Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Islamofobia


Dita, 23 janar 2003


Prolog

Ka më shumë se një javë që opinionit publik po i tërhiqet vëmendja rreth vrasjes mafioze të ndodhur në selinë kryesore të komunitetit musliman në Shqipëri. Kamerat, përherë shumë kurioze dhe jo pak të dëshiruara për nëpërfolje, kembëngulësisht regjistrojnë godinën e lartë në rrugën “Punëtorët e Rilindjes” të Tiranës, pamje deri dje e shpërndarë rrallë nëpër ekranet e tashmë dhjetra stacioneve televizive.
Vrasja e njerit prej drejtuesve më të lartë të muslimanizmit shqiptar është kryer atje. Pak metra më tutje, në po këtë rrugë, sërish në mënyrë mafioze, pesë vite më parë është bërë një vrasje tjetër: ajo e deputetit Azem Hajdari.
Efektet politike apo sociale të dy krimeve nuk mund të krahasohen. Janë të dhimbshme, të trishtueshme dhe revoltuese ato që ngjanë kur i hoqën jetën një politikani të ri e me merita të shumëspikatura në lëvizjen demokratike në Shqipëri, janë jo pak lenduese dhe të mbushura me trishtim edhe ato të marrjes së jetës së një fetari të njohur.
Siç mund të kenë vënë re të gjithë pas kësaj vrasjeje në Shqipëri askush nuk doli në shesh, asnjë turmë nuk u manipulua dhe e humbi vetkontrollin, askujt nuk i shkoi ndërmend të bënte arkivolin demonstrues të një kryefetari tjetër apo të nxirrte armët e pishtarët e zjarrit për t’i vënë flakën selisë “kundërshtare”.
Që nuk ndodhi kështu, mes të tjerash përveç pakrahasimit të dy rasteve, është jo vetëm meritë e kulturës sonë të përgjithshme publike, rritur edhe këto pesë vite të fundit, por edhe e asaj të muslimanëve shqiptarë. Në rast se kjo vdekje e dhunshme brenda selisë së tyre qendrore do të ishte planifikuar si një fitil që do të ndizte në Shqipëri konfliktin mes feve të ndryshme, apo edhe mes vetë asaj, midis liberalëve dhe radikalëve, përleshja do të kishte ndodhur.
Pas kësaj që ndodhi nga përfaqësues të fesë muslimane, që nga hierarkë apo zyrtarë të saj e deri tek poeti i talentuar Ervin Hatibi, vetëm luten butësisht që sytë e ngulur të kamerave dhe interpretimet e papërmbajtura të disa gazetarëve për fenë muslimane shqiptare të rreshtin.
Ka ardhur koha që edhe ne të gjithë të bashkohemi me këtë lutje të tyre.
Aspak për mëshirë, kurrë për t’u krijuar ndonjë privilegj. Në të gjithë botën pala që është viktimë ka të drejtën ligjore t’u kërkojë organeve të masmedias të quajturën “heshtje shtypi”. Me këtë në shumicën e rasteve nuk nënkuptohet mbyllja e publikimit të informacionit korrekt e të paanshëm për ngjarjen e ndodhur, por ndërprerjen e të gjitha spekullimeve dhe instrumentalizimeve që bëhen për të.
Këtë formë “heshtjeje” jemi të shtrenguar ta mbështesim edhe ne dhe arsyet nuk janë të pakta.

Gracka e “luftës mes dy qytetërimeve”.

Që në botë ka njerëz, të cilët duan të duken më katolikë se Papa apo më shumë muslimanë se vetë Muhameti, kjo nuk përbën ndonjë gjë të re. Jo fort e besueshmja deri dje është se e njëjta dukuri po ndodh në Shqipëri: këtu herë pas here këto vitet e fundit nxitojnë të bëjnë reliev portrete të fryra individësh, të cilët hiqen si kalorësit më të mëdhenj të Krishtërimit apo si parzmoret më të pathyeshme të Islamizmit. Për të luajtur këtë përrallë ata nuk ngopen vetëm me disa thërrime ngjarjesh periferike në Shqipëri, por janë gati të shpikin bujshëm armiqtë e “idealeve” të tyre, kjo vetëm e vetëm që të vetngrihen qoftë edhe një centimetër para syve të asaj pjese të opinionit, e cila ka akoma nge të merret me sharlatanët. Këta sigurojnë se mes nesh ka fondamentalistë islamikë të rëndomtë tipikë ala Bin Laden, por edhe të llojit Oriana Fallaçi, shkrimtare dhe publiçiste me famë botërore.
Që në Shqipëri ka terroristë islamikë apo kontigjente të tyre sekrete, të cilat synojnë veprime diversioniste më tej kufijve tanë, kjo nuk është punë hamendjeje as për ta pranuar dhe as për ta mosbesuar. Për zbulimin e neutralizimin e tyre në vendin tonë punojnë specialistë të stërvitur të shërbimeve inteligjente të gjysmës së botës dhe çdo shqiptar nuk ka përse të mos ndihet i sigurtë se këta, sëbashku me bashkëkombasit e tyre të specializuar, këtë punë e bëjnë shumë më mirë se disa shkrues apo polemistë të zellshëm për t’u dukur. Në ka po ashtu pas vrasjes së fundit në Tiranë edhe terroristë islamikë të përgatitur posaçërisht që nëpërmjet një puçi të ozurpojnë drejtimin e komunitetit musliman në Shqipëri dhe më pas ta devijojnë atë drejt interesave binladeze, as kjo nuk mund të hamëndësohet si e vërtetë apo e sajuar katërcipërisht. Puna më e mirë që mund të bëjmë ne të tjerët, të pazotët për të zhbirruar në ujrat e zeza e të thella të ilegalitetit, është të tregohemi gjakftohtë në këtë zallamahi bulevardeske që po pason ngjarjen mafioze.
Ne nuk na lejohet të biemë në grackën e asaj që prej analistëve e studjuesve të botës moderne formulohet me fjalët “lufta mes dy qytetërimeve”. Ne, shqiptarët, ca më tepër nuk duhet të hedhim valle në gojën e humnerës, sipas së cilës aktualisht ky mijëvjeçar ka nisur jo si luftë globale mes ideologjisë komuniste dhe asaj kapitaliste, por si përleshje mes qytetërimit perëndimor dhe atij lindor. Ose: si ndeshje e re mes Krishtërimit dhe Islamizmit. Këtij projekti katastrofal sigurisht që i janë përkushtuar një grusht njerëzish në botë, por aleanca e madhe e pjesës dërmuese të globit, nga lindja deri në perëndim, për luftë kundër terrorizmit nuk është veç përgjigjia e fortë që qytetërimi i vërtetë panbotëror u kthen këtyre provokatorëve. Në këtë aleancë bën pjesë edhe Shqipëria dhe kjo na bën nder.
Do të ishte gjithaq në dinjitetin tonë të mos e përfshijmë opinionin në shqetësimin alarmues se muslimanët shqiptarë, edhe në mos qofshin dishepuj të epërsisë së fesë së tyre mbi atë të krishterë, janë shtrati ku po rritet dita-ditës ideologjia e revanshit të qytetërimit lindor mbi atë perëndimor. Një islamofobi këto çaste do të ishte gjëja më pamend që do të bënim. Ajo do të shkaktonte një reaksion të shpejtë kundërveprimi të ndërsjelltë mes besimtarëve të feve tona kryesore dhe, pa besuar se kjo gjë do të kulmohej me ndonjë dalje në rrugë apo nxjerrje arme e pishtari, do ta bëjnë kërdinë në shpirtrat e shumë bashkëkombasve.
Në bashkëjetesën mes feve të ndryshme të krishtera dhe islame ne kemi një histori të panjollosur gjashtëshekullore dhe një biografi të shkëlqyer tolerance. Aq fort është e ngulitur kjo traditë e vyer sa nuk e shpërbën dot asnjë variant radikal e i dhunshëm. Në qytetin e autorit të këtyre rradhëve, të shquar për bashkëjetesën dhe vëllazërimin mes muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë, pikërisht për ta rënuar, agjentura ushtarake italiane, në kohën e pushtimit fashist të Shqipërisë e quajtur SIM, në vitin 1942 brenda dy netëve realizoi fshehurisht varjen e një prifti në një ndër kishat më të mëdha të qytetit dhe të nesërmen vjedhjen e përdhunimin e “Qimes së Pejkamberit” në xhaminë kryesore të tij. Por nuk ndodhi asgjë, asnjë muskul apo fjalë nervozizmi nuk u shpreh. Nuk u kursye veç zëmërata kundër pushtuesve, tashmë të tronditur nga fillimi i luftës së armatosur të çlirimit.
Në rast se ne, në vitet 1993-1994, pasi i rilevuam shoqërisë së kohës dhe një pjese të klasës së saj politike se anëtarësimi në Konferencën Islamike ishte veprim i ngutur, nuk mund dhjetë vite më pas ta ringjallim këtë tezë, ca më shumë duke kërcitur thirrjen e daljes prej saj me një ceremoni bash më 28 nentor, Ditën e Flamurit. Ky akt nuk mund të kryhet jo thjesht për një papërshtatshmëri totale që ka me rrethanat ndërkombëtare kur propozohet të bëhet, por edhe pse në këtë vendim të njëanshëm e të dikurshëm të vetëm një pjese prej nesh kanë ndodhur modifikime e ndryshime. Presidenti i kohës, Sali Berisha, protagonist i kësaj ngutjeje, në vitet 95 e më pas bëri gjithçka të mundur për ta ekulibruar e sjellë pasojat e ngjarjes së njëanshme fetare në baraspeshim. Në fund të vitit 1996, fund që në thelb përcaktoi largimin e tij nga pozicioni i Kryetarit të Shtetit, ai mund të kritikohet për jo pak gabime, por kurrsesi se gjatë presidencës së tij Shqipëria u bë bastion apo plastdarmë e muslimanizmit kundër Krishtërimit. Sali Berisha nuk është Ali Izetbegoviçi, edhe pse duhet shtuar se edhe ky i fundit, autor edhe i një libri për një Bosnjë muslimane, u bë shumë më tolerant në vitet që pasuan përgjakjen e popullit të vet multifetar. Patjetër ne nuk mund të jemi dakort edhe me atë logjikë, e cila në lajmin për takimin e paradokohshëm në Vatikan të presidentit Alfred Moisiu me Papën, formuloi në edicionin kryesor informativ të televizionit publik italian, Rai, shprehjen se “për herë të parë Shqipëria ka një president të krishterë”. Të gjithë jemi dëshmitarë se Kryetari aktual i Shtetit me sjelljen e tij politike apo shoqërore nuk të lë asnjë hapësirë ta paragjykosh se për të ka ndonjë rëndësi se nga cila fe vjen vetë apo tradicionalisht familja e tij.
Nuk do të ndikonte veç në instrumerntalizimin e një “islamofobie” në rast se këto ditë që mbartin si peshë të rëndë vrasjen mafioze në selinë qendrore të Komunitetit Musliman Shqiptar, të ndiqnim shembullin e pas 11 shtatorit 2001. Në ato muaj, të cilët pasuan ngjarjen që e ndryshoi rrjedhën e mëparshme të jetës sonë, klasa politike bashkëkombase e ushtroi profesionin e saj të zhurrmshëm duke akuzuar njeri-tjetrin se përgjatë mandateve të tyre qeverisëse ishin takuar dhe bërë tratativa me vetë Bin Ladenin. Atë kohë jo vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi i caktuar si shenja kryesore i terrorizmit fondamentalist islamik, nuk kishte konstatuar apo të paktën publikuar se Bin Ladeni, i maskuar apo i pamaskuar, kishte hyrë në territorin e vet (para nëpër banka amerikane iu gjetën me bollëk), por këtë “zbulim” nuk e bëri as Franca, as Gjermania, as Italia. E bëmë ne, disa nga politikanët tanë të majtë dhe të djathtë, të cilët u përpoqën të dëshmonin se kishin prova të padiskutueshme se Bin Ladeni ishte vërtitur si turist nëpër Shqipëri, të paktën për një pesëvjeçar të tërë.
Këtë “haber” e mori menjëherë edhe shtypi i huaj në Perëndim dhe për muaj të tërë nisi të rrjedhë shiu i artikujve se Shqipëria ishte një plastdarmë e fondamentalizmit islamik. Shtrati i këtij rrebeshi të ri me kohë kishte qënë gati në paragjykimin e vjetër se vendi ynë dhe të gjithë shqiptarët janë nga koka në kembë besimtarë muslimanë.

Epilog

Lutja e poetit Ervin Hatibi dhe e bashkëfetarëve të tij për të treguar nga një pjesë e masmedias dhe prej disa analistëve ca maturi në trajtimin e ngjarjes shokuese që u ndodhi brenda shtëpisë, do tua lehtësonte atyre luftën për refuzimin e radikalëve. Këta sigurisht që ekzistojnë, secili prej nesh mund t’i ketë kontaktuar. Me termin “radikalë” nuk kemi parasysh terroristë apo agjentë të përgatitur ushtarakisht në ndonjë kend të hapësirave arabike e më tej, të cilët të mveshur si maskë me fenë islame, “flenë” apo janë në aktivitet terrorist. Me këtë emërtim e kemi fjalën për disa shkolla muslimane këtu në Shqipëri, të cilët i përgatitin nxënësit e tyre jo sipas traditës së muslimanëve shqiptarë, por sipas modelimeve të vendeve të tyre. Fizionomia tradicionale e një besimtari shqiptar, fetarisht tolerant, shoqërisht shumë komunikues, familjarisht mjaft i hapur, qytetar që vesh borselinën dhe kravatën apo ndjek stacionet televizive perëndimore dhe u gëzon koncerteve, po cënohet nga disa portrete të tjera. Këta muslimanë të rinj, pjesë e një kulture jo autoktone, bëjnë një jetë rreptësisht të mbyllur, vetëdoktrinohen njëzetë e katër orë për njëzetë e katër vetëm me paragrafe të Kuranit, nuk lexojnë libra dhe janë alergjikë ndaj kulturave të tjera. Në dialogun më të parë që të ndodh ata e mbyllin me kokëfortësi çdo shkembim mendimi.
Janë me mjekër të gjatë apo jo, nuk ka rendësi, por ky model i eksportuar besimtari islam është trup i huaj në Shqipëri. Klasës sonë të ditur muslimane, me këtë rast, do t’u drejtonim lutjen që të bëjnë ç’është e mundur për t’i integruar këta njerëz të mirë, por rrezikshmërisht fanatikë, që të ndjekin shembullin e traditës sonë të vyer kombëtare.
Me besim se kjo punë e bukur bëhet, ca më shumë kur je i sigurtë se kalaja e parë ku janë ndeshur deri tani e kanë bërë mbrapsht integralistët fetarë apo terroristët binladenas ka qënë patjetër plejada e muslimanëve tolerantë shqiptarë.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com