Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Udhetimi neper Itali i Komisarit Memo

Korrieri, 11 qershor 2005

Përkthyesja Mimma Aloisi, pasi lajmëroi në telefon se do të bëhej diskutimi në komunën e saj të Mineos, në Siçili, i librit të porsabotuar në italisht “Komisari Memo”, më në fund na dërgoi nga ky takim letrar edhe një zarf me dy foto. Gjendej brenda zarfit edhe një fletë e një reviste, të titulluar “La Piazza”, ku në gjysmën e faqes 20 spikatnin ngjyrë vishnje fjalët e titullit “Prezantimi i librit “Komisari Memo”. Që në rreshtat e parë të saj thuhej se veprimtaria kishte ndodhur më 12 mars.
Pra gjer në nisjen apo mbërritjen e zarfit kishte kaluar ca kohë. Tashmë edhe të shkruaje diçka për atë që kishte ndodhur mbase ishte vonë. Pastaj lajmi kishte mbërritur kur Shqipëria ndodhej e përfshirë nga ethet e forta elektorale. Kandidatët për deputetë dhe partitë nëpër gazeta dhe revista kërkojnë vëmendje, ngulmojnë hapësira botuese, nëpër ekrane duan nevojshem minutazhe.
Pastaj vetë Dritëro Agolli gjendet si kandidat për deputet në listën proporcionale të një partie. Ndokush një shkrim të mundshëm për ngjarjen letrare të ndodhur në Itali mund ta interpretonte si propogandë në favor të një formacioni të caktuar politik. Mirëpo e veçanta e asaj që kishte ngjarë në Mineo nuk mund të rrinte dot pa u bërë publike. Në zarfin e ardhur vonë, mbase për ndonjë shkujdesje rutinore të shërbimeve postare, kishte disa surpriza. Në veprimtarinë e organizuar në vendlindjen e përkthyeses, pasi për librin shqiptar u kishin folur pjesëmarrësve Profesor Antonio Di Silvestro dhe Doktor Xhuzepe Baldaçi, në sallë ishte çelur dhe përuruar edhe një ekspozitë fotografike. Kjo e fundit ishte homazh për ushtarët italianë të qytezës së tyre të Mineos, të cilët kishin marrë pjesë nëpër botë në Luftën e Dytë Botërore. Për fat të keq jo si çlirimtarë, por si pushtuesë. Diktatori i tyre fashist, Benito Musolini, i kishte degdisur që nga Etiopia e deri në poshtë Uraleve për të sunduar popujt e tjerë të globit. Pikërisht këta fatkeqë, një pjesë të rënë në beteja me rezistencën vendase dhe të tjerët ende gjallë, ishin portretet e ekspozuara në sallën ku u bisedua për romanin e Dritëro Agollit.
Në galerinë e gjatë të portreteve gjendeshin edhe ata ish-ushtarë pushtuesë italianë, të cilët kishin qënë të pranishëm në vendin tonë. Madje katër prej tyre kishin të shenuar simbolikisht poshtë fotove edhe emrat e viseve ku në Shqipëri kishin kryer operacione ushtarake apo banuar në kazerma. E veçanta në këto katër raste ishte se organizatorët vendndodhjet ua kishin zgjedhur e shënuar ekskluzivisht nga ato që citoheshin tek libri „Komisari Memo“.
Siç njoftonte revista “La Piazza” nuk kishin munguar në këtë ekspozitë edhe disa foto nga familja e presidentit italian Karlo Axelio Çampi, i cili e ka treguar publikisht se atëkohë bënte pjesë në një repart që u nis për në Shqipëri. Organizatorët e falenderonin Presidencën italiane për dërgimin e materialit fotografik.
Ja kështu partizani dhe komisari shqiptar Memo, krijim e vepër e pavdekshme e Dritëro Agollit, u gjend në të njëjtën sallë me ish-pushtuesit e vendit të tij. Më 1943 komisari Memo Meto dhe portretet e nderura në fotoekspozitë ishin armiq deri në vdekje, më 2005 ishin mbledhur të rrinin bashkë në atë sallë konferencash të Mineos, në bregun lindor mesdhetar të Siçilisë. As partizani shqiptar Memo nuk e kishte hequr shallin e kuq nga qafa dhe as ushtarët italianë kasketat ushtarake apo helmetat. I vetmi ndryshim ishte se partizanët shqiptarë lirinë reale e fituan një gjysëm shekulli më vonë, kurse të dytët, edhe pse humbën betejën luftarake me shqiptarët, këtë liri e siguruan që më 1945. Në të njëjtën kohë të parët hynë në një diktaturë, kurse të dytët dolën e shpëtuan prej saj.
Si mundën të dy palët të rrinin e „bashkëbisedonin“ si miq të vjetër? Meritë e përkthyeses? Vlerë e qytetërimit aktual të popullit fqinj? Traditë e dëshirë e vjetër miqësie mes dy popujve? Të gjitha nga pak, por kontributin kryesor e ka dhënë romani i Dritëro Agollit. “Komisari“ i tij. Vetë Dritëroi. Sekreti? Humanizmi i madh që depërton çdo rresht e varg të veprës së agolliane. Humanizmi si cilësi e vetë personalitetit krijues dhe e njeriut Dritëro Agolli. Humanizmi si virtut i shqiptarëve. Njerëzorja si dhunti e shqiptarëve dhe si talent i Agollit për ta spikatur artistikisht.
Udhëtimi i Komisarit Memo nëpër Itali, pasi lapidari i tij simbolikisht e kreu udhëtimin e vet edhe në Shqipëri, është një mesazh që mund të mirëkuptohet nga kjo fushatë e rreptë zgjedhore. Atje, në vendin fqinj, mbi supe librin e mban përkthyesja dhe shkrimtarja Mimma Aloisi, botuesi Renato Brukoli, fitues i çmimit “Manfredonia 1998”, Profesori Antonio Di Silvestro, Doktor Xhuzepe Baldaçi. Siç shkruante revista “La Piazza” një pjesë të të ardhurave nga shitja e librit, duke falur edhe shpenzimet e tij, botuesi i vuri në dispozicion të viktimave të tsunamit në ishujt e Indonezisë. ‘Komisari Memo” shkoi në një vepër tjetër humane. Tashmë edhe në ishujt e Indonezisë lapidarin e komisarit shqiptar e mbajnë në supe banorë që në përmbytjen e madhe të oqeanit kanë humbur të dashurit e tyre.
Sjellja e mbrapësht e regjimit që u vendos në Shqipëri pas luftës antifashiste, çnjerëzorja e tij, nuk mund të bëjë të mohohet dhe harrohet humanizmi i luftëtarëve të rezistencës gjashtë dekada më parë. Edhe të atyre “shallëkuq”. I mençur është një popull që di ta flakë nga govata ujin e pistë, por jo fëmijën. Televizioni Klan sapo përfundoi një nga aksionet e tij mediatikë më të suksesshëm artistikisht dhe nga më simbolikët në kumtin e vet social. Duke realizuar spektaklin “100 kengët e shekullit” dhe risjellë në vitin 2005, për t’i ristartuar edhe për një shekull tjetër, kengët më të spikatura të periudhës së diktaturës, ky televizion shpëtoi “fëmijën”. Na riktheu pasurinë e humbur nëpër labirinthe luftrash të verbëra politike. Na riktheu historinë. Sepse pesëdhjetë vitet e “djegur” nuk i takojnë asnjë personi të veçantë, asnjë partie të vetme, asnjë shteti totalitar. Ajo histori u takon shqiptarëve. Në të ka faje, ka gabime, ka edhe krime, por ka edhe shumë kryevepra, mjaft thesare, humanizëm të mbijetuar me aq sakrifica.
Italiania Mima Aloisi kreu, sigurisht në përmasën e mundësinë e vet, atë që bëri sëfundi Tv Klan. Kjo ndodhi sepse afro shtatë dekada më parë Mimma, siç e ka treguar në librin e saj \"Luis, historia e një familjeje me shtatë fëmijë\", vitet e fëminisë dhe rinisë së parë i ka kaluar në Shqipëri. Më 7 prill 1939 Injacio, babai i saj dhe njëkohësisht prindi i shtatë fëmijëve, mori pjesë në pushtimin e Shqipërisë. Ishte në kolonën marshuese mbi Durrës. Më pas reparti i tij ndoqi rrugën dhe u vendos në Pogradec. Në fillim të vitit 1940 të gjithë ata ushtarë që ishin të ditëlindjes 1906 sipas ligjit u liruan. U çmobilizua edhe Injacio, italiani i thirrur nga shqiptarët Luis (një shkurtim i mbiemrit Aloisi). Kur u bë gati të hidhte në shpinë çantën e madhe të udhëtimit dhe të merrte rrugën e rikthimit për në atdhe, në Pogradec mbërrit Vaselli, pronari i firmës së ndërtimit me të njëjtin emër, me të cilin kishte punuar paralufte në Bari. Ky kishte siguruar nga qeveria italiane të drejtën e rindërtim-zgjerimit të rrugës Pogradec-Korçë dhe e mori në punë. Injacio i bëri letër të shoqes që të vinte në Pogradec bashkë me fëmijët. Këtu Aloisët u ribashkuan dhe sëbashku me një vendali hapën një bar, të cilin e quajtën \"Caffé Napoli-Llazi Vani\". Pastaj ndodhi lufta italo-greke. Për pak kohë Aloisët u shpërngulën në Itali dhe u kthyen me t\'u \"stabilizuar\" gjendja. Më vonë nisi rezistenca për çlirimin e vendit, lufta në male, erdhi çlirimi i Shqipërisë dhe vetëm më 9 shtator 1949 familja e madhe Aloisi la Pogradecin dhe hipi në anijen që do t\'i sillte për në atdheun e tyre.
Që atëhere Mimma Aliosi e flet shqipen në mënyrë të kulluar.
Ky shpirt i saj shqiptar e orientoi tek “Komisari Memo” i Dritëro Agollit, tek misioni për t’u rrëfyer italianëve humanizmin që kanë shqiptarët, njerëzit me të cilët ajo bashkëjetoi në vitet e tyre më të vështira.
Dhe e siguroj lexuesin se për këtë pjesë të jetës së saj Mimma Aloisi edhe tani ndihet e lumtur.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com