Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Autobuzi i lajthitur i buze Lanes


Dita, 15 qershor 2003



Në të gjitha tekstet mësimore të botës citohet se shkencëtari Kuvje treqind vite më parë ka deklaruar “më jepni vetëm një eshtër dhe unë do t’u jap pamjen e plotë anatomike të frymorit të zbuluar”. Atëhere ishte fjala për gërmimet që bëheshin për të njohur jetën gjallore të globit para se të formohej njeriu. Në verën e nxehtë të vitit 2003 mund të thuhet edhe me pak humor “më jep një autobus urban nga ato të buzë Lanës në Tiranë që të të jap pamjen e plotë të anatomisë së shoqërisë dhe shtetit shqiptar”.
Këtu nuk është fjala as për papastërtinë e tyre, e cila është pjesë e natyrshme e pejsazhit të ndotur të kryeqytetit, as se fatorinot nuk presin bileta, duke vepruar si pothuaj në të gjitha dyqanet e vendit ku ti jep paratë e nuk të kthen kush dy gisht letër faturë pagese, as se gara që ata bëjnë me ushtrinë e madhe të furgonëve jo rrallë rrezikon përplasje fizike të mjeteve apo aksidente të njerëzve. Nuk e kemi fjalën as për historinë e kartave të aboneve dhe të rënies së tyre sistematike në dorë të tregut të zi. Në këtë shkrim dëshirojmë të individualizojmë simbolikisht një autobus konkret të sherbimit urban kryeqytetas, i cili më mirë se shumë kolegë të tij na kujton Shqipërinë e këtyre ditëve, vend që pjesërisht jep shenja lajthitjeje.
Në këtë autobus të dalldisur që një ditë hyri me vrap e zhurrmë në zinxhirin e mjeteve urbane që shërbejne në Unazë, pra që kalojnë edhe buzë Lanës, shoferi me pamje babaxhane dhe mustaqe të dendura e të ashpra si edhe fatorinua hokatare, të dy rreth të pesëdhjetave, jepnin e merrnin me njeri-tjetrin duke e ngritur zërin përtej kufirit të bërtitjes. Ndiheshin si në shtëpinë e tyre, jo në një mjet publik. Ajo klithte “mbaje këtu se do të hipi një pasagjer” (ku nuk kishte stacion), ai sokëllinte “mire ai që hipi, po përse zbriti ai tjetri”, ajo vinte kujën “kaloja atij autobuzit para nesh se na la pa pasagjerë”, ai kuiste “ti më more më qafë që the rri edhe një çikë e pastaj nisu”, disa pasagjerë luteshin që makina kokëkrisur të ndalte në stacionin e vërtetë, shoferi me mustaqe të shkreshpëluara dhe fatorinua e veshur me dolloma e futë si të ishte duke qërruar qepët në kuzhinën e shtëpisë së vet, brofën në një kohë me piskatje zëri “dashkeni stacion në çdo dhjetë metra!?”.
Dukeshin të dy njerëz afër skizofrenisë (edhe pse të linin përshtypjen e njerëzve të mirë). Veç për një kërshëri tonën ishin të dy në atë gjendje paekujlibri, sepse edhe vetë shoqëria ku ato çaste ata po jetonin, pra Shqipëria jonë e përbashkët, kishte ditë që dëshmonte dalldisje. Autori i këtyre rradhëve ka përgjegjësinë t’u thotë sinqerisht lexuesve se që kur në jetën politike të shqiptarëve u ngrit komisioni hetimor parlamentar me emrin e shumëthirrur “antiRama”, shoqërinë tonë mjaft të brishtë psikologjikisht e të lenduar nga streset shumëdekadëshe që kalon pandërprerë, e ka kapulluar ndjenja e ezaurimit nervor. Dalja jashtë kontrollit e gjesteve, fjalorit, deklaratave dhe polemikave të politikës që lidhen me këtë komision në dy javët e para të qershorit kulmoi gjer në një agresion psiqik. Ky grup hetimor parlamentar, nëpërmjet mediave të hapura tej për tej arriti t’i përcjellë për shqiptarët punimet konfliktuale të këtij komisioni paradite e pasdite, në orët e mbrëmjes, të mesnatës dhe të mëngjezit. Nga ky terror nuk shpëtoje dot, kudo që të fshiheshe dhe çfarëdo që të bëje. Nëse e hiqje vëmendjen nga një stacion, në pritë të komisionit bije tek tjetri. Mundoheshe t’i ikje atyre imazheve çmendurake, në një apo dy kanale jepej ndonjë film i stërparë, tek pasardhësi ishte në pritë patjetër një emision “drejtpërdrejti nga komisioni”. Mund të shtypje të gjitha butonat e telekomandës, por do të shfaqej patjetër edhe një kanal i katërtë që ushqehej me informacion nga debati i klithmave dhe i sharjeve, me siguri edhe një i pestë.
Lajthitjet, që nuk janë të vapës, bënë zotin Berisha t’i klithte një gruaje të shumicës, nënkryetare e Kuvendit, me fjalën “bushtër”. Ky fjalor nuk është as në moralin e një burri nga jugu apo nga veriu, që ka mbaruar apo jo arsimin e lartë, që vishet varfërisht apo shik, që ka një zyrë me lule e kompjutera të prodhimit të fundit apo është një fatkeq i pastrehë që fle nën ndonjë pemë në trotuarin e ri në buzë të Lanës. Iu tha publikisht, para kamerave, një gruaje jo akuza “mafioze”, as ajo “hajdute” apo ajo “e papërgjegjshme”, por BUSHTER. Me këtë janë thyer e shkelur të gjitha zakonet e maleve dhe të fushave.
Edi Rama, i gjendur në qendër e në vorbull të këtij komisioni që funksionoi lajthitshëm (vetëm raporti i tij përfundimtar, i cili u mbajt para Kuvendit, zgjati mbi nentë orë papushim) e humbi qetësinë dhe sigurinë si rrallë ndonjëherë. Njeriu që i kuron me shumë kujdes, shije moderne dhe inteligjencë mjetet e luftës politike, doli jashtë vetkontrollit. Në fillim, edhe pse arsenali i tij demonizues e tallës për ish-presidentin Sali Berisha ka qënë i plotësuar dhe efikas me kohë, madje edhe i tejngopur (ndër të fundit ishte epiteti “mamadhija”), kryebashkiaku shpiku të tjerë, duke bërë një katrahurë e rrëmujë të tërë në “garazhin” e tij. Befas, ndërsa komisioni parlamentar hetimor ishte në aktivitet të pagjumë, Ramës se si iu kujtua kinezi Çan Pao Y. Tha para kamerave që Berisha me akuzat e tij per abuzimet me mediat i kujtonte këtë kinez Ndërkohë sqaroi se shumë shqiptarë nuk e mbanin mend, por Pao Y kishte ngritur një antenë televizive në malin e Dajtit. Kinezi i thjeshtë punoi lart në antenën më të madhe të kohës, prej ku përhapte atëhere si edhe tani, sinjalin e Televizionit Shqiptar, dhe një ditë ra. Jetëhumburit në tokën e një populli tjetër dhe ku punoi për të mirën e tij, shteti i asaj kohe i bëri nderet e një dëshmori dhe e varrosi mes shqiptarëve. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit në rast se nuk gjen një ditë disa minuta t’i çojë një tufë lule mbi varr (zoti Rama pak kohë më parë bëri një vizitë në Kinë dhe prej andej solli mesazhe e ndihma mjaft miqësore), të paktën nuk mund ta tallë apo keqpërdorë për luftë politike. Por Edi Rama krahasimin e ish-presidentit me kinezin kujtimmirë e la menjëherë pasdore, ai ishte profesionalisht i sforcuar dhe i pashije. Iu u drejtua një emri tjetër, kësaj rradhe nga fusha e artit: Pinokut. Por nuk duket i gjetur edhe ky epitet, Pinoku është një figurë e njohur dhe e dashur në të gjithë botën, përfaqësues i së mirës. Madje ajo hunda e madhe e bën më të admiruar nga njerëzit. Nuk e bën më pak tërheqës për shumë bashkëkombas edhe stilizimi i tij me dy gishtat lart, simbol i një partie të rendësishme shqiptare. Gjetja e re aspak e nevojshme dhe ca më pak interesante, e shtyu kryebashkiakun e kryeqytetit të kalojë në një gjest lajthitës: më 1 qershor, tek vizitonte një ekspozitë fëmijësh, i nxiti ata, duke shkelur të gjitha rregullat e sjelljes së një personi të rendësishëm publik dhe shtetëror, të vizatonin Pinokun me dy gishtat lart, pra të tallnin shefin e opozitës më të madhe të vendit. Pastaj ethet e kësaj dalldisjeje të madhe e përfshinë të gjithin Sokol Olldashin, ky në çdo pesë minuta e kanoste Edi Ramën me fjalët e pamendëta “do të fusim në burg”, kurse kryetari i Bashkisë iu përgjegj duke nisur t’i frynte një megafoni mitingjesh. Një ditë më pas një përfaqësues i lartë i opozitës, duke pozuar para kamerave, e çoi më tej dalldisjen e përgjithshme duke deklamuar një rimë absurde me fjalët megafon, gjym, uturak.
Ndoshta prej kësaj klime të përgjithshme skizofrenie u perhap gjer në Vienë hamendja e ikmendëse se Shqipërinë do ta përfshijnë trazirat sociale dhe politike.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com