Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tre dite qe tronditen Sali Berishen

Revista Shqip, 14 shkurt 2007

TRE DITE QE TRONDITEN SALI BERISHEN


Vështirë të gjendet një shqiptar nga Kosova, Maqedonia apo edhe Mali i Zi, që kur ka patur mundësinë të kapërxejë për herë të parë kufirin e hyrë në Shqipëri të mos ketë ndjerë emocion të madh, madje deri në prag të ngashërimit. Ka ndodhur e njëjta gjë për një bashkëkombas nga Shqipëria, i cili po ashtu për të parën herë në jetë ka kaluar traun e çdo pike doganore të hyrjes për në Kosovë. Tronditje dhe mall bashkë ka provuar edhe kur ka hyrë në Ohër apo në Shkup, në Ulqin apo në portin e Tivarit. Përmallim të tillë kanë rrëfyer përherë arbëreshët sa herë ka ngjarë të zbarkojnë rishtazi në portet e Shqipërisë apo në aeroportin e Rinasit, siç gjurmë të pashlyeshme u kanë lënë shqiptarëve çastet e vizitave në fshatrat arbëreshe të Italisë. Janë ndjenjat e përkatësisë etnike që i prodhojnë këto emocione. Ato janë të natyrshme për çdo popull të ndarë në pjesë të ndryshme. Historia jo të gjithë kombeve u ka rezervuar shumë fat, ka ndodhur më së shumti e anasjellta. Shqiptarët hyjnë në rastin më të hidhur e më të rendë të ndarjes etnike në Evropë. Janë prerë mes për mes. U ndodhi kjo edhe gjermanëve në fund të viteve dyzetë, por popullit tonë të vogël pabesia i kishte ngjarë që në 1913. Dy pjesët e ndara përdhunshëm të Gjermanisë u ribashkuan në vitin 1989, me të paktën Kosovën një ribashkim nuk ka ndodhur as edhe tani, në fillim të vitit 2007.
E megjithatë, duke pritur që të na bashkojë vetëm tretja e kufijve shtetërorë brenda BE-së, që prej fundit të vitit 1999 shqiptarët e të dy anëve kanë mundur të takohen lirisht me njeri-tjetrin. Pasi me bashkëkombasit në Maqedoni e në Malin e Zi ky takim kishte nisur që në fillim të viteve nentëdhjetë, pas heqjes qafe të diktatorit Sllobodan Millosheviç, pothuaj një dekadë më pas kjo ndodhi edhe me Kosovën.
Që atëhere, pra brenda tetë viteve, me qindra mijra shqiptarë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri. Në fillim treçerek milioni prej tyre erdhën si refugjatë lufte dhe të dëbuar etnikisht sipas planit famëkeq “Patkoj”, më pas për ta njohur nga afër shtetin e vetëm të shqiptarëve, për t’u shmallur me të. Shumë edhe për të pushuar në detet Jon dhe Adriatik. Aq mall kishin bashkëkombasit tanë të Kosovës sa për patriotizëm nuk iu ndanë edhe plazheve tona, të cilët jo gjithnjë ishin fort mirë të përshtatur për shërbime turistike cilësore. Me dhjetra mijra kanë qënë edhe bashkëkombasit e Shqipërisë që kanë shkuar në Kosovë. Vanë atje vullnetarë për ta çliruar nga dhuna millosheviçiane, për të takuar gjymtyrët e munguar të trungjeve të fisit apo të familjes, për ta vizituar si turistë apo edhe për biznes.
Mes qytetarëve të thjeshtë, kengëtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve, profesorëve të dy anët e kufijve i kaluan edhe politikanët. Tashmë kanë histori më vete ato të Ibrahim Rugovës, të Adem Demaçit apo Hashim Thaçit, të Rexhep Meidanit, Pandeli Majkos, Ilir Metës apo Fatos Nanos, të Arbër Xhaferrit apo Ali Ahmetit. Mes këtyre ngjarjeve një “histori” të vetën ka edhe vizita e Sali Berishës. Nuk e përbën veçansinë e saj fakti se të dy “siamezët” e deritanishëm të politikës shqiptare të Tiranës, atij dhe Fatos Nanos, kanë qënë ndër të fundit që kanë vënë kembë në Prishtinë. Në këtë shkrim nuk do të shtyjmë shumë kuriozitet në këtë zhvillim, por do të rrëfejmë ato që ndodhën gjatë tre ditëve të vizitës së ish-presidentit dhe aktualisht kryeministrit shqiptar. Na ndihmoi për ta parë më nga afër “historinë” një nga bashkëpunëtorët e përgatitësit e delegacionit të tij. Ai është F.Gashi.

00000000000

Kur në Shqipëri nuk mbeti më asnjë politikan me zë apo pa fare zë që nuk e kishte vizituar Kosovën, i erdhi rradha edhe Sali Berishës. Që kjo është një anormalitet nuk ke si e fsheh apo bën sikur nuk e sheh. Berisha në vendin e vet jo vetëm është një njeri i rendësishëm pushteti, por edhe një politikan që është përpjekur për ta mbajtur fort nën kontroll zhvillimin e historisë së Shqipërisë së pas 1990-tës. Nuk pati ai vërtet mundësinë që në afro gjashtë vite si President i Republikës të shkonte deri në Prishtinë? Në tetë vite të mëpastajmë si shef i opozitës më të madhe a nuk duket në pamje të parë e pabesueshme të mos e kryente atë veprim të munguar? Si është e mundur që e realizoi vizitën në Kosovë vetëm pak muaj më parë, në mes të qershorit 2006, kur pothuaj po mbyllte vitin e parë si drejtues i një kabineti qeveritar? A nuk duket jashtë logjikës, të cilën si rregull e kanë rrjedhat e natyrshme të ngjarjeve, që kembëngulësi, pushtetgrumbulluesi e njeriu me më shumë vullnet ndër përfaqësuesit e klasës politike shqiptare shkoi i fundit në Prishtinë, Gjakovë, Pejë apo Prizren?
Në pamje të parë është pikërisht kështu: jonormalitet i plotë. Në rast se bëhemi pak të durueshëm rezulton se është dramë. Madje peng e dhimbje personale. Patjetër Sali Berisha si politikan ka patur nevojë urgjente për të qënë i pranishëm me një vizitë të tij në Kosovë. Jo thjesht për të prodhuar një ngjarje politike e mediatike, botuar më pas libërtha apo fletëpalosje propogandistike, montuar reportazhe apo filma dokumentarë. Patjetër kjo meny e larme shërbimesh është e domosdoshme për punën e një politikani të rendësishëm dhe përderisa e kanë bërë të gjithë pararendësit e tij përse të mos e bënte edhe ai pas vizitës së tij të parë, për kaq kohë e synuar?
Sali Berisha e ka patur këtë urgjencë vizite në Kosovë edhe për të sfiduar e “mundur” rivalët e tij, të cilët mundësinë e vajtjes atje më parë se ai e përdornin si pjesë të garimit dhe të epërsisë. Për politikanët shqiptarë (dhe jo vetëm për ta) Kosova ka qënë e mbetet një “hambar” i madh i grumbullimit të konsensusit dhe mbështetjes politike kombëtare. Tek e shkruajmë këtë gjë nuk pohojmë se kanë bërë e bëjnë ndonjë gabim politikanët e Tiranës që kërkojnë në Kosovë përkrahës moralë apo edhe admiruesë personalë. Nuk gabojnë aspak edhe politikanët e Kosovës që si dje ashtu edhe sot kryejnë me pasion të njëjtin veprim: e vizitojnë Shqipërinë. Ata vijnë parreshtur në Tiranë mes të tjerash edhe për të krijuar jo vetëm rrethin e mbështetësve të tyre të caktuar në klasën pushtetushtruese të kryeqytetit shqiptar, por edhe për të grumbulluar konsensus mes bashkëkombësve. Kombi nuk ka humbur asgjë nga kjo vajtje-ardhje e papushuar, ai veç ka fituar. Kufijtë shtetërorë ne nuk i prishim, por vlerat e figurat kryesore përse të mos i bashkojmë? Gjatë viteve nentëdhjetë e fillimit të mijëvjeçarit të tretë politikanët shqiptarë këtej dhe përtej kufirit nëpërmjet personaliteteve të tyre kanë patur raste të mëdha për të ndihmuar në këtë përafërim të njeri-tjetrit dhe në thelb të vetë gjithë shqiptarëve. Presidenti Meidani madje ka botuar një libër për Kosovën, kurse Pandeli Majko bëri dukshmëri të gëzuar duke shkuar në Prishtinë me rastin e martesës së vëllait të tij me një vashë kosovare. Arbër Xhaferri boton në shtypin e Tiranës analiza të shumta e të kultivuara, të cilat kanë mjaft lexues.
E keqja e madhe do të na pllakoste në qoftë se politikanët e të dy anëve të kufirit do të kërkonin votues të tërthortë jashtë juridiksionit të territoreve shtetërorë ku kanë të drejtë të ushtrojnë ndikim elektoral. Në gjysmën e parë të viteve nentëdhjetë janë hedhur kuturu disa çape në këtë shteg të verbër, por më pas çdo gjë ka rrjedhur në frymë korektese të ndërsjelltë. Me të kaluar kufirin shtetëror për në Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi nuk ka parti politike të caktuar, por ka vetëm bashkëkombas. Bashkëkombas dhe vetëm bashkëkombas ka edhe për ata partiakë që nga trevat shqipfolëse kapërxejnë kufirin dhe hyjnë në shtetin tonë.
Sali Berisha e ka patur më shumë urgjente se kushdo tjetër politikan shqiptar i Tiranës që të shkonte në Kosovë, për të mos thënë se nuk ndodhte asnjë prishje rregulli që të ishte i pari. E megjithatë shkoi i fundit. Këtu duhet të gjejmë edhe gjurmët e një brenge të gjatë të tij, pse jo edhe të asaj drame personale që duam në këtë shkrim ta kërkojmë e gjejmë nëpërmjet rrëfimeve të ndihmësit të tij F.G. Në rast se Berisha ishte figura e parë që mori e i dha energji të gjithë proçesit të ndërlikuar të rrëzimit përfundimtar të diktaturës në Shqipëri, përse të mos ishte i pari që të shkonte në Kosovë? Mirëpo jo vetëm ai, por asnjë politikan i Tiranës nuk mund të shkelte dot në Prishtinë pa u çliruar Kosova nga populli i saj nëpërmjet përpjekjes me rezistencë paqësore dhe më pas me armë. Askush nuk mund të mburret sot se hynte në Kosovë pa ndërhyrë atje fuqia e madhe ushtarake e Aleancës Atlantike. Në biografitë e tyre të gjithë pushtetushtruesit e vendit tonë e kanë rreshtuar vizitën te bashkëkombasit kosovarë vetëm pas verës së vitit 1999. Përderisa në qeverisje në këtë periudhë ishin rivalët politikë të Sali Berishës për shumë arsye do të ishin ata të parët që të vendosur në startin e garimit, do t’ja dilnin të vraponin. Edhe Berisha ishte rreshtuar në buzë të vijës së bardhë të startimit, por dihet që në raste të tilla vrapi niset pasi bie “bilbili”. Pa e dëgjuar shumë këtë “bilbil” ish-presidenti shqiptar atë kohë vetëm shef i opozitës tentoi njëherë, në vitin 2002, ta kryente këtë vizitë të munguar gjatë, por nuk u lejua. UNMIK e sqaroi në kufi se në parim nuk ishte aspak kundër një vizite të tij në Kosovë, por veç jo ato çaste, pak më vonë. Sipas formulës shpjeguese që iu dha mirësjellshëm, atë kohë gjendja e stabilitetit të brendshëm në territorin e marrë nën përgjegjësi qeverisjeje të përkohshme nga OKB ishte ende e brishtë dhe prania e tij mund të mos ushtronte ndonjë ndikim posaçërisht qetësues.
Kështu Sali Berisha u rikthye drejt Tiranës, në pritjen e gjatë për të hyrë atje ku lufta e rivaliteti politik i ashpër nuk po e ndihmonin e ndërkohë që më shumë se politikan kishte nevojë të shkonte në Kosovë e ta vizitonte atë në të gjitha vendet e saj historike si njeri, si individ, si person, si vetëm shqiptar. Vonesën e tij problematike të krijuar nga politika e kishte lënë mënjanë, e kishte rreshtuar në rradhë të dytë. Tashmë politikisht kishte aq përvojë sa edhe pse do ta bënte vizitën në fund të të gjithë kolegëve të Tiranës shkathtësisht të rifitonte dyfish pikët e humbura. Problemin e vërtetë dhe po aq brengën e kishte si njeri. Pak e dinin përse malli për ta parë nga afër Kosovën po e digjte së brendshmi, thjesht si Sali Berisha nga Viçidoli i Tropojës. Shumë pak mes shqiptarëve e mbanin mend se në fjalimin e tij të parë në Qytetin Studenti si një nga prijësit kryesorë të Lëvizjes së Dhjetorit, ende pa u mbyllur vitit 1990, disa herë kishte përmendur Kosovën. Kundërshtarët e tij politikë këtë citim të Kosovës kur më së pari ishte urgjente çlirimi i vetë Shqipërisë nga diktatura realkomuniste e interpretuan si ndjenjë frike të tij, si mosguxim për të dalë hapur kundër Ramiz Alisë. Me një fjalë donin t’i thoshin se “nuk ia mbante” që në orët e para të protestës popullore të delte kundër regjimit dhe kështu luante patriotizëm me temën e Kosovës. Mirëpo nuk ishte tërësisht e në mos aspak kështu. Për shumë arsye që lidhen me vetë kontekstin politik të atij dhjetori 1990 ato ditë të para të protestës antikomuniste nuk mund të përdorej po ajo gjuhë politike që u konsumua dy muaj apo një vit më pas. Berisha fjalën Kosovë e përdori për dy arsye që iu dukën ato çaste madhore: ishte i bindur se vetëm ndërsa niste realisht shembja e diktaturës puniste në Shqipëri hapej me të vërtetë edhe rruga për të çliruar Kosovën. Kur perandoria komuniste përfshiu, bashkë me shumë vende të Evropës Lindore, edhe Shqipërinë, nuk ndodhi aspak çlirimi, por vazhdimi i robërisë së Kosovës. Për pesëdhjetë vite me rradhë kjo robëri nga Titua te Millosheviçi vetëm u rendua. Rënia e “Perandorisë së Kuqe” ishte shansi real i shpëtimit të Kosovës. Dhe a nuk ndodhi kështu? Në fillim u “çlirua” Tirana dhe më pas edhe Prishtina. Nuk mund të ndodhte e kundërta, siç nuk mund të ngjante që pa u çliruar Kosova të shpëtonte nga e kaluara edhe Ballkani. Kosova ishte dhe mbetet pika më nevralgjike e qendrueshmërisë dhe kohezionit të gadishullit tonë dhe për këtë gjë Sali Berisha në dhjetor 1990 nuk gabonte. Ishte aq largpamës sa t’ja admirojmë tani, në vitin 2007, këtë gjest? Nuk e dimë. Veç nuk i bëjmë ndonjë ledhatim po të themi se të paktën nuk ishte dritëshkurtër si jo pak atë kohë qenë.
Por ka edhe disa rrethana të tjera që ja kanë vënë në gjuhë fjalën Kosovë Sali Berishës në fjalimin e tij të parë para protestuesve antikomunistë. F.G. thotë se rrethin shoqëror që ai kishte patur deri ato çaste pothuaj të gjithë e kishte të lidhur me Kosovën. Mendonin e gjykonin njëlloj kur binte fjala për çështjen e çlirimit të saj. Dhe më kryesorja nga rrethanat ndikuese: vendlindja e Berishës. Fshati Viçidol, ku ka lindur, quhet Malësia e Gjakovës. Ai është në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri, ndodhet në brezin e prerjes së përdhunshme të vitit 1913, gjendet në zonën tërmetore, atje ku dhimbja e ndarjes therri më shumë se kudo tjetër dhe për pasojë ishte më e ndjerë klithma e zëmërimit. Të gjitha lidhjet farefisnore, komshijtë, të gjitha martesat në Vuçidol e në Malësinë e Gjakovës janë në të dy anët e kufirit. Kjo malësi ka qënë një intentitet unik jo vetëm gjeografik, por edhe kulturor e zakonor. Për më shumë se nentëdhjetë vite kryeqendra e kësaj malësie, qyteti i Gjakovës, mbeti andej kufirit, fshatrat kendej. Ishte njëlloj si të thuash sot se si mund të kuptohej identiteti i Malësisë së Tiranës pa vetë Tiranën. Vuçidoli dhe banorët e saj brenda hapësirave shqiptare kryeqytet kishte Gjakovën. Për këtë e shumë arsye të tjera Sali Berishës fare lehtësisht mund t’i thuash se ishte e mbetet edhe një kosovar. Me kufij të paprishur kishte shumë të ngjarë që shkollën e mesme në vend që ta niste e përfundonte në Tiranë, siç edhe ndodhi, ta fillonte e mbaronte në Gjakovë. Nuk e di kush ku do t’i kryente Berisha studimet universitare me një Shqipëri reale, në Prishtinë apo në Tiranë. Eshtë politikani ynë i vetëm që është po aq shqiptar i Shqipërisë sa edhe i Kosovës. Njeriu i lindur në kufi të kufirit të Luftës së Ftohtë, pjesëtari i një fisi autokton e të ndjerë të Malësisë së Gjakovës, nuk mund t’i shpëtonte dot ngulçit të ngashërimit kur në ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë kryetari i Kuvendit Komunal të qytetit, Aqif Shehu, shqiptoi solemnisht para sallës së mbushur plot me njerëz fjalët “Ju jeni qytetar nderi i qytetit të Gjakovës”. Shtëpia e tij, Kulla e Berishajve, ku tani banojnë djemtë e xhaxhallarëve, ka ndikuar fort në formimin e tij socialpsikologjik. Influenca e kësaj Kulle në individualitetin e Sali Berishës ka qënë herë pas here më shumë se objekt studimi, një mjet për ta demonizuar primitivizuar politikën e tij, por nga admirues edhe për ta madhështuar nëpërmjet teknikave të foklorimit. Sidoqoftë kur e shpallën qytetar nderi në Prishtinë ai nuk u përlot dhe i mbajti në kufij zyrtarë ndjenjat që provoi. Emocionet nuk i zotëroi dot vetëm në Gjakovë. Kjo ndodhte sepse përveçse ishte po aq sa shqiptar i Tiranës dhe i Prishtinës ai vetndjehej ato çaste plotësisht edhe gjakovar. Kulla e Berishajve aty nuk ishte as prehistori dhe as folklor. Ishte realitet që e krenonte. Ajo kishte qënë baza kryesore e UÇK-së në pjesën e Malësisë së Gjakovës që ka mbetur brenda kufirit të Shqipërisë e që ndryshe thirret edhe krahina e Tropojës. Kulla e Berishajve ishte një ndërtesë e mbajtur, pikë referimi dhe orientimi ushtarak, e pozicionuar në një vend strategjik, kishte ambiente për të jetuar e punuar, pati brenda saj fis të lidhur pazgjidhshmërisht me Kosovën.
Pas shpalljes “Ju jeni qytetar nderi i qytetit të Gjakovës” dhe ngashërimit të politikanit që njihet më së shumti si njeri i ashpër, u përlotën jo vetëm bashkiaku Aqif Shehu, por edhe njerëzit e shumtë në sallë. Ishte ky çasti kur Sali Berisha u pohoi të gjithëve se “Unë për gjashtëdhjetë e dy vjet kam ardhur me mend e mi në Kosovë, pa pyetur kërkend. Me mendjen time kam ardhur aq herë sa kam patur qejf. Çdo gjë, zemrën e kam patur të lidhur me Kosovën. Kam dalë me qindra herë në ato maja shkrepash atje lart vetëm që ta shihja, ta dija të paktën si nocion ku ishte Kosova”. Të gjitha këto fjalë, edhe pse dukshëm janë të ndjera, ndokush mund t’i marrë si thjesht oratori mjeshtërore politikanësh me përvojë. Porse F.G., lindur në Kosovë dhe atje kaluar më shumë se gjysmën e jetës së vet, pohon se në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës në Kosovë, ndërsa gjendej në makinën e tij për ta shoqëruar, vuri re se Berisha e njihte gjeografinë e Kosovës përafërsisht si ai. Veç me një dallim jo të vogël: pa qenë kurrë atje. Përshembëll ndërsa udhëtonin dhe një çast rruga mori një kthesë të thellë Sali Berisha e pyeti ndihmësin e vet “Aty në të djathtë kush është?” F.G. iu përgjegj “Aty është Drenasi, ish-Gllogovci”. Vetëm kaq kishte mjaftuar që politikani kryeministër i Shqipërisë të shtonte se “vendbanimi tjetër që është në kryqëzim duhet të jetë Kamarani”. Vijuan rrugën më poshtë. Berisha sërish pyeti “Çfarë është kjo këtu?” Ndihmësi: “Kodra e Dollcit”. “Atëhere” shtoi politikani i Tiranës “tani djathtas është rruga për Klinë, majtas për Gjakovë” “Po, doktor” pranoi F.G. Sali Berisha në atë vizitë pa qënë kurrë në Kosovë donte vetëm një pikë referimi dhe pastaj dëshmonte se e njihte pëllëmbë për pëllëmbë gjeografinë e terrenit ku kalonin. Kur shkuan në Pejë F.G. i tregoi drejtimin e Grykës së Rugovës dhe nisi t’ia shpjegojë, kur Berisha ia ndërpreu fjalën e tha “Këtu, në krahun e djathtë, duhet të jetë burimi i Drinit, kurse në krahun e majtë maja e Gjeravicës”. “Po, doktor”. Kur makinat e delegacionit dolën në Deçan Sali Berisha e pyeti ndihmësin e tij të lindur në Kosovë se ku binte Rrasa e Zogut. Bashkëpunëtori ia shpjegoi. Pas kësaj për minuta të tëra kryeministri i Shqipërisë i përshkroi të gjithë hartën gjeografike të zonës.

00000000000000

Pas zbritjes në aeroportin e Prishtinës më 15 qershor Sali Berisha me një buqetë me lule shkoi menjëherë te varri i Ibrahim Rugovës. Pastaj u kryen takimet me Presidentin, me Kryeadministratorin, me Kryeministrin, me kryetarin e Parlamentit. Pasi u takua me të gjithë drejtuesit e partive politike duke i shkuar gjithsecilit në selinë e partisë së vet, nuk e vonoi takimin edhe me ata të minoriteteve serbe, turke, rome si edhe me grupin e tyre parlamentar. Mbajti një fjalim në parlamentin e Kosovës dhe kur u shpreh se duhet të ketë më shumë hapësira të drejtash për serbët u përshendet nga të gjithë deputetët me shumë duartrokitje. Sali Berisha në të tre ditët e vizitës së tij nuk bëri asnjë takim preferencial. Jashtë politikës kreu në Parkun në Gërmi, një bar, vetëm një bisedë me miqtë. Ishte thjesht një pirje kafe.
Ditën e dytë shkoi te varri i Adem Jasharit në Prekaz, pastaj u takua me komandandin e Kfor-it. Në orët e mëpastajme u nis për në Fushë Kosovë, ku u takua miqësisht me të gjithë Këshillin Komunal të drejtuar nga gazetari i njohur i “Rilindjes” dhe poeti Skender Zogaj dhe ku në krahun e tij të djathtë rrinte nënkryetari serb. Ky gjithë kohën iu drejtua Sali Berishës me fjalët “Zoti Kryeministër”. Aty ishte edhe edhe prifti i kishës ortodokse serbe të qytetit të Fushë Kosovës, Jeremiç, me të cilin u mirëkuptuan dhe u ra dakort që me fondet e qeverisë shqiptare atij vendi kulti t’i bëheshin disa riparime e ristrukturime të nevojshme. Dihet që pas një jave autoritetet e larta të Kishës Autoqefale Serbe ndërhynë për të mos e pranuar këtë ndihmë që ishte një mesazh simbolik miqësie e respekti për pakicën serbe në Kosovë.
Ditën e tretë, në tetë të mëngjezit, u nisën për në Pejë. Gjatë gjithë rrugës F.G. i tregoi në Zahaç vendin ku policia speciale serbe kishte vrarë tridhjetë e gjashtë shqiptarë. Më tej ishte Qyshku ku serbët masakruan pesëdhjetë e gjashtë të tjerë dhe bashkë me ta edhe të jatin e gjeneral Agim Çekut. Berisha ndihej shumë i emocionuar sa herë që flitej për të rënët. Pas takimit në Kuvendin Komunal të Pejës të drejtuar nga Ali Lajqi, bënë në kembë distancën për te përmendorja e Haxhi Zekës. Pas një vizite të shpejtë për të parë Grykën e Rugovës, dymbëdhjetë kilometra larg Pejës, në Deçan Sali Berisha kërkoi papritmas të ndalej e nderonte permendoren e Luan Haradinajt, njërit nga vëllezërit e rënë në luftë të Ramush Haradinajt. Më pas, pesëdhjetë metra më tutje, kërkoi të ndalej e nderonte përmendoren e Sali Çekut. Gjatë luftës për çlirim të dy të rënët u takonin krahëve rivalë politikë, por që për lirinë e vendit të tyre u bashkuan dhe e dhanë jetën pa asnjë hezitim.
Në hyrë në qytetin e Prizrenit, në Landovicë, ku janë varrezat e treqind e ca dëshmorëve të UÇK-së, Sali Berisha u përul dhe vendosi një kurorë me lule. Pas takimit me Kuvendin Komunal të qytetit vizituan kompleksin e Lidhjes së Prizrenit dhe jashtë godinës pas një konference për shtyp dhe një interviste për Televizionin e Kosovës, delegacioni mori rrugën drejt kufirit me Shqipërinë. Aty Berishën e priste helikopteri që do ta çonte në Tiranë. Ishte ora katër e gjysëm e pasdites. Ndihmësi F.G. thotë se në momentin kur u ndanë dhe kryeministri hipi në helikopter, atë që ndodhi mes tyre në një apo dy sekonda, ai nuk ka për ta harruar kurrë për të gjithë jetën. Ishte vetëm një shkembim i shpejtë vështrimi. Fjalët me të cilat ky i fundit përpiqet edhe shumë muaj më pas të shpjegojë atë të ndodhi përmbajnë emocionueshëm grumbujt e fjalëve “Ato çaste më dukej njeri i ngopur nga ajo vizitë....nga ai vështrim kam marrë një energji...ai vështrim më ka goditur”.
Po cila ishte ajo “goditje” energjie që shkembyen gjashtëdhjetë e dy vjeçari i lindur në kufi me Kosovën dhe që e pa atë vetëm në tetor 2006 me ndihmësin e tij me vetëm afo dyzetë vite jetë të lindura në Kosovë? Më mirë se kushdo këtë që ndodhi ndërsa Sali Berisha do të ngrihej drejt qiellit për ta parë edhe njëherë tjetër në atë çast ndarjeje tokën që e kishte përmalluar për gjashtë dekada, e shpjegon përlotja e tij në sallën e pallatit të kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.
Nga vetëtima e emocionit të tre ditëve të paharruara ishte goditur ai vetë. Prandaj edhe shpërndante për të tjerët.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com