Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pushteti i Teto Ollges

Ballkan, 14 gusht 2005

Qyteza e vogël turistike Tushemisht, një breg i përndritur liqenor në rrethinat e Pogradecit, të zgjon shumë mendime. Kjo jo sepse kthina të tilla janë mjaft larg zhurrmës metropolitane të Tiranës apo sepse fal një pakujdesjeje të kujdesshme ekranet televizive këtu qemtojnë vetëm Televizionin Shqiptar, Top Channel, stacionin televiziv lokal dhe pastaj një dyzinë kanalesh maqedonase dhe me këtë rast do ta kesh të stërmundimshme të tatosh pulsin e jetës së vendit tend. Tushemishti të zgjon mendime jo vetëm se në një nga hotelet e tij, atë Milenium, vijnë të relaksohen personazhe të rendësishme të jetës kombëtare, sidomos politikanë. Në një çast aty, më 7 gusht, mbërriti edhe Kryeministri si edhe nga përtej kufiri edhe Arbër Xhaferri. Po ashtu në një mjedis tjetër origjinal, në megarestorantin “Korani” kanë qënë për një kafe Presidenti i Shqipërisë si edhe kolegu i tij i shtetit fqinj. Nga pronari i saj, një burrë që jeta e ka tallazitur më shumë se ciklonet e gjata me erë të frohtë mbi liqen, tregohet me kureshti një kend, kur dikur, shumë dikur, nën një pemë dhe buzë një rezervati shtetëror për rritjen e peshkut, rrinte ulur dhe i heshtur Enver Hoxha.
Në rast se Shqipëria do të investigohej sipas një statistike se sa politikanë për metër katror e kanë shkelur një territor të caktuar, duke mos ja ngrënë hakën hoteleve Rogner dhe Sheraton në Tiranë, Tushemishti do të rreshtohej ndër të parët fituesë. Mirëpo qyteza, ku politikanët vijnë dhe ikin, të vëzhguar nga media dhe të regjistruar në kronikat e saj, ruan edhe një karakteristikë tjetër. Tushemishti në kujtesën e shqiptarëve (por jo të medias që lajmin e kërkon me ngulm tek gjestet e vetëm politikanëve) ka të ngulur përfundimisht emrin e një personazhi artistik shumë të njohur që prej tre dekadash: Teto Ollgën. Heroina kryesore e filmit të realizmit socialist “Zonja nga qyteti” këtu është e pranishme si edhe vetë ajri. Teto Ollga është kudo. Ti kërkon të pajtosh një dhomë për të pushuar i vetëm apo bashkë me familjen dhe përgjigja të vjen fare e shkoqur: dritarja apo ballkoni i dhomës apo apartamentit është buzë kanalit, pikërisht tek ajo ura, ku në film postieri, duke dashur në skajin tjetër të takonte teto Ollgën, ra brenda në ujë. Ose të përgjigjen menjëherë: shtëpia jonë ndodhet tek burimi i teto Ollgës. Kur vjen vetë në qytezën e Tushemishtit të parën gjë që bën, pasi sistemohesh në një dhome hoteli apo banese, është vizita tek vendet që historikisht në kujtesën kombëtare kanë mbetur të bashkëngjitur me emrin e personazhit të gëzuar e plot humor të Artistes së Popullit, Violeta Manushi.
Filmin “Zonja nga qyteti”, një kryevepër arti në kornizat mbytëse të një metode dogmatike, një ekip fantastik aktorësh që nga regjizori Piro Milkani, libretisti Ruzhdi Pulaha dhe më të rejat e aktoreve të kohës Rajmonda Bulku dhe Yllka Mujo, nuk e gjen vetëm në qytezën turistike të buzë Ohrit, por edhe në një seksion të titulluar “filma” të të madhes gazetë amerikane “The New York Times”. Ajo e prezanton videokasetën e filmit, duke ofruar çmimin prej afro njëzetë dollarësh, si “një komedi romantike shqiptare”.
Se si filmi i realizmit socialist, që e detyronte dje artistin të ishte një fanatik kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon sot të reklamohet e shitet me sukses nga e përditshmja e shquar e këtij kombi të madh, përbën një rrugë të gjatë hulumtimesh dhe argumentash. Për të mos udhëtuar kaq gjatë le të mbetemi tek fakti: Teto Ollga nuk ka pushtet vetëm në Tushemisht, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky pushtet i Violeta Manushit si edhe e një stafi të tërë artistik nga vendi i vogël i shqiptarëve nuk është i njëllojtë me atë të politikanëve. Doemos secili ka pushtetin e vet mbi shoqërinë, të ligjshëm e ka atë edhe politikani, edhe publicisti, edhe futbollisti, edhe kengëtari apo aktori. Megjithatë një popull apo një bashkësi etnike, në rast se kërkon të dëshmojë qytetërim të barabartë me atë të vendeve të zhvilluara, duhet të dijë të bëjë edhe një përzgjedhje. Artisti ngulitet në kujtesën e kombit dhe kjo memorje është e gjatë, tepër e gjatë. Tushemishti me gjithkund gjurmët e një filmi të prodhuar tridhjetë vite më parë e që, si çdo kryevepër, nuk do të vdesë mbase as pas treqind vitesh, e dëshmon këtë epërsi. Politika shenohet e lëshon diagramat e gjurmëve të saj të përditshme në kronikat e kohës. Intensivisht. Përditë. Çdo orë. Ngulmuese e palodhshme e shkruan praninë e saj që nga orët e para të zbardhjes së një dite deri tek çasti kur pasmesnate njerëzit e lodhur, bashkë me politikanët, i mund gjumi. Politika synon historinë, mësyn regjistrimin në kujtesën e saj, por për shumë kohë protagonistë nga këta gjithçka përfundon si shkrimet në rërën e një bregu deti. Në Tushemisht vërtet ta shuajnë kuriozitetin me vendin ku rrinte diktatori një gjysëm shekullor, tashmë një emër i ngulur hidhshëm në memorjen e shqiptarëve. Veç jo vetëm në këtë qytezë buzë Ohrit, por në të gjithë Shqipërinë nuk gjendet një vend, ku emërtimi, pra toponomastika e tij, të mbajë emrin e Enver Hoxhës. Shqipëria ka një Mal Skenderbe, por nuk ka asnjë pëllëmbë tokë, të cilit populli t’i ketë vënë emrin e njeriut që e sundoi për afro pesëdhjetë vite. Edhe ato rrugë, sheshe apo ndërtesa, të cilave në kohën e diktaturës iu vu zyrtarisht emri i tij, ranë e po aq shpejt firuan nga kujesa kombëtare.
Dhe mbeti në të, i pashkulshëm, ai i Teto Ollgës. Fitoi pushteti i saj, pushteti i vërtetë që ekziston që në çastet kur e fiton këtë autoritet me forcën e artit. Në Tushemisht nuk gjendet asnjë pllakë përkujtimore se në mjedise të tij, si edhe të disa fshatrave përreth, është xhiruar një nga kryeveprat e rralla të kulturës shqiptare. Në Tushemisht dhe në fshatrat përreth nuk gjendet as më e vogla shenjë e një kendi muzeal për këtë film dhe stafin e tij brilant artistik. Në Tushemisht dhe në fshatrat përreth nuk ka ndonjë bar, restorant apo hotel që të mbajë emrin e Teto Ollgës apo të emërtohet thjesht “Zonja nga qyteti”. E megjithatë banorët e saj, nëse do të pajtosh një mjedis për të kaluar pushimet, të gjitha karakteristikat e ofertës t’i lidhin me filmin e famshëm.
Ndërkohë edhe “The New York Times” vazhdon që nga qyteti më i madh i Shteteve të Bashkuara të reklamojë videokasetën e tij, regjisorin, libretistin, aktorët.
Në 7 gusht në Tushemisht ndenji disa orë, për çështje pune, edhe Kryeministri. Erdhën dhe ikën politikanë, profesorë, bisnesmenë dhe publicistë të njohur. Midis tyre në një dhomë në katin e dytë të hotelit “Milenium”, me pamje nga liqeni, ishte edhe Dritëro Agolli me shoqen e tij të jetës, Sadijen. Herë pas here krifa e flokëve të tij të bardhë dukej në ballkon. Silhueta e tij e heshtur e modeste shihej edhe në ndonjë tryezë të restorantit, në orët e ngrënies apo të pirjes së një kafeje. Vetëm kaq. Dritëro Agolli nuk tërhoqi vëmendjen e asnjë medieje, veç kur ato deshën të shpjegonin se i paskej qënë shmangur takimit me Kryeministrin. Kështu emri i shkrimtarit të njohur bëri lajm vetëm për hatër të gjesteve të politikës së ditës.
Mirëpo në të vërtetë në Tushemisht, po të jenë të shkathët e largpamës, që tani duhet të kujdesen që të shenojnë se në atë qytezë apo hotel ka pushuar një nga kolosët e letrave shqip. Po nuk e bënë këtë gjë vetë zyrtarët apo pronarët, do ta bëjë populli. Vetëm populli e ka kujtesën të pavdekshme, të pamanipulueshme e të pashkatërrueshme. Arkiva e tij e gjallë ndryshon nga ajo e administratës apo e medias. Populli nuk prodhon lajme dite, por epoke. Ai prodhon edhe vetë kohën.



Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com