Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Çmimi i hyrjes ne histori dhe karta e veteranit per Enver Hoxhen

Korrieri 27 janar 2005


Ndërsa njeriu hipën në një autobuz ndërqytetas në paretet e brendshme të tij sheh shenimin se hipja në atë mjet bëhet gratis për fëmijët nën 16 vjeç, për invalidët paraplegjikë dhe ata tetraplegjikë, po ashtu edhe për të verbërit. Ndjen emocion, sepse makina e madhe, shpesh edhe e ftohtë, e shtetit i vihet në ndihmë shtresave më të brishta e më të pafat të shoqërisë, duke i marrë në mbrojtje.
Kur lexon se invalidët, përfshi edhe ata të Luftës, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të verbërit dhe fëmijët nën 16 vjeç, mund të udhëtojnë falas nuk e kundërshton atë që edhe veteranët e Luftës ta gëzojnë këtë përkrahje sociale. Saktësisht siç është shkruar në ato tabelëza në paretet e brendshme të urbanëve. Në rast se tek gjithë të tjerët (invalidët apo fëmijët) ky lloj statusi publik rrjedh prej konceptit të mbrojtjes dhe ndihmës sociale, tek veteranët buron nga ai i nderimit të merituar për kontributin e tyre në çlirimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga kjo sjellje një shtet apo qeveri, ca më shumë një shoqëri, fiton respekt për nivelin e saj të qytetarisë.
Mirëpo kur sheh se një shtresë e tërë shoqërore, siç janë veteranët e Luftës së Dytë Botërore, rrethohet me përkujdesje një mendim dhe merak të rri i trazuar. Nuk ka vend për paragjykim përse veçohet nga shtresat e tjera ky brez veteranësh, sepse të jesh veteran e të udhëtosh gratis në një autobuz publik qytetës nuk është një privilegj i panevojshëm apo i fryrë prej sfondesh ideologjike, i lidhur patjetër me qënien në pushtet të një kabineti të majtë etj etj. Veterani i Luftës është njëkohësisht edhe një pensionist në moshë të thellë, kështu që dyshimet për panevojshmërinë e këtij statusi janë të tepërta. Mendimi që të shtyn të reflektosh për këtë status ka të bëjë me një shtresë tjetër të madhe, e cila e përmbush statusin e ndihmës e nderimit social. Si do të mendonim, përshembëll, në rast se në paretet e brendshme të autobuzave qytetës shenimi do të ishte riformuluar nga "Udhëtimi është gratis për invalidët e Luftës, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të verbërit, fëmijët nën 16 vjeç dhe Veteranët e Luftës" në "Udhëtimi është gratis për invalidët e Luftës, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të verbërit, fëmijët nën 16 vjeç, Veteranët e Luftës dhe të Persekutuarit Politikë nga diktatura".
Çdo njeri që do të propozonte një korregjim e plotësim të tillë do të përpiqej ta argumentonte.

0

Ditët e fundit ngriti një furtunë të madhe përpjekja për të hapur mundësinë ligjore të pajisjes së Enver Hoxhës me statusin e veteranit të Luftës. Edhe pse ngjarja në vetvete paraqiste variantin e një absurdi (diktatori nuk është gjallë që të mund ta kërkonte vetë këtë gjë apo edhe për pasojë të përfitonte materialisht nga ky status) zjarrmia me të cilën u debatua të linte gojëhapur. Duke lënë mënjanë urinë e vjetër të medias për lajme jo të zakonshme (dhe kjo kërkesë deri tek Presidenti, e bërë nga bashkëshortja e diktatorit, ishte e pazakonshme) në rreshtimin pro dhe jo të statusit të Veteranit të Luftës u vendosën jo vetëm ish-partizanë e ish-ballistë, monarkistë dhe republikanë, por edhe publicistë, historianë e politikanë. Sigurisht përderisa çështja u hap mbyllja më e mirë nuk do të ishte heshtja, por e folura, mundësisht analiza. Mirëpo një pjesë e politikanëve, që u thirrën të sqaronin pozicionet e tyre, u përfshinë në debat nga interesat e përpunimit të elektoratit. Ndërkaq fragmente jo të vogla të opinionit ende nuk janë të prirura të reflektojnë thellë e t'i shmangen emocioneve. Shoqërisë sonë akoma i duhet shumë kohë e mjaft maturim që më në fund të mos e konsiderojë lajm të dorës së parë përpjekjen për ta pajisur me kartë veterani njeriun, i cili me dorë të hekurt e të përgjakur drejtoi Shqipërinë për pothuaj një gjysëm shekulli. Po ashtu do të duhet shumë kohë edhe prej vetë veteranëve të Luftës të binden natyrshëm që "komandanti" i tyre nuk u ka qendruar fort besnik idealeve që ata kishin kur vunë në qafë shallin e kuq të partizanit. Ndoshta për shkak të viteve të largët shumë nga këta guximtarë e atdhedashës nuk kujtohen dot mirë se ai shall i flaktë atëhere, kur e lidhën në qafë me shumë dëshirë e ëndërra, i ngjante ngjyrës së flamurit kombëtar dhe aspak yllit të eksportuar nga revolucioni bolshevik sovjetik, i cili është dëshmuar përfundimisht që ishte një grusht shteti. Do të nevojitet shumë kohë që luftëtarët e epopesë partizane të kuptojnë masivisht se edhe lufta e drejtë çlirimtare u mpleks që në fillimet e veta, jo për fajin dhe përgjegjësinë e tyre, me parime dhe praktika të këtij grushti shteti. Kështu revolucioni shqiptar i messhekullit të shkuar për një sistem shoqëror demokratik u devijua dhe në thelb u tradhëtua. Sigurisht në këtë botë e në këtë vend ai nuk është i tradhëtuari i parë dhe as do të jetë i fundit. Duhet kohë që pjesa më “kokëforte” e veteranëve, përgjithësisht nga njerëzit më të ndershëm e më të thjeshtë të saj, ta kuptojnë këtë vërtetë. Do të ishte pa efekt çdo përpjekje e sforcuar per t'i “detyruar” tani apo për t’i paragjykuar si bashkëkombas që “u ka mbetur ora në vend”.
Tashmë në vitin 2005 duke qënë se jemi një shoqëri, e cila inspiron të mëkembet sa më shpejt nga një traumë kombëtare (ne përveç diktaturës patëm traumatik edhe vitin 1997), efektin kohë që mund tua lëmë dashamirësisht shumë veteranëve të luftës, nuk mund ta presim duarkryq ne të tjerët. Të paktën ngjarja e statusit të veteranit për Enver Hoxhën është një rast i mirë për të reflektuar edhe njëherë e parë objektivisht ku gjendemi. Ajo ishte një "lakmus", i cili hidhet në një epruvetë dhe sipas ngjyrës që merr dëshmon llojin e lendës kimike brenda saj, në është acid apo bazë. A thjesht ujë. Ngjarja dhe debati për atë kartë veterani provoi se në shoqërinë tonë akoma ka mjaft "acid". "Lakmusi" kësaj rradhe u ngjye me të kuq. Dhjetë vite të shkuara u mbulua i gjithë nga një blu e fortë.
Rrjedhojë e kësaj situate tej mase ngjyrëkuqe është edhe ai shenimi i dhimbshur në faqet e brendshme të çdo autobuzi urban. Ai status nderimi publik edhe për ish-partizanët, por ku mungojnë mijra të persekutuar nga diktatura. Shumë nga këta të fundit, njëlloj si të parët, janë në prag të pensionit apo në moshë të thellë. Mos nuk ishte luftë ajo ku u përfshinë dhe ku thjesht për bindje të tjera politike një pjesë humbën jetën e të tjerët kaluan kalvarin e burgjeve? Në një farë mënyre a nuk janë edhe ish-të persekutuarit veteranë të një lufte të gjatë për demokraci? Me mijra janë dëshmorët e betejës antifashiste dhe veteranët e saj, me mijra edhe dëshmorët e luftës antidiktatoriale dhe veteranët që ka. Atdheu është mbi të gjitha, në çdo sistem apo regjim. Mirëpo atdheu vlerën e vet si mëmëdhe dhe patriotizmi kuptimin e plotë e ka vetëm në liri. Veteranët e luftës dhe ish-të përsekutuarit janë dy pjesë të vyera të shoqërisë shqiptare, dy faqe nga më demokratiket e historisë së saj. Moskuptimi (dhe keqkuptimi) është në interpretimin sipërfaqësor e në mos arbitrar se njëra palë është viktimë e tjetrës, se ish-të persekutuarit nga diktatura janë therrorët e veteranëve të Luftës. Ndërsa në të vërtetë sëbashku të dy palët janë viktima të pafajshme të një sistemi si edhe të një rrethane madhore gjeostrategjike. Po ashtu edhe të një njeriu: Enver Hoxha. Ai edhe tani ndan dhe nuk bashkon.

0

Duke lënë mënjanë indiferencën apo kujdesin se mos gjendesh në mes të ndonjë pakënaqësie apo sulmi të palësh qejfmbetura nga një prononcim publik, përpjekja për t'i dhënë statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Enver Hoxhës nuk ishte thjesht zbatimi i kulturës së shtetit ligjor. Pra, përderisa ai ka qënë, përveç shef i Partisë Komuniste edhe drejtuesi i njësive ushtarake partizane, sipas ligjit njihet si veteran. Të ishte vetëm kjo problemi mbetej plotësisht në autoritetin e Kuvendit të gjykonte ta mbante ligjin ashtu siç është apo për raste të veçanta kompromentimi të rendë të parashikonte mosdhënien apo heqjen e kartës së Veteranit të Luftës. Mirëpo rruga institucionale që bëri letra e të vesë Hoxha ishte sprova e saj e vendosur për të filluar një proçes rehabilitimi të diktatorit, opinion që nuk e ka vetëm ajo. Mes nesh gjenden bashkëkombas të cilët shpresojnë në një të ardhme, ku do të përfundojë ringjallja morale e pjesë-pjesë e Enver Hoxhës. Kësaj rradhe përpjekja e të vesë së tij ishte inkurajuar prej kërkesës së një pakice komunistësh në këshillin e qytetit të Gjirokastrës për t'i vënë emrin e tij njërës prej rrugëve. Siç dihet ajo çështje u mbyll nëpërmjet funksionimit normal të pluralizmit. Këshilltarët politikë kundërshtarë të komunistëve, të cilët ishin më të shumtë në numër, propozuan emrin e Ismail Kadaresë dhe ky i fundit, tepër në kohë dhe energjik, ndërhyri duke propozuar emrin "Rruga e Gjimnazit".
Përpjekja e dytë brenda vetëm pak muajve për rehabilitimin gradual të Enver Hoxhës ishte mjaft e studjuar, shumë më pak e kundërshtueshme. Nuk kërkohej t'i jepej emri i tij ndonjë rruge apo objekti, nuk lutej rivendosja publike e ndonjë busti. Thjesht bëhej e ditur se ai nuk mund të lihej pa një kartë të thjeshtë veterani. Një arsyetim i tillë pajtohej me një opinion jo pak të përhapur, sipas të cilit gabimet e fajet e regjimit të vendosur nga Hoxha kanë të bëjnë me periudhën e pasçlirimit, kurse vitet e luftës antifashiste për formacionet ushtarake partizane, të drejtuara prej tij, mbeten një epope e mbuluar nga lavdia.
Mbase do të ishte interesante një zhvillim i tillë i fatit të Shqipërisë, por provat me shumicë po depozitohen rreth të vërtetës se diktatura hodhi bazat dhe u formësua që në vitet e luftës çlirimtare. Fshehurisht, mbuluar me shumë demagogji. Formula e "diktaturës së proletariatit" gjendej që në fillesën e platformës komuniste të vitit 1941.
Kështu për fat të keq rodhi historia jonë, por tashmë nuk mund ta flakim fëmijën bashkë me ujin e ndotur të govatës ku u la. Veteranët e Luftës kudo dhe jo vetëm në atë tabelëz brenda autobuzave brendaqytetës, mund të ndihen më të afërt shpirtërisht e në nderime me ish-të persekutuarit nga diktatura. Një gjest i ri mirëkuptimi mes të dy palëve do të ishte njohja më e thellë e vetë diktatorit dhe e sistemit të tij. Enver Hoxha nuk ishte as antishqiptar dhe as një mediokër. Nacionalist dhe politikan dinak ai ishte gjithashtu një person që për etjen e tij të papërmbajtur për pushtet e dobësoi shumë zhvillimin e Shqipërisë dhe e rënoi elitën e saj. Ai ka hyrë në histori, ishte shumë i zoti ta bënte këtë gjë, tanimë nuk ka njeri e forcë ta nxjerrë prej andej. Në histori hyjnë që nga martirët, heronjtë dhe idealistët e deri tek më të mëdhenjtë e sharlatanëve apo rënuesve.
Ja përse, besojmë, se për Enver Hoxhën do të bëhen filma dhe libra, por zor se do të kendohen më kengë. Ai do të jetë në histori, por jo në Panteonin e saj.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com