Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vullneti politik para Akademise se Shkencave

Korrieri, 18 janar 2006

Përpjekja e re për reformimin e vendit, e nisur me ndryshimin në sistemin politik të Shqipërisë të shumicës parlamentare dhe të ekipit qeverisës, ka prekur më së fundi edhe Akademinë e Shkencave. Sinjalet që reforma do të shkonte edhe deri këtu u kuptuan që brenda njëqid ditëve të para të legjislaturës aktuale, porse tani, në fillim të njëqindditëshit të dytë, projekti po shkon me shpejtësi drejt ekzekutimit. Në opinion tashmë dihen jo vetëm drejtimet më kryesore të këtij proçesi reformues si edhe emrat e grupit të punës së bocetit të këtij projekti, por edhe në shtyp ka nisur masivisht, në formën e një reagimi spontan, shprehja e qendrimeve të ndryshme.
Akademisë së Shkencave do t’i vinte dita dhe rradha që të bëhej objekt real i një reforme. Për këtë rishikim të mënyrës së saj të funksionimit është folur gjatë gjithë periudhës pesëmbëdhjetë vjeçare të pluralizmit dhe tangencialisht reforma e sistemit politik në Shqipëri e ka prekur edhe këtë institucion të rëndësishëm të mendimit shkencor. Mirëpo kësaj rradhe ka mjaft vullnet politik nga ana e shumicës parlamentare që reformimi të jetë konkret si edhe mjaft i thellë. Për këtë arsye merr shumë rëndësi rrahja e hapur e mendimeve dhe kujdesi që idetë më racionale për reformimin e Akademisë së Shkencave të vijnë kryesisht prej debatit publik dhe jo vetëm nga puna e ndonjë strukture qeveritare. Kjo Akademi nuk është një ministri apo çdo strukturë tjetër e aparatit administrativ ku një shumicë që ka fituar normalisht të drejtën e qeverisjes mund të ndërhyjë në përputhje me programin dhe premtimin e saj elektoral deri edhe duke anashkaluar apo mënjanuar një debat të gjërë publik. Akademia e Shkencave ndikon në cilësinë e një qeverisjeje dhe rritja e efikasitetit të saj nuk mund të përjashtohet nga vëmendja e një shumice politike e rradhës, por nuk mund të barazohet dhe indentifikohet ristrukturimi i saj me vetëm një rregull të tillë. Edhe sikur administratën publike pas çdo legjislature ta përfshinte një nismë reformimi do të ishte mjaft dukshëm një preçedent jo përherë pozitiv, kurse po të ngjante kjo gjë edhe me një institucion qendror shkencor do të kryenim një gabim. Akademia e Shkencave është një vlerë e madhe gjithëkombëtare dhe politikat e reformimit të saj nuk mund t’i përcaktojë dhe vendosë vetëm një shumicë parlamentare. Ajo mund t’i ngasë e shtyjë përpara dhe kaq do të përbënte një meritë të pamohueshme. Porse rritja e efektshmërisë së kësaj qendre të madhe studimore mbi të gjitha është çështje e të gjithë qytetarisë shqiptare. Ajo është e drejtë jo vetëm e një pjese të klasës politike të vendit, por edhe e të gjithë elitës së saj partiake dhe jopartiake. Më e pakta e të drejtës dhe e kompetencës së mënyrës së reformimit të Akademisë së Shkencave nis nga konsensuse të plota parlamentare, ndërsa më e mira do të ishte që projektet e një reforme reale të mbështeteshin mbi një konsensus sa më të plotë të të gjithë shoqërisë dhe opinionit publik kombëtar.
Sepse duhet të jetë i tillë edhe autori i këtyre rradhëve, si çdo bashkëqytetar, ka dëshirën të shprehet. Duke mos patur dot njohjen e ca më pak autoritetin publik për t’u prononcuar hollësisht se si do të jetë konkrete një strukturë e re e reformuar e Akademisë së Shkencave, parimisht problemi ka nevojë për “një marrje fryme”. Domethënë, duke mos e braktisur apo stërzgjatur proçesin, nuk ka nevojë aspak për ngutje. Në rast se politika ka natyrshëm objektiva të njëqindditëshit të parë, pastaj të atij të dytë, të vitit të parë apo të çdo objektivi në prag fushatash elektorale, nga të gjitha këto rregulla Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka të drejtë të përjashtohet. Ajo ka imunitet të mos preket nga kushdo. Po ashtu edhe të mos ndikohet nga gjithsecili që merr inisiativën e dobishme të shprehet në media. Shkencëtarët nuk i krijojnë partitë dhe as ata modelohen sipas programeve të këtij apo atij formacioni politik. Shkencëtarët asnjëherë nuk ulen në tryezën e studimit për të vënë në jetë këtë apo atë platformë e program zgjedhor. Studjuesve në këtë botë u lejohet ndonjëherë edhe të mos dinë ditën e zgjedhjeve apo të heshtin një çast në kërkim të emrit të ndonjë ministri, të cilin nuk e kujtojnë dot menjëherë apo e ngatërrojnë. Shkencëtari është shkencëtar dhe e gjithe energjia e tij është mpiksur tek kërkimi dhe mundësisht zbulimi që do të bëjë. Për këtë arsye, nga që përherë është në kërkim të një zbulimi, ai punon i vetmuar dhe larg syve të njerëzve. Ai nuk del para televizioneve veç vetëm në rast se zbulimin më në fund e ka kryer dhe një nga administratorët e tij drejtues e kap prej menge për ta nxjerrë me forcë para kamerave. Studjuesit në të gjithë botën nuk bëjnë grevë apo demostratë për rritje pagash. Ata kërkohen gjithandej dhe paguhen menjëherë. Në një vend akoma të varfër siç është Shqipëria atyre sigurisht nuk mund t’u lejohet shpërdorimi financiar. Dhe një shkencëtar mund ta bëjë këtë shpërdorim me futjen e punës kërkimore së tij në rutinë dhe për një kohë të gjatë në mosdobi shoqërore.
Mirëpo edhe duke shkruar kaq ndonjë lexues do të thotë kundërshtues: Po ku i kemi ne këta shkencëtarë!? Ku janë zbulimet e tyre? Zbulimet të gjitha i ka bërë bota, këta tanët….
Ja këtu është e keqja jonë e madhe: tek mendësia e egalitarizmit. Duke qënë se ne shqiptarët ndihemi gjithsecili tepër të rëndësishëm, nuk mund të pranojmë aq lehtë që mes nesh ka njerëz më të zotë se mezatarja e përgjithshme. Pra më të ditur se unë e se ti, lexues i nderuar. Kemi pas vetes një histori të tërë të trajtimit shpërfillës dhe nënvleftësues të elitës intelektuale. “Lulja e Kombit” janë njerëzit e ditur, qofshin shkencëtarë, poetë, ushtarakë apo politikanë. Mirëpo ne përgjithësisht u jemi bindur më shumë dhe u kemi ngritur kengë njerëzve të pushtetit politik. Po atyre, kur kanë rënë, u kemi bërë me të njëjtin zell edhe të kundërtën. Servilizmin dhe frikën ndaj më të fuqishmit nëpër zyrat e shtetit ne e përdorim jo sepse jemi të mbrapshtë, por thjesht për të kapërxyer të tashmen. Kështu ne vrapojmë nga e tashmja e sotme tek e tashmja e nesërme, por nuk mbërrijmë në kohën e duhur tek e ardhmja.
Nga mënyra se si do të sillemi kësaj rradhe ndaj Akademisë së Shkencave do të dëshmojmë se kemi nisur fort të shkëputemi nga kjo traditë e palavdërueshme apo se ende jemi nën sugjestionin e saj. Pra kemi rastin e lumtur të provojmë se, duke qënë të një mendjeje që kjo Akademi duhet t’i përshtatet më bindshëm dhe më energjikisht nevojave të të ardhmes së shqiptarëve dhe nuk kemi pse duartrokasim ndonjë “status quo” të saj, duhet të rrahim mendim se si meritojmë ta bëjmë këtë reformim të dobishëm. Por gjithsesi këtë hop të madh ndryshues nuk mund ta nisë e përfundojë një grup pune apo vetëm një ministër, sado dashamirës dhe i ditur që të jetë. Ca më pak mund të përfundojë e dobishme kjo punë e bukur edhe pa partneritetin e vetë Akademisë.
Ndërrimet e sistemeve janë periudha delikate dhe pas vitit nentëdhjetë të shekullit të shkuar, nga pamundësia dhe më e shumta nga padija, u bënë gabime me trashëgiminë e diktaturës. Nuk ndodhi vetëm njëherë që “bashkë me ujin e ndotur të pasbanjës u hodh edhe fëmija”. Pa folur për objekte të tëra të ekonomisë pamaturia përfshiu edhe institucione të rendësisë së veçantë për thesarin tonë kulturor. Ra ropamë mbi Kinostudio, Ansamblin e Kengëve dhe Valleve, Teatrin Kombëtar, Teatrin e Operas, Teatrin e Estradës, Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve… Një pjesë e këtyre institucioneve në kushtet e reja të ekonomisë së tregut, pas traumatizimit të parë, po tentojnë rimarrjen e vetes, por shumë artistë dhe studjues të vlefshëm nuk i rezistuan dot këtij vetseleksionimi të egër. Ata nuk u mbrojtën nga politika sociale të veçanta, u barazuan me masën e madhe. Shqipëria duke qënë një vend i vogël nuk do të thotë aspak që elitën e vet duhet ta ruajë dhe financojë në një proporcion matematikor me dimensionin e saj demografik. Pikërisht se është vend i vogël i duhet të bëjë të kundërtën: ta përgatisë, ruajë, shtojë dhe rinovojë atë pambarimisht. Në botën e re të globalizimit shtrohet çështja të konkurosh nëse dëshiron të mbijetosh si komb, shtet, etni apo bashkësi shoqërore.
Vullneti politik për nismën e reformimit real të Akademisë së Shkencave ka prekur në nerv. Lutemi vetëm që kësaj rradhe të shërbejë sadopak përvoja pesëmbëdhjetë vjeçare që kemi përftuar.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com