Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Mosardhsh, krize!

Korrieri, 11 prill 2006

Një nga komentatorët më të rendësishëm si edhe vëzhguesit më të vëmendshëm të zhvillimeve brenda vendit, publicisti Fatos Lubonja, në po këtë të përditshme fare pak kohë më parë nxirrte nga gropa e shurdhërisë, ku kishte rënë, deklarimin zyrtar të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për mundësinë e shpërthimit të një krize financiare. Eshtë qytetari ta paralajmërosh një të keqe kur këtë veprim e bën me zemër të hapët dhe me dëshirën që ngjarja zezane të mos ndodhë kurrë. Teknikisht funksionari i lartë BSH njoftoi se "Burime të tilla si të ardhurat nga emigracioni apo nga aktivitetet e jashtëligjshme vlerësohen se janë resurse financiare të përkohshme, të vështira për t'u parashikuar, ndërkohë që janë zërat kryesore që financojnë degën e ndërtimit. Për rrjedhojë, një rënie e mundshme e shpejtë e burimeve të sipërpërmendura do të sjellë kufizime të forta në kërkesë, por edhe në degët e lidhura me të". Publicisti Lubonja nuk e la këtë arsyetim të rrokulliset edhe më tej të mveshur me rrobën gri të gjuhës teknokrate dhe e nxjorri para opinionit me një pamje më të qartë. Ai shkruan se kryesisht prania e një mase të madhe paraje të pistë e mban shumë përtej kostos çmimin e një metri katror banesë apo dyqan dhe se nisja e tharrjes së kësaj kënete do të provokonte uljen e këtyre çmimeve. “Për pasojë-nënvizon Fatos Lubonja-“në rast të uljes së çmimit, të gjithë kolateralet e vendosura në banka, që sipas Fullanit, garantojnë rreth 80 për qind të kredive, do të zhvlerësoheshin. Po ashtu do të zhvlerësoheshin edhe sektorët që financojnë, ose prodhojnë për ndërtimin që është industria më e fuqishme në vend. Ky do të ishte fillimi i një krize ekonomike dhe financiare, që, gjithë sipas guvernatorit, ndoshta do të krahasohej me atë të fundit që ka kaluar Shqipëria. Dmth me atë të rënies së piramidave”.
Këtu, tek mundësia e përsëritjes së vitit 1997, çdo lexues me siguri ka mbajtur frymën. Paralelisht e në të njëjtën kohë, pjesë e konkurencës apo e ndonjë parandjenje profesionale, koha që kalojmë i bëri dy televizionet më të ndjekur të vendit, Klan dhe Top Channel, të shfaqnin seriale të tëra mbi këtë vit të mbrapësht të shqiptarëve. Me sa duket ai na ndjek nga pas jo vetëm vizualisht, nëpërmjet kronikave me figura njerëzish, të shtëna armësh, djegie dhe jetë të humbura. Viti makth jo vetëm do ta mundojë për shumë kohë ndërgjegjen tonë kombëtare si një kujtim i hidhur. Ai del se do të na ndjekë kemba kembës edhe si realitet. Si kanosje e përsëritshme. Si një kërcënim ciklik.
Doemos ndërtimi i një shoqërie demokratike është mision shumë i ndërlikuar edhe për shoqëritë më të qytetëruara të kontinentit, jo më për ne, shqiptarët. Përveç kompleksitetit shoqëria e pritshme demokratike tek ne paraqet edhe treguesë shumë të lartë të vështirësisë së realizimit. Nga vendet e eurolindjes na ndodhi ne të kishim variantin më të ashpër të realkomunizmit dhe gjer në vitin 1998 edhe tranzicionin më problematik. Idea se këtë periudhë nuk e paskemi kapërxyer e lënë pas shpine, vetvetiu të çon tek ndjenja e shqetësimit, pse jo edhe alarmit.
Do të përsëritet 1997 apo jo, qoftë edhe në një variant shumë më të butë? Pa qënë patjetër një pyetje hamletiane, gjithsesi ajo është një nga ato që lidhet me vetë ekzistencën. Një krizë financiare do ta kthente mbrapsht përsëdyti atë mirëqënie modeste që gjithsecili prej nesh deri këto çaste ka mbërritur. Kurse shtresat në nevojë e në zgrip do t’i fuste në gjendje varfërie totale.
Mirëpo kriza e hamëndësuar edhe mund të mos ndodhë. Mund të mos shpërthejë jo se nuk dëshiron ajo, por sepse është mirë të mos duam ne. Dhe që të duash të të mos ia shohësh surratin nuk do të thotë aspak ta lësh kënetën e parasë së ndotur të vijojë të fryhet. Krimi duhet luftuar dhe një kosto kjo punë e ka. Po nuk u veprua tani kostua nesër do të jetë më e lartë dhe rezultati më i pasigurtë. Pra parandalimi i shpërthimit të krizës nuk mund të bëhet duke u tërhequr para krimit dhe artit të tij të presionit. Baltovina e parasë së pistë po ashtu nuk mund edhe të lihet për t’u kufizuar më pas, përshembëll pas zgjedhjeve të ardhshme lokale. Ajo në të njëjtën kohë nuk mund edhe të kryhet tani formalisht nën dinakërinë që të përdoret politikisht në luftën ndërpartiake. Përballja me të kërkon të vihet në jetë e gjithë përvoja që shoqëria jonë, elita dhe sidomos klasa politike, përftoi nga kriza e lemerishme e vitit 1997. Në një farë kuptimi 1997-ta tani mund të përdoret si një “kundërnëntëdhjetë e shtatë”.
Mirëpo kjo rrugëzgjidhje e ky rrugëshpëtim nga rishpërthimi i krizës financiare varet nga sa realisht kemi vënë mend nga ato që na ndodhën. Deri tani, duke nisur nga një komision hetimor parlamentare e deri tek shpjegimet që kanë dhënë për këtë periudhë eksponentë politikë të kohës, të krijohet përshtypja se shkaqet që provokuan atë gjëmë nuk janë kuptuar gjer në fund. Jo mospranimi publik i përgjegjësive të vitit 1997, sepse kjo mbase do të ketë kohën e vet, por moskuptimi i tij është shtrati fatal i përsëritjes. Përtej klasës politike që këtë vit ka qënë protagoniste e dorës së parë, me gabimet dhe ndërhyrjet korregjuese të saj, tregojnë një prirje moskuptimi edhe një pjesë e analistëve të shoqërisë shqiptare. Ata pëlqejnë më shumë ta rrëfejnë këtë vit famëkeq sesa ta interpretojnë. Edhe tua kujtosh, madje ashtu bruto siç ka qënë, është një punë me vlerë. Vetë pamjet e dhimbshme e jo rrallë edhe të turpshme nuk të nxisin ta përsëritësh, ato ndikojnë në të kundërtën. Veç tani që një teknokrat i njohur i financës dhe një publicist me autoritet paralajmërojnë mundësinë e përsëritjes së krizës së vitit 1997, janë të dobishme njohja e pikave të dobëta të dinamikës së asaj krize të tejshkuar.
Shqipëria, edhe pse shpesh ankohemi se jemi një popull me kujtesë të shkurtër, nuk është një shoqëri recidiviste. Ajo thjesht është pasive. Sepse është e tillë në epikrizën e vitit 1997 ajo doli e humbura e madhe. Humbi kursimet e vëna me djersë, humbi jetë njerëzish, nuk u kompensua kurrë as materialisht dhe as moralisht. Ata që dolën të fituar bënin pjesë në lumpenin e saj dhe të disa qarqeve të huaja tradicionalisht antishqiptare. Në ndodhtë një krizë tjetër financiare ajo detyrimisht nuk i ka më brenda vetes ata përbërës të vitit 97. Shumë nga ata që e “aktivizuan” krizën na e kanë marrë të keqen. Shqipëria është bërë më e fortë. Më e ditur edhe klasa politike. Më të fuqishme edhe institucionet. Më e madhe paraja e pastër dhe bisnesi i ndershëm. Më e fortë dora e shtetit kundër krimit. Më të mënçur bashkëpunëtorët e qeverisësve, më konstruktiv të bërit opozitë.
Të kesh brenda industrisë së ndërtimit dhe më tej kaq shumë para të pistë, edhe pse jeta në pamje të parë vijon “normale”, është gjithsesi krizë. Tani për të parandaluar acarimin e saj dhe shpërthimin mjafton vullnet politik, mosngutje, maturi dhe inteligjencë e lartë për ta zbutur atë gradualisht. Si një minë që specialistët e zotë, pa rënë në sy të turmës që përreth vijon e gëzon jetën e saj, e dezaktivizojnë. E çarmatosin. Pastaj heshturazi përqafohen.

Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com