Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nentedhjete vite ose fjalet e vonuara per nje avokat

“Shqip”, 2 prill 2006

Kur ndodhi pushtimi i Shqipërisë nga trupat fashiste të Benito Musolinit Thoma Haxhistasa ndodhej në qytetin e Firences. Studjonte për jurisprudencë dhe aty kishte ardhur nga Berati. Shtatë prilli i vitit 1939, siç e dinë të gjithë shqiptarët dhe nuk kanë për ta harruar kurrë, ka qënë ditë e premte. Duke filluar nga tetë prilli në kujtesën kombëtare ajo do të thirrej si “e premtja e zezë“. Përcaktorin “e zi” shumë popuj ua kanë dhënë masakrave të mëdha, epidemive të kolerës apo tërmeteve fundosës. Shqipëria ia dha pushtimit italian. Mes ozurpuesve të tjerë që ia kishin shkelur vatanin për shqiptarët italianët gjithsesi ishin pushtuesit “më të butë“ e megjithatë mbetën të zinj. Përveç historianëve që janë marrë përkushtueshëm me 7 prillin 1939 apo edhe disa shkrimtarëve, nuk kanë bërë vëmendje fare psikologët. E megjithatë ajo duhet të ketë qënë psikologjikisht për shqiptarët, duke e emërtuar si ditë të zezë, një njëzetë e katër orësh tejet traumatik.
Ishte e tillë, tronditëse, edhe për studentët shqiptarë në qytetin e Firences. Të gjithë u mblodhën me ngut te kafene “Paskovski”, e cila ishte qëndra e tyre e zakonshme e bisedave të hareshme, e kujtimeve për vendin e tyre, e ndonjë intimiteti rinor. Gjatë rrugës për atje disa radio të hapura qëllimisht fort që të dëgjoheshin deri në rrugë thërritnin të ekzaltuara për hyrjen triumfuese të ushtrisë italiane në Shqipëri. Thuhej se po i pritnin me lule në portin e Durrësit dhe se një mal tjetër me lule pritej t’u hidhej mbi kokë kur të hynin në Tiranë. E njëjta mllaçitje propogandistike e shurdhuese dëgjohej edhe nga radioja e kafe “Paskovskit”. “Ikim djema!” tha njeri nga studentët dhe të gjithë u çuan njëherësh. Vendosën të shkonin larg gjindjes njerëzore. Shumica e italianëve që i njihnin, tek shkembeheshin, ndoshta nga që vetë ishin shumë të hidhëruar, u dukeshin sikur nuk i shihnin me ndonjë endje të madhe. Ndokush dukej sikur nuk u kursente edhe ndonjë vështrim armiqësor.
“Kafja” e zezë, e cila atë ditë nuk u pi kurrë, u “rrufit” atje, në majë të kodrës, me një nga kujtimet më të trishtuara të jetës së tij, të cilin Thoma Haxhistasa, tashmë plot nëntëdhjetëvjeçar, e ruan mbresë të paprekur. Eshtë një foto. Ndoshta nuk kishin për ta fiksuar kurrë në celuloid atë ditë dhimbjeje, por duke qënë se kodra frekuentohej edhe nga turistë, njëri nga fotografët shëtitës kembënguli shumë që tua bënte një pozë. Iu dhanë kokëfortësisë së tij dhe tjetri e shkrepi aparatin. Nga largësia e gjashtëdhjetë e tetë viteve, tek e sheh atë foto, trishtimi i studentëve ngjan fare i dukshëm. Ditë e vërtetë zie.
Në ditët e mëpastajme, ndërsa ushtria fashiste përfundonte skaj më skaj pushtimin e plotë të vendit të shqiptarëve dhe në Itali festoheshin Pashkët, pas një pushimi të shkurtër shkollor, studentët u rikthyen në auditore. Për Thoma Haxhistasën dhe shokët e tij hidhërimi ishte kthyer në një kupë helmi. Nuk u kishte shkuar kurrë ndërmend që një atdhe i bekuar i besimit kristian të kishte lejuar e në mos përkrahur pikërisht në prag të Pashkëve, madje kur të krishterët katolikë organizojnë të Dielën e Dafinave, ditën e miqësisë e të kujtimit të të parëve të tyre, sulmin e pushtimin e një vendi e populli fqi e mik.
Më 12 prill 1939, ndërsa akoma çirrnin zërin radiot dhe ekzaltimi i propogandës fashiste ende nuk kishte ulur tonet, Thoma Haxhistasa u gjend në auditorin në Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Firences. Orën e parë kishin histori politike, të cilën, sipas kujtimeve të tij, “na e bënte një profesor shumë i fisëm dhe që unë e nderoja në mënyrë të veçantë”. Para se mësimi të niste një student italian u çua nga vendi dhe tha “Kam një pyetje për zotin Haxhistasa. Si po ndihet tani që Shqipëria është e pushtuar?” Shumë i shqetësuar profesori i historisë politike ndërhyri, duke kembëngulur se “kjo nuk është etike”. Pastaj iu drejtua shqiptarit me fjalët “Nuk keni pse të përgjigjeni”. Mirëpo i riu nga Berati, qytet i banuar historikisht nga popull që i largohet sherrit, bëri atë që e kishte marrë bashkë me qumështin e nënës pikërisht në vendlindje: të mos jepej, por këtë ta bënte “butësisht”. U ngrit nga banka dhe shqiptoi me qetësi: “S’ka gjë, unë do t’i përgjigjem, por për këtë kam një pyetje retorike: mund të më thojë zotëria se si mendon se e kanë ndjerë veten italianët kur perandoria austro-hungareze pushtoi Italinë e veriut?”.
Sipas kujtimeve të Thoma Haxhistasës pas asaj pyetjeje të tërthortë “U bë një heshtje, dhe pas një çasti ndjeva se si pothuajse të gjithë në auditor lehtas nisën të përplasnin pëllëmbët e duarve, ndërsa studenti që më provokoi, kërkoi të falur. Pas leksionit, profesori, më shtërngoi dorën duke më thënë “bravo”.


Oooooooooooooooooo

Por i riu që kishte bërë “butësisht” dhe njëkohësisht aq fort rezistencën, nuk ishte një nga ata që mund të përcaktohet me fjalën “ishte një dosido”. Ai në qytetin e tij vinte nga një familje elitare. Në Firence nuk gjendej se ishte keq për bukën e gojës apo bursën e studimit e kishte marë për lëmoshë. Gjendej aty sepse vazhdonte traditën e familjes së tij, e cila për plot pesë breza me rradhë kishte nxjerrë pinjoj që patën studjuar në universitete të huaja dhe kishin krijuar e ngulitur traditën e shkollimit në profesione humane, kryesisht mjekësi. Edhe ai në Universitetin e Firences po arsimohej për të qënë avokat njerëzish të pambrojtur. Avokat kishte qënë edhe gjyshi i tij. Po ashtu Thoma Haxhistasa nuk kishte lindur në një qytet të paemër, por në Berat, historia e të cilit kishte jetë si edhe vetë qytetet kryesore italiane: gati dymijë e pesëqind vite të pandërprera. I riu që studjonte për jurisprudencë kishte lindur në 2 prillin e vitit 1917 jo në periferinë e humbur të qytetit, mes kallamishteve, por në vetë djepin e tij, në kështjellë, në kalanë legjendare që prej ilirëve.
Thoma Haxhistasa kishte baba Vangjelin, një ndër farmacistët më të vjetër në Berat, shqiptar që studioi fillimisht në “Robert College” dhe më tej, në Universitetin e Stambollit. Nëna e tij, Evdhoksi Kolea, ishte vajza e madhe e këshilltarit ligjor dhe juristit për një kohë të gjatë në monopolit francez në perandorinë otomane “La regione de Tabac”, Kristo Kolea. Ajo ishte motër e njërit prej patriotëve më të shquar të çështjes shqiptare dhe luftës për pavarësi, linguistit dhe drejtorit që vuri bazat shkencore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, dijetarit Sotir Kolea.
Thoma Haxhistasa nuk ishte një nga ata plebej, që edhe pse si të gjithë në këtë botë kanë të drejtë të bëhen “patricë“, mbetej një nga ata njerëzit e rendomtë që pati ardhur në jetë si një kacek me frymë dhe do të largohej nga ajo po ashtu, sikur ishte vetëm tollombace. Pa pretenduar se do të bënte bëmë apo histori në qytetin e tij, gjë që si beratas në mentalitet as nuk e kishte shkuar ndërmend, Thoma Haxhistasa u bë në vendlindje në mes të viteve tridhjetë një nga themeluesit e Klubit të Tenisit. Me një aparat fotografik në dorë, që kur ishte fare i ri, ai po ashtu nuk humbi asnjë rast për të fiksuar Beratin piktoresk dhe arkitektonisht të pazakonshëm. Prej kësaj pune të bukur ndodhi që në dekadën e fundit të shekullit të shkuar Thoma Haxhistasa u bë një nga dhuruesit më kontribuesë për ngritjen e arkivit të fototekës së Beratit.
Thoma Haxhistasa ishte një nga ata të rrallë që studimet jashtë vendit i kishte nisur që në shkollën e mesme (Napoli) dhe më 30 tetor 1942, kur përfundoi studimet universitare në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Firences, u laurua me titullin “Doktor në Jurisprudencë”.

Ooooooooooooo

Pastaj jeta e tij u rrokullis ashtu siç mund ta kishte atë fat gjithsecili në Shqipërinë e trazuar nga përmbysje të mëdha politike dhe ku për një gjysëm shekulli studimet jashtë vendit, tradita e pesë gjeneratave të Haxhistasave, do të ndërpritej. Por Thomai do t’i jepej me shpirt profesionit të tij. Në korrik 1943 do të emërohej gjyqtar në Gjykatën e Paqit në Berat, më tej gjyqtar në gjykatën e nënprefekturës së Gjirokastrës, sërish gjyqtar në Gjykatën e Beratit, më pas gjyqtar në prefekturën e Elbasanit. Do të vijonte kryetar i gjykatës së nënprefekturës së Lushnjës, më vonë rikthim në Berat ku nga viti 1951 deri në 1967 punoi fillimisht si avokat e më pas, si përgjegjës i Kolegjit të Avokatëve të qytetit. Me mbylljen e Ministrisë së Drejtësisë dhe ndalimit të funksioniit të avokatit punoi në detyrën e këshilltarit ligjor dhe më vonë përgjegjës i Zyrës së Ndihmës Juridike të qytetit. Në pension doli në vitit 1978. Më pas për katër vite me rradhë Thoma Haxhistasa punoi në bibliotekën e qytetit, ku dha një kontribut të spikatur në krijimin e arkivit historik, duke skeduar mijëra të dhëna të botimeve për Beratin. Vijoi pa u lodhur edhe atë punë vullnetare që e kishte nisur në mes të viteve 70-të, duke dhënë mësimin e gjuhës italiane për qindra intelektualë të qytetit të tij.
Pas viteve nentëdhjetë, me miratimin e ligjit për rifillimin e profesionit të lirë të avokatisë, Thoma Haxhistasa punoi për 4 vite si avokat në vendlindje. Vetëm në vitin 1996, për shkak të rrethanave, u vendos në Tiranë.
Ishte një ndarje që vetëm një beratas e di sa dhemb.
Ndërkohë e kishte bërë një nga gjestet më të bukura të karrierës së tij: i dhuroi Prokurorisë së Përgjithshme disa prej enciklopedive të blera mjaft shtrenjtë në butikë të vjetër dhe të ndryshëm të Firences, me bindjen se ato do të përdoreshin prej prokurorëve të rinj në shërbim të drejtësisë. Po ashtu edhe Ministrisë së Drejtësisë i dha një kopje të të gjitha fletoreve zyrtare të viteve 1945-1979.
Tani nentëdhjetëvjeçari që në vitet 60-të të shekullit të shkuar ka dalë në skenë edhe si aktor në trupën teatrore të qytetit dhe u njoh nga bashkëqytetësit edhe si një ndër tenorët e operave të kompozitorëve më të mirë italianë (po ashtu edhe këngëtar i serenatave spanjolle apo këngëve lirike franceze) ka një merak të përditshëm: studimet e mbesës së tij të madhe Besiana. Ajo si gjyshi dhe stërgjyshi ka zgjedhur si degë studimi drejtësinë.
Dhe detyrimisht Thoma Haxhistasa ndihet i lumtur.
Një shtet është si një familje. Kur edhe familjet krijojnë dhe ruajnë traditat e tyre një ditë jo të largët edhe shteti mësohet ta bëjë këtë gjë me elitën e tij.
Ja përse, jo vetëm në rastin e pabujë të Thoma Haxhistasës, ne jemi të vonuar për të bërë pak “zhurrmë“ për të gjithë elitën tonë. Të paktën nuk duhen pritur nentë dekada.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com