Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ne emer te popullit jeni te martuar!

Ballkan, 25 shtator 2005

Gjithçka që do të përshkruajmë në këtë shkrim ndodhi në hapësirën e trazuar mes dy ngjarjeve që bënë jetë ditët e fundit përtej detit, në gadishullin Apenin, në Itali. E para ndodhi vezëlliu në veri të vendit, e dyta nxiu duke u shtyrë drejt jugut. Në qytezën e vogël dhe të qetë të Kastelnuovo Barjanos, në provincën e Ferrarës, e para. E dyta në qytetin e madh disamilionësh të Romës. Ngjarja numër një kishte për seli komunën e Kastelnuovo Barjanos, ajo me numër dy metronë e potershme në qendër të kryeqytetit italian, në Stacione Termini. Sikur të mos ishte një humnerë e madhe distance mes të dy ndodhive mbase ky shkrim nuk do të kishte dalë nga thellësia e ndërgjegjes së përjetuesit për t’u ekspozuar më pas njëherësh me gëzim dhe brengë në faqet e një gazete. Mirëpo midis asaj që ndodhi pothuaj njëherësh brenda dy ditëve të messhtatorit të këtij viti në dy qytete të ndryshme të Italisë kishte diçka që shkonte përtej ngurimit për ta mbajtur larg vëmendjes së opinionit bashkëkombas.
Të dielën e 11 shtatorit në qytezën e Kastelnuovo Barjanos, pas dy darkave të shtruara hareshëm një ditë më parë veças në familjen e dhendërit dhe të nuses, në sallën e madhe të selisë së komunës u bë akti i celebrimit të dy të rinjve të dashuruar. Vajza, emri i të cilës formohej nga togfjalëshi Reze të Arta, ishte shqiptare. Djali, emri i të cilit thirrej Alesandro, ishte italian. Alesandro është një emër historik për të gjithë kontinentin dhe ka të bëjë më së shumti me kujtimin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Ndërsa gjithkund njihet tingullueshëm vetëm një variant i përafërt i fjalës së mësipërme, në shqip ne e kemi përjetësuar këtë gjeni pushteti jo me një, por me dy emra: Aleksandër dhe Skender. Shqiptimi i parë vjen nga shtrati gjithevropian, i dyti nga lindja e përtej ngushticës së Bosforit dhe na kujton ardhjen e parë të bujshme, në gjuhën turke të emrit Aleksandër, Skenderbeun.
Ceremoninë e martesës, sëbashku me dy punonjëse, e drejtoi nënkryetari i bashkisë, Masimo. Ajo do të ishte gjithaq e pazakonshme për pjesëmarrësit e shumtë mes dy familjeve dhe miqve të djalit dhe të vajzës, por në të njëjtën kohë edhe krejt e zakonshme. Edhe rutinat cerimoniale kanë gëzim. Edhe pse ka një moment të njëllojtë për çastin e shkembimit të unazës, asnjëherë kjo ngjarje nuk përjetohet njëlloj dhe përherë përmban emocion. Në mënyrë të njëjtë kryhet formula e leximit publik të detyrave që kanë të dy bashkëshortët ndaj njeri tjetrit, para fëmijëve të ardhshëm dhe familjes, por emocioni përherë shpërthen përtej formulës. Nuk fshihet dot gëzimi edhe kur të dy palët firmosin para përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe gjithë pjesëmarrësve dokumentin zyrtar të bashkimit në një familje të re.
Mirëpo më 11 shtator 2005 në Kastelnuovo Barjano ndodhën edhe disa veçansi, të cilat e bënë unike në llojin e vet atë ceremoni martese mes një shqiptareje dhe një italiani. Me dëshirën e tij dhe pëlqimin e administratës nënkryetari i bashkisë u lexoi dy të porsamartuarve një poezi të një poeti të njohur çifut. Ishte për dashurinë dhe shenjtërinë e bashkimit në një familje. Pastaj, të hedhur në një pergamen, ua dhuroi poezinë dy të rinjve. Në vijim të “paketës” së veprimeve jashtë rregullit të përgjithshëm tradicional nënkryetari Masimo i dhuroi shqiptares, në emër të bashkisë dhe komunitetit të Kastelnuovo Barjanos, një tufë të madhe me lule. Po ashtu të riut italian një dhuratë të paketuar me fjongo rozë. Në kuti ishte një ornament pjatinë me pamje të qytezës së tyre. Kështu në shtëpinë e re, mes orendive për bashkëjetesë të çiftit, do të rrinte edhe ajo dëshmi e njëhershme e vendbanimit dhe e përkujdesjes së shtetit për jetën e tyre të përbashkët. Poezia, tufa me lule dhe pjatina-pejsazh në atë krahinë ishin një risi e vetëm asaj bashkie. Në këtë rast e zbatuar me pasion të veçantë nga administrata e komunës së Kastelbarjanos për të dëshmuar publikisht gëzimin e madh që kishte duke bashkuar përjetë fatet e një emigranteje shqiptare me një bashkëqytetas të tyre. Vajza me emrin prej togfjalëshit “reze të arta” dhe italiani me emrin e shumënjohur edhe prej shqiptarëve u ndjenë më të lumtur se kurrë kur njeriu i shtetit u deklaroi para të gjithëve se “Në emër të popullit italian ju deklaroj të martuar!”
Kjo ishte edhe surpriza më e bukur për ata shqiptarë që morën pjesë, në emër të familjes së vajzës, në atë ceremoni. Edhe në Shqipëri është përdorur pa fund formula “Në emër të popullit”. Kaq herë dhe kaq shumë për të kryqëzuar në pranga “armikun e klasës”. U përdor formula në formën e saj të kobshme madje edhe nga fashistët italianë, kur dënonin me vite burgimi apo me vdekje shqiptarët që i luftonin për t’u çliruar pikërisht nga ata, italianët e ardhur si pushtues. “Në emër të popullit” është shumëpërdorur e vijon sot në salla gjyqesh deri edhe për çdo çështje ordinere. Mirëpo përdorimi i saj publik jo në mveshjen e kobshme, por atë shumë të gëzueshme, siç është ajo e lidhjes martesore mes dy njerëzve, nuk përbën tek ne jo vetëm traditë, por edhe as përpjekje për një risi në jetën tonë shoqërore. Kjo për shumë faje që janë tërësisht tonat, si komunitet dhe si administratë shtetërore. Gjithsecili i martuar mund të kujtojë varfërinë në përmbajtje dhe rutinën mbytëse të aktit të celebrimit të tij në të quajturën “zyrë të gjendjes civile”. Sigurisht në ato pesë apo gjashtë metra katrorë me një tavolinë, tre-katër tavolina dhe një raft nga më të shpërdorurit, nuk ka munguar gëzimi i sinqertë i punonjëses së thjeshtë dhe as dy dëshmitarët hokatarë. Nuk ka munguar edhe pakoja e llokumeve e shpërdarë prej çiftit, por gjithçka tjetër po. Ka munguar vetë ceremonia shtetërore, thelbi e misioni i saj për qytetarin. Vetëm në ndonjë rast apo qytet të madh ndonjë nga drejtuesit e bashkive merr pjesë apo drejton ceremoninë e martesës, ku edhe shqiptarët mund të dëgjojnë me veshët e tyre se e kanë kaq afër jetës dhe fatit të mbarë administratën e shtetit. Kush nuk do të emocionohej ta dëgjonte çdo ditë e më shumë formulën e gëzueshme “Në emër të popullit shqiptar jeni të martuar!” Të paktën ta ndjenim më shpesh për të zbuar nga kujtesa të rëndën “Në emër të popullit jeni dënuar me…!”
Kjo, e ndodhura gëzueshëm në qytezën Kastelnuovo Barjano, ishte edhe ngjarja e parë që premtuam ta tregonim. Pa harruar se shumë ditë më parë, kur emigrantja shqiptare kërkoi para përfaqësuesve të komunës se ceremoninë e martesës nuk do ta bënte as më 9, 10 apo 12 shtator, por fiks në datën njëmbëdhjetë. Të dielën, ditën kur italianët nuk e kanë fare zakon të bëjnë dasma. Arsyen e përzgjedhjes së saj shqiptarja e shpjegoi fare e thjeshtë: kishte të bënte me 11 shtatorin si ditë e luftës kundër terrorizmit. E reja nga Shqipëria, intelektuale, piktore, kërkonte ta kishte sfidë kundër vdekjes ditën e saj të martesës. Si edhe mesazh që vendi i saj, jo njëherë i nëpërgojuar si vend muslimanësh, është një atdhe qytetarësh evropianë. Por edhe bashkia e Kastelnuovo Barjanos u përgjegj me gjuhën fisnike të mesazhit të mirëkuptimit. Komuniteti aty ka shumë simpatizantë të partisë Lidhja e Veriut, disa eksponentë kryesorë të së cilës në vazhdimësi janë ekstremistë ndaj emigrantëve dhe sidomos ndaj shqiptarëve. Prej liderve të kësaj partie kohë më parë ka dalë thirrja çnjerëzore që emigrantët shqiptarë të hidheshin në det që prej anijeve ku vite më parë refugjonin drejt brigjeve italiane. Ja përse komuna e Kastenuovo Barjanos e bëri aq spektakolare ceremoninë e martesës së emigrantes shqiptare me bashkëkombasin e tyre.
Ngjarja e dytë, siç e bëmë të ditur edhe këtë në krye të shkrimit, ndodhi në mëngjezin e 10 shtatorit në metronë e Romës. Çdo mëngjez në të gjitha stacionet e saj dhe ca më shumë në kreun e tyre, Stacione Termini, shpërndahen falas afro njëqindmijë kopje të gazetës “Metro”. Këtë ditë ajo, sipas shumë emigrantëve shqiptarë, njoftonte se një gazetar italian nga ata të periferisë kishte dashur të botonte një libër me temë Shqipërinë dhe titullin e kishte përzgjedhur të bujshëm: “Aldila del’Africa”. E përkthyer në shqip me një farë vetpërmbajtjeje ky titull do të thotë “Më tej nga Afrika”. Porse në të vërtetë e përkthyer mjaft korrektësisht do të thotë “Më keq se Afrika”. Pra sipas gazetarit të njohur vetëm në shtypin e provincës së vendit të vet Shqipëria ishte një vend më i prapambetur se kontinenti i Afrikës. Për të mbërritur në këtë konkluzion ai ishte veshur tebtil, pra kishte maskuar identitetin dhe për një muaj rresht ishte endur nga një qytet shqiptar në tjetrin. Megjithëse edhe për Afrikën gazetari tebtil akoma ruan imazhin e prodhuar gabueshëm për të nga neokolonializmi, ndaj Shqipërisë me këtë koncept për projektlibrin e tij është edhe më përbuzës. Shumë më mohues. Qartësisht shtrembërues. Plotësisht me një mendësi kolonizatori të dy-tre shekujve më parë. Në vendin tonë ne shpesh kemi dyshuar nëse vërtet ka patur një kohë të mbrame në kontinentin tonë, kur shqiptarët prej disa mendjeve të çmeritura janë përshkruar si “njerëz me bisht”. Kemi dyshuar, sepse nuk mund të besojmë se në Evropën e qytetëruar kanë jetuar monstra të tillë. Ca më pak duket e besueshme që çmendje të tilla ekzistojnë edhe sot.
Mirëpo gazetari provincial dhe kolonizatori mesjetar me projektlibrin e tij “Më keq se Afrika”, ka dashur të bëjë emër. Ai ka kërkuar të shkaktojë një lajm. Dhe lajm, sipas kaptinës së tij, nuk bën (përshembëll) titulli “Shqipëria më pranë Evropës”, por krejtësisht e kundërta, distanca e largimi fatal prej saj. Në rastin e gazetarit të përtejdetit ka funksionuar logjika e çuditshme e sentencës se lajm nuk përbën fakti “qeni kafshoi një njeri”, porse “njeriu kafshoi një qen”.
Kështu e bëri lajmin me projektlibrin e tij për Shqipërinë edhe njeriu i huaj provincial, me logjikën e përdorimit absurd të fjalës “qen”.

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com