Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nje Ministre dhe nje Princ

“Ballkan”, 6 maj 2006

Pak ditë më parë në një ekspozitë të çelur në Galerinë e Arteve në Tiranë, ku njëri nga nismëtarët ishte Delegacioni i Komisionit Evropian, mes mjaft pjesëmarrësve na ranë në sy tre gjëra: një grup i madh diplomatësh të huaj, një ministre e kabinetit aktual qeveritar dhe nipi i vetëm i Ahmet Zogut, ai që më së shumti thirret si princi Leka. Veprimtaria mbartëte edhe karakteristika të tjera, ajo ishte e mirorganizuar dhe interesante, por ne po qendrojmë një çast pikërisht tek tre pamjet e mësipërme. Me këtë rast i rievidentojmë ato: shumë diplomatë të huaj, një ministre dhe një princ.
Përfaqësuesit e huaj ishin njerëz të sjellshëm, përpiqeshin të mos binin fort në sy dhe linin të dukej hapët vetëm gëzimin që kishin për simbolikën e asaj ekspozite. Ajo ishte hapur në shenjë nderimi të bashkësisë evropiane dhe në shprehje të dëshirës së përbashkët që edhe proçesi i eurointegrimit të Shqipërisë të ketë kembë të mbarë që këtë vit, në fund të kësaj pranvere. Për të konfirmuar këtë simbolikë të veçantë në aktivitet ishte e pranishme edhe Ministrja e Eurointegrimit, zonja Trashani. Elegant, i pazhurrmshëm dhe i sjellë gjendej edhe princi Leka. Kultura që kishte përvetësuar jashtë vendit e bashkonte natyrshëm me atë ekspozitë, po ashtu e lidhte me të edhe një strategji e qartë e tij e kohëve të fundit për të qënë mediatikisht sa më tepër i dukshëm. Ai është një politikan i ri dhe nuk e pengon kush që pak nga pak të pjekë kushtet e rrethanat kur mund të hyjë në lojën e përgjithshme të konkurimit për pushtet.
Krahas shumë artistëve, gazetarëve, amatorëve të artit dhe dy autorëve të ekspozitës, diplomatëve të huaj me në krye vetë kryetarin e Delegacionit të Komisionit Evropian, z. Salzmann, prania e ministres dhe e princit i kishin hije ekspozitës. Mirëpo nëse paska qënë kështu atëhere ku gjendet problemi? Në fakt nuk ka asnjë problem, por një temë për reflektim na duket se është. Në atë atmosferë ku sallën e madhe e mbushnin mjaft njerëz që dëshironin me qetësi të shijonin pikturat gjithsecili përpiqej të mos pengonte rrjedhën e vizitorëve. Kështu secili pjesëmarrës e kishte të lehtë të kalonte brinjas dhe madje fare ngjitur me diplomatët e huaj si edhe vetë kryetarin Lutz Salzmann. Pa as më të voglin problem mund të anashkaloje, gjithnjë duke kundruar pikturat, edhe pranë euroministres shqiptare. Ve] nuk mund ta kishe këtë “fat” pranë princit të ri Leka. Atë e shoqëronin tre truproja shtatlartë. Duke qënë se badigardët me mbrojtjen e tyre të detyruar për nipin e Ahmet Zogut kërkonin profesionalisht një hapësirë minimale të nevojshme, në një nga pjesët e ngushta të sallës, ndërsa princi po shihte pikturat, nuk mund të kaloje aspak lehtësisht. Truprojat të vinin duart me kujdes para trupit dhe të kërkonin të prisje pak ose të shtyheshe mënjanë. Megjithëse këtë punë ata në formë e bënin qytetarisht, në thelb nuk mund të mos ndjeheshe keq. Ata nuk të fyenin aspak, madje përkujdeseshin që kjo gjë të mos ndodhte kurrë, por autori i këtyre rradhëve, tek ndjeu dy herë në trup pëllëmbën frenuese të njërin nga badigardët provoi një zëmërim. Ishte inat i lehtë, kalimtar, të cilin menjëherë mund ta fashitje duke arsyetuar se truprojat ishin paguar për ta ruajtur një njeri dhe doemos që, në përgjigje për këtë mbrojtje, do të bënin gjithçka të nevojshme.
Me princin e ri dhe truprojën e tij thjesht për një rastësi u desh sërish të “përplaseshim” në ikje. Përsëri bodigardët e tij, duke zbatuar rregullat normale të vetmbrojtjes, me shenja duarsh apo edhe duke t’i vendosur në trup lehtësisht pëllëmbët, hapën energjikisht rrugën. E pata edhe kësaj rradhe “fatin” të më preknin butaz. Leka i ri nxitonte sepse kishte një punë tjetër të ngutshme apo sepse truproja e bënte nxitimin duke zbatuar një nga rregullat e sigurisë së një personi, kjo ishte një punë tjetër. Ajo që nuk shkonte në të gjithë këtë ku u bëmë dëshmitarë në një ekspozitë me shenjë inkurajuese Evropën nuk ishin tre badigardët si persona, as princi vetë si individ. Ajo që mund të duket jo plotësisht e pranueshme ishte se në të njëjtën sallë, ku të paktën tre persona ishin të rendësisë së veçantë politike, këtë “status” publikisht e gëzoi vetëm djaloshi Leka. Nuk morrëm vesh në kishte ndonjë truprojë kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, porse që ministrja Trashani nuk kishte asnjë këtë gjë e pamë me sytë tanë sepse qëlluam fare afër saj. Madje euroministrja ndenji gjithë kohën e ceremonisë së çeljes të veprimtarisë në skajin më të largët të gjysmëharkut të madh të pjesëmarrësve dhe organizatorëve të parë të aktivitetit iu desh ca si shumë kohë për ta diktuar e thirrur të rrinte atje ku i takonte.
Protokolli është një nga më të thjeshtët elementë të një shoqërie që thotë se ka shtet. Trashani është ministre e shtetit shqiptar dhe në respekt e detyrim për këtë status të saj e të kujtdo tjetër që është përfaqësues i lartë i tij, një sekretar-truprojë për të (adjutant i kanë thënë shumë dekada të mëparshme), të paktën ato çaste dinjiteti protokollar duhej të kishte pranë. Por që të mos e ngasim shumë idenë se dinjitetin e një funksionari të lartë brenda apo jashtë vendit mund ta masim vetëm me truproja apo shpurrë shoqëruesish, ç’ka nuk duket përherë rrugëzgjidhja më e arsyeshme, përse përdor këtë truprojë të madhe në mes të veprimtarive zyrtare një djalosh, të cilit deri tani nuk i ka ngjarë asnjë incident edhe në rrugë? Fillikat e në mos “me duar në xhepa”, shpenguar, nëpër sheshet kryesore të Tiranës ecin politikanë shumë aktivë e që japin e pësojnë përditë trysni të madhe publike.
Apo Leka i ri, përpos ndonjë meraku prindëror se mos i ndodh gjë, vijon një kulturë familjare, ku rregullat e “oborrit” prej dhjetra vitesh janë tepër të fryra e strikte? Apo mbase kjo trupë me tre bodigardë shtatlartë, mbase e arsyeshme në rrugë, në mes të një aktiviteti zyrtar i duhet edhe për më tepër dukshmëri? Apo e gjithë kjo histori lidhet thjesht me faktin se përderisa princi ka mundësi financiare t’i paguajë mund edhe t’i mbajë gjithkund? Shoqërimi me truproja nuk është veprimtari e ndaluar, financiarisht këtë gjë mund ta bëjë p[rshemb[ll çdo bisnesmen. Mirëpo në publik, të paktën në një veprimtari me simbole zyrtare, gjithsecili ruan disa rregulla harmonizimi dhe respekti dukshmërie të ndërsjelltë me të tjerët.
Ndoshta në këtë kuptim mes princit të i ri me tre bodigardë dhe euroministres së ndrojtur ndaj publicitetit shkruesit të këtyre rradhëve thellë-thellë i bëri përshtypje të mirë kjo sjellje e fundit.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com