Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rugova qe diti te hyje ne histori

Korrieri, 24 janar 2006

Shpesh duhet paguar çmimi i rendë i vdekjes, sidomos kur ajo është e parakohshme si në rastin e Ibrahim Rugovës, që të mund të qendrosh një çast pak më të gjatë se zakonisht për ta riparë edhe njëherë njeriun që ka jetëhumbur. Ky rit është njerëzor dhe rregull të parë ka mirësjelljen për atë që nuk është më, prandaj edhe thuhen vetëm fjalët e mira dhe shprehet pikëllimi. Në ditën e vdekjes dhe në ato pak të tjera që shoqërojnë më pas zinë e vërtetë të metat e atij që nuk jeton lihen mënjanë. Në thelb nuk u përjashtua nga ky zakon human edhe presidenti i parë i Kosovës. E megjithatë për Ibrahim Rugovën gjithkund në median botërore dhe papritur edhe mjaft cilësisht në atë shqiptare u bënë analiza të personalitetit dhe veprës së tij. Për pasojë të këtyre zhbirrimeve krahas pozitiviteteve të tij u ravijëzuan edhe kundërshtitë apo mangësitë.
Kur ka ndodhur ndonjëherë tjetër një çudi e bukuri e tillë? Pak e vështirë të gjesh një rast tjetër në historinë e klasës politike shqiptare të të gjithë trevave bashkëkombase në këto pesë a gjashtë dekadat e fundit. Madje mund të mos gjesh një pikë të dytë krahasimi edhe duke e shtyrë vëzhgimin më thellë në historinë e politikbërjes kombëtare. Kjo veçansi duhet të ketë mjaft arsye, por një gjë mund të kuptohet fare qartë: Ibrahim Rugova na u imponua. Ai i “detyroi” të gjithë bashkëkombasit kudo në botë jo vetëm ta nderojnë në këtë ditëvdekje të tij, por edhe të reflektojnë thellë se çfarë përfaqësonte ai. Rugova na ka vënë në mendime. Ai ka vënë në mendime edhe gjithë botën. Kjo është e mahnitshme.
Nuk mjaftoi vetëm dita e parë e dhënies së lajmit të dhimbshëm, as e dyta, as e treta e mesa duket nuk do të mjaftojnë edhe e katërta ditë apo e pesta që të konstatosh se emri i tij vijon ndër temat më të spikatura të medias elektronike dhe asaj të shkruar në pothuaj të gjithë globin. Dhe nuk është një “bum” mediatik i përkohshëm e thjesht i provokuar nga vdekja e parakohshme apo sepse bashkësinë ndërkombëtare e ka mbërthyer shqetësimi dhe e sembon meraku i drejtë se si do të shkojë fati i bisedimeve mes dy dërgatave nga Prishtina dhe Beogradi për statusin e ardhshëm të Kosovës. Këto ndikojnë e peshojnë në këtë dukuri të pazakonshme që po ndodh para syve tanë, porse ka shumë të ngjarë që Ibrahim Rugova me veprën e tij të ketë dalë me kohë nga historia lokale e popullit të tij, e gjithë shqiptarëve apo edhe e Ballkanit. Ai duket se ka kapërxyer edhe kufijtë e historisë së madhe të kontinentit dhe ka lënë gjurmën e fortë të emrit të tij edhe në hapësirën e madhe të globit. Ndër politikbërësit shqiptarë kjo ndodh për herë të dytë. Të parën mrekulli e ka kryer Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Evropa dhe nën ndikimin e saj edhe pjesa tjetër e kësaj bote të madhe e ruajti të gjallë kujtimin e Skënderbeut për shumë arsye, mes tyre edhe për faktin se ai, duke luftuar për të mbrojtur Arbërinë u bë mbrojtës shumë i madh edhe i të ardhmes së kontinentit. Aspak sepse ishte një i krishterë që mbrojti krishtërimin. Gjergj Kastrioti bëri një zgjedhje shumë më të madhe se kaq, ai zgjodhi të bëhet kështjellë për të mbrojtur zhvillimin e nesërm, perspektivën e njerëzimit. Këtë zgjedhje sigurisht ja diktuan edhe rrethanat, por ia kapi edhe inteligjenca e largpamja për të kuptuar jo ditën e sotme apo edhe atë që vjen më pas menjëherë, por atë tendencë që historia ka për dekada e shekuj të tërë të ardhshëm. Kështu ndodhi që Skënderbeu i gjendet edhe sot afër vendit të tij, Shqipërisë, tek ne kërkojmë të integrohemi në Bashkimin Evropian. Edhe pas pesë shekujve Skënderbeu do të rikujtohet për dobinë që do të risjellë sërish. Ibrahim Rugova luftoi për bashkësinë e popullit të tij të Kosovës siç bënë shumë, por diti ta kombinojë këtë gjest të tij politik dhe patriotik me atë që kërkonte dhe dëshironte Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare, mes tyre edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktualisht vendi më i fuqishëm në glob. Ka qënë e mbetet një ekuilibër jo aq i lehtë ky kombinacion, por Rugova ja doli. Analistët tanë e kanë pikasur qartë se presidenti i parë e Kosovës ka qënë tipik një njeri pushteti i llojit tonë, i tipit shqiptar. As më i mirë dhe as më i keq. Ai ka mezatarisht po ato të mira dhe të meta. Por pati atë nuk e zotërojnë të gjithë: inteligjencën për të kuptuar ku, kur dhe për ku shkon historia e njerëzimit. Jo historia e mbrashtive dhe e punëve të liga, sepse ajo ka edhe një “dollap” të tillë në arkivën e saj, por ajo e veprave të mira e të dobishme jo vetëm për popullin tend. Bashkëkombasja e tij e madhe Nënë Tereza nuk e gjeti vendin e saj lapidar në historinë e botës as sepse ishte thjesht një e krishterë e njeri i Vatikanit, këtij minishteti që në botë ka influencën e një superfuqie paqësore. Tereza e shqiptarëve diti të mbesë në histori edhe si Tereza e Kalkutës, gruaja shenjtore dhe e dhimbshme që luftoi për të shpëtuar nëpër botë jetë njerëzish të varfër.
Kur zgjodhi metodën pacifiste të një Kosove të pavarur Ibrahim Rugova nuk kishte si model vetëm suksesin politik në Indi dhe në botë të Madma Ghandit. As vetëm merakun e kuptueshëm se provokimi i një përleshje të armatosur me ushtrinë agresive dhe të pajisur mirë të diktatorit Millosheviç do të kushtonte mjaft gjak. Me teknikën politikbërëse të mjeteve absolutisht paqësore Rugova gjeti pikën e kontaktit dhe të lidhjes së fortë me mentalitetin dhe interesat e Evropës. Prandaj edhe ndodhi që jetëhumbja e tij e shqetëson tani kontinentin tonë se mos krijon një boshllëk që do të zihet nga të kreshpëruarit, nga ata që për të zgjidhur statusin e ardhshëm të Kosovës do të tregojnë rrugën e forcës e në mos të dhunës. Në të vërtetë asgjë alarmuese nuk do të ngjajë për rajonin dhe as për kontinentin. Kauza e përdorimit të mjeteve paqësore dhe tolerante është një psikologji dhe mentalitet tradicional shqiptar dhe Ibrahim Rugova u bë Ghandi i Ballkanit sepse e kishte këtë shtrat mbështetës mes popullit të tij. Ai që do të zëvendësojë Rugovën e paharruar do të jetë po aq paqësor sa edhe mjeshtri i madh i pacifizmit. Thjesht nuk do të ketë dot autoritetin e tij. Veç nuk mund të pritet ndryshe. Kështu ndodh gjithnjë me një paraardhës që ka qendruar gjatë në një post e ka bërë histori. Në raste të tilla autoriteti i merituar zakonisht ushqehet dhe fryhet edhe me disa injeksione miti.
Ibrahim Rugova ka ditur të shohë shumë larg. Bashkë me këtë cilësi të tij ai ka qënë edhe ca dinak, jo pak egoist dhe po deshët edhe “rrufjan”. Mes nesh ardhur nga shekujt ka një fjalë të urtë që këshillon se “më mirë një pulë nesër se një vezë sot”. Ka një tjetër variant të saj që qorton vesin, sipas të cilit “më mirë një vezë sot se një pulë mot”. Kohët e fundit, si një produkt i Shqipërisë së sotme në tranzicion e hallakatje, është vënë në qarkullim edhe një variant i tretë: “Më mirë një vezë sot se një vezë nesër”. Pikërisht në këtë mentalitet të fundit ka qënë dhe mbetet gropa e jo pak politikbërësve bashkëkombas. Patjetër edhe i shumë protagonistëve të fushave të tjera.
Ibrahim Rugovës nuk mund t’i thuash thjesht fjalën ngushëlluese “Qoftë i paharruar!” Ai mbeti i tillë. Ishte i zoti të mbeste i tillë. Ky burrë nopran e largvështrues e ka kuptuar se gojët e liga nëpër botë, kur kanë dashur të na mëkatojnë më shumë nga sa realisht kemi të meta, na kanë përshkruar e treguar me gisht si njerëz jo vetëm të paqytetëruar, por edhe shumë të dhunshëm. Atëhere i mënçuri, shkencëtari dhe studjuesi i famshëm i letrave, vendosi t’i tregojë botës se shqiptarët janë paqësorë gjer në vetsakrificë. Rugova luftoi kembëngulshëm dhe jo përherë i përkrahur në këtë kauzë të tij. Ai edhe sëmundjen e keqe në mushkri e vuajti pa u ankuar, pa bërë zë. Si një i vetësakrifikuar. Ndoshta edhe duke perifrazuar vargjet e famshme të Naim Frashërit tek poezia “Fjalët e Qiririt”.
Tani që Ibrahim Rugova nuk jeton më dhe vepra e tij po merr lartësitë e jehonës globale a nuk do të ishte mirë që Kuvendi të gjejë çastin e pavonuar për t’i vënë emrin e tij një objekti apo pjese të spikatur të Shqipërisë. Kanë qënë të mençur ata që ja vunë emrin Nënë Tereza aeroportit të Rinasit, portës së madhe të kontaktit tonë me botën e madhe. Do të ishim fatlumë të përsëritej një gjetje e tillë edhe për Rugovën. Eshtë punë tre herë i merituar: për vetë Ibrahim Rugovën, për Kosovën që i duam gjithëçka i dëshiron zemra, por edhe për ne, shqiptarët e përkëtej kufijve.



Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com