Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Marrshimi i ngazellyer i kandidateve hermafrodite



Botuar ne Dita, 8 korrik 2003

Fushata e pritshme zgjedhore ka ngacmuar në qarqet tona politike edhe temën e përzgjedhjes së kandidatëve, të cilët do të misionohen nga partitë për të fituar e më pas kryer detyrat e kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin. Bëhet fjalë për të qeverisur jo vetëm Tiranën, kryemetropolin kombëtar, por edhe portin e madh të Durrësit, “kokën e diamantë” të Korridorit të Tetë, Vlorën, portën e dytë të këtij magistrali ndërkombëtar, Korçën, një kryeqendër të mundshme të nesërme në kapërcyellin strategjik mes Shqipërisë së jugut, Greqisë së veriut dhe Maqedonisë, Elbasanin, “rubinetën” e lidhjes së Tiranës treçerekmilionëshe me Korridorin tetë, Fierin, paradhomën e të gjithë Shqipërisë së jugut, rajon tradicionalisht nga më të zhvilluarit e vendit, Shkodrën, kryeqendrën historike të lidhjes së shqiptarëve me të gjithë hapësirën e Ballkanit qendror dhe atij verior, deri në zemër të kontinentit, Kukësin, qytetin që pritet të marë rendësi rajonale i favorizuar nga një aeroport i madh, si edhe nga të qënurit stacion mes Shqipërisë dhe Kosovës, Gjirokastrën, portalin më të madh, pas Durrësit, të shkembimeve tregëtare si edhe të mikpritjes së bashkëkombasve të shumtë emigrantë në Greqi, Pukën që korridori i ardhshëm rrugor panshqiptar do t’i ofrojë një perspektivë, e cila do aftësi jo të vogël menaxhuese.
Në hartën elektorale të ndeshjes së ardhme zgjedhore kanë marë reliev edhe qytete të tjerë, madje edhe komuna të vogla. Shqipëria është në prag të një gjallërimi të ri ekonomik, kësaj rradhe shtysa më e re do t’i vijë nga proçesi në galop i bashkintegrimit rajonal. Nuk është përmbysur vetëm harta e përparësive që vendi ynë kishte në diktaturë, por po pëson modifikime edhe ajo e pasvitit 2000. Ja pse jo vetëm aftësia qeverisëse e kabineteve qendrore në Tiranë ka mjaft rendësi për të kuptuar e inkurajuar dobishëm këto shanse që përjetojmë, por edhe kabinetet e qyteteve, ato që në të gjithë botën e zhvilluar emërtohen autoritetshëm si “qeveri lokale”. Një debat publik për mënyrën se si do të përzgjidhen edhe tek ne kandidatët e partive politike për bashkiakë të qyteteve tona ka vlerë të madhe kombëtare, ajo i duhet shpëtuar koncepteve apo praktikave rutinë. Ajo që vihet re kësaj rradhe, edhe pse ende jo fort e ravijëzuar, ka të bëjë me një veçansi: dallohet tendenca e disa partive, veçanërisht e dy më të mëdhave, për të shtuar kontigjentin e kandidatëve që do të vijnë nga ajo shtresë, të cilën ato e quajnë me shijen e tyre “shoqëria civile”. Më e ndezur kjo dëshirë duket në Partinë Demokratike.
Thuhet, dhe për këtë ka prova, se ky depërtim i fortë i kandidatëve të “shoqërisë civile” ka sjellë shqetësim e në mos pakënaqësi mes “shoqërisë politike”. Këta po rrahin nëpër mendje një mënyrë se si të ndalin këtë marrshim ngazëllues të rivalëve të tyre. Nuk dihet nëse kjo betejë e nëndheshme do të respektojë rregullat normale të konkurencës mes vetë të përzgjedhurve apo forumeve partiake, por gjasa e një konflikti të brendshëm nuk duket reale. I mundshëm duket një gabim në raportet që do të realizohen në këto zgjedhje vendore mes kontigjentit të “civilshoqërisë” dhe të asaj politike.
Këtu mund të favorizojë jo vetëm dëshira përherë e ekzagjeruar për të grumbulluar sa më shumë vota ditën e ballafaqimit, edhe pse shumë shpejt nesër një pjesë e votëhedhësve do të mbushë armatën e madhe të të zhgënjyerve, por edhe zakoni i tepruar i demagogjisë dhe i spekullimit elektoral me terma, koncepte dhe praktika “moderne”.
Nga pjesa jo e mobilizuar politikisht e shqiptarëve, e cila janë të gjithë banorët e saj minus jo më shumë se dyqind mijë anëtarë realë partish, përherë kanë rezultuar jo pak individë të realizuar si administratorë qendrorë dhe lokalë. Jo vetëm të zotë, por edhe të virtutshëm si njerëz. Simbolikisht nuk do t’i vononim dy shembuj: Rexhep Meidani dhe Pjetër Arbnori. Madje kjo përmasë e madhe e shoqërisë sonë ka furnizuar me protagonistë cilësorë edhe vetë politikën aktive. Do të ishte e tepërt të citonim përfaqësues breznish si Sabri Godo, Dashamir Shehi apo Genc Pollo. Por do të ishte një shenjë e keqe për demokracinë fillestare shqiptare të ndodhte që të drejtën e qeverisjes që nga komuna më e thjeshtë e deri në Tiranë ta impononin rregulla dhe mani absurde, sipas të cilave ajo të mbetej monopol i vetëm partiakëve, pra i atyre që janë anëtarë të teseruar të një formacioni politik. Kembëngulja e vijueshme dhe sëfundi e intensifikuar më shumë, e shtimit të numurit të të ardhurve apo të kandiduarve në qeverisje nga shoqëria jopartiake, përbën një prirje të lavdërueshme, veç deri në një limit delikat. Ajo mund të inkurajohet deri në atë kufi ku ky kontigjent nuk ka asnjë të drejtë të hyjë e pushtojë një hapësirë, e cila nuk i takon: përmasën që mbetet ekskluzivitet i merituar i politikushtruesve. Kësaj rradhe sinoret e këtyre të fundit duket se po cënohen nga “hermafroditët”, pra nga ata kandidatë të mundshëm që nuk kanë asnjë “seks”, janë politikisht as “mashkull dhe as femër”, në thelb shterpë. Iluzioni në revansh se këta të fundit mund jenë më të qëlluarit e përfaqësimit të kësaj apo asaj partie politike është i disafishtë humbës, sepse ata zor se përbëjnë realisht edhe përfaqësim të vetë popullsisë jopartiake shqiptare. Të jesh në përmasën publike të një futbollisti të njohur, një misi apo misteri, publicisti apo kengëtari, pra të jesh një protagonist, nuk do të thotë aspak që në të njëjtën kohë të kesh edhe po të shtat të aftësisë për të përfaqësuar sa më shumë volum konsensi e për pasojë edhe votash, nga kjo pjesë dominuese e shoqërisë. Ca më pak mund të jesh apo zhndërrohesh përfaqësues i një mjedisi të caktuar politik, alternative apo programi. Futja në veprim i gjoja këtyre përpirësve të votave si rregull e përvojë mund të përdoret me dobi kur bëhet fjala vetëm për zgjedhjet parlamentare, pra kur duhet të zgjidhen deputetët dhe prej këtij mekanizimi një parti apo një bashkim i tyre të fitojë të drejtën për të administruar vendin brenda një mandati të caktuar. Këtë rast, siç dihet qeverisja nuk u ngarkohet deputetëve, por një stafi tjetër, të gjykuar me përvojë të provuar si administratorë punësh publike. Doza e madhe paragjykuese e zgjedhjeve të ardhshme vendore si ballafaqim i plotë politik ka sjellë si pasojë ngarendjen pas votëgrumbulluesve, aty ku struken edhe kandidatët hermafroditë. Kur e pyetëm një të afërm të një emri të lakuar si kandidat i një pjese të opozitës për Tiranën se çfarë bindjesh politike kishte i shumëcituari, shpjegimi rezultoi me fjalët “ai priti ta propozojnë socialistët, priti edhe demokratët, tani në rast se do ta propozojnë edhe….ai do të pranojë”. Në një rast të një emri tjetër të përmendur nga shtypi argumentimi i shpjeguesit u ngërthye në arsyetimin “nuk ka ndonjë bindje të caktuar politike, por është një administrator dhe menaxher i suksesshëm”.
Mirëpo qytetet tona që sa më shumë vite shkojnë aq më tepër autoritet dhe autonomi do të fitojnë, si edhe ndikim në rritje në prosperitetin e të gjithë Shqipërisë, duhet të administrohen nga shumica të caktuara politike. Qytetet nuk janë ndërmarrje, fabrika apo qendra bisnesi me të punësuar, ato janë bashkësi individësh të lirë që për hir të rregullit themeltar të demokracisë, të drejtës së përfaqësimit politik, kanë “parlamentet” e tyre vendore, këshillat. Këto funksionojnë sipas pluralimit partiak. Bashkiakët pa asnjë ferment dhe motiv politik, pa asnjë bindje apo alternativë programore të përcaktuar po ashtu politikisht, shumë shpejt do të dalin jashtë kontrollit të shumicave fituese të kuvendeve vendore. Në një aksident të tillë edhe administratori më i mirë jo i punëve private, por edhe i atyre publike, do të hynte në konflikt me sistemin partiak dhe do të bllokohej.
Në të gjithë botën e zhvilluar shumica dërmuese e qeverisësve dalin nga shoqëria politike, të tjerët nga “civilë” të shquar që, në padëshirë të kenë një teserë partie, megjithatë kanë identitet të qartë se kë prej tyre simpatizojnë.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com