|
Koha qe Muri i Vizave te rrezohet
Dita, 6 prill 2007
Shoqërinë shqiptare, e cila prej më shumë se një dyzine vitesh po kalon një tranzicion shumë të vështirë të shndërrimit të saj progresiv, përveç mjaft problemeve të mprehta, i duhet të përballojë edhe njerin prej tyre: mundësinë e hyrjes së qytetarëve të saj në territorin e Bashkimit Evropian. Me një vendim të mençur dhe mjaft civil pothuaj një dekadë më parë autoritetet shqiptare i përjashtuan të gjithë qytetarët e BE-së nga detyrimi për të marrë një vizë hyrëse në territorin e vendit tone. Ata hyjnë dhe dalin lirisht nga Shqipëria dhe ky gjest, më së pari mirëfilli pjesë e kulturës sonë të mikritjes, na bën nder. Nuk është pa kumt fisnikërie dhe respekti edhe numuri përherë e më i madh i bashkështetasve tanë që, nëpërmjet sherbimit e përkujdesjes më të madhe të zyrave konsullore të vendeve të Bashkimit Evropian, hyjnë e dalin nëpër pjesën e zhvilluar të kontinentit.
E megjithatë në këtë hapje të madhe na duket se ka një problem që sa më shumë të anashkalohet, aq më i mprehtë bëhet: me këtë regjim aktual vizash shqiptarët janë vënë në vështirësi të madhe, madje në një pozitë që mbase nuk e meritojnë. Klasa politike e vendit tonë, të gjitha qeveritë e paskomunizmit e të gjithë kryetarët tanë të Shtetit, kanë përsëritur idenë ngulmuese se për bashkëkombasit e tyre duhet mundësuar jo vetëm shtimi i dukshëm i numurit vjetor të vizave, por edhe lehtësimi i regjimit të tyre, kanë shprehur edhe dëshirën e natyrshme që në një perspektivë të afërt këto viza hyrëse për në vendet e BE-së të hiqen. Po kjo klasë politike nuk po punon pak që kulturën e hapjes, modelin evropian Shengen, ta vërë në jetë në Ballkan, në hapësirën ku dramat e mëparshme të mbylljes dhe të kacafytjes së ndërsjelltë janë akoma plagërenda. Atëhere çfarë thelbësore u mungon shqiptarëve të vitit 2003, këtij vendi e populli të lidhur në mënyrë të hekurt me Perëndimin, që ti gëzohen hë për hë një regjimi shumë më të lehtësuar të dhenies së vizave?
Nuk duam ta kendvështrojmë problemin sentimentalisht për të sjellë ndërmend në pak çaste, me dhimbje, ata mijra prindër që për vite të tëra nuk kanë mundur dot të shohin për disa ditë fëmijët e tyre aty ku punojnë e jetojnë ndershmërisht Shumë janë bërë gjyshër dhe nipërit e mbesat që kanë lindur e janë rritur përtej detit, vazhdojnë ti presin në bankinat e trageteve të porteve të Durrësit dhe Vlorës. Do të na ndihmonte në përgjigjen e pyetjes çfarë thelbësore na mungon ne, shqiptarëve, që përjetojmë këtë regjim vizash vetëm po të depërtojmë sadopak në përmbajtjen politike, sociale, pse jo edhe humane, të dukurisë. Evropa ka në themel të demokracisë dhe zhvillimit të saj lirinë, barazinë dhe vëllazërinë. Kjo është dna-ja e BE-së. Duke e ditur se nuk mund të jemi të barabartë për shkak të prapambetjes sonë, vëllezër mund të jemi pak më shumë. Ose solidarë.
Ndokush, nëse lexon këto rradhë, mund të saktësojë se Brukseli është i prirë që ta ndihmojë vendin tonë për tu integruar sa më shpejt në Bashkimin Evropian. Shtrengimet që ai vë dhe të cilat, duke i mirëkuptuar, i thërresim mes njeri-tjetrit si detyra shtëpie, këtë nxitje kanë për mision. Sigurisht në kryeqytetin evropian, por edhe në qendrat e tjera të rendësishme të kontinentit nuk mendohet për ta nënvleftësuar Shqipërinë, për ta lenë në fund apo për ta braktisur e mbajtur në karantinë e izolim. Një vend e popull i tillë, i lenë në fatin e prapambetjen e vet, nuk do të përbënte mes bashkësisë evropiane veç një gropë, një vrimë e humbellë të zezë dhe prej honeve të saj kontinentit mund të krijoheshin prishje të ekuilibreve të brendshme. Kur bëhet fjalë për kohezion të një bashkësie të madhe dhe jo homogjene popujsh, traditash e kulturash, do të mjaftonte edhe një shtet me hapësirë territoriale dhe burime njerëzore modeste për të tronditur raportet e ndërsjellta gjeostrategjike apo vështirësuar luftën aktuale të demokracive perëndimore për të sfiduar krimin.
Vizat hyrëse të shqiptarëve për në vendet e Bashkimit Evropian, relativisht më të liberalizuara, këto çaste mund të bëheshin një mjet e rrethanë që do ta ndihnin dhe stimulonin mobilizimin tonë më të madh për eurointegrimin. Në pamje të parë një ide e tillë duket si e parfumuar me demagogji apo e mbushur me rrufjaneri. Dëshira e shqiptarëve për të patur një mundësi hyrjeje jo kaq të komplikuar në Perëndim aktualisht është aq e madhe sa ide të tilla, edhe kur mbeten profka, do ti entuziazmonin pa masë. Me një realizim apo premtim të tille ndonjë qeverisje apo parti mund të mblidhte vota si kurrë ndonjëherë. Por përveç ndonjë eksponenti të PBDNJ-së, i cili përgjatë fushatave elektorale, ka premtuar dikur masivisht viza hyrëse për në Greqi, përgjithësisht politika shqiptare nuk ka abuzuar me këtë ëndërr të bashkëqytetarëve të saj. Pikërisht se ajo dhe përgjithësisht e gjithë shoqëria jonë nuk ka spekulluar mbi këtë temë, nuk ka nxitur ndonjë manifestim, debat, referendum apo letër proteste a peticion Brukselit, se nuk e ka vënë kusht për asnjë angazhim të marë para BE-së, dëshmon se shqiptarët e kuptojnë fare mire kontinentin e tyre si edhe fatin që u ka rënë mbi kokë. Ata nuk bëzajnë, as u shkon në mendje të ngrejnë zërin se pothuaj të gjithë popujt e tjerë jo të eurolindjes, por edhe të Ballkanit, i kanë shumë më të lehta se ta procedurat a marrjes së vizave të hyrjes për në vendet e BE-së. Për shumë mjafton të shkojnë drejt një avioni apo trageti, të mbërrijnë në çdo pikë kufitare të vendit të tyre apo të fqinjit perëndimor dhe lejen e hyrjes e marrin aty. Këtë model lehtësimi (pershembëll) ne e kemi pothuaj vetëm me një vend të madh e të bukur, Turqinë.
Përse nuk mund ta kemi me Bashkimin Evropian?
Në rast se do të paraqitet argumenti i mosrealizimit tonë të dukshëm të parametrave më kryesore të përshtatjes me rregullat e bashkëjetesës së familjes së madhe të Brukselit, kemi të drejtë të bëjmë ndonjë saktësim. Sigurisht jemi më pas të tjerëve, ta zemë rumunëve dhe bullgarëve, në vetorganizimin tone shtetëror e social, por jemi ndër të parët në vullnetin e palëkundur kombëtar për ta lidhur të ardhmen tonë me qytetërimin perëndimor. Nëse ende përbëjmë një problem për BE-në kjo vjen prej një kompleksi të tërë rrethanash historike. Gjysmëshekulli i ashpër izolicionist enverist do të ishte dëshmia më e fundit e pafajshmërisë sonë për shumicën e mangësive që manifestojmë. Një populli të vogël që ja kanë marrë jetën nëpër kembë me gjithfarë lloj ndarjesh e rindarjesh të rendit botëror, kontinental apo rajonal, përse nuk mund ti jepet tani, në rrethana shumë favorizonjëse gjeostrategjike, edhe një kompensim me lehtësimin e hyrjes së përkohshme në Perëndim.
Në ndodhtë të arsyetohet se edhe vetëm ata trafikantë dhe kriminelë shqiptarë që ndodhen aktualisht nëpër kontinent mjaftojnë e teprojnë për ti futur drithmën popujve vendas dhe thenë jo hyrjes së gjithë të tjerëve, ne mund të sigurojmë se ata, shumica e llumit tonë, kanë dalë me kohë jashtë kufijve. Ata që kanë mbetur në vendin e tyre i përkasin vlerave më të mira të tij. Tanimë pothuaj çdo shqiptar që hyn në territorin e zhvilluar të kontinentit më e pakta që bën është përpjekja për të fshirë atë njollë që kanë lënë një pjesë e bashkëkombasve të tij të mëparshëm. Shqiptarët e vitit 2003 janë edhe shumë më të civilizuar dhe mësuar me jetën urbane dhe shoqërinë e hapur.
Në fund të fundit politikat moderne më efikase nuk janë vetëm ato të dhënies së detyrave, por edhe ato të inkurajimit dhe stimulimit të shpresës.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|