Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
“Une fal,historia nuk ka perse”


Botuar në revistën “Shqip”, prill 2007


Popujt, edhe pse formojnë bashkësi të mëdha njerëzish, janë si vetë individët: bëjnë gabime apo zgjedhje jo të dobishme. Edhe pse më e shumta që ndodh në fatin e tyre vjen e imponuar nga rrethana që zhvillohen jashtë mundësisë për t’i kontrolluar, jo pak edhe nga tërmete gjeostrategjikë në rajonin përreth, çdo popull ka përherë disa raste që mund t’i shfrytëzojë për të mirën e vet. Kjo aftësi varet nga shumë faktorë, mes tyre edhe nga shkalla e civilizimit të brendshëm qytetar. Varet patjetër edhe nga fuqia ekonomike e tij, përcaktohet edhe nga dimensioni etnik, pra sa numerikisht është. Kur janë popuj të vegjël doemos që e kanë të kufizuar mundësinë e zgjedhjes dhe të kapjes së rastit fatlum.
Shqipëria hyn tek këta raste të fundit. Ajo nuk mund ta zgjidhte dot vetë çastin e shkëputjes nga perandoria osmane dhe shpalljen e pavarësisë. E kishte nisur përpjekjen dukshëm që tre dekada më para se të vinte viti 1912. Po kështu shqiptarët nuk mundën dot të zgjidhnin se i duhej më tepër Fan Noli apo Ahmet Zogu apo të dy bashkë duke u alternuar në një shoqëri pluraliste. Kjo ndodhi sepse të dy rivalët dhe grupet pas tyre nuk përdorën votën e lirë, por edhe mjetet e forta. Ca më pak populli ynë pati mundësinë t’i shmangej pushtimit fashist italian e gjerman dhe vetë Luftës së Dytë Botërore. Ishin zhvillime fatale e jashtë fuqisë së shumë popujve.
Ndërkohë shqiptarët në rast se kanë patur rastin me më pak shans për të zgjedhur të ardhmen e tyre ky ishte komunizmi. Për të mos instaluar fashizmin ja dolën, edhe pse ai ishte që nga viti 1923 shumë afër, vetëm pak orë udhëtim me anije, në Gadishullin Apenin. Aty ishte qeliza tumorale e fatkeqësisë së re të popujve, në Romë. Ahmet Zogu e nisi periudhën e tij të mbretërimit e qeverisjes në Shqipëri saktësisht në të njëjtën kohë me marrjen e pushtetit në Itali nga Benito Musolini dhe ideologjia agresive fashiste. Ndërsa modeli i regjimit italian nuk u bë shembëll për Ahmet Zogun dhe popullin e shqiptarëve, u bë për Adolf Hitlerin dhe popullin gjerman. Çuditërisht tirania e re fashiste hodhë rrënjë në dy nga popujt më të vjetër e më të qytetëruar të kontinentit. Nuk zuri asnjë fije vend në Shqipëri.
Por shmangëm fashizmin (për meritë edhe të Ahmet Zogut) dhe ai na erdhi me avionë luftarakë e anije, uniformë, tanke, blinda, motorr e biçikleta, pllaka gramafoni, balila fashistë e dopolavoro. Fashizmi na erdhi si pushtim. Me t’u shembur tirania e boshtit Romë-Berlin-Tokio, gati si “për inat”, na mbërriti komunizmi. Shqiptarët u gjetën të papërgatitur. Si në të gjithë eurokontinentin komunizmi erdhi si antifashizëm, mbante veshur këtë joshje. Dhe e përpiu gjysmën e Evropës.
Madje e pushtoi, sepse në formë pushtimi erdhi.
Dhe nuk mund të thuhet se tiranitë pushtojnë vetëm vendet e vogla. Komunizmi në fillim kishte pushtuar një nga hapësirat më të mëdha të globit, Rusinë cariste. Atje e kishte hedhur farën e ngritur folenë, prej andej u shpërnda me në buzë kengë internacionale. Shqipëria para këtij fati fatal nuk pikëtinte dot.

oooooooooo

Sot është shumë e lehtë të gjykohet se si shqiptarët u pajtuan me këtë rrjedhë të tyre dhe rezistencën kundër e kryen vetëm një pakicë. Mjaft lehtë sot mund të arsyetohet se me atë regjim nuk mund të bashkëjetohej asnjë minutë dhe se duhej përmbysur brenda njëzetë e katër orësh. Ndryshe nga ne që e jetuam gjenerata e re e pasvitit 1990 e ka të vështirë të kuptojë se ajo ideologji e egër bashkonte në një truk manipulimi gjigand realitetin me dogmën, ëndërrën me zhgjendrën, tiraninë ndaj “armikut klasor” me kujdesin social, arsyen me marrëzinë, botën e re me atë të katandisur gjer në uri. Njerëzimi nuk ka patur kanosës më dinak të të ardhmes së tij se sa komunizmi stalinist.
Nuk po e shtyjmë më tej idenë se shqiptarët nuk e kishin në dorë të ndërtonin një shoqëri tjetër nga ajo që iu imponua pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjes së re të rendit global. Në rast se pas vitit 1990 Shqipërisë i ndodhi t’i çelte shpresa rënia e diktaturës komuniste kjo nuk do të thoshte se e ardhmja tash e tutje do të ishte gjë e thjeshtë: mjaftonte që të dekomunistizohej. Dekomunistizimi i vërtetë është të ngresh një shoqëri të lirë dhe të begatë, ta ndërtosh atë përditë.
Ja përse gjysmëshekulli bolshevik mund të mbetet vetëm histori dhe aspak peshë ndikuese mbi Shqipërinë e viteve dymijë duke zbatuar një teknologji të kujdesshme të çrrënjëzimit të tij. E para mbetet zbulimi dhe denoncimi i veprave të tij kriminale, përfshi edhe emra autorësh që kanë peshuar në realizimin e tyre. E dyta është shpirti i tolerancës dhe akti i faljes. Këtë gjë nuk mund ta bëjë dot një shoqëri e tërë, të paktën përderisa nuk ka ngjarë asnjë kërkesë ndjese nga ata që ndërgjegjshëm e mbajtën në kembë atë tirani. E treta mbetet ndërgjegjësimi kombëtar se mund të ndodhë që një individ apo një familje, një fis apo një qytet, mundet edhe një popull i tërë të falë, por historia në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojë nëpër mend të falë atë gjysmëshekull të rendë. As vetë historia e kombeve nuk mund të falë. Do të ishte gjesti më absurd që shqiptarët të zbonin nga historia atë që u ndodhi në vitin 1913, kur etninë ua ndanë përgjysëm. Po të kishte ndodhur kjo gjë atëhere nuk do të kishim vitin 1999, muajt kulmorë të luftës çlirimtare të Kosovës me përkrahje dhe mbështetje të gjërë ndërkombëtare.
Po e lamë mënjanë historisë, si të ishte thjesht një aksident kalimtar, tiraninë e “komunizmit real” atëhere jo vetëm nuk do të kishim revolucionin tonë të qytetëruar të Lëvizjes së Dhjetorit, por edhe asnjë dëshirë e projekt për të hyrë në Bashkimin Evropian. Historia duhet ta kujtojë, analizojë e dënojë regjimin diktatorial edhe që të na shtojë pasionin e vullnetin për t’u bashkuar me vendet e zhvilluara e demokratike të kontinentit.
Gjërat i duhen lënë në dorë lirisë, zhvillimit, qytetërimit. Qytetërimi nuk ka mllef, por nuk harron.

Ooooooooo

Ky është edhe motivi që kësaj rradhe na çoi te një emër dhe një jetë e veçantë. Tani është një emigrante si mbi një milion bashkështetasit e saj. Quhet Vitore Stefa-Leka. Ajo është gjymtyrë e një prej familjeve më të persekutuara nga diktatura dhe ka lajmotiv të jetës së saj faljen për të gjithë ata që u sollën keq me prindërit dhe familjen e saj, me atë vetë. Jeta në liri e Vitore Stefës doemos që nuk është përpjekje për të fshirë nga historia atë që i ka ndodhur. Ajo deklaron se fal, por jo që harron. Vitore Stefa-Leka nuk fal në emër të hobisë për të falur. Nuk fal as për hir të mëshirës kristiane. Bashkëkombasja jonë Vitore fal në emër të bashkimit të të gjitha energjive të shqiptarëve për të ndërtuar një shoqëri të standarteve perëndomore. Mënyra e të arsyetuarit të saj është e thjeshtë: jemi pak, përse duhet t’i rihyjmë një grindjeje të re brenda vetes. Ajo beson se falje për të gjithë fajtorët nuk mund të ketë dhe do të dëshironte që individë të veçantë ta “paguanin” sadopak, qoftë edhe simbolikisht, padrejtësitë që kanë bërë, veç ka merak se mos tronditet shumë ëndërra e saj e vjetër, ajo e të gjithë familjes Stefa: të qënit bashkuar.
Duke qënë edhe poete Vitore Stefa në vëllimin “Vetmi e largësisë”, në kopertinën e të cilit gjenden pranë njëra-tjetrës pamje të Beratit, vendlindjes së saj dhe të Triestes, qytetit ku ka emigruar që në vitin 1990, ka një poezi kuptimplote “Falja dhe kujtesa”. Në të thuhet “Më thotë koha:’”Duhet të falësh!/Atë që shkoi lëre pas!”/Kur zemra ende m’i ndjen plagët/Plagë të reja dikush më hap.../Më thotë koha: “Duhet bashkuar/Shpirti i shqiptar kudo në botë!”/Po ku ta gjej zemr’e coptuar/Atë fjalën “falje”, që mund ta thotë?!/Më thotë koha, po zemra ç’thotë?!/Zemr’ e lodhur, ç’thua ashtu?!/”Tek unë bën tmerrësisht ftohtë,/ Kujtesa ime ka ngrirë aty!”....
Autori i këtij shkrimi me temë raportet mes dëshirës individuale të faljes dhe rreptësisë së historisë pas tragjedive të mëdha kombëtare e të shkaktuara sëbrendshmi, më shumë se me analizë mund t’i shërbejë shkembimit të mendimeve me lexuesin edhe duke rrëfyer fare shkurtimisht atë që i ka ndodhur familjes Stefa dhe vetë Vitores.

oooooooo

Ceremonia e dorëzimit të Madaljes së Mirënjohjes, dhënë nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, Vitore Stefës iu krye në Romë, në ceremoninë e 28 nentorit 2006, Ditës së Flamurit. Ky lloj organizimi u bë veçanërisht sepse ajo dhe Flamuri kombëtar janë një. Janë simbole të njeri-tjetrit. (Nga poezia “Dita e Flamurit”: “Dhe unë nënë, motër, bijë e këtij kombi/Në gjunjë sot bie dhe puth atë flamur/Ju lutem!/Me të në zemër, Atdheun nderoni/Dhe bëni që syri mos t’i qajë kurrë!”).
Atdheu është shtylla e të gjithë jetës së Stefajve. Të paktën që kur ishte Konstandin Kristoforidhi, stërmbesë e të cilit Vitorja është. Gjyshi i saj Gjergj Stefa ka qënë kryetar i degës së Lidhjes së Prizrenit në Berat. Zëvendëskonsulli francez në Janinë, Ners, i shkruante qeverisë së tij franceze më 1878 se, “shqiptarët e Beratit duan ndarje nga Turqia…Një rol drejtues dhe komandues loz dhe kapedani trim Gjergj Stefa”. Kur ndërroi natyrshëm jetë varrimi i tij u bë madhështor. Sipas shtypit të kohës “vegjëlia e Beratit dhe e Sanxhakut fqinjë mori pjesë në të dhe banda muzikore këndoi himnin kombëtar…”.
Kostaq Stefa ishte i biri i këtij mëmëdhetari. Mes fëmijëve ishte edhe Telemaku, djali tjetër. Sërish flamuri kombëtar i drejton në jetë të dy pasardhësit e Gjergjit. Kur mbushi të tetëmbëdhjetat Telemak Stefa mori rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E nis bojaxhi, por më pas filloi të merret me gazetari. Po ashtu referoi në Kishën e Shën Pjetrit dhe të Shën Pavlit, qendra patriotike të shqiptarëve të Amerikës në Boston. Nga malli në vitin 1936 u kthye në Shqipëri, por duke qënë se kishte punuar si sekretar pranë Fan Nolit dhe kishte ide të afërta me të u arrestua nga mbreti Zog dhe u internua në Gramsh të Elbasanit. Pas internimit mori përsëri rrugën e mërgimit për Amerikë, ku në Boston bashkëpunoi me gazetën “Liberty”. Mes të tjerash aty në artikullin “Çfarë iu këshilloj të rinjve shqiptarë?” nënvizoi dukshëm “T’i ruani zakonet e bukura shqiptare si besën, trimërinë, mikpritjen për mikun dhe urrejtjen për armikun. Mos harroni të martoheni më shpesh midis jush paçka se ka dhe amerikane apo europiane të mira dhe kryesorja është që ato që jua mësuan prindërit tuaj, t’ua mësoni fëmijëve tuaj…”.
Kristaq Stefa, i jati i Vitores, pati jetën më dramatike nga të gjithë fëmijët e veprimtarit të spikatur të Lidhjes së Prizrenit, Gjergjit. Në vitin 1926 arriti të mbarojë shkëlqyeshëm Shkollën Teknike me drejtor dhe pedagog Harri Fulcin, i cili e mbajti aty mësues. Njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze dhe i vizatimit teknik, atij iu ngarkua si detyrë të jepte këto dy lëndë. Kështu pedagogu i ri i Shkollës Teknike ishte vetëm njëzetë e një vjeç. Në vitin 1927 Kostaq Stefa u zgjodh kryetar i organizatës së parë të boy scouts në Shqipëri. Prej amerikanit Harri Fulc ai mësoi shumë dije që i duhen një shoqërie demokratike. Veçanërisht “Puna është shtylla e flamurit” dhe “Sot jemi qytetarë të një shkolle, nesër do të jemi qytetarë të atdheut. Për t’u bërë qytetarë të mirë të atdheut, duhet të bëhemi qytetarë të mirë që në bankat e shkollës...” Kostaq Stefa kur Shqipërinë e pushtoi fashizmi ishte një qytetar i mirë. Kjo e bëri të linte përgjysëm studimet për jurisprudencë në universitetin e Firences në Itali dhe menjëherë të kthehej në atdhe e lidhej me luftën çlirimtare. Ka një libër me titullin “Ikja nga Shqipëria” me autore e Agnes J. Mangerich, të publikuar nga Universiteti Kentucky në 1999, ku ashtu siç i treguan Evelin M. Monahan-it dhe Rosmary I. Neidel-it, përshkruhet hollësisht ndihma që familja Stefa e sidomos Kostaqi u dhanë nga nentori 1943 deri në 30 janar 1944 dymbëdhjetë infermiereve amerikane që të hipura në një avion ushtarak transporti C-53 një stuhi dhe ndjekja nga aeroplanë gjermanë Messerschmitt i detyroi të bëjnë ulje të detyruar natën në një fushë në afërsi të Beratit.
Njeriu që i strehoi dhe pastaj i shoqëroi nëpër një marrshim të vështirë në mes të atij dimëri të njohur si nga më të egërit e gjysmëshekullit ishte Kostaq Stefa. Prej dy rrëfimtareve në libër dëshmohet se “Çifti Stefa kishte katër fëmijë, më i vogli i të cilëve ishte vetëm tre muajsh”, se Kostaqi u ka deklaruar amerikaneve “Populli im e ka parë gjithmonë vendin tuaj si shembull të demokracisë” dhe se Presidenti Wilson “Ishte personi i vetëm që foli për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve atëhere kur dukej sikur vendi ynë do të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Ne u ndjemë sikur ai kuptoi dëshirën për liri të një vendi paçka se i vogël.” Në libër të dy infermjeret dëshmojnë se patrioti i ditur shqiptar u ka thënë miqësisht “Nëqoftëse ju dhe anglezët do të na armatosnit, ne mund të bënim shumë më shumë për të luftuar gjermanët. Ne jemi lutur e lutur për armë dhe pajisje...”

Ooooooooooooo

Vitore Stefa ka një poezi të titulluar “Kujtimit të atit tim, Kostaq Stefa”, pushkatuar më 3 mars 1947”. Të tre strofat e saj thonë “Të priti Nëna, të pritëm ne/I shtrenjti ynë, o Ati im!/Mos bëftë gjumë kurrë mbi dhe/Kush të dënoi me pushkatim!/Kush të qëlloi, të preu rrugën.../Oh, ç’rrugë të gjatë kishe ti!/Aty diku të prisja unë/E duke pritur do vdes, e di!/Pa ty, o Ati im pafaj/Pa ty, i urti, Ati im/Nëna u ndje si zog pa krah/E unë gjithë jetën fëmi jetim!”.
Por si ndodhi që diktatura, e cila po instalohej, i mori jetën një njeriu i cili ishte lidhur me çështjen e çlirimit, një bashkëkombasi që në shtëpinë e tij para se të strehonte e ndihmonte dymbëdhjetë infermiere amerikane në vitin 1942 kishte strehuar fshehurazi për dy ditë e netë Mehmet Shehun (kishte qënë mësues i tij) apo më pas kishte bashkëpunuar me Kahreman Yllin? Gjithçka nisi të përmbysej me properëndimorët që regjimi kishte filluar të likujdonte fizikisht që nga gjysma e parë e vitit 1945. Kostaq Stefa tashmë ishte një njeri që admironte demokracinë amerikane, presidentin Wilson, kishte studjuar te Harri Fulci dhe se ishte për një shoqëri të hapur ndaj lirisë. Në kujtimet e saj “Ditë ankthi” Eleni Kostaqi, bashkëshortja e tij dhe gjatë diktaturës e thirrura me respekt nga shumë bashkëqytetas si “Statuja e Dhimbjes”, sot Mësuese e Popullit, do të shkruante “Në zgjedhjet e 2 dhjetorit propaganda komuniste ishte shumë e fortë, që kështu votat t’iu jepeshin vetëm komunistëve, por ne të gjithë ishim me ata që çliruan Shqipërinë dhe nuk e merrnim dot me mend se çfarë drejtimi do të merrnin ngjarjet...”
Natën e errët të 8 shtatorit 1946 Kostaq Stefën e rrëmbyen para gruas e fëmijëve të vet. Me tre mars 1947 e pushkatuan. Për disa herë rresht, duke filluar nga 18 janari 1993, Televizioni Shqiptar transmentoi gjetjen e eshtrave. Ndodheshin në Uznovë të Beratit. Bashkë me profesor Kostaq Stefën gjendeshin edhe ato të Baba Bedri Carkanjit, Hamit Myftiut dhe Tajfur Hasnedarit. Kërkimet e eshtrave me një eskavator kishin zgjatur dhjetë ditë e netë. Të katër skeletet u gjetën të lidhur me një zinxhir kafshësh e të kyçur me një dryn të madh. Një dëshmitar afër vendpushkatimit tha: “Erdhën policët duke i rënë fort derës së shtëpisë dhe na ngritën nga gjumi. Ne tre më të rinjve na thanë “Hajde shpejt, merrni kazma dhe lopata!” Ne i dëgjuam pushkët, por nuk e menduam se aty në buzë të përroit do të gjenim katër kufoma të torturuara çnjerëzisht. Aty kishte gjak dynjaja...(“Kostaq Stefës i kishin thyer krahun për së gjalli” do të pohonte dëshmitari)...Policët kendonin dhe losnin me çallmën e babait të Teqes, duke e përdorur si top futbolli. Ndërkohë ne i hodhëm njeri pas tjetrit në gropë dhe i mbuluam. Kur mbaruam punë ata na thanë “Për aq sa patë e bëtë këtu, po e hapet gojën gjëkundi, do të përfundoni dhe ju si ata”.

Ooooooooooooooooo

Në të hyrë të Triestes, tek tuneli që thirret Galeria Natyrale dhe ku madhështisht është gdhendur profili i Dantes, në vitin 1992, kur ndodhi aksidenti i një emigranti shqiptar 18 vjeçar, të cilës Vitore Stefa (e thirrur shpesh edhe si Nënë Terezë për shpirtin e pakursyer të ndihmës për bashkëkombasit e pambrojtur), sapo i kishte gjetur në vend pune, ajo bashkë me vajzën e saj po ashtu poete, Mardenën, ngriti një lapidar. Anash tij është flamuri shqiptar dhe në ballë janë rreshtuar emrat e atyre që kanë humbur jetën në emigracion.
Triestinët kur dalin apo hyjnë nga tuneli i bjenë buries tre herë, duke përshendetur poetin e tyre të madh. Shqiptarët kur e kanë të mundur ndalen edhe ata pranë lapidarit të tyre dhe nderojnë bashkëkombasit që duke kërkuar një fat më të mirë, nuk jetojnë më.
Vitore Stefa në atë lapidar të bërë vullnetarisht nga ajo dhe familja e saj ka gdhendur edhe një poezi. Në të nuk flitet përshembëll se si njëherë ajo ndihmoi një djalë të ri të sapo emigruar dhe shumë vonë, kur e pyeti se si quhej, u trondit: ishte nipi i hetuesit të të jatit. E megjithatë nuk u pendua që i dha dorën.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com