Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUĒI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PĖRBALLĖ ENVER HOXHĖS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETĖM NGA E VĖRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kur te vjedhin ne mes te dites

Korrieri, 15 prill 2006

Duke qënë një shoqëri që bën të formohet përfundimisht e sa e nis këtë punë shformohet, komunitet i gjallë por me shfaqje të forta anarkie, bashkësi e mësuar më shumë me mungesën e rregullit se me respektimin e tij, sistem ku gjithsecili detyrohet të vetmbrohet sepse pothuaj nuk të siguron kush, na ndodh të gjithëve të regjistrojmë përditë dëshmi të kësaj të vërtete të hidhur. Përshembëll çfarë mund të bëjë një bashkëkombas, të cilin e vjedhin që në çapat e para të mëngjezit e të nisjes për një punë? Megakrimi e meriton goditjen e pamëshirtë, por ligji i duhet treguar pa vonesë e nënvleftësim edhe mikrokrimit. Mikrokrimi duket gjë e vogël, “pak gjë“, vjedhja e një portofoli e shumta, ndërsa në realitet ai është djepi i krimit të vërtetë, shkolla e parë e tij, “shkrim-kendimi” i mafies, fidanishtja ku rriten dhe përzgjidhen nga megakrimi militantët e hajdutërisë.
Të më ndjejë lexuesi që në dëshmi të idesë së mësipërme shtrengohem të rrëfej diçka nga jeta ime personale. E marr këtë guxim sepse tek ajo grimcë edhe shumë bashkëkombas mund të gjejnë veten e tyre. Ja pra, unë autori i këtij shkrimi, burrë me shtat të lartë dhe fuqi fizike normale, me të gjitha shqisat funksionale, rezultoj plotësisht i dështuar në aftësinë për t’u mbrojtur nga hajdutët në autobuzin urban. Në katër vite jete dhe pune në Tiranë jam vjedhur në këtë lloj autobuzi plot gjashtë herë. E di që me të lexuar këto fjalë të fundit ti lexues i respektuar do të qeshësh. Madje mund të shqepesh së qeshuri. Eshtë rast për t’u “gajasur”: i vjedhur gjashtë herë në katër vite ose një herë e gjysëm në vit ose me perspektivë të sigurtë se në dhjetë vitet e ardhshëm do të më plaçkisin në mes të autobuzit urban edhe pesëmbëdhjetë herë të tjera. Dhe sigurisht gjithsecili që lexon këto rradhë ka të drejtë të mendojë se autori i këtij shkrimi nuk është gjë tjetër veç një tuaf. Tuaf sepse e pakta pas dy-tre vjedhjeve të para duhej të kishte vend mend e të stërvitej për vetmbrojtje.
Mirëpo ju siguroj se kam bërë gjithçka të mundur për t’u mbrojtur, gjithçka që është në fuqinë time. Herën e parë portofolin me jo pak para dhe dokumenta identifikimi ma vodhën kur e kisha në xhepin e brendshëm të xhaketës, të mbyllur me kopsë. Edhe xhaketa ishte e kopsitur në të gjitha pullat e mundshme. E kuptova që portofoli i futur në xhepin ku në të gjithë botën e vënë, në Tiranë ishte njëlloj sikur t’ja kishe dhënë vetë në dorë xhepistit. Që prej këtij çasti numuri i dokumentave u reduktua vetëm në kartën elektronike hyrëse në vendin tim të punës, në pak kartvizita dhe në jo më shumë se njëzetë mijë lekë të vjetra. Kuletën e re, një lloj i veçantë, e vendosa në brez, në rripin e pantallonave. Cubat ia dolën edhe kësaj rradhe. Herën e tretë portofolin e ri e futa në xhepin e brendshëm në këmishë dhe e lidha me një zinxhir tek rripi. Kisha fare pak para, por ditën që ma vodhën brenda tij kisha futur edhe çelësat e shtëpisë. Urgjentisht ndërpreva udhëtimin, sepse të gjitha vjedhjet i kam konstatuar menjëherë dhe ende pa zbritur nga autobuzi. Përveç ndërrimit të çelsave të dy bravave ekzistuese u ble edhe një bravë e tretë shumë sekrete, mjaft e shtrenjtë dhe menjëherë u montua. Herën e katërt vjedhja e portofolit m’u bë kur atë e kisha futur në xhepin e brendshëm të xhaketës, porse këtë e kisha mbyllur me të gjitha kopsat dhe po ashtu mbi të mbyllur me të gjitha pullat, gjer në grykë, edhe një pardesy. Herën e pestë nuk po e quaj dot vjedhje, sepse cubi çuditërisht ishte rreth të pesëdhjetave dhe lakmoi vetëm një xhep të pantallonave ku kishte fare pak monedha. E ndjeva dhe e lashë ta çonte gjer në fund kënaqësinë e tij. Pastaj e pashë me zëmërim dhe ai zbriti menjëherë në stacionin më të parë. Herën e gjashtë më vodhën celularin, por ia dola ta parandjej dhe njërin nga dy djemtë e gjatë që ma vodhi, arrita ta kap të fshehur pas shpinës së autobuzit. Ia mora dhe madje arrita të rihip në autobus për të shkuar në punë. Me që fitova mbi cubin edhe këtë nuk e numëroj si vjedhje. Hera e shtatë ishte një çadër fort komode e futur brenda në çantën e dorës. Hera e tetë ndodhi në mëngjezin e të mërkurës, 12 prill, ora 07.45. Portofoli kësaj rradhe ishte futur brenda në çantë dhe ajo ishte mbyllur gjer në fund me zinxhir. Ishte varianti më i ri i vetmbrojtjes muajt e fundit. Vjedhjen edhe kësaj rradhe e diktova menjëherë, në stacionin pasardhës, por këtë herë përveç parave dhe për herë të parë edhe të fletëhyrjes elektronike në punë, në të kisha edhe një mikropajisje kompjuretike, e cila nuk kushtonte pak.
Tani që e rrëfeva nuk e di sa me të vërtetë tuaf jam unë dhe sa të sofistikuar e mjeshtërorë janë militantët e mikrokrimit. Po ashtu nuk e di sa tuaf jam unë dhe sa të papërgjegjshëm janë ata që pronësojnë, administrojnë apo kontraktojnë shërbimin urban, sepse të gjitha vjedhjet më janë bërë vetëm në orën kur në mëngjez shkojmë të gjithë në punë. Përditë ngjeshemi, shtyhemi, kapemi pas njeri-tjetrit, na shqepen kopsat, na rrudhen xhaketat, na zbërthehen kravatat e shkelen këpucët. Nuk shtohen kurrë dy-tre autobuzë më shumë për këtë mpik. Paguajmë rregullisht biletën apo abonenë dhe në rastin tim në autobuzin urban, përveç fyerjes dhe tronditjes, kam lënë për katër vite mbi një çerek milioni lekë të vjetra.
Tani nuk di e nuk kam fantazi më ku të fut çelsat e shtëpisë, fletëhyrjen e punës dhe aq pak para sa të mos turpërohem kur të takoj një shok. Ndihem krejtësisht i pasigurtë e i pambrojtur dhe rrezikoj të më bëhet ndonjë tik nervor kontrolli i vazhdueshëm i portofolit, i çelsave, i celularit dhe i çantës së punës. Këtë gjë ua thashë edhe dy inspektorëve të komisariatit që mbulon zonën. U dhashë edhe ndonjë hollësi. Firmosa edhe denoncimin tim. Jo sepse kërkoj portofolin e fundit apo të gjithë të mëparshmit. Jo, firmosa që të rinis sadopak të besoj se në kryeqytetin e vendit tim mund të ndihem relativisht i sigurtë dhe i mbrojtur nga shteti. Dy inspektorët ishin djem shumë të mirë, mjaft të sjellshëm. U ndamë si miq. Por me të dalë nga porta e hekurt e komisariatit e pashë në rrugë një autobus urban që po nxitonte, më nisi që nga fillimi alarmi. Fillova të kontrolloj xhepat, çelësat, pak para që kisha rimarë në shtëpi pas vjedhjes së fundit. Një herë, dy herë. Për të tretën herë i bërtita vetes “Boll tuaf! Kontrollove dy herë!”
Kështu, i dashur lexues, para mikrokrimit agresiv dhe të sofistikuar unë, autori i këtij shkrimi, jam por edhe nuk jam tuaf.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com