Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Iki qe te kthehem

Revista Shqip, qershor 2006

Thjesht një muaj më parë joqeveritarja Angorc ose Albania NGO Resource Centre bëri publik konkluzionet e një ankete, të cilës titullin ja kishte formuluar “Migracioni i rinisë shqiptare dhe zbutja e tij nëpërmjet zhvillimit”. Studimin e saj Angorc e kishte realizuar të mbështetur e financuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë si edhe duke i kërkuar bashkëpunim edhe Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, konkretisht drejtorit të saj, Ilir Gedeshit. Analiza e anketës ishte vepër e këtij të fundit.
Ajo qëlloi mjaft interesante dhe e nevojshme deri në detyrim për t’u bërë publike.
Pyetësori përbëhej nga 15 pyetje, të cilat i ishin drejtuar 200 të rinjve. Nëntëdhjetë e një përqind e tyre ishin nga qyteti i Tiranës dhe vetëm nentë përqind nga periferia e saj. Prej të dyqindëve 51 përqind kishin arsim universitar, 47,5 të mesëm dhe vetëm 1.5 përqind atë tetëvjeçar. Në rast se konceptet demografike njohin edhe elitat e tyre, këta tiranas të anketuar përbëjnë një të tillë. Ata jetojnë në aktualisht metropolin më të madh e më të zhvilluar shqiptar. Pra kampioni është marrë atje ku edhe sot është laboratori i vërtetë i ndryshimeve të pritshme e në perspektivë të Shqipërisë. Që masa e të pyeturve është përzgjedhur edhe me parimin e të qënit edhe një lloj elite arsimore, këtë gjë e vërtetojnë katërcipërisht përmasat e shkollimit të të pyeturve. Ata në masën dërmuese të 98,5 përqind janë me arsim të mesëm e të lartë dhe me këtë kualifikim të fundit rreshtohen pak më shumë se gjysma e të gjithë masës së anketuar.
Duke qënë e profileve të tillë ajo që rezulton nga pyetësori i Angorc nuk mund të jetë në mënyrë kategorike e vlefshme për të gjithë rininë shqiptare, as për atë në qytet apo në fshat, as për studentët apo shkollarët e arsimimit të mesëm a tetëvjeçar. Me një fjalë anketa “Migracioni i rinisë shqiptare dhe zbutja e tij nëpërmjet zhvillimit” ka më pak të drejtë përgjithësimi se edhe vetë angazhimi që merr e ka në titull. Mirëpo pikërisht për këtë “ngushtësi” të saj ajo ka një vlerë të pazakonshme. Pyetësori ka hetuar një kampion nga elita e rinisë sonë. Për këtë arsye anketa është edhe mjaft e dobishme dhe largpamëse. Ajo ravijëzon pjesë e fragmente të së ardhmes. Më mirë se elitat, sidomos kur janë moshë të reja, kush mund ta parashohë e parathojë të ardhmen e një populli?


Duan të ikin nga Shqipëria


Nga anketa rezultati i parë duket i përafërt me atë që tashmë brenda dhe jashtë vendit dihet “symbyllur”: shumica e të pyeturve duan të kalojnë kufirin e të ikin. Në kampionin e vëzhguar kjo përmasë nuk është aspak e zakonshme. Ajo përbën 84,3 përqind. Në mënyrë të dukshme kjo shifër është më e madhe se mezatarja e rinisë shqiptare. Atëhere është “katastrofike”?
Aspak, madje është mjaft inkurajuese.
Për të mos e lënë këtë konkluzion të vishet me stofin e paradoksit dhe të arrijmë para kohe në konkluzionin se kjo dëshirë ikjeje masive e elitës së re nuk është gjë tjetër veç shenjë e sigurtë e mbylljes së horizontit të ardhmërisë së Shqipërisë, do ta bëjmë vijimin e interpretimit pak më ndryshe. Duke qënë se shifra është reale dhe po aq e vërtetë edhe përmasa prej 84, 3 përdindësh, përse të mos e konsiderojmë këtë gjë një alarm pozitiv? Në rast se fillesën e arsyetimit do ta mbështesim vetëm në kanosjen e “ikjes së trurit” një masë e tillë rinie elitare që kërkon të ikë nga atdheu i vet dëshmon se punët e administrimit aktual të Shqipërisë nuk shkojnë ashtu siç dëshirojnë ata. Kjo elitë nuk kënaqet me pak ndryshim social, ekonomik e kulturor, ajo kërkon shumë ndryshim. Politika shpesh volumin e peshës së konsensusit të saj e ka bërë zakon ta matë me votat që njëherë në katër vjet mbledh në ditëzgjedhjet e zakonshme. Atje ajo sigurisht del shumë më mirë se po t’i ndodhë (apo improvizohet një çast) të votohet vetëm nga pjesa elitare e shoqërisë e sidomos nga fasha më e përzgjedhur e rinisë. Që më të diturit mes të rinjve nuk e kanë fare merak t’i shpallin shtetit të tyre amë se e kanë më të dukshme prirjen e tyre për të ikur jashtë tij, kjo ridëshmohet edhe nga disa hollësi të tjera të anketës “Migracioni i rinisë shqiptare dhe zbutja e tij nëpërmjet zhvillimit”. Tendenca për të ikur tek të rinjtë me arsim të mesëm është rreth katër përqind me ulët se tek ata me arsimim universitar.
Shifra goditëse (dhe trullosëse) se nga një kampion rinie elitare e Tiranës 84,3 përqind e tyre dëshironin të iknin nga Shqipëria dëshmon një borxh të madh që shoqëria jonë e sotme dhe qeverisësit e shtetit kanë para të ardhmes. Ky borxh moral, kombëtar e politik bëhet akoma më i madh po qe se ndjekim llogjikën e dukurisë së dëshirës për ikje të kësaj elite rinore. Këtu anketa zbulon çuditë e fenomenit. Dëshira kaq kembungulëse për ikje nga Shqipëria është dhe nuk është mirëfilli ikje. Pyetjes përse kjo elitë që jeton në kryeqytetin tonë kërkon të lërë prapa kufijtë shtetërorë të atdheut të vet të dyqindët i përgjigjen drejtpërsëdrejti: 48,3 përqind dëshirojnë të ikin për studime në nivel universitar, 33,9 përqind sepse duan të kualifikohen në shkallë pasuniversitare dhe se vetëm 11,2 përqind do të shkonin matanë kufijve tanë për ngritje të mirëqënies së jetesës.
Këtu është edhe befasia e anketës “Migracioni i rinisë shqiptare dhe zbutja e tij nëpërmjet zhvillimit”. Elita jonë rinore tashmë është në gjendje normale ekonomike dhe siç edhe ndodh kur “barku është plot”, ajo nuk dëshiron aspak të kapërxejë nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit vendlindjen e vet për atë arsye që menjëherë pas rënies së diktaturës si edhe për afro një dekadë pas saj bëri të shpërthenin valë biblike të emigracionit. Madje siç edhe e tregojnë përqindjet e mësipërme nga kampioni i hetuar vetëm diçka më shumë se një e dhjeta mund të kualifikohen si emigrantë klasikë, të vërtetë, realë.
Tetëdhjetë e tetë presje tetë e të pyeturve nga një kampion i rinisë elitare tiranase duan të “emigrojnë“ për një arsimim e kualifikim shumë më të mirë nga ai që e marrin aktualisht në vendin e tyre. E kendvështruar kështu dukuria tregon se edhe “ikje të trurit” me këtë rast nuk ka. Përmasa 88,8 përqind duan ta kalojnë kufirin e Shqipërisë jo për të lënë jashtë saj tru, por për të marë. Në këtë kuptim, deri në këtë çast të analizës së anketës, fenomeni rezulton dobiprurës për ne. “Truri” në vend që të ikë shkon përtej kufirit vetëm që të mbushet.


Çfarë tha dikur një ambasador?


Studjuesi Edmond Dulaj, cili pas rënies së diktaturës ka qënë edhe shef misioni në një vend të rendësishëm perëndimor, në mesvitin 1994 pati një shkembim mendimesh me një koleg të tij, ambasador në Tiranë. Takimi ishte ndërkombëtar e po kryhej në vendin ku Dulaj ushtronte misionin e tij. Qëllimi i asaj seance shkembimi mendimesh edhe në prani të mjaft të ftuarve ishte gjetja e rrugëve më të efektshme për daljen e Shqipërisë nga kriza e pasdiktaturës dhe në një farë mënyre fjala më e lakuar në atë takim u bë ajo “refugjat” dhe “emigrant”. Pas solidaritetit të parë shoqëritë e shteteve të zhvilluara të Evropës Perëndimore kishin filluar të ndjenin lodhje nga baticë-zbaticat e papushuara të emigracionit shqiptar dhe më në fund e kishin gjetur edhe rrugëzgjidhjen më të autoritetshme: duhej që ndihmat financiare, ato teknologjike apo ekonomike, të konsumoheshin në Shqipëri. Po të mëkembej e zhvillohej vendi që kaq palodhshëm nxirrte e nxirrte masa ikësish, atëhere kjo dukuri do të reduktohej.
Në këtë sfond të përgjithshëm e të arsyeshëm të analizës kjo domosdosshmëri që emigracioni shqiptar të luftohej me dhënien e ndihmave për zhvillimin e vetë vendit bartës të fenomenit, u tejkalua. Në tonet e disa pjesëmarrësve kjo mënyrë u fetishizua aq fort sa dikujt i shkoi gjuha tek një “dhemb”, gjë të cilën ambasadori Dulaj nuk e pëlqeu. Rrugëzgjidhja e re në parim mjaft me vend dhe e arsyeshme u mitizua aq fort sa të lihej përshtypja se më e mira e të mirave do të ishte që Shqipëria duke mos patur dot mundësi t’i mbyllte kufijtë, të zvogëlonte në një minimum tç arsyeshçm daljet e shtetasve të saj nga territori i tij. Po të legjitimohej një mënyrë e tillë interpretimi i dukurisë së emigracionit shqiptar atëhere edhe në mekanizimin e punës të disa përfaqësive perëndimore në Tiranë do të hapte udhë praktika e reduktimit përherë e më shumë të dhënies së vizave hyrëse për në vendet e BE-së.
Mirëpo Edmond Dulaj, njohës mjaft i mirë i jetës së shumë popujve të kontinentit, ndërhyri dhe në thelb mbrojti një ide pak më ndryshe nga shumica. Sipas tij krahas ndihmave që Shqipëria të zhvillohej brenda hapësirave të veta shtetërorë ajo kishte nevojë urgjente për shtim të vizave hyrëse në BE. Dulaj kembënguli se vetëm një gërshetim e një “krehje” e këtyre dy tendencave, pra më shumë ndihma materiale dhe përvoje qeverisjeje nga Perëndimi drejt Tiranës dhe më shumë viza nga Tirana drejt Perëndimit, ishin rrugëzgjidhja me perspektivë.
Në atë mesvit 1994 ky mendim i përfaqësuesit diplomatik të “vendit të shqiponjave” u prit me respekt, por jo gjithkush nga kolegët e vendeve të mirëqëna të Perëndimit në të u thellua. Për të mbështetur pikëpamjen e tij Edmond Dulaj nuk e parashtroi tezën e vet tek nevoja për një jetë më të mirë ekonomike të bashkëkombasve të tij, ç’ka mes kolegëve nuk do të peshonte aq sa pritej, por tek arsyetimi se më shumë viza për shqiptarët do të thoshte më shumë të tillë të demokratizuar nga jetesa në brendësi të kulturës perëndimore. Pra ambasadori ynë i asaj kohe kërkonte më shumë se mirëqënie ekonomike të bashkështetasve të tij “mirëqënie” kulturore dhe veçanërisht emancipim demokratik. Në Perëndim, nëpërmjet shqiptarëve të dërguar me afat të shkurtër apo të gjatë në emigracion, ky emancipim kryhej më shpejt dhe më bindshëm se në Shqipëri.
Kur tani, në mesvitin 2006, njihesh me të dhënat përfundimtare të anketës “Migracioni i rinisë shqiptare dhe zbutja e tij nëpërmjet zhvillimit”, i jep jo vetëm shumë të drejtë diplomatit tonë, por edhe përfiton ta kujtosh atë sentencë të tij për t’i shërbyer më mirë ditëve që kalojmë. Dyqind elitarët e rinj të pyetur nga Angorc me përmasën e tyre dërmuese të dëshirës për të ikur nga Shqipëria dhe po ashtu me dimensionin dërmues të motivit të ikjes vetëm për një arsimim më të lartë, provojnë tendencën që do të merrnin ngjarjet me zhvillimin e mëtejshëm të vendit tonë. Në një farë mënyre jo moszhvillimi i Shqipërisë apo përparimi i saj i plogët, por ritmi i lartë do të mpaktëte emigracionin për thjesht rritje të mirëqënies personale ekonomike dhe do të shumonte vrullshëm atë për lartim të nivelit kulturor e qytetërues perëndimor. Të interpretuara kështu deri këto çaste rezultatet e pyetësorit të Angorc dëshmojnë se nga elita jonë rinore në Perëndim shkohet kryesisht për të përvetësuar shkollën e saj të demokracisë.


Ku është e ardhmja ime?

Duke ikur për t’u shkolluar këtyre të rinjve jo vetëm u “falet” kjo gjë, por po të jemi edhe ca me kembë në tokë ajo ikje edhe u duhet uruar. Pyetjes së anketuesve se me plotësimin e çfarë kushteve ata 84,3 përqind të të dyqindëve nuk do të iknin nga vendi i tyre përgjigjet lakonike janë: 44,1 nuk do të largoheshin nga Shqipëria po të ishte më e mirë cilësia e edukimit universitar dhe e atij pasuniversitar. Nga masa e përgjithshme 27.2 për përqind e rinisë së anketuar nuk do të iknin po të kishin punë, 10,8 përqind po t’u afroheshin paga më të larta.
Vetëm 7 përqind besojnë se nuk do të largoheshin nga vendi i tyre po qe se ai do të kishte stabilitet politik e social. E përkthyer ndryshe kjo do të thotë se 93 përqind e elitës sonë rinore të anketuar nga Angorc në Tiranë pranojnë se në Shqipëri tashmë ka qendrueshmëri politike, ekonomike dhe sociale. Ky mund të quhet edhe një arritje e madhe e shoqërisë sonë në tranzicion pasdiktatorial si edhe patjetër një kompliment jo o vogël për klasën e politikushtruesve dhe qeverisësve të vendit. Ai është edhe një vlerësim e njëkohësisht mirënjohje për të gjithë ndihmën që familja e madhe demokratike e vendeve perëndimore deri tani i ka dhënë Shqipërisë.
Prej një logjike të tillë harmonike burojnë natyrshëm edhe të dhënat e tjera të pyetësorit “Migracioni i rinisë shqiptare dhe zbutja e tij nëpërmjet zhvillimit”. Pyetjes së drejtpërdrejtë se pas ikjes a do të riktheheshin në vendin e tyre 81,1 përqind i përgjigjen se emigrimi i tyre do të ishte afatshkurtër dhe do të pasonte patjetër rikthimin në Shqipëri. Vetëm 18,9 përqind e të anketuarve deklarojnë se ikja e tyre është pa kthim, pra e përhershme.
Përgjigjia dhe konkluzioni final i hetimit me kampionin e dyqind të rinjve nga Tirana dhe periferia e saj formulohet pas pyetjes vendimtare “A e shihni të ardhmen e Shqipërisë?”. Përgjigjet janë të prera e pa më të volgël lëkundje: 74,4 përqind e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri, ç’ka do të thotë se për ta vendi i tyre dhe yni ka të ardhme.
Eshtë një përgjigje për pyetjen tonë të vjetër hamletiane “bëhet apo nuk bëhet Shqipëria?”
Janë pozitive 74, 4 përqind ose dy të tretat e një kampioni rinie elitare të marrë nga metropoli ynë i Tiranës. Gjetkë, më tej skajeve të Shqipërisë dhe në qytetet e vogla e larg korridoreve të pritshme të zhvillimit, përqindja e besuesve për një Shqipëri që mund të bëhet duhet të jetë më e ulët, por për ta është e justifikueshme. E inkurajueshme për ne është se mundësinë e lartë të bërjes së Shqipërisë e deklarojnë ata që nesër do të kenë inteligjencën, dëshirën, vullnetin dhe besimin se do ta bëjnë.
Çfarë duhet më tepër për ata që vërtetë e realizojnë një gjë?


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com