lubonja”, ka hyrë në fazën e shpërdorimit edhe për dy arsye të tjera: përfaqësues dhe individë të spikatur të shumicës, ata emra që e lakmojnë me tepri posedimin e medias, kanë kohë që këtë gjest e veselitin me iluzionin se sa më shumë segmente dhe hapësirë të saj të kontrollojnë aq më jetëgjatë janë në politikë apo në pushtet. Në rresht me këta iluzionistë të shumicës udhëheqja e opozitës e ka lënë veten të zhytet akoma më thellë në iluzionin se me një denoncim frontal, ku nuk kursehen me emra edhe redaksi të veçanta, do të arrijë të shpërbëjë e rënojë kalanë e rivalëve të tyre. E gjitha kjo është vetëm një mirazh. Një irealitet.
Teza e “shitjes” apo “blerjes” së mediave tek ky apo ai grupim politik po rrjedh sforcueshëm dhe sepse tashmë atë po e shtyjnë me hostenë edhe vetë disa njerëz dhe sponsor të fuqishëm të saj, një pjesë për interesa pragmatike përfitimi (“Stambolli digjet, ajo krihet”), të tjerë zhurrmojnë për të shkulur nga trupi akuzën e provuar se janë të shiturit e vërtetë, të tjerë për të hequr qafe konkurentët e fortë.
Hyrja në fazën e shpërdorimit të shqetësimit mbarëqytetar për sjelljen jodinjitoze të një pjese të shtypit të shkruar apo atij elektronik vjen edhe prej krijimit artificial të një tregu informal mediatik. Një kërkesë-ofertë false ka çuar më tej zgjerimin e këtij tregu të zi. Kërkesën kallpe e ka fryrë ambicia e disa politikanëve, protagonistëve kryesorë aktualë të shoqërisë shqiptare, për të qënë të pranishëm në opinion njëzetë e katër orë për njëzetë e katër. Atyre nuk u krijon marramendje prezenca e përhershme në media, janë të bindur se “të dukesh do të thotë të jesh”. Sigurisht edhe nuk merakosen apo nuk kanë ndjenjë mase që të kuptojnë se ngulja e tyre si gozhdë në ekran ua shkakton të tjerëve alivaninë. Kjo kërkesë e tejekzagjeruar dhe mjaft përtej nevojës jetike e të domosdoshme të mbështetjes së një politikani apo qeverisësi nga media ka nxitur ofertën, ajo ka krijuar disa batakçinj të pisbisnesit. Këta kanë nxjerrë në buzë të trotuarit mediat e tyre apo emrat personalë. Shiten dhe blihen. Duke e zotëruar mirë logjikën e këtij “pazarit” të ri pluralist dhe të shkathët për t’i ardhur sipas midesë kësaj lakmie (ata prodhojnë deri edhe sondazhe konsensusi për politikanë, për këtë mjafton tua caktosh vetë sa e do përqindjen e popullaritetit) ata realizojnë një meny spetakolare “çmimesh”. Shifrat e përfolura janë “të kripura” për një foto të madhe në faqen e parë apo një vend në kryeqoshet e të tjerave, për rreshtat e titujt e spikatur në gazetë apo minutat e fillimit në edicionet informative radiotelevizive, po ashtu janë përtej imagjinatës së përfitimit shpërblimet e tërthorta për një “speciale” apo “bisedë në studio”. “Kujdes djema, u thoshte gazetarëve ca kohë më parë një mediabërës i këtij kallëpi, të shitemi sa më shtrenjtë”.
Në këtë treg informal arrin të gjesh edhe ndonjë botues apo sponsor medieje që të përsërit ngulshëm dhe në mënyrë hipnotike tezën se ishte gazeta e tij që i kishte dhënë të shtyrën përfundimtare këtij ish-presidenti apo ish-kryeministri. Si zakonisht këta të thonë se e kanë në dorë (me ca artikuj!?) të vënë në pushtet këtë apo atë.
Media është pushtet, por më së pari edhe autoritet. Njëlloj si politika dhe të gjithë pushtetet e tjerë. Pa autoritet asnjë gazetë dhe asnjë television nuk të ndihmon të shkosh drejt pushtetetit ekzekutiv, ca më pak të rrëzon moralisht. Në këtë kuptim ata që vrapojnë të vënë nën kontroll sa më shumë media nuk bëjnë gjë tjetër veç marrin me vete, në rënimin e tyre moral, edhe vetë gazetat apo televizionet. Këtyre u bien me shpejtësi tirazhi dhe dëgjuesit. Po ashtu ndodh edhe e kundërta: politikanëve u pakësohen votuesit.
E gjithë kjo zhurrmë që ka dalë nga kufijtë e normalitetit të një debati jetik për demokracinë e shoqërisë së hapur shqiptare, duke e politizuar rendë dhe shtyrë sforcueshëm gjer në një përplasje tjetër të ashpër parlamentare bën edhe një gabim tjetër: ajo tenton të na bëjë të harrojmë se aktualisht Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë gjer tani medie më të lulëzuar teknologjikisht dhe profesionalisht, po ashtu edhe më pluraliste se kaq.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com