Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Tkurrja e Nene Terezes

“Korrieri”, 9 maj 2006

E vërteta se shqiptarja e famshme Nënë Tereza ka marrë rrugën e sigurtë të shpalljes përfundimtare nga Vatikani si e Shenjtë zbuloi ditët e fundit një fakt interesant: në të paktën një nga gurët më të çmuar të elitës tonë kombëtare, tek Akademiku Rexhep Qosja, ka lënë gjurmë të ngulmët ideja se tërësia e personalitetit të saj është pasuri e patundshme e vetëm krishtërimit katolik. Kjo rezultoi nga një debat publik mes dijetarit të thellë të Prishtinës dhe shkrimtarit të shquar të Tiranës, Ismail Kadaresë. Duke qënë se si çdo debat i kryer nga njerëz të mençur, të cilët më shumë se kushdo nga ne kanë inteligjencë të kenë, argumentojnë e mbrojnë mendime të ndryshme e të kundërta, vlera e polemikës së mësipërme publike mbetet e pazëvendësueshme. Ajo trazon qoshet e fjetura të mendimit gjithshqiptar. Nën këtë kend dhe aspak nën dëshirën për të marrë pjesë drejtpërdrejt në këtë debat të mëdhenjsh që dinë fare mirë çfarë bëjnë e thonë, mund të ketë shtysën gjithsecili nga ne të tjerët për të thënë diçka. Përshembëll mund të japësh një mendim nëse vërtet Nënë Tereza, duke qënë një besimtare e shumënjohur katolike, mbetet “pronë“ ekskluzive e Selisë së Shenjtë.
Duke e ndjekur natyrshëm këtë fill mendimi nuk mund të mos jesh dakort me të vërtetën e madhe se Nënë Tereza gjithë jetën ka qënë një e krishterë e devotshme katolike. Ajo po ashtu gjer sa ndërroi jetë ka vepruar si një pjesë e strukturë e Vatikanit dhe se nisma e shënjtërimit të saj nga kjo fe është një e drejtë e ligjshme e qendrës botërore të katolicizmit. Selia e Shenjtë në nismën e saj jo vetëm nuk gabon apo merr një të drejtë që nuk i takon, por është një shembëll si duhet të veprojmë ne të tjerët, bashkëkombasit e Nënë Terezës. Kur u vendos që shqiptarja e famshme të shpallej me procedurë të përshpejtuar një e Shenjtë as nga papa pararendës Vojtila dhe as nga ai aktual Benedikti XVI nuk ka dalë kurrë ndonjë deklaratë se me këtë shpallje përfundimisht e përgjithmonë Nënë Tereza është monopol i Vatikanit. Përderisa nuk e kanë bërë këtë deklaratë atje, në Selinë e Shenjtë, përse duhet ta bëjmë ne në Tiranë apo në Prishtinë? Madje edhe në rast se në kryeqendrën botërore të krishtërimit katolik do ta merrnin përsipër ta kyçnin personalitetin e Nënë Terezës vetëm në ekskluzivitetin e tyre ne shqiptarët do të kishim plotësisht të drejtë të ndërmerrnim aksionin e thyerjes së këtij monopoli. Mirëpo në këtë botë përherë e më shumë të globalizuar jo vetëm kjo e fundit nuk ka ndodhur, por as e mëparshmja. Pra të gjitha rrugët janë lehtësisht të hapura që të tërë shqiptarët të kërkojnë tek Nënë Tereza edhe pasurinë e tyre kombëtare.
Kjo pasuri mund të nisë nga fakti që ajo është shqiptare, por kjo nuk është aspak e gjitha. Simbolikisht është mjaft kuptimplote intenerari i jetës së familjes Bojaxhiu, bijë e të cilës është Nënë Tereza. Ajo lindi në Shkup, porse familja e saj më parë kishte jetuar në Prizren. Pas Shkupit pjesa kryesore e familjes së saj e ngriti strehën e jetës në Tiranë. Po ashtu ka një vlerë të jashtzakonshme që bashkëkombasja jonë e shquar, edhe pse punonte në të gjithë botën dhe madje në Kalkuta të Hindisë realizoi pjesën kryesore të bëmës së historisë saj personale, ajo e ka pohuar publikisht para gjithë botës se ka përkatësinë tonë etnike. Nënë Tereza asnjëherë në këtë pranim të rrënjëve të saj nuk është lëkundur apo përfshirë nga mëdyshja e heshtjes. Veproi bindshëm kështu edhe kur për përkatësinë e saj etnike ka patur përpjekje kembëngulëse përvetësimi. Shqiptarja dhe katolikja e famshme në fund të fundit pa e mohuar mund të mos i jepte theks këtij fakti, sepse të deklaruarit shqiptar, që të themi e pranojmë të vërtetën, nuk është ndonjë plus i madh në biografinë personale të një individi që kërkon të mbërrijë deri në statusin e një VIP-i botëror. Mirëpo ajo ndërsa në trevat e tjera me shqiptarë arriti të shkonte, në vendin tonë, për shkak se regjimi i mëparshëm e pengoi, mundi të hynte vetëm në muajt e fundit të shbërjes së tij. Në rast se lavdinë e saj botërore Nënë Tereza nuk e fitoi aspak se e ndihte të qënit shqiptare, famën e fituar si e krishterë e investoi tek emri i shqiptarisë. Imazhi ynë herë normal e shumë herë mjaft problematik ka fituar shumë nga pohimi krenar i Nënë Terezës. Ky është patriotizëm dhe katolikja e shquar për këtë që ka bërë është njëkohësisht edhe një atdhetare e jashtzakonshme. Nënë Terezën për të marrë çmimin Nobel asnjë fije nuk e favorizoi fakti se rridhte nga etnia e shqiptarëve, por këtë titull e prestigj e dha dhe e përkushtoi me shpirt edhe për kombin tonë. Ky fakt i dytë veç e rikonfirmon mëmëdhetarizmin e saj. Një fakt i tretë: Lutja e saj më e spikatur përvetpërmbajtje ka qënë ajo drejtuar bashkëkombasve të Shqipërisë të përfshirë nga marria e vitit 1997 (“Jam shumë e tronditur që vendi im i mrekullueshëm është trazuar”). Ndërkohë të mos harrojmë edhe një të katërt fakt, i cili mund të rradhitej i pari: I jati i Nënë Terezës, Kolë Bojaxhiu, kreu shumë vepra patriotike dhe pikërisht për këtë gjë vdiq papritur, sepse mendohet të jetë vrarë nëpërmjet helmimit nga qarqe shovene antishqiptare.
Jo vetëm për këto dëshmi por edhe për shumë të tjera nuk mund të kemi lëkundje në bindjen se më parë se të ishte një katolike e shquar Nënë Tereza ka qënë e mbetet një patriote e madhe. Ajo nuk u bë atdhetare sepse më parë mori famë botërore si e krishterë, porse ishte më së pari një kombdashëse që zgjodhi veprën madhore për besimin e saj. Nënë Tereza u bë ajo gjigande me emër global sepse në kulturën e saj kishte patriotizëm të thellë. Ajo u shndërrua në një nga figurat më mitike të njerëzimit sepse më së pari donte popullin e saj, ndryshe do të kishte mbetur në formatin e një hiçi. Selia e Shenjtë në Vatikan apo Komiteti i Çmimit Nobel në Kopenhagë e kanë ditur, por edhe e kanë fat që të përzgjedhurën e tyre të veçantë e kishin sa një të përkushtuar për të gjithë njerëzimin po aq edhe për atdheun dhe kombin e vet.
Pasuria e madhe kombëtare me emrin Nënë Tereza qëndron edhe në të vërtetën se ajo duke qënë një strukturë e Vatikanit nuk ishte një funksionare apo thjesht një “zyrtare” e lartë e Selisë së Shenjtë. Ajo nuk ishte një hierark tipik. Nënë Tereza ishte dhe mbeti në historinë e botës mbi të gjitha si një Humaniste. Kurrkush nuk e njeh me emër tjetër. Madje edhe çmimin Nobel e ka për Paqen dhe jo sepse thjesht është shquar në përhapjen e propogandimin e fesë katolike. Mbetet një akt mjaft largpamës e inteligjent në dobi të besimit të vet ajo që Vatikani ka ndërmarrë me shpalljen e Nënë Terezës si e Shenjtë. Përse duhet të bëhemi ne shqiptarët dritëshkurtër e mendjerendomtë e të mos e shpallim Konxhe Bojaxhin tonë, Nënë Terezën e të gjithë botës, një të Shenjtë kombëtare?
Kjo nuk do të thotë që këtë simbol të humanizmit global dhe atdhetarizmit shqiptar ta shpërdorim duke ja mbjellë statujat me vend e pa vend apo duke e vënë në lëvizje me paramendimin për të mbivlerësuar qytetërimin e krishterë në ulje të atij që në viset tona vjen edhe prej besimit mysliman. Kjo sjellje bie totalisht në kundërshtim me vetë atë që për myslimanët ka deklaruar e shenjta jonë kombëtare, Konxhe Bojaxhi. Nënë Tereza është horizont dhe nuk mund të mbyllet dot.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com