Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“Ylberi” qe kaperxeu Top Channel e Rudina Xhunga

Gazeta “Shqip”, 18 prill 2007

Në edicionin e rradhës të emisionit “Shqip” Rudina Xhunga kishte kapërxyer detin dhe shkuar në Siçili. Saktësisht në periferi të kryeqendrës së saj, Palermos. Në rrethinat e këtij qyteti njëmilion banorësh gjendet i shpërndarë në disa fshatra një nga bashkësitë më të mëdha të shqiptarëve të Italisë, atyre që thirren arbëreshë. Pikërisht te njëri nga keto vendbanime, Hora e Arbëreshëve, italisht Piana degli Albanesi, telegazetarja e njohur ishte ndalur për të bërë bashkebisedimin e saj rë rradhës.
A është kjo një ngjarje e zakonshme?
Besojmë se duke mos qënë e jashtzakonshme, nuk është të paktën rutinë.
Kësaj rradhe Rudina Xhunga nuk ka kapërxyer detin, por “ylberin”. Gojëdhënat popullore thonë se kur një vajzë kapërxen ylberin bëhet djalë. “Djalë“ në kuptimin figurativ u bë këtë herë edhe ajo.
E hëna në mbremje e kësaj jave kaloi si asnjëherë tjetër në një garë të fortë mediatike. Ndërsa Rudina Xhunga bënte bisedën me tre arbëreshë të shquar (profesorët univesitarë Françesko Altimari dhe Mateo Mandala, poetin Xhuzepe Skiro di Maxho) dhe poetin e njohur Visar Zhiti, në televizionin “Klan” çifti Bushati-Fevziu, përherë e më kombinuesë e me tema vëmendjetërheqëse, trajtonin prapaskenat e dikurshme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe ditët e fundit të Enver Hoxhës. Paralel me këto dy televizione me ndikim e audiencë të madhe në TVA kryente një intervistë Fatos Nano, një emër që akoma tërheq kërshëri për gjestet e tij politike, pse jo edhe për arsyetimet.
Jo të nisur nga meraku se në rrethanat e kësaj gare pozitive edicionit të Rudina Xhungës iu muarr “haku”, pra iu ngushtua ndopak gjerësia e komunikimit me audiencën e vet. Eshtë fat që ka garë dhe akoma më tepër fat që pluralizmi nuk të lë të kontrollosh e sundosh hapësira të tepruara mediatike. Madje edhe sikur emisionit të sipërcituar të Top Channel konkurenca e natyrshme t’i rrëmbente shikuesë, këtë boshllëk në asnjë mënyrë nuk mund ta kompensonte ky shkrim apo edhe dhjetra të tjerë. Jemi vetshtyrë në idenë e tërheqjes së vëmendjes publike për edicionin e fundit të emisionit “Shqip”, sepse dalluam një mesazh. Ose që ne, të gjithë shqiptarët kudo ku gjendemi, duhet ta ngrejmë e përpunojmë, për ta rishpërndarë sërish, në nivelin e një kryemesazhi.
Në atë ekran të së hënës në Top Channel “ambasadorë” të shqiptarisë ishin të tre arbëreshët e nderuar, patjetër Rudina Xhunga dhe pa asnjë diskutim Visar Zhiti, i cili aktualisht është edhe punonjës i Shërbimit të Jashtëm të vendit tonë, emëruar në Romë. E gjithë biseda prej afro një orë e gjysëm herë pas here theksoi të vërtetën e madhe, por tepër urgjente për t’u kuptuar nga të gjithë ne, se kombi ynë nuk ka aspak dëshirë dhe asnjë të drejtë të ndryshojë kufijtë shtetërorë, por kufijtë kulturorë është vetë Bashkimi Evropian që i ka ndryshuar me kohë. I ka shkrirë. I ka bashkuar. Me të quajturën e të nëmurën Shqipëri e Madhe na kanë rënë mëqafë të tjerët, kurrë ne, që s’e kemi jo vetëm në zemër e kokë këtë ide, por as në ndonjë cep libri. Veç si të gjitha kombet kemi të drejtë të jemi të bashkuar në vlerat tona, në ato që na afrojnë e integrojnë me popujt e tjerë. Që të mos e mbërrinim ndonjë ditë këtë çast, pra bashkimin e vlerave të kombit dhe në mënyrë cinike për të na ndarë nga bashkëjetesa me fqinjët, shovenët na kanë copëtuar kufijtë dhe ndarë në disa pjesë. Koha vërtetoi se ne na munduan, por dëmtuan edhe veten. U doli blof. Lanë plagë te vetvetja, u hapën edhe shqiptarëve. Na lanë pasoja.
Tashmë nuk është vetëm e bukur dhe njerëzore, por edhe e drejtë demokratike që në ekranet e Tiranës të jepen emisione të drejtpërdrejta me bashkëkombas nga Prishtina e Lugina e Preshevës, nga Shkupi, Ohri e Tetova, nga Ulqini e Tivari. Pse jo nesër edhe nga Parga apo Preveza.
Duke shkuar tek arbëreshët me atë format emisioni siç bëri Rudina Xhunga kryhet një hop tjetër drejt rifitimit të lirisë kombëtare, të cilën na e kanë mohuar më parë. Kjo do të thotë se telegazetarja e njohur tregoi se jo si më parë, pra për ndonjë rrethanë njohjeje personale apo nisme individuale të një televizioni apo gazete, por për llogari të një strategjie kombëtare mund të ketë lidhje të drejtpërdrejtë, si në një komunikim që e kryen me qytetin e Shkodrës apo të Vlorës e Sarandës, edhe me qendrat e tjera të bashkësisë sonë. Madje formatet e emisioneve mund të përmirësohen edhe nëpërmjet komunikimit në studio, me telefon apo mesazhe, me të gjithë bashkëkombasit. Rudina Xhunga duke kapërxyer detin dhe “ylberin”, provon se duhet shkuar mes arvanitasve në Greqi apo arbanasve në Kroaci. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka edhe një Institut Kombëtar të Dasporës, i cili e di, për shkak të misionit të tij, shumë më mirë se të gjithë se ku janë e çfarë bëjnë, përshembëll, bashkësitë e vjetra shqiptare në Ukrainë apo Bullgari. Në emision Profesor Françesko Altimari disa herë theksoi se gjithsecili shqiptar, i vjetër apo i ri, në këtë botë të madhe do të rrijë atje ku jeton, punon e krijon vlerë. Mirëpo pikërisht këto vlera që ata kanë krijuar, shumë komunitete të diasporës së vjetër tashmë për shekuj të tërë, duhet të bashkohen. Me pak fjalë tani që bota po globalizohet, duhet të “globalizohen” edhe shqiptarët.
Le ta marrim edicionin “Shqip” të kësaj të hëne, por edhe më parë të dhjetra gazetarëve apo ekraneve, si një kërkim të sinqertë për t’i dhënë një përgjigje pyetjes përse, përshembëll, nuk kemi të paktën në Tiranë, një antenë përsëritëse të disa televizioneve të Kosovës. Cila është, të pyesim veten por edhe klasën tonë udhëheqëse, arsyeja përse nuk ka një zyrë modeste që në vetëm një kanal televiziv gjithkombëtar të përfshijë harmonikisht e të transmentojë emisione në shqip jo vetëm nga media televizive e Kosovës, por edhe nga ai shqip i televizionit publik maqedonas apo malazez. Nëpërmjet transmentimit të tyre (thjesht këtë punë mund ta bëjë një person apo një pajisje që automatikisht bën lidhjen me oraret e programuara në secilin kanal shqiptar) marrim të dhëna e ndihemi shumë më afër jo vetëm me bashkëkombasit tanë, nënshtetas të ligjshëm të shteteve fqinjë të ligjshëm, por njëkohësisht njohim edhe më mirë popujt me të cilët në gadishull bashkëjetojmë.
Kur ndihemi që po ndërtojmë në kohë korridorin, i cili nga Durrësi shkon në Prishtinë dhe prej andej fare lirisht për në Beograd e zemrën e Evropës, përse të jemi kaq të vonuar për “korridorin” mediatik?
Në këtë shkrim për t’i kumtuar njeri-tjetrit mesazhin e mësipërmë mund të zgjidhnim çdo gazetar e televizion. Do të ishin dinjitozë. Megjithatë zgjodhëm Rudina Xhungën. Edhe ajo na bën nder të gjithëve.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com