Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bumerangu Lubonja



Korrieri, 29 maj 2003


U krijua siç edhe në të gjitha rastet e tjera: fare lehtësisht, si të ishte një lodër. Gjersa “rasti Lubonja” u bë objekt i apelit të 47 deputetëve të majtë italianë dhe të 70 veprimtarëve shoqërorë të vendit mik, kishte mjaft kohë për ta koregjuar. Nga gjyqëhedhësi Koço Kokëdhima dhe nga vetë Fatos Lubonja. Mund të ndërhyhej lehtë nga kolegë të medias apo drejtues të tyre. Mund ta ndërmerrte aktin e ndërmjetësimit për zgjidhje edhe ndonjë personalitet i spikatur i shoqërisë civile shqiptare, por shumica e tyre kanë kohë që heshtin si murgjër. Një fije shpresë ekzistonte që të mund të ndikonte për zbutje politika, por ajo vijoi zakonin e saj të përdorimit të ngjarjes për rivalitet.
Mes të gjithëve njeriu i parë që mund ta përmbante ngjarjen në kufijtë e përmasës dhe mesazhit real që ajo kishte, ishte vetë Lubonja. Ngjarja që i ndodhi, ishte fare normale për këtë parademokraci që kemi: gazeta me tirazhin më të madh në vend, “Shekulli”, ku ai ishte bashkëpunëtor i paguar shumë mirë prej vitesh, nuk i publikoi për të parën here menjëherë shkrimin e porsadërguar. Kujt autori nuk i ndodh kjo, por për kolegun tonë ky rast i plotësonte të gjitha kushtet për të protestuar para të gjithë opinionit, duke e zhndërruar në një “çështje të shkeljes së lirisë”. Shkrimi i pezulluar për njëzetë e katër orë, edhe pse nuk ishte i pari në shtypin shqiptar me temën që trajtonte, përbënte artikullin më të fuqishëm të publikuar në të gjitha trevat tona kombëtare, i cili ngrihej fort dhe hapur kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak. Shkrimi binte plotësisht ndesh me politikën aktuale të qeverisë, përplasej jo pak edhe me shumicën e opinionit kombëtar. Kjo veçansi nuk e pengonte shkrimin të botohej, por “Shekulli” nëpërmjet pronarit të saj e justifikoi publikisht gjestin me një meny të gjatë “padashjesh”, duke i dredhuar shpalljes që në fillim të së vërtetës: të drejtës që kishte për të patur një politikë të caktuar botimi për këtë temë. Si në të gjithë botën. Koço Kokëdhima pa mundim mund të thoshte se edhe “Il Manifesto”, gazeta italiane ku drejton sektorin e huaj Tomazo Di Françesko, një nga tre nismëtarët e apelit që më pas u mbështet nga 47 parlamentarët italianë, nuk të jep asnjë milimeter hapësirë për të vendosur qoftë edhe vetëm një germë në favor të ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak. “Il Manifesto”, organ i vjetër dhe emërmirë i komunistëve italianë, ka politikën e vet të hapët e të sinqertë të botimit dhe për këtë në vendin e vet nuk e akuzon kush. Por publicisti Fatos Lubonja nuk dëshironte mirëkuptimin me botuesin, ai lypte spikatjen, protagonizmin, përplasjen dhe sherrin me të. Në këtë fushë ai ka një talent të pashembëllt, një energji kolosale, një paepje që rrallë ka shembëll të dytë. Fatos Lubonja në burgun enverist ka qënë një legjendë trimërie. Me mprehtësi një mosbotim të thjeshtë nga një gazetë, që pas lidhjes së fortë me ish-Presidentin Meidani, bëri saldimin e interestë me Kryeministrin e sotëm, e devijoi duke e paraqitur para medies konkurente ndaj asaj të Kokëdhimës si ndalim të organizuar nga qeveria dhe personalisht nga Fatos Nano. Pastaj ia ngriti shenjestrën zemërimit të vet, duke e politizuar për ta vënë edhe në sherbim të opozitës. Kjo nuk mund ta linte rastin t’i ikte nga duart dhe e mbështeti menjëherë edhe pse disa ditë më vonë për ndërhyrjen ushtarake të SHBA në Irak, alternativën e kundërshtuar ashpër nga shkrimi i Lubonjës, votoi unanimisht i gjithë Kuvendi, sëbashku shumicë dhe opozitë. E vetmja votë jo me këtë konsensus ishte e një deputeti socialist.
Zmadhimi i ngjarjes, për rrjedhojë edhe manipulimi i saj mediatik e politik, kaloi çdo limit kur denoncuesi i cenimit të lirisë së shtypit në Shqipëri dhe i deklaruar si pësuesi i saj, nuk ishte veç një dëshmitar i faktit që artikullin e refuzuar vetëm për njëzetë e katër orë nga “Shekulli” (ata ja botuan ditën e dytë) menjëherë ja publikuan të pacenuar të gjitha gazetat kryesore kombëtare ku e kishte dërguar. Me këtë veprim në Shqipëri u rikonfirmua ekzistenca e pluralizmit të botimit.
Mirëpo kur ngjarja mbërriti në këtë pike nuk ishte vetëm Fatos Lubonja që nuk ndalej. Në sheshin e grindjes u shfaq projekti i një padie gjyqësore për shpifje nga bashkshortja e Kryeministrit. Ndërkohë publicisti i njohur në një debat televiziv vetëm kishte cituar një fragment gazete dhe aspak nuk e kishte bërë këtë gjë për të shpifur. Zonja Xhoana Nano, edhe pse me pak vonesë, u tërhoq nga gjesti i saj i pakuptimtë dhe emotiv. Një gjyq me Lubonjën nuk do të kuptohej ndryshe veç si një ballafaqim me të nga vetë Kryeministri. Dhe nga kjo përballje mes Dy Fatosëve do të dilte i fituar ngadhënjyeshëm vetëm njeriu i paepur dhe i palodhshëm në polemikë, i pambrojturi nga pushteti, i sulmuari prej tij, zëdhënësi dhe përfaqësuesi i opinionit, publicisti. Ndërkohë, ndërsa dukej sikur ngjarja i ishte afruar ciklit të natyrshëm të fikjes, në meidanin e luftës gjyqësore doli Koço Kokëdhima, njeriu i sulmuar i pari prej Lubonjës, ai që kishte mundësinë më shumë, për çdo ditë që kalonte, ta bënte çështjen e sherrin e zmadhuar të lihej mënjanë e të harrohej. Ky nxorri në ekran një djalë të ri të pispillosur, i cili deklaroi para shqiptarëve se publicisti që rron me shkrimet e tij dhe aktivitet jashtëqeveritar, duhej të dënohej me një dëmshpërblim shumëdhjetra milionësh. Kaq na paska qënë dëmi i sjellë ndaj bisnesit të kompanisë “2K” prej deklaratave publike të Fatos Lubonjës!?
Këtij veprimi i palodhshmi dhe i shumësprovuari për të mbajtur përherë të ndezur mbi të gjithë projektorët e vëmendjes së opinionit publik, iu përgjegj me apelin e shkrimtares së dëgjuar Daça Maraini, të gazetarit me emër Tomazo Di Françesko dhe analistit me talent Klaudio Bazoki. Më pas nuk duhej shumë mund për ta zgjeruar konsensin me një bashkësi deputetësh të nderuar të së majtës italiane, të cilët kanë qënë në vendin e tyre ndër më aktivët për të denoncuar ndërhyrjen ushtarake të SHBA në Irak. Tashmë gjithçka ka marë formën e akuzës ndërkombëtare se “liria e shtypit në Shqipëri është në rrezik”.
Dhe për të kuptuar se pronari i “2K” duhet të heqë dorë nga presioni financiar, pushtetar dhe gjyqësor që po i bën Fatos Lubonjës, nuk bëjmë keq t’i rikujtojmë miqësisht një nga fragmentet e Apelit të 47 deputetëve italianë: “Lubonja ka qenë editorialist i kësaj gazete deri në muajin shkurt, kohë kur ai shkroi një artikull të ashpër kundër Kryeministrit Fatos Nano, i cili pati deklaruar, në një të përditshme amerikane, se ishte përkrah amerikanëve në luftën e Irakut, duke imituar kështu diskutimet e Bushit dhe Rumsfeldit…”
Pra, një gjyq “dëmshpërblimi financiar” në Tiranë, po u bë, do të organizohet përtej hapësirës gjeografike të kryeqytetit tonë si një gjyq politik jo thjesht kundër Fatos Nanos, por kundër një Kryeministri shqiptar që në një moment të komplikuar ndërkombëtar bëri një zgjidhje “proamerikane” dhe për këtë nuk u kundërshtua nga institucionet dhe populli i vet.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com