Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Plumba mbi tolerance

Korieri, 15 korrik 2005-07-15

Paralelisht me zgjedhjet e gjata shqiptare po aq e zgjatur po bën jetë të zhurrmshme në Itali edhe një ngjarje që lidhet me shqiptarët e emigruar atje. Më 14 qershor në qytetin e vogël Bezano, në provincën e Varezes, një i ri italian me emrin Klaudio Mexhorin u vra me një goditje thike prej një emigranti klandestin shqiptar. Ndodhia ishte banale, siç banalisht e kemi ne një pjesë të jetës së një dite rutinë. Bashkëkombasi ynë ja mori jetën një italiani që kishte ndërhyrë për ta ndarë atë nga një zenkë me një shqiptar tjetër. Ngjarja i ka të gjitha turpet e atyre rëndomësive tona, kur të rinj të ndryshëm nxjerrin brisqet, sojakët, thikat apo kamat në rast se padashje një makinë gërvish tjetrën. Apo se një fjalë në gjaknxehtësi e sipër tejkalon masën e durimit të ca sedërmëdhenjve.
Pas kësaj ndodhie të trishtë e të dhimbshme, gjithsesi të rendë edhe për komunitetin shqiptar në Itali, bashkësi që punon e jeton ndershëm, rrodhën njëra pas tjetrës shumë ngjarje. Më e potershmja mes tyre ishte manifestimi i dhunshëm disaditor i tre-katër dyzinave “kokërruarish” si edhe thirrja e një politikani italian dhe bashkë me të edhe e një partie në qeverisje për dëbimin e shqiptarëve. Kur ky duf u shfry për pasojë edhe të ndërhyrjes së shoqërisë demokratike dhe elitës së emancipuar të popullit fqi, në të dy vendet respektive, në Itali dhe Shqipëri, ndodhi papritur një zhvillim i ri. Nëna e të riut shqiptar që vrau italianin, doli para mediave të vendit të vet dhe i kërkoi falje familjes së viktimës. Ike Mnela është një grua që jeton në ngushticë ekonomike e në mos varfërisht. Kur një gazetar i bëri pyetjen “Keni ndonjë mesazh për familjen e të riut italian të vrarë?” kjo bashkëkombase plot dinjitet tha publikisht “Më vjen shumë keq për nënën italiane dhe e ngushëlloj shumë. Ajo tani e ka djalin e saj të vdekur, ndërsa unë të gjallë, por për momentin jemi njësoj. Edhe për mua djali im është i vdekur. Dua me gjithë shpirt t'i dërgoj një buqetë me lule në varrin e të riut italian”. Pyetjes tjeter “Keni bërë ndonjë përpjekje për t’ia dërguar këtë mesazh familjes italiane?” Ike Mnela iu përgjigj “Kam menduar të shkoj te Konsullata Italiane që kemi këtu në Shkodër, por nuk e di se si do ta presin, se ata e kanë dhimbjen më të madhe. Gjithsesi do të shkoj”.
Ngjarja e rendë e konsumuar në qytetin Vareze të Italisë do të ishte edhe me kaq mjaft e mbushur me mesazh dhimbjeje njerëzore, me shpirt tolerance dhe frymë faljeje e pendimi. Po ashtu me kaq shumë mençuri. Por nga ana tjetër, pa e ditur çfarë kishte deklaruar nëna shqiptare Ike, nëna italiane Elisa Mexhorin,
edhe pse mjaft e hidhëruar për humbjen e djalit, shqiptoi para medias së vendit të saj fjalët lapidare: "Do të adoptoj një fëmijë shqiptar në distancë". Dhe e bëri të kthjellët mesazhin e saj duke sqaruar “Dua të adoptoj një fëmijë shqiptar në distancë për t'iu dhënë të gjithëve një mesazh paqeje". E mahnitur nga ky gjest një e përditshme italiane ato ditë do të shkruante “Një fëmijë? Një shqiptar? Me po ato sy të errët, me po atë theks shqiptimi si ai tjetri, do të jetonte me një qënie, i cili duke u rritur do t’i kujtojë fatin e djalit të saj, i cili dha shpirt papritur në një mbrëmje vere, para një lokali bari? Zgjedhja e zonjës Eliza mund të deshifrohet vetëm me një çelës, me atë të të qënit nënë. Dëshira për të adoptuar një fëmijë shqiptar asaj iu sugjerua nga një lloj gjenialiteti femëror e mëmësor: jeta duhet rifilluar bashkë me faljen”. Dhe më pas në të përditshmen italiane vijohej “Heshtni: çdo polemikë, çdo instrumentalizim, çdo marrshim, çdo thirrje, çdo projektligj, edhe më i miri, nuk mund të bëjë ndryshe veç të heshtë para një gjesti të tillë!”
Ja përse në rast se bëhet fjalë për një histori të pesëmbëdhjetë viteve të fundit mes Shqipërisë dhe Italisë, pra për një biografi të të gjithë periudhës së jetës të diasporës së re shqiptare në gadishullin Apenin, gjestet e nënave Ike dhe Eliza në të përbëjnë margaritarin më të shkëlqyer të saj. Monumentin. Balladën.
E megjithatë më 11 korrik mbi këtë monument të pashëmbëllt tolerance e bashkëjetese u qëllua me plumb. Gjatë natës së të hënës në Bezano xhami i një lokali picerie, i cili drejtohet prej një shqiptari, u shpua nga një e shtënë pistolete e kalibrit të madh. Ditë më parë lokalit të shqiptarit iu thyen xhamat. Sipas policisë të gjithë të marët në pyetje kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar e parë gjë. Kjo është alarmante. Bezano është një bashkësi e vogël prej 2400 banorësh. Që të gjithë italianët tashmë kanë frikë të denoncojnë autorët e paralajmërimit ogurzi, shqiptarët mund të detyrohen të largohen.
Ata që kanë marrë revansh në këtë qytezë janë “kokërruajturit”. Të quajturit “ultras”. Tifozë radikalë të skuadrës së futbollit të Varezes. Thirren edhe Blood&Honour. Shefi i B&H ka vdekur në Spanjë në një përleshje me thika për çështje droge. Këta “kokërruajtur” konsiderohen edhe naziskinë. Për ta nuk kursehet edhe shprehja “janë fashistë të orës së parë”. Kohë më parë në Vareze ata vranë shqiptarin me dokumenta të rregullta qendrimi në Itali, njëzetë e katër vjeçarin Abdulla Kaja.
Rigjallërimi i “kokërruajturve” të Varezes nisi menjëherë pas aktit të papërgjegjshëm të bashkëkombasit tonë, por ky ishte vetëm justifikimi i tyre, jo shkaku i vërtetë. Protestat e “ultrave” lëvizën qartas që në fillim për motive të caktuara politike. Ky profil i aksionit të tyre është lënë pas dore në median e vendit fqinj, i cili i rreshtuar kundër “kokërruajturve”, për pëlqim ngjyrash lokale, nuk i dha reliev gjestit të nënës shqiptare Ike, por u mjaftua me atë të bashkëkombases së tyre të nderuar. Mirëpo në këtë zjarr që kërkojnë të ndezin disa naziskinë dhe ndonjë politikan ekstrem në Itali (ky menjëherë klithi “Jashtë emigrantët shqiptarë!”) mesazhi i nevojës për tolerancë e mirëkuptim mes dy popujve duhej theksuar se vinte jo nga njëra nënë, por nga të dyja. Mbërrinte për të shuar flakën dëshira e vullneti jo i një populli, por i të dy popujve sëbashku. Nuk mund të mos dihej se protestat e dhunshme të “kokërruajturve” në fillim, pastaj thyerja e xhamave të lokalit të një shqiptari që nuk ka asnjë lidhje me vrasjen, por linçohet thjesht se është shqiptar, do të degjeneronin edhe tek plumbi i kalibrit të madh. Tek predha vrastare e përdorur sipas të gjitha kodeve të mafiozëve. Po u anashkalua përshkallëzimi i frikshëm i kësaj ngjarjeje, po u nënvleftësua jo vetëm teknikisht si banditizëm, por edhe politikisht si një përshfaqje e egër e racizmit, atëhere jeta e vendit mik do të kalojë probleme të panevojshme.
Tashmë të gjitha llojet e naziskinëve në eurokontinent për të fituar dukshmëri politike si edhe vota, çështjen e luftës kundër emigrantëve e kanë të vetmin ushqim revanshi për të zënë ndonjë vend në parlamentet e kombeve të tyre dhe nesër, në u priu klima, edhe në ndonjë kabinet qeveritar. Në Itali fashistët e rinj ka të ngjarë të kenë përzgjedhur taktikisht, si dikur Hitleri çifutët, emigrantët shqiptarë. Pra ajo që po ndodh që prej një muaji në Bezano të provincës së Varezes, ishte në variantin e vet prova e një “marrshimi mbi Romë”. Më 1923 këtë marrshim e bënë realisht fashistët e udhëhequr nga Benito Musolini, në qershor 2005 një provë në epruvetë e saj, një eksperiment edhe pse modest, po bëhet në Vareze.
Jeta e Italisë së pas Luftës së Dytë Botërore është histori e triumfit mbi fazhizmin dhe ligjet të tij raciale, është ngadhënjim mbi të gjitha llojet e terrorizmave ekstremisht të majtë apo të djathtë. Prandaj, jo vetëm në emër të mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve shqiptarë, por mbi të gjitha në emër të demokracisë, do të fitojë edhe në Bezano.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com