Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

POPA E FUNDIT
TĖ TJERA HOLLĖSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMĖS ME FAMILJEN POPAJ
HASAN LUĒI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ
FAN NOLI PĖRBALLĖ ENVER HOXHĖS:
ISMAIL KADARE E RRIT SHTATIN E TIJ HISTORIK VETĖM NGA E VĖRTETA
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Krimi qe leviz ne sfond

BALLKAN 17 korrik 2005

Ecuria e këtyre zgjedhjeve ishte përzgjedhur nga qendrat më të rendësishme të demokracisë sot në botë si ngjarje përcaktuese për mundësinë e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Të gjithë ne, i madh e i vogël, e dimë këtë gjë, ky ishte një opinion i bërë tërësisht e përditë publik nga Brukseli apo Shtëpia e Bardhë. Shqiptarët edhe pse ende nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se çfarë pike kyçi ishte në fatin e tyre tre korriku, si bashkësi treguan pjekurinë më maksimale që zotëronin. Manifestuan dëshirën më të hapur të mundshme që zgjedhjet të kalonin sa më pranë standarteve eurodemokratike. Po ashtu edhe strukturat e elitave kombëtare që nga ato të shoqërisë civile e deri tek të Shtetit e të sistemit partiak. Mirëpo në thellësitë e errta të një vendi apo të një rajoni jo gjithçka ka këtë dritë. Poshtë fateve të popujve bëjnë terr edhe humbellat, uturojnë edhe gjiratoret, hapen edhe greminat. Dhe nuk kishte moment më të favorshëm për ta dëmtuar aspiratën evropiane të shqiptarëve se sa ky çast i tyre solemn: zgjedhjet për parlamentin e ri. Mjaftonte pak gjë, shumë pak, për t’i njollosur me një minitrazirë, me ca trakte kundër Brukselit, me një shpërthim pa shkaktuar të vrarë, me shpalljen e një partie ultranacionaliste e që riprogramonte konfliktin etnik në Ballkan. Mjaftonte kaq pak e megjithatë asgjë nga këto nuk ndodhi.
Shqiptarët rikonfirmuan aspiratën e tyre, votuan dhe presin, që prej dy javësh, rezultatin përfundimtar të zgjedhjes së tyre të lirë. Ata akoma nuk kanë shumë gjëra në dorë që të mund të ndalonin partitë politike, të cilat fushatën parazgjedhore e bënë në një kohë dyfishe nga afati ligjor dhe drejt shumëfisheve të afateve normale po shkon edhe shpallja e rezultatit final. Me siguri bashkëkombasit do të kishin shumë dëshirë t’u thoshin partiakëve se jo vetëm nuk janë aq të pasur sa të përballojnë dy e tre fishet e shpenzimeve të nevojshme financiare, por vendi është mirë të ekspozohet sa më pak përballë garave e tensioneve politike. Në një situatë tjetër rajonale mbase tre muaj ethe të ndezura elektorale do të ishin jo vetëm një luks shumë i tepruar, por edhe një mundësi e shtuar para rreziqeve ndaj qendrueshmërisë së vendit. Historia e këtyre pesëmbëdhjetë viteve pluralizëm ka dëshmuar se situatat elektorale kanë qënë momente të favorshme për ta kanosur stabilitetin e një shteti.
Na duket se, megjithë kapërximin e sukseshëm që Shqipëria dhe elita e saj, bashkë me strukturat e Shtetit, i bëri këtyre çasteve delikate, një silhuetë e errët ka lëvizur pa u ndalur në sfond të zgjedhjeve. Ky ka qënë krimi. Ai në fillim ka heshtur dhe ka pritur tinëz që të kalonte fushata parazgjedhore. Aksionet i ka kreu menjëherë dhe vetëm pas mbylljes së kutive të votimit. Kjo hollësi mbase është ende fare pak për të ngulur kembë se krimi ka lëvizur në prapaskenë të këtyre zgjedhjeve të brishta posaçërisht për të goditur e kompromentuar përfundimin e tyre, rezultatin. Se për të nuk ishte fare fitimprurëse ta sulmonte 3 korrikun para se ai të konkretizohej. Pikat më të favorshme dhe më lehtësisht të goditshme ishin ato pasi elektoratin e kapnin më fort ethet e daljes së rezultateve e ku tifoja e përgjithshme ishte karburant për të ndezur gjithfarë zjarresh. Në rast se nuk do t’ja dilnin kësaj ambicieje atëhere gjithsesi mund të realizonin “programin minimal”, ndotjen e atmosferës së fitores jo të një pale, por atë që realisht doli nga kutitë e votimit: vlerësimin përgjithësisht pozitiv të bashkësisë ndërkombëtare dhe të Brukselit.
Krimi që nuk bëzante deri sa u mbyll fushata parazgjedhore dhe lëvizi furishëm menjëherë sa nisi proçesi real i votimit, goditjen e parë të drejtpërdrejtë e dha në kryeqytet, në pasditen e së dielës. U godit me armë zjarri para një qendre votimi komisioneri i Partisë Republikane Learton Vathi, 44 vjeçar. Burime policore konfirmuan menjëherë edhe shkakun e krimit: ai kishte të bënte me qarkullimin e çertifikatave false nga autori i vrasjes dhe denoncimin që i kishte bërë këtij manipulimi viktima, një përfaqësues zyrtar politik i PR-së për proçesin e ligjshëm zgjedhor. Krimi i dytë nuk vonoi, veç pak orë. Ai ndodhi në qendër të Lushnjës, rreth orës 22.30. Një anëtar i një bande të njohur të këtij qyteti ndoqi dhe vrau një pesëdhjetëvjeçar mes për mes turmës së ndezur të simpatizantëve të Partisë Demokratike, të cilët po festonin gëzimin e mundshëm të një fitoreje elektorale. Më pas u gjet i vrarë dhe vetë vrasësi. Më 5 korrik, rreth orës 22.30 u rrëmbye në rrethana misterioze kryetari i Partisë Demokratike të Hasit, mjeku Behar Kastrati. Ai ishte edhe shefi i shtabit elektoral në fushatën e një kandidati fitues për këtë parti. Që prej atëhere, megjithë mobilizimin e përgjithshëm të strukturave kundërkrim, nuk është gjetur dot viktima e rrëmbimit, as autorët e kësaj ngjarjeje të dhimbshme.
Siç mund të shihet në të tre rastet krimet janë kryer në mpikun e tensionit zgjedhor dhe për motive që lidhen me të. Në rastin e Lushnjës vrasja e parë është kryer në pikën më të nxehtë të tensionit të ditës së 3 korrikut. Efekti psikologjik mbi popullsinë e qytetit nuk ka qënë i vogël. Dëshmohet se ka patur panik se mos Lushnja përfshihej në sindromën që e kapi në fillim të vitit 1997 e më pas, kur aktet anarkiste rebeluese ndikuan edhe në trazimin e të gjithë vendit.
Të tre krimet që gjeografikisht janë shpërndarë që prej Shqipërisë së jugut, në qendër dhe në veri të saj, mund të duken si akte të veçuara. Një konkluzion i tillë është shumë i besueshëm. Asnjë fije e përbashkët nuk duket se i mban të tre ngjarjet. Në kuptimin se për inskenimin e tyre ka patur një shtab koordinues. Megjithatë një fije gjeostrategjike mbështillet mbi to: ajo që u kryen në pikën më përvluese të tensionit pasgjedhor. Edhe fakti se objekt i dy prej këtyre krimeve mjaft të renda janë dy politikanë të opozitës mund të mos ketë fare lidhje me një qendër që e ka nismuar aksionin për motive të drejt për drejta politike. Në rast se krimi i Lushnjës në mbrëmjen e 3 korrikut mund të supozohet se e zgjodhi momentin e tubimit partiak thjesht për t’u kamufluar e fshehur apo mbase për t’i dhënë zë dhe krimi i Tiranës mbetet pasojë e arrogancës së një personi të politizuar, ai që ka ndodhur në Has lëshon shumë hije dyshimesh dhe hamendjesh. Pas gati dy javësh ende nuk ka një argument përse dy rrëmbyesit, që siç thotë policia natën e krimit ishin veshur me të zeza, nuk e bënë veprën e tyre shumë kohë para 3 korrikut ose ta linin pasi mbi Shqipëri tensioni zgjedhor do të binte. Personi, funksioni i tij publik e partiak, duken si objekte të përzgjedhura për të ndezur tension destabilizues.
Kësaj rradhe dy viktimave të opozitës kjo e fundit bëri kujdes t’u shprehte dhimbje, familjeve solidaritet dhe policisë mbështetje e nxitje për të gjetur fajtorët. Kush, të paktën në një nga të tre krimet, mbase në qarqe e humbella antishqiptare jashtë kufijve tanë, ka projektuar rropamën e fatit të zgjedhjeve tona jetike për të hyrë në Bashkimin Evropian, kësaj rradhe u ndje i izoluar dhe i pafat.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com