Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dolli e harruar per politiken

Botuar ne Korrieri, 29 dhjetor 2006

Tani që 2006 u bë një vit i vjetër dhe i ri pritet të jetë 2007 pyetja më e arsyeshme që mund t’i bësh vetes është nëse dymbëdhjetë muajt e pritshëm do të jenë më të mirë se ata dymbëdhjetë të tjerët që shkuan. Këtu gjithsecili bën peshimin e vet dhe askush nuk e di sa është në Shqipëri përmasa e atyre që mbetën të kënaqur nga 2006 dhe janë optimistë për 2007-ën. Po ashtu nuk dihen sa janë edhe ata që përfunduan të zhgënjyer nga ky vit dhe nuk kanë asnjë besim se pasardhësi mund tua përmirësojë jetën. Dihet në mënyrë të sigurtë se të paktën mbrëmjen dhe natën e 31 dhjetorit shqiptarët do ta kalojnë me dëshirë për ta gëzuar. Ajo është festa më e madhe e tyre gjatë një viti. Eshtë më e bukura dhe më e sinqerta. Eshtë momenti më sublim kur bëhen dhurata. Eshtë çasti më bujar i vitit, më i ngrohti për të komunikuar dashuri për njeri-tjetrin. Eshtë rasti për t’u rishfaqur edhe politikanët. Këtu nuk e kemi fjalën për presidentët, të cilët në të gjithë vendet normale në orën njëzetë të 31 dhjetorit u shpërndajnë bashkëkombasve mesazhin e vitit.
Politika shqiptare mund të mos jetë tema kryesore e festës, madje ajo për Vitin e Ri është më e braktisura në atë tryezë gëzimi. Kjo nuk ndodh sepse politikanët janë patjetër emra që doemos do të sillnin mbrapshti. Festa është familjare dhe vetëm në kohën e regjimit monist na ka ndodhur të bënim këtë natë urim edhe për politikanët e kohës. Mirëpo ndryshe nga zakoni i ri dhe i bukur që ka hyrë pas vitit 1990, pra për të mbajtur politikën larg bisedave të 31 dhjetorit duke u gdhirë 1 janari, në këtë shkrim po bëjmë një provë të kundërt. Po i kujtojmë.
Sigurisht jo nëpërmjet një dollie. Nuk do të kishte më keq për një popull, i cili në ndërrimin e viteve do të përplaste gotën për një jetë sa më të gjatë të këtij apo atij politikani. Jetë sa më e gjatë i duhet atij vetë, popullit. Eshtë ai i harruari më i shpeshtë, po ashtu edhe më i braktisuri, më i nënvleftësuari.
Megjithatë pa ngritur asnjë dolli dhe bërë asnjë “shendet” për politikanët tanë po i kujtojmë këtë fundvit, sepse duke mos qënë patjetër fati ynë i ndritur, nuk janë “delja e zezë” e Shqipërisë. Jemi mësuar e në mos vetdoktrinuar se politikanët shqiptarë janë fati ynë i mbrapësht, janë vetë fatkeqësia e kolera që na ka pllakosur e nuk na lëshon. Po i kujtojmë politikanët tanë këtë fundvit, sepse nuk mund të shkohet fort gjatë me krizën e rendë të besimit që kemi mes njeri-tjetrit, popullit dhe klasës politike. Do të ishte pragu i një gremine në rast se këtë grup bashkëkombasish do ta shihnim si të nevojshme për ta hequr qafe, për ta dëbuar nga Shqipëria, për ta mallkuar me moskthim, për ta çuar prapa diellit.
Dihet që ky funddhjetor 2006 është një nga çastet më pak të përshtatshëm për të guxuar një urim për politikanët apo për të dhenë një vlerësim të gëzueshëm për ta. Më e pakta do të përfundoje një servil i shplarë. Ky funddhjetor i zënë duar e kembë me një nga mosmarrëveshjet më të mëdha të krahëve rivalë nuk të jep shumë hapësirë e nuk të lehtëson me asnjë justifikim për të bërë një përpjekje të tillë për politikën.
E megjithatë kësaj rradhe, në prag të këtij Viti të Ri 2007, kembëngulim ta bëjmë, duke marrë përsipër pasojën. Jemi të bindur se pa ngritur dolli posaçërisht për asnjërin prej politikatëve tanë një vlerësim inkurajues për ta duhet e mund ta bëjmë. Aspak se përshembëll më në fund, kur punët shkuan në zgrip, guxuan rënien në një kompromis për ditën reale të zgjedhjeve lokale. Në të vërtetë do të deshnim t’i kishim shumë më të mirë nga sa janë, më të përkushtuar për interesin publik nga sa shfaqen, më të sinqertë nga sa u është bëri zakon të mos thonë të vërtetën, më atdhedashës nga sa i lejon lufta e ethshme për pushtet. Por ata janë ata që janë, siç edhe ne nuk jemi aspak më të mirë nga sa realisht ndihemi. Ka pjesë të mëdha opinionesh publike të shoqërive të zhvilluara të Perëndimit që na shpërfillin si komb e në mos na nëmin. Ata na sterrosin si popull, për të shpëtuar nga kjo ne nxijmë politikën tonë, e gremisim të gjithë fajin atje. Kurse në të vërtetë të metat tona kombëtare janë brenda standarteve të qytetërimeve normale, siç mangësitë e politikanëve tanë të pas vitit 1990 janë të barasvlershme me të shumë kolegëve të tyre të eurolindjes. Ka shkuar aq shumë larg raporti i mosbesimit mes politikanëve dhe opinionit tonë publik saqë vitet njëzetë e tridhjetë të shekullit të shkuar paraqiten si modele shumë më të larta zhvillimi. Citohen intelektualë të kohës dhe mendime të tyre si maja që nuk po i kapim dot. Si lartësi të mëdha na paraqiten edhe arritjet e politikanëve. Veç kjo nuk është e vërtetë. Shqiptarët janë akoma shumë larg majave të qytetërimit modern, por në vitin 2006 ne prodhojmë kulturë, mendim apo politikë bashkëkohore disa herë më të lartë se shtatë apo tetëdhjetë vite të shkuara. Por ky trendafilim i viteve njëzetë apo tridhjetë të shekullit të kapërxyer bëhet “për inat” të politikës së sotme. Ne e kemi shumë të gjindshëm fjalën e urtë se “për inat të sime vjehrre shkoj të fle me millonanë”.
Në këtë Vit të Ri, të paktën vetëm në këtë çast pak minutësh të treqind e gjashtë dhjetë e gjashtë ditëve, ne nuk duhet të ndihemi të turpëruar as nga vetja dhe as nga politikanët tanë. Jo për mbushamendje, por për të qënë më mirënjohës me vetveten po bëjmë arsyetimin e mëposhtëm. Në gjashtëmbëdhjetë vite pasdiktaturë kemi patur një komunist të palëkundur të tipit të Ramiz Alisë. Pas vdekjes së diktatorit të pashembëllt dhe intolerant Enver Hoxha, çuditërisht i zgjedhur si pasardhës nga vetë ai, kemi patur presidentin e parë paskomunist nga më tolerantët në lindjen ish-komuniste. Ka shumë faktorë që ndikuan në këtë përzgjedhje, ka edhe mister po të duash, e megjithatë përse nuk qenka vlerë që diktatura më e dhunshme në gjysmë kontinentin evropian përfundoi me trashëguesin më paqësor dhe më pak të përdhunshëm nga të gjithë drejtuesit e mëparshëm kryesorë të regjimit?
Sali Berisha, njeriu që mori në dorëzim pasdiktaturën, shfaqi personalitet kontradiktor, por gjer në vitin 1995 udhëhoqi një nga tranzicionet më të suksesshëm po të krahasohen me atë rumun, bullgar apo edhe me fqinj më të afërt. Ai hyri më pas në krizë gjersa u shtrengua dhe u dorëhoq nga posti i të parit të Shtetit, arsye që e bën një pjesë të rivalëve të tij t’ja përshkruajnë pas korrikun e vitit 2005 si periudhë përsëritëse të fragmentit më problematik të karrierës së vet. Përse përjashtohet kryeministri aktual edhe nga mundësia e përsëritjes e në mos zhvillimit të mëtejshëm të vlerave të hovshme transformuese të periudhës 1992-1995? Në fund të fundit në trashëgiminë e diktaturës më të egër të eurolindjes duke patur presidentin komunist më të butë, përse kur pas egërsimit millosheviçian kundër popullit të Kosovës në vitin 1989 një vit më pas shqiptarët nuk bënë mirë që në krye zgjodhën një qytetar të tyre, i cili vinte nga Malësia e Gjakovës, pra nga ajo hapësirë gjithëkombëtare që bashkonte gjeografikisht dy pjesë kufiri të ndara përdhunshëm? Kanë kaluar boll vite për të kuptuar se kultura autokratike mbetet një frenues i rolit reformist, por cili më mirë se Sali Berisha mund të kombinonte që në fillimet e rënies së diktaturës imazhin e një çështjeje shqiptare që duhej zgjidhur paralelisht me transformimin e shtetit amë?
E ka renduar tashmë imazhin e tij të fillimit Fatos Nano, por një Shqipëri pa kulturën apo huqet e tij liberale do të ishte më e ashpër dhe më askete. Më pa shije. Fatos Nano mund të ketë tallur e ironizuar me tepri, por kurrë nuk ka egërsuar pasuesë të tij politikë. Sikur të ndodhte që klasa jonë politike të mos kishte një Sabri Godo aq të manovrueshëm për të kërkuar pikat e afrimit né hapësirat e ngushtuara fatalisht nga kolegë të tij të klasës politike, sa herë do të ishte lenduar mes vetit Shqipëria nga përplasjet e forta me cep të kokës? Po të mos ishte një Edi Rama qyteti i Tiranës sigurisht do të zhvillohej dhe rritej, do të mbushej patjetër edhe me pemë e rrugë. E megjithatë pa Ramën apo dhuntitë e tij të komunikimit me median e huaj kryeqyteti ynë nuk do të ishte bërë gjithkund nëpër metropolet e botës simbol inkurajues i imazhit të Shqipërisë që ndryshon pozitivisht. Pa Ilir Metën sistemi ynë shumëpartiak do të ishte më i ngrirë dhe shumë më pak i lëvizshëm në strukturën e tij bipolare. Mund të na kthehej në një regjim dypartiak. Po të mos gjendej në Shqipëri një parti republikane me Fatmir Mediun ringjallja dhe formatimi i të djathtës së vërtetë në vendin tonë, një nga krimet më të mëdha të gjysmëshekullit bolshevik, do të kishte përfunduar në një proçes të dështuar. Mendojeni për pak çaste klasën tonë politike pa “njeriun-parti”, Gjinushin; pa “partinë-orkestër” të drejtuar nga Ndoka; pa Pjetër Arbnorin, Gramoz Ruçin, Bamir Topin, Pandeli Majkon, Jozefina Topallin, Servet Pëllumbin, Spartak Ngjelën, Petro Koçin, Ermelinda Meksin, Dashamir Shehin…Vijoheni më tej këtë listë, sepse ajo është shumë më e gjatë! Atje gjendet edhe princi Leka. Si nuk qenka gjë e bukur që nipi i Ahmet Zogut doli në kolegjin më prestigjioz ushtarak britanik si studenti i huaj më i mirë?
Për pak çaste në këtë prag të vitit të ri 2007 politikanët tanë e meritojnë një urim. Më pas do të rihyjmë sa më shpejt në rregullin demokratik për t’i kontrolluar, qortuar e nxitur, pse jo akuzuar dhe bërë presion për t’i hequr nga postet publike kur e shkelin.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com