Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ne rruge kalojne Ramiz Alia dhe Leka Zogu


Dita,30 maj 2003

Del rrallë nëpër rrugët e Tiranës, por shumëve që banojnë në këtë qytet u ka rënë rasti ta shohin. Ramiz Alia ende trupin e mban drejt dhe mosha e thyer nuk duket se tek ai merr aq shumë guxim sa ta kërrusë. I pastër dhe elegant. Me vështrimin e zgjuar e të butë. E kam ndeshur këtë vështrim në fillimmars 1996 në korridorin e gjatë të dhomave të hetimit në burgun 333. Edhe në atë mug qelish ai vështrim ishte po ashtu, i mbështjellë butësisht nga një ngjyrë si një pyll në fund të një vjeshte të artë.
Askush që kalon pranë tij, nuk i hedh ndonjë fjalë ngacmuese, nuk i shpreh ndonjë zemërim, nuk i ulërin të tmerrshmen thirrje të dhjetë viteve të shkuara “Ramiz Alia në litar, komunistët në hanxhar”.
I konsideruari në epokën e bolshevizmit shqiptar si ideolog Ramiz Alia asnjëherë gjatë pothuaj një gjysmëshekulli nuk u shfaq para njerëzve me sy të egërsuar. Patjetër ishte ingranazh i rendësishëm i asaj egërsie shtetërore, e cila vinte sa prej ndjenjës së sundimit të të tjerëve aq edhe prej marrëzisë së një alternative shoqërore utopike dhe pa shtegdalje. Ky ish-udhëheqës komunist, edhe pse tashmë i diferencuar nga shumë paudhësi të regjimit të kaluar, mbetet konstant në idetë e tij, të cilat i shpall qetësisht nëpër ndonjë gazetë a stacion televiziv, në të gjitha rastet vetëm kur ja kërkojnë. Vetë nuk ka asnjë lloj agresiviteti për të bërë protagonistin, në të vërtetë cilësi e hershme e karakterit të tij. Tani tek Alia flet dallon se një ndryshim i lehtë i ka ndodhur, një përparim: disa ide të tij përkojnë më shumë se me bolshevizmin e djeshëm me ato të eurokomunistëve të sotëm, të cilët janë të gjithgjendshëm nëpër kontinent. Ramiz Alia megjithatë ka mbetur më shumë se mbrojtës një justifikues i përmbajtur i pjesës më të madhe të asaj që ndodhi gjatë të quajturës diktaturë e proletariatit, veç asnjëherë nuk ka shprehur mosbesim, përbuzje apo kundërshtim për pluralizmin.
Kështu edhe fillon mesazhi i asaj shëtitjeje të rrallë që ai bën në rrugët afër shtëpisë së vet në Tiranë, i patrazuar nga askush, përveç nga gazetat. Në mes të Tiranës, më pak se njëqind metra nga ish-Komiteti Qendror prej më shumë se një viti është vendosur në rezidencën e vet familja e Leka Zogut. I jati i tij dhe komunistët e Enver Hoxhës luftuan mes njeri-tjetrit deri në vdekje, me të gjitha mjetet, gjer në fund. Gjersa për fat i erdhi fundi mungesës së pluralizmit. Koha e re, edhe pse e mbushur gjer në grykë me të meta dhe paudhësitë e saj, e ka elizirin e kësaj mrekullie: të bashkekzistencës. Kush nuk e do Alinë apo Zogun mund të kërcëllasë dhembët për veten e vet, por nuk mund ta prekë me dorë as njerin dhe as tjetrin. Të dy ata kanë të drejtën të bashkëjetojnë mes të gjithëve. Këtë kulturë e ndesh sot edhe kur konstaton se në jetën e tyre, të patrazuar fizikisht për shkak të së kaluarës, janë edhe Nexhmije Hoxha e fëmijët e saj, nipërit e mbesat e diktatorit.
Kjo bashkëjetesë në një shoqëri që po provon edhe njëherë tjetër ta bëjë jetën efektivisht më të mirë se dje (dhe shpresa kësaj radhe duhet të jetë më e madhe se në çdo moment tjetër të historisë sonë) nuk duhet lënë të ikë fluturimthi nga vëmendja. Leka Zogu, ndryshe nga gjashtë vite të shkuara, del rrallë nga rezidenca e tij, asnjë agresivitet nuk ka kur takohet me mbretërorët e vet. Asnjë zemërim e mllef nuk shpreh, politikanët tanë aktualë e tepër aktivë tregojnë për të mirësjellje, q everia me kohë ka marrë vendimin për trajtimin e kësaj familjeje me një status të veçantë, në themel të të cilit spikatin tre gjeste të kulturuar e mesazhe bashkëjetese: pasaportat diplomatike, kthimi i pronave, sjellja e trupit të Ahmet Zogut dhe varrimi në tokën e tij. Kjo ngjarje e fundit do të jetë një kulmim i pluralizmit dhe i tolerancës sonë, një dëshmi e saj, një zbim përfundimtar e shembujve të këqinj që kemi dhënë si komunitet për hir të ndonjë ideologjie dje e përkatësie partie sot.
Për bashkëjetesën tone pas vitit nentëdhjetë të shekullit të shkuar janë bërë nga politika shumë projekte e janë hedhur në opinion prej saj shumë slogane: “Kuvend i Pajtimit Kombëtar” apo “Të gjithë fajtorë e bashkëvuajtës”. Mbetën e u arkivuan vetëm si dëshira të mira e jo pak truke të sforcuara imazhi demokratik. Vit pas viti pranimi i natyrshëm i pluralizmit nga shqiptarët (një popull që pas poteres së madhe para syve të botës në shpirt fsheh një zemër e endërr paqësore për t’u pajtuar me të gjithë) e përshpejtoi funksionimin e shoqërisë sipas rregullave të një shoqërie të lirë. Një mal me defekte ka shoqëria jonë e përbashkët, shumë tipare të saj duken ende “të egra” dhe fort larg standarteve të simotrave të zhvilluara të Bashkimit Evropian, por tek kultura e bashkëjetesës kemi mbërritur suksesshëm dhe shumë shpejt. Realisht në Shqipëri ka një “hidalgo” kombëtare, një pajtim. “Hidalgon”, gjest me famë botërore, e bënë spanjollët menjëherë pas rrëzimit të diktaturës së Frankos dhe nxitës i saj ishte një mbret modern si Huan Karlosi. Shqiptarëve iu deshën një dyzinë vitesh, por nuk duhet të ndihemi të pakënaqur për këtë, të fajshëm jo e jo: përçarja që na kishin doktrinuar, ishte e madhe mes nesh.
Tani, në këtë mes viti 2003, në Tiranën tonë, në rrugë mund të ndodhë të shkembehen edhe Ramiz Alia me Leka Zogun. Mundet që të dy të mos takohen kurrë, por në ndodhtë e kundërta përse të mos na shkojë në mendje se siç kanë të drejtë ta kthejnë kokën nga ana tjetër, ashtu edhe mund t’i bëjnë njeri-tjetrit reciprokisht ndonjë gjest kortezie. Të dy mënyrat e të sjellurit janë të qytetëruara.
Në të njëjtin television mund të ulet në studio edhe një nga fëmijët e Hoxhës, madje edhe një nip apo mbesë e tij. Nuk tregon nostalgji për diktaturën një shoqëri që i sheh ata nga afër, mëson çfarë mendojnë, çfarë dëshirash e ëndërrash kanë për të ardhmen, sa janë rritur. Nuk i duam të urrejnë gjyshin e tyre, në asnjë mënyrë, por të bashkëjetojmë me ta në një komunitet të lirë. Në Brukselin ku Hoxha i ri mësoi komunizmin stalinist, ata të shkojnë zemerhapur dhe të bindur për aspiratën e demokracisë perëndimore.
Eshtë në nderin tonë kombëtar që po përshfaqim një tolerancë të madhe e dëshirë njerëzore për bashkëjetesë. Ja përse mënyra e pazemër e disa mbrojtrendësve ndaj protestës së lirë dhe duarxhveshur të ish-të burgosurve politikë zgjoi protestën edhe të shumë deputetëve socialistë. Reagimi i tyre nuk ishte demagogji, edhe pse njerëz të veçantë mund të jenë përpjekur për ta paraqitur si një dhunë të pashembëlltë. Përbuzja masive kombëtare e përdorimit të më të voglës forcë ndaj atyre martirëve të moshuar, ishte pjesë e kësaj mrekullie të thjeshtë që ka arritur të bëjë tek ne eliziri i pluralizmit dhe i lirisë.

Ylli Polovina









Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com