Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pamje naten e Mangalemit
Foto: Pamje naten e Mangalemit
“Mistreci” i Beratit dhe korridori per ne Sarande.

Korrieri, 22 mars 2007

Njeriu që po vizaton në një copë letër një silhuetë të Shqipërisë dhe brenda saj korridoret e ardhshëm rrugorë, të cilët sipas tij përbëjnë pjesë kembëngulëse të dëshirës së kryeministrit aktual për t’u realizuar, është një mik i vetë Sali Berishës. Kuptohet menjëherë që e do politikanin e njohur dhe kur një njeri e do, siç ja sheh vlerat nuk ja dallon dot të metat. Me që këtë sëmundje të adhurimit, e cila zakonisht u ndodh të painteresëve, e kemi kaluar edhe vetë më parë me një politikan tjetër, zgjedhim si qendrim të natyrshëm të mos ja besojmë të gjitha çka thotë. Njeriu i Kryeministrit është entuziast nga natyra, për fat jo i ekzaltuar. Entuziazmin e ka organik, e ka shumuar dhe rritur nga “nevoja”. Jeta e tij dhe e prindërve të vet ka kaluar gjysmën e kohës në Kosovë dhe gjysmën tjetër në Shqipëri. Kur heq mbi letër gjurmët e korridorit Durrës-Prishtinë ai përjeton gëzim të madh. Ajo është edhe rruga që ka në gjoksin e tij si dy herë shqiptar, i këtej dhe i përtej kufirit shtetëror.
Mirëpo në rast se adhuruesi politik e njerëzor i Kryeministrit, duke dashur shumimin e korridoreve rrugorë në vendin tonë, ka të drejtë të spikatë më shumë nga të tjerët gëzimin e lidhjes Tiranë-Prishtinë, autori i këtyre rradhëve bëhet sy e vesh edhe për një lidhje tjetër infrastrukturore: atë Tiranë-Sarandë. Patjetër nuk është fjala këtu për atë bashkim që funksionon prej kohësh dhe gjurmët i kalimit i lë nëpër Durrës, Lushnjë, Fier, Tepelenë dhe Gjirokastër. Vëmendjen e kemi për atë drejtim që del në Sarandë ku gjurmët duhet të lihen në Elbasan e Berat, më pas në Tepelenë dhe Gjirokastër. Ky korridor i ëndërruar nuk është krijesë e këtij kabineti qeveritar, as e atij përpara këtij. Nuk ka qënë përfolur as vetëm pas rënies së diktaturës, por për plot dy dekada të viteve të fundit të saj. Por ndërsa atëhere nuk u bë dot (dhe s’kish se si), tani autostrada Tiranë-Sarandë, duke kaluar nga Berati, ka ditën e vet.
Pyetjes tonë se mos ngulëkembjen kryeministrore për korridorët rrugorë, mes tyre edhe për atë që kalon nëpër qytetin e një mbi një dritareve, i njohuri që vizaton në fijen e letrës të gjithë rrjetin e projektuar si vullnet të pakthyeshëm të shefit të kabinetit qeveritar po na e romantizon, ky bën gjestin e fundit të mbushamendjes: betohet. Jep besë se është pikërisht kështu. Ne të tjerëve, gjithnjë duke bërë rezervat e duhura, na mbetet të gëzohemi. Nuk kemi aq shumë larg në entuziazëm sa të pranojmë se të gjithë atë rrjet rrugor që miku ynë vizaton në letër, do ta bëjë Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo infrastrukturë rrugore, të paktën ajo e pas vitit 1990, ka të shënuar edhe kontributin e shumë projektuesve dhe firmave të ndërtimit, po ashtu edhe e mjaft politikanëve e qeveritarëve. Stafetën e autostradave e nisi Aleksandër Meksi, atë të lidhjes me Prishtinën e shtyu me sa mundi përpara Pandeli Majko, bumin e rrugëve e realizoi Ilir Meta. Pastaj këto nuk janë çështje dëshirash, por mbi të gjitha mjetesh financiare. Jo më kot një fjalë e urtë popullore thotë “mend kam vetë, por nuk kam para”.
Nga shpjegimi entuziast i adhuruesit të Kryeministrit, përherë duke vendosur brezat e filtrave (je i shtrenguar ta bësh këtë me politikanët dhe urinë e tyre të papushuar për propogandë) një gjë duhet ta pranojmë: Sali Berisha i ka “fiksim” rrugët. Sigurisht në këtë vendim dhe po aq vullnet të tij ka vend të kuptohet se kjo nuk është ndonjë patologji, por rezultat i një analize që e ka bërë me kohë. Shqipëria mund të zhvillohet edhe me nismën e një euros, edhe me drita e ujë njëzetë e katër orë, me gjithsecili nga ne karta identiteti dhe me dixhitalizim të jetës. Porse në rast se harron apo lë të fundit çështjen e rrjetit modern rrugor atëhere është njëlloj si të mos kesh bërë asgjë. Mjafton të mungojë nga realizimi i plotë një nga këto shtylla të infrastrukturimit shqiptar që të gjitha të rrëzohen si tulla, njëra pas tjetrës.
Dhe duke qënë se krahas “fiksimeve” të tjera, një pjesë e të cilave, bashkë me përmasën e ngritur të politizimit, duhen lehtësuar nga shprehitë e Kryeministrit, kjo dëshirë e ky vullnet i tij për rrugët duhet besuar e nxitur. Duke qënë se në këtë Shqipëri që po lufton të mëkembet ka edhe një qytet me emrin Berat, nuk kanë përse edhe beratasit të mos bëjnë një “hile” të vogël: ta nxisin pa pushim qeverinë për t’i dhënë sa më shpejt jetë korridorit Tiranë-Sarandë. Le të vejë një apo dy gurë ajo, sepse pastaj mund të vijë Ilir Meta apo ndonjë tjetër nga krahu rozë e pas tij sërish një i fortë nga të kaltërit. Beratasit do të jenë të gëzuar që në monumentin kushtuar përfundimit të kësaj rruge, të cilin do ta ngrejnë me zemrat e tyre, të zerë një vend qendror edhe Sali Berisha.
Duke shkruar kështu nuk po e përkëdhelim Kryeministrin, as po ja provokojmë sedrën. As po e marrim me të mirë. Thjesht po i pranojmë si të vërtetë e si të besueshme dëshirën dhe çdo përpjekje që bën për të bashkuar Tiranën me Sarandën nëpërmjet Elbasanit dhe Beratit. Nuk është vetëm adhuruesi i tij, i cili na e dëshmon këtë ngulëkembje kryeministrore me vijat-korridore që heq mbi shpinën e letrës së bardhë. Këto ditë njoftoi se në rrugën e re Tiranë-Elbasan inxhinieri sipërmarrës Xhevair Ngjeqari do të nisë proçesin e blerjes së tokave ku do të kalojë nëpër luginë traseja. Xhevairi është beratas. Edhe ai ka vullnet si edhe “fiksime”. Xhevair Ngjeqari me stafin e tij ka për ta bërë atë rrugë që lidh lehtas Tiranën me Elbasanin. Ka për ta bërë jo vetëm se ka aftësi e vullnet, ka energji të madhe dhe nga ajo kokëkrisje që është cilësi e guximtarëve, por edhe sepse ai punon për Beratin e tij. Nga Elbasani traseja e korridorit do të shkojë nëpër Dumre drejt qytetit të një mbi një dritareve.
Po ashtu ekziston edhe një provë tjetër: ka pothuaj dy vite që në hyrje të qytetit të Beratit, afër zonës që quajtur Kombinati i Tekstileve, po përfundon studimi i vizibilitetit të një ure të madhe e cila do të kapërxejë lumin Osum. Të gjithë e dinë në qytetin e bardhë (kujtojmë se Berat ka ardhur nga emri Beligrad, “Qytet i bardhë”) se nuk bëhet fjalë për ndonjë investim për unazën e tij. Me atë strukturë natyrore që ka si edhe dimensionet e tij demografike një unazë e përmasave nga ajo që parathotë ura e madhe e pritshme Berati nuk do të ketë ndonjëherë. Patjetër kemi të bëjmë me një pjesë të korridorit të ardhshëm.
Të gjitha rrugët e vrullojnë zhvillimin, por ajo që do të lidhë Tiranën me Sarandën duke kaluar nga Elbasani dhe Berati do të sjellë një rinovim të Shqipërisë, një europianizim e modernizim mjaft të përshpejtuar. Tani në fund të këtij shkrimi të gjitha këto epërsi të pritshme nuk mund t’i argumentojmë me hollësi dhe një për një, sepse janë shumë. Po provojmë vetëm disa nga më kryesoret.
Traseja e kësaj autostrade do të kalojë pothuaj fushazi, buzë luginave lumore dhe nëpër liqenjtë e Dumresë. Pjesa tjetër pas Ujit të Ftohtë të Tepelenës e gjer në Sarandë e Butrint, një perlë e njohur e turizmit shqiptar, duke qënë se ekziston edhe për korridorin që funksionon sot, do të shfaqet edhe më mahnitëse për një arsye fare të thjeshtë: ajo do të rivlerësohet jo aq për shpejtësinë e ardhjes nga Tirana, por sepse do të gjendet në një gjerdan të vërtetë turistik. Ndryshe nga korridoret e tjera infrastrukurorë (me vlera të dukshme mbarëkombëtare, ndërkombëtare apo tregëtare), ai Tiranë-Sarandë nëpërmjet Beratit mbetet Korridori i Turizmit. Dihet që kjo “industri”, duam apo nuk duam, është alternativa më e mbrodhshme që kemi.
Mes Tiranës me harlisje të rritjes ekonomike, arsimore, politike, kulturore e civile, Elbasanit aq zemërngrohtë dhe mikpritës, det kengësh dhe kryeqytet i Ditës së Verës, liqenjve lotuesë të Dumresë, aeroportit (nesër civil) në Kuçovë, e më tej, bukuri natyrore të pafund, Berati është një margaritar. Eshtë vetë shkëlqimi. Ai është një muze i madh i zhvillimit të papushuar qytetar shqiptar dhe i komunikimit të kulturave të ardhura nga lindja dhe perëndimi. Nuk ka Shqipëria një qytet tjetër ku të harmonizohet aq çlirët kështjella impozante dhe më e madhja e banuar në Ballkan, shtatë kodrat me shtëpitë njëra mbi tjetrën që natën duken si rrokaqiej, kishat njëra më e bukur se tjetra dhe xhamitë elegante, historia e Kodikëve të Artë me vlerë ekskluzive botërore dhe e pikturave me të kuqen sugjestionuese të Onufrit, fond i madh i ikonografisë së krishterë dhe qendër e spikatur e letërsisë së bejtexhinjve, vendlindje e Qiprillinjve që për një shekull e gjysëm qeverisën Perandorinë Osmane, qyteti ku u mbajt kongresi i parë i Ortodoksisë Autoqefale Shqiptare, model i tolerancës fetare e politike, qytet i bërë enkas për të pritur të huaj, me kuzhinë mahnitëse dhe njerëz të pastër e të urtë, qytet që përballë ka malin madhështor të Tomorrit, kryeqendrën e pelegrenazhit më të madh në botë të Bektashinjve, çdo vit i mbajtur nga 15 deri 25 gusht.
Berati është në prag të shpalljes së pasuri botërore e UNESKO-s (kanë ndihur për këtë edhe disa politikanë me në krye Presidentin Alfred Moisiu) dhe patjetër ai turist i huaj që përditë zbarkon nga Korfuzi vetëm për në Sarandë dhe rrethinat, do të shpejtojë jo vetëm të kapë Gjirokastrën, por edhe të arrijë Beratin. Por ky Korridor i Turizmit i bashkon edhe më shumë shqiptarët, i lidh më fort në të ardhmen e përbashkët ata me minoritetin vëlla helen. Me një autostradë të tillë që shkurton kohët dhe hapësirat një bashkëkombas me origjine greke do ta ketë po aq të gëzueshme rrugën për në Athinë dhe në Tiranë.
Ky korridor i bashkimit dhe u evropianizimit kryen edhe një shërbim të madh: devorioepirizon. E leckos këtë ideologji ultranacionaliste.
Po ç’lidhje ka fjala “mistrec” i Beratit” në titullin e këtij shkrimi? Ishte thjesht një provokim. Eshtë një epitet i pavërtetë që u është vënë beratasve nga një karagjoz oborri nja tetë dekada më parë. Problemi i Beratit është se nuk ka fare jo vetëm psikologji, por edhe as energji të nevojshme “mistreci”. Ai nuk ka asnjë lob...Prandaj shpreson te kryeministri i tanishëm, po ashtu tek ai që do ta pasojë atë. E kështu me rradhë...

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com